Gusht 1949, “Kur luftonim me grekët në malet e Gramozit”

Gazeta Shqip

22 Gusht 2006 

Ish-koloneli Malindi rrëfen si drejtoi luftimet gjatë “Provokacioneve të gushtit” 

Në një prej atyre ditëve, kur shtabi ynë i komanduar prej Mehmet Shehut ndodhej në vendkomandën e malit të Moravës, gjeneral Markos Vafjadhis, komandant i përgjithshëm i forcave partizane të komunistëve grekë dhe gjeneral Barxhota, që komandonte forcat e instaluara në malin e Gramozit, e njoftuan Mehmetin që në orën 10:00 të paradites të fillonte goditja me artileri e majës së Alices, pasi në atë orë aty do të shkonte këshilltari amerikan, strategu i njohur Van Flit, me Shtabin e Përgjithshëm të forcave qeveritare greke. Unë e lexova i pari atë njoftim dhe kur e mori Mehmet Shehu në dorë, tha: “Ç‘është kjo, pse aventura do bëjmë ne?”

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë mbi ato ngjarje të panjohura, të ndodhura në gushtin e vitit 1949 në kufijtë jugorë të Shqipërisë me Greqinë, është koloneli në pension, 87-vjeçari Skënder Malindi, i cili ka përpiluar planet e operacioneve dhe urdhrat e luftimeve, sipas udhëzimeve që i jepte Mehmet Shehu. Po, si u njoftua udhëheqja e lartë në Tiranë për fillimin e trazirave në kufijtë e jugut dhe çfarë masash morën fillimisht Enver Hoxha me Mehmet Shehun për përballimin e situatës së krijuar? Nga kush përbëhej grupi operativ i caktuar për të shkuar në vijën e frontit dhe sa ishte numri i forcave të armatosura shqiptare që u instaluan në kufijtë juglindorë të vendit? Si i mbante Mehmeti lidhjet me Enverin në Tiranë, në çfarë gjuhe komunikonin ata dhe përse Mehmeti nuk pranoi të qëllonte me artileri majën e malit Alice, ku do shkonte këshilltari amerikan Van Flit, së bashku me shtabin e Përgjithshëm të forcave monarkiste të qeverisë greke? Lidhur me këto, e fakte të tjera të panjohura nga ato ngjarje të largëta të gushtit të nxehtë të vitit 1949, të njohura ndryshe si “Provokacionet e gushtit”, na njohin dëshmitë e kolonelit në pension, Skënder Malindi, ish-komandant divizionesh e zv/drejtor i Përgjithshëm i Përgatitjes Luftarake të Ushtrisë, i diplomuar në akademinë “Frunxe” të Moskës, i cili flet ekskluzivisht për gazetën “Shqip”.

Zoti Malindi, kur u njoftuat për trazirat që po ndodhnin në kufirin jugor me Greqinë?

Lajmin për provokacionet që po na bënin forcat qeveritare greke në kufijtë tanë të jugut ne e mësuam diku aty nga ditët e fundit të korrikut, apo fillimi i gushtit të vitit 1949. Në atë kohë unë sapo isha emëruar komandant i shkollës së bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë dhe ndodhesha në një stërvitje të madhe që zhvillohej aty në shkollë. Në atë stërvitje, e cila ishte dhe e para që zhvillohej me harta, merrnin pjesë të gjithë oficerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, së bashku me këshilltarët sovjetikë, me në krye shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Beqir Balluku. Para fillimit të stërvitjes, aty erdhi vetë Enver Hoxha dhe pasi qëndroi për disa minuta, ai u largua. Teksa ishim duke zhvilluar atë stërvitje, na njoftuan nga Ministria se nga Divizioni VIII i Korçës kishte ardhur një radiogram ku njoftohej për provokacionet e grekëve. Konkretisht, çfarë thuhej në radiogramin që ju dërgonte Divizioni i Korçës? Në radiogramin e Divizionit VIII të Korçës, të ardhur në Ministrinë tonë të Mbrojtjes në datën 2 gusht, bëhej e ditur se forcat qeveritare greke kishin goditur me mortaja dhe artileri kodrën 1309 mbi Vidohovë dhe si rezultat i atyre goditjeve aty kishin mbetur të vrarë dy oficerë dhe gjashtë ushtarë. Dy oficerët e vrarë ishin: komandanti i kompanisë, kapiten Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës dhe komisari, një djalë i mrekullueshëm nga Vëndresha e Skraparit, të cilit fatkeqësisht tani nuk ia kujtoj dot emrin.

