Guximi dhe Lumturia e Besimit

Arben Dulo
25 Prill 2007

“Sizifi, Sizifi, Sizifi,” përsëritja e këtij emri nga mitologjia e lashte Greke e bëri Besimin të hidhte sytë përreth zyrës, dhe të prekte me rradhë kompjuterin, telefonin, makinën e faksit, makinën e foto-kopjeve, për t’u siguruar me se njëherë se nuk ishte i rrjedhur. “Nga i erdhi ndër mend ky emër xhanëm? … Ah po një nga Ministrat e Qeverisë e kishte krahasuar veten me Sizifin.”

Por, Besimi kishte një kuptim tjetër për qëllimin e jetës së tij. I kishte pëlqyer edhe atij Kamy, dikur, në vitet e para të rinisë. E megjithatë me kalimin e viteve prioritetet kishin ndryshuar. Nuk i pëlqente më të kalonte orë të tëra në përpjekje për të kuptuar apo ndryshuar botën si pretendonin disa. Nuk i pëlqente më të kalonte kohën duke pirë me shokët, apo duke shkundur ndonjë nga sekretarkat e bukura që kalonte aty pari nga zyra e tij.

Gjithnjë e më shumë rutina e ditës së punës për Besimin ishte e përcaktuar. Pëlqente të punonte pa ndërprerje dhe pa hile kur ishte në zyrë, në leksionet që mbante apo kur ndërmerrte ndonjë projekt personal. Vetëm kaq. Më tepër se këto sfida personale ai pëlqente të kalonte orë të tëra me vajzën e tij të vogël, duke i treguar përralla apo duke e nxjerrë shëtitje. Më tepër se kaq atij i pëlqente të kalonte pjesën më të madhe të natës me gruan e tij akoma të re e të bukur. Vetëm kur gjendej pranë vajzës dhe gruas së tij ai ishte i lumtur. Vetëm atëhere, koha dhe hapësira kombinuar me monotoninë dhe problemet e ditës së punës e humbnin kuptimin.

Dukej se të gjitha këto kishin rrjedhur natyrshëm në jetën e Besimit nga fëmijëria në moshën e rritur. Asnjeherë në jetën e tij nuk kishte qënë trim e guximtar. Kur ishte fëmijë vinte re se këto dy epitete përdoreshin shpesh herë bashkë si për t’u dhënë një ekuilibër të brendshëm këtyre vlerave marroke. I dëgjonte bashkë dhe gjithmonë bënte të njëjtën pyetje, “Përse i përdorin bashkë xhanëm?” Asnjëherë, në jetën e tij, nuk kishte qënë ndonjë rebel i tipit të Sizifit, apo Prometeut. Kuptimi i jetës për Besimin ishte shumë më i thjeshtë se përfundimet e debateve të filozofisë dhe politikës.

Takimi i rradhës midis përfaqsuesve të Bankës Botërore dhe Ministrisë së Financave ishte një prej atyre, ku filozofia dhe politika vazhdonin debatin e gozhdës dhe patkoit. Në fund të takimit Besimi në rolin e këshilltarit të Bankës Boterore dha argumentat përmbyllëse. Më pas i mbiu përsëri në mëndje konstatimi se ai, “Asnjëherë nuk kishte qënë trim, e guximtar,” i marrë si ata që ai i kishte urryer dhe admiruar vazhdimisht.

Solli ndërmënd se atëhere kur ndiqte studimet në degën e ekomnomikut, kishte mbajtur lidhje me do syresh të tillë. Shërbimet ishin të vogla nga të dy anët. Lidhje interesash dhe shërbimesh. Ata i dilnin krah në sherret që bënte, jo se ishte ndonjë trim i rrallë por se ishte zevzek. Besimi në rikthim i ndërmjetësonte ata me ndonjë nga ato konviktoret e “ndrojtura.” Bënte mirë në të dyja anët. Vajzat “e ndrojtura” i pëlqenin ata djem “vagabondë,” por kishin frikën e thashethemeve përreth të takoheshin hapur me ta. Ata “vagabondët” trima e të marrë, nuk çanin fort b… nga thashethemet, por donin t’i mbanin të fshehura aventurat e tyre për të patur dorë të lirë në deklamimet, “Kom qejf me u martu me ty!”