Lajmi për provokimet e grekëve në kufijtë e jugut ishte i papritur për ju, apo pritej që të ndodhnin ngjarje të asaj natyre?

Ndonëse udhëheqja e lartë e partisë sonë kishte lidhje të ngushta me Partinë Komuniste të Greqisë, që kryesohej nga Niko Zahariadhis dhe informohej për gjithçka që po ndodhte atje, lajmi që na dha Divizioni ynë VIII, i cili ndodhej i instaluar në Korçë, ishte i papritur dhe na shqetësoi të gjithëve. Me një fjalë ne nuk e prisnim që të na bëheshin provokacione nga grekët në kufijtë e jugut. Çfarë masash u morën pas atij lajmi? Pas marrjes së atij lajmi jo të zakontë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Beqir Balluku, menjëherë na thërriti në një mbledhje në ministri, ku u diskutua për situatën e krijuar dhe masat që do merreshin. Te të gjithë ushtarakët e lartë të shtatmadhorisë vërehej shqetësimi për gjendjen e krijuar. Gjëja e parë që u bë ishte nisja për në Korçë e Petrit Dumes, komandantit të Divizionit VIII, i cili kishte ardhur në Tiranë për stërvitjen që po bënim në Shkollën e Bashkuar. Pas kësaj, Beqir Balluku mori një hartë me reliev plastik dhe menjëherë u nis për në shtëpinë e Enver Hoxhës, për ta njohur me situatën e krijuar në kufijtë e jugut. Me atë hartë plastike, të cilën e kishte përgatitur major Filip Geci nga Shkodra, që kishte mbaruar për topo-gjeodezi në Firence, Beqiri ishte munduar t‘ia shpjegonte Komandantit të Përgjithshëm të gjithë gjendjen e krijuar, por Enveri nuk merrte vesh fare nga hartat. Pas kësaj, Beqiri u detyrua që të më telefononte mua duke më thënë: “Merre hartën tjetër të Vidohovës dhe hajde urgjent këtu te shtëpia e shokut Enver!” Unë mora menjëherë hartën që kërkonte Beqiri dhe nga Ministria e Mbrojtjes, e cila asokohe ndodhej aty në godinën ku sot është korpusi qendror i universitetit shtetëror të Tiranës, u nisa menjëherë te shtëpia e Enverit, ku te porta më ndaloi kapiten Ceno Nushi, vëllai i Gogo Nushit. Pasi ia dorëzova hartën atij, u largova duke u kthyer përsëri për në zyrë në ministri. Pas takimit të Beqir Ballukut me Enverin, çfarë masash u morën për gjendjen e krijuar? Pas takimit me Enverin, Beqiri u kthye përsëri në ministri dhe aty u formua një grup operativ për të drejtuar situatën në të cilën ndodheshim. Në krye të atij grupi u caktua ministri i Brendshëm, gjeneral-leitnant Mehmet Shehu, i cili vlerësohej si një nga ushtarakët më të përgatitur dhe më të aftë nga gjithë të tjerët. Pas tij bënin pjesë: shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Beqir Balluku; drejtori politik i ushtrisë, gjeneral-major Hysni Kapo; drejtori operativ, major Ernest Jakova; komandanti i artilerisë, gjeneral-major Tahir Kadare; drejtori i përgatitjes luftarake, gjeneral-major Gjin Marku; drejtori i xhenjos, kolonel Veli Dedi dhe drejtori i zbulimit, kolonel Teme Sejko. I gjithë ky grup operativ, nën komandën e Mehmet Shehut, u nis menjëherë në zonën e Korçës, duke u instaluar në vendkomandën e shtabit që ndodhej në malin e Moravës. Në kohën që grupi operativ ishte vendosur atje, Mehmet Shehu ishte zënë keq me Ernest Jakovën, të cilin e kishte përzënë, duke e kthyer urgjent në Tiranë, me masë disiplinore ndalimi në garnizonin e kryeqytetit. Pas kësaj, Mehmeti kishte dhënë urdhër në ministri që të nisesha unë urgjent për në Korçë, për të zëvendësuar Ernest Jakovën. Mehmeti kishte thënë që unë të nisesha pa humbur kohë, me çfarëdolloj mjeti që të gjeja. Në atë kohë unë sapo isha bërë komandant i Shkollës së Bashkuar dhe makina që kisha në përdorim ishte një “Moskviç” i vogël, me të cilin nuk mund shkoja dot deri në Korçë. Kështu u detyrova dhe mora makinën e kolonel Shefqet Peçit (drejtor i prapavijës së ushtrisë), me të cilën, bashkë me major Xhevdet Petrelën, në datën 4 gusht udhëtuam për në Korçë, duke shkuar pastaj në këmbë deri në front. Aty iu paraqita menjëherë Mehmet Shehut.

Çfarë detyre ju ngarkuan atje?

Në vendkomandën e shtabit në Moravë Mehmet Shehu më tha: “Dëgjo Skënder, këtu do të bësh çdo gjë sipas atyre që ke mësuar në akademinë ushtarake në Moskë”. Në atë kohë që shkova unë atje, nuk kishte filluar akoma lufta dhe nga ana jonë ishin marrë të gjitha masat për dislokimin e forcave të armatosura në të gjithë kufirin me Greqinë. Sa forca të ushtrisë shqiptare u dërguan në atë kohë në kufijtë e jugut? Për të përballuar atë situatë ne kishim dislokuar aty Divizionin VIII të Korçës, të komanduar nga kolonel Petrit Dume (komandant), komisar Sejdi Avdia dhe shef shtabi Llazi Angjeli, të cilët i kishin vendosur forcat e tyre nga Qafa e Kazanit deri në Kapshticë. Pas këtij divizioni, i cili ishte vendosur në vijën e parë të frontit, erdhi në përforcim edhe Brigada e Këmbësorisë së Vlorës, e komanduar nga nënkolonel Muhamet Prodani, e cila u vendos në fshatin Zvezdë të Korçës. Po kështu, në përforcim erdhi dhe një regjiment i Tiranës, i cili u vendos në Maliq, dhe një i Elbasanit që u vendos në Devoll.

Sa ishte numri i këtyre forcave që u vendosën atje dhe sa ishte ai i të gjitha forcave të armatosura të ushtrisë shqiptare në atë kohë?

Numri i forcave që u vendosën në atë kohë për të përballuar provokacionet e grekëve shkonte në rreth 10 mijë veta, ndërsa e gjithë ushtria shqiptare kishte rreth 40 mijë veta. Ndonëse të gjitha këto forca ishin të gatshme për të luftuar, vetëm një pjesë e tyre zhvilloi luftime direkte me forcat monarko-fashiste greke, siç i quanim ne ata në atë kohë. Kush i drejtonte luftimet atje në front? Të gjithë ne ishim nën urdhrat e Mehmet Shehut dhe ai vendoste për çdo gjë, që nga vendkomanda e shtabit në Moravë. Që në fillimin e luftimeve, Mehmet Shehu më urdhëroi mua që të përgatisja gjithë planin e operacionit dhe urdhrin e luftimit, të cilin ne e ndryshonim çdo ditë sipas situatës. Gjatë ditës Mehmeti dilte vetë për të inspektuar forcat që kishim në vijën e parë të frontit, ndërsa mbrëmjeve na mblidhte gjithë grupin dhe na jepte udhëzimet e nevojshme. Sa ditë zgjatën luftimet në “Provokacionet e gushtit” dhe a erdhi ndonjëherë aty Enver Hoxha? “Provokacionet e gushtit” zgjatën rreth një muaj dhe Enveri nuk erdhi asnjë ditë aty në front, por ai informohej me telefon çdo ditë nga Mehmet Shehu dhe bisedat mes tyre i bënin në frëngjisht. Gjatë asaj kohe a kishit lidhje me forcat komuniste greke të gjeneralit Markos Vafjadhis dhe a takoheshit personalisht me ta? Me forcat komuniste greke të gjeneralit Markos ne kishim lidhje të vazhdueshme dhe ata na njoftonin për çdo veprim që pritej të ndërmerrnin forcat qeveritare monarkiste greke. Me urdhër të Mehmetit, kur nuk kishte filluar akoma lufta, unë dhe Petrit Dume shkuam në malin Gramoz (në tokën greke) dhe aty morëm takim me shtabin e gjeneralit Barxhotas. Ata na pritën shumë mirë, por ne e ndjemë veten shumë inferiorë, për faktin se ne ishim veshur shumë keq dhe u habitëm kur i gjetëm ata të hekurosur e të lustruar si për paradë, e me zyra tepër komode me tapete të rëndë. Pasi na qerasën me konjak e çokollata, ata na treguan taktikat që mund të përdornin ndaj nesh forcat monarkiste qeveritare greke. Pasi qëndruam rreth tri orë aty në shtabin e tyre gjithë luks, ne u kthyem dhe i raportuam Mehmet Shehut. Përveç këtij takimi që bëmë me forcat komuniste në tokën greke, ne informoheshim rregullisht çdo ditë prej tyre. Kështu, më kujtohet në një rast kur gjeneral Marko Vafjadhis dhe gjeneral Barxhota e njoftuan Mehmet Shehun që në orën 10:00 të paradites të fillonte goditja me artileri e majës së Alices, pasi në atë orë aty do të shkonte këshilltari amerikan Van Flit me Shtabin e Përgjithshëm të forcave greke. Unë e lexova i pari atë njoftim dhe kur e mori Mehmet Shehu në dorë, tha: “Ç‘është kjo, pse aventura do bëjmë ne?” Mehmet Shehu shpesh herë nxehej me mënyrën e taktikat që përdornin forcat partizane greke. Në mbledhjet që bënim, ai na thoshte se forcat e gjeneralit Markos nuk duhej të bënin luftë frontale, pasi nuk kishin epërsi në njerëz dhe armatime. Por ato duhej të godisnin të parët armikun, duke e dëmtuar në prapavija e ndërlidhje, pa e lënë të organizohej në luftë frontale.

Cilat ishin luftimet më të ashpra që keni zhvilluar në “Provokacionet e gushtit”?

Tri katër ditë pas letrës që na dërgoi gjeneral Barxhota, forcat qeveritare greke sulmuan malin e Vicit dhe pasi e morën atë, duke i shpartalluar plotësisht forcat partizane të gjeneralit Markos, i ranë malit të Gramozit, ku ishin përqendruar shumë forca të tjera të komunistëve grekë, të cilët pretendonin se aty ishin të pathyeshëm. Për të bërë rrethimin e forcave partizane të komunistëve grekë, forcat qeveritare monarkiste u futën në tokën tonë, në vendin e quajtur Posta e Gurtë, në Trestenik të Devollit, ku u ndeshën me një qëndresë të fortë. Aty u zhvilluan luftime të përgjakshme dhe nga ana jonë u vranë mbi 100 e ca ushtarë dhe oficerë. Aty na u vra edhe komandanti i batalionit, Riza Mestani nga Spathara e Skraparit. Të plagosurit ne i kthenim në spitalin e Korçës, ku erdhën dhe shumë prindër ushtarësh, kryesisht nga Veriu, të cilët kërkonin me ngulm që të vinin vullnetarë në front në vend të djemve të tyre. Në spitalin e Korçës, të plagosurit i vizitoi edhe Mehmet Shehu.

Po nga forcat qeveritare monarkiste greke, sa të vrarë pati?

Edhe nga grekët pati të vrarë, por numrin e saktë të tyre ne nuk e mësuam dot kurrë. Të gjitha ato luftime, ku forcat qeveritare greke ndeshën në një rezistencë të fortë, i kam drejtuar unë, sipas urdhrave të Mehmet Shehut. Pasi grekët dështuan në orvatjen për t‘u marrë krahët forcave partizane të Markosit, ata sulmuan në mënyrë frontale dhe për katër ditë pushtuan të gjithë Gramozin. Në fitoren e forcave qeveritare greke ndikoi shumë aviacioni anglo-amerikan, i cili bëri bombardime të shumta mbi forcat partizane komuniste të gjeneralit Markos. Pas kësaj, me mijëra partizanë e komunistë grekë u detyruan të futeshin në territorin shqiptar, duke dorëzuar më parë armët në kufirin tonë. Kjo gjë shënoi edhe fundin e trazirave të “Provokacioneve të gushtit” të vitit 1949, të cilën forcat qeveritare greke e festuan duke hedhur fishekzjarrë në të gjithë vijën e kufirit. Në ditët që pasuan më vonë pati vetëm konflikte sporadike.

Pas mbarimit të luftimeve, çfarë bëri shtabi juaj? A vazhduat të qëndronit përsëri në Moravë?

Pas kësaj, nga Morava ne u tërhoqëm, duke u vendosur në qytetin e Korçës dhe Mehmet Shehu iku për në Tiranë, duke lënë si zëvendës të tij gjeneral Tahir Kadarenë, ndërsa zëvendës i Tahirit isha unë dhe Teme Sejko. Në Korçë ne qëndruam rreth 20 ditë, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me kufirin dhe më pas u kthyem në Tiranë. Kur erdhët në Tiranë, a u bënë analizat dhe konkluzionet e “Provokacioneve të gushtit”? Analiza e konkluzione për “Provokacionet e gushtit” nuk u bënë kurrë, si duket gjithçka u mjaftua vetëm me analizat që na bënte Mehmet Shehu kur ishim në front.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

6 Komente

  1. eizo thotë:

    23 August 2006 @ 8:41 am

    gjeneral-major Hysni Kapo …….!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

    shifet se si i kane vene gradat ne kohen e dulles
    per Kapot kame lexuar qe nuk jane me orgjine shqipetare por sllave se sa evertete eshte nuk e di………

  2. eizo thotë:

    23 August 2006 @ 8:53 am

    por Enveri nuk merrte vesh fare nga hartat.

    o bubu o bubub o bubu hec dhe merre vesh pastaj se me cfare kemi pasur te bejme ………..

  3. vlonjati thotë:

    23 August 2006 @ 12:35 pm

    O Eizo kur si di gjerat mos fol, se Hysni Kapo ishte me origjine nga Vlora, dhe deri ne Vlore ska arritur gjaku i serbit.
    Mund te thuash ishte antikombetar, komunist apo dhe i shitur gjera qe sbesoj se mund te thuhen per te, por jo qe ishte me origjin sllave.
    Mo e ngaterron me Koci Xoxen, se Koci bente lojen e serbit po me origjine ishte nga konica e greqise, vllah esapi.

  4. eizo thotë:

    23 August 2006 @ 12:42 pm

    o vlonjat une kam lexuar njehre ne internet se fam e tij ka ardhur ne volre nga bosnja aty para naj 200 vjetesh prandaj e shkruajta
    sa per kete tjetren nuk dua ta prek fare se dhe per ate shume flitet ne vlore se sa trim ka qene

  5. vlonjati thotë:

    23 August 2006 @ 12:43 pm

    Pastaj ishin si ishin ata me grada apo pa grada Grekut ja treguan vendin ata ateher, dhe ki nje gje parasysh te gjithe ata qe drejtonin operacjonin ateher kishin mbaruar akademi ushtarake ne Moske dhe Torino.
    Enveri vertet smirte vesh nga hartat po mirte dike qe i dinte permendesh punen e hartave tja spjegonte ama.
    Epo jo si puna e saliut qe vajti ne durres dhe mbajti fjalim per shkriperimin e ujit te detit.
    Se po ta krahasosh ate ushtrin e 50 me kete te sales dhe tosit besoj se te gjithe e dime se jemi 50 vj mbrapa ne sot.

  6. Eizo thotë:

    23 August 2006 @ 12:54 pm

    o vlonjat nuk po ve ne dyshim luften se aty ne ate lufte kam pasur dhe njerzit e mi dhe atyre atje qe luftuan respekt per gjithe jeten kur thone

    dhe saliun nuk e krahaso dot me enverin ……dhe sa per ushtirne kane ndryshuar kohet ….ti duhet ta dishe me mire se une kete se po jeton dhe ne amerike o vlonjat …….por qe vlora i shkoi mbrapa nga halli kete edime te gjithe …mos harro dicka se nuk je vetem ti nga vlora ka dhe te tjere ketu ……

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com