Fëmijëria, dhe rinia i vinte shpesh në mendje në ato takimet e stërgjatura, përfundimin e të cilave ai e dinte që pa filluar. Ky takim ishte nje prej tyre. Qeveria Shqiptare përgatitej të merrte një hua të përmasave të papara ndonjëherë (qindra milionë dollarëshe), dhe shefin e tij në Bankën Botërore nuk e kishte zënë vendi deri sa kishte lajmëruar të gjitha instancat për rreziqet ekonomiko-financiare të huasë.

Por, edhe kuptimi makiavelo-epikurian i Besimit për jetën kohët e fundit ishte jo aq i qetë e i qashtër, si disa kohë më parë. Shqetësimi i tij më tepër ishte i lidhur me problemet e moshës, “midlife crises,” si thonë këto psikologet e reja. Ky ishte një shqetësim konstant qëkurse ai i kishte mbushur të dyzetat. Ai prej kohësh nuk ishte më, më i riu në zyrë, por me mbushjen e dyzetë viteve kalimi i moshës ishte shfaqur gjithnjë e më real për të. Shefat e tij jo vetëm që po i kishte bashkëmoshatarë, por edhe më të rinj në moshë po bëheshin shefa me një vrull të paparë. Një prej tyre, si puna e këtij kaqolit, Guximit, (mosha dhe emri i të cilit ishin për Besimin arsye shumë të forta për ta urryer), ishte shefi i financave, që manaxhonte tani marrëdhëniet midis Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore.

E megjithate Besimi nuk ishte pishman për karrierën e tij. Vërtet shumë shefa të rinj po i vinin mbi krye por në të njëjtën kohë shumë nga shefat e tij të vjetër po i shihte të shkonin poshtë e më poshtë, ndërsa ai i forconte pozitat e tij gjithnjë e më tepër. Libri i tij “Investimet dhe Globalizmi” ishte pëlqyer shumë nga shefi i tij në Bankën Botërore, aq sa ai kishte siguruar edhe sponsoriziminin e tij. Leksionet e tij ndiqeshin me vëmëndje nga studentët. Në rrethet akademike kishte një opinion pozitiv për të, ndërsa në debatet televizive e ndiqte termi “i moderuar.”

“Bukur,” pëshpëriti me vete. Pëshpërima duket kishte të bënte me lehtësimin e Besimit dhe bindjen e tij se gjithçka kishte shkuar për bukuri. Ai në mënyrë “të moderuar dhe civile” i kishte bërë të ditura Qeverisë Shqiptare shqetësimet e Bankës Botërore, dhe nga ana tjetër nuk kishte hasur në ndonjë veprim “armiqsor” nga ana e qeveritarëve. Pala e Qeverisë urtë e butë kishte deklaruar se ata do ta merrnin borxhin, dhe kishin premtuar se do të arrinin stadartet ekonomike që kërkonte Banka Botërore. “Të dy palët kemi nevojë për mirëkuptim,” ky ishte zëri i Guximit që vinte nga fare pranë. “Sigurisht, të dy palët përpiqemi për zhvillimin e vendit tonë të dashur, Shqipërisë,” deklamoi qetësisht Besimi. Guximi e vështroi qetësisht si për të mbajtur seriozitetin dhe për të kuptuar në se bashkëfolësi ishte i sinqertë për ato që fliste. Një kafe dhe disa pije të lehta e bënë atmosferën edhe më miqësore pas atij takimi në dukje të tensionuar.

Pas takimit Besimi nuk u kthye më në zyrë. Mori makinën dhe shkoi drejt e në shtëpi. E dinte që gruaja e tij e kolme, po e priste. Kishin ditëlindjen e vajzës atë natë. Ajo e kishte mbyllur butikun e saj tek Rruga e Elbasanit, që në mesditë, për të përgatitur “party-n.” Kështu i kishte thënë Besimit ëmbëlsisht në telefon, duke e këshilluar, po ëmbëlsisht, që të mos vonohej. Bleu me nxitim dy tufa të mëdha lulesh, një me trëndafila të kuq, një me trëndafila të bardhë e të verdhë, për të shoqen dhe për vjazën. Ndalesa tjetër ishte apartamenti, që shkëlqente nga luksi dhe gëzimi i asaj nate.

Bija e tij, Vjosana kishte veshur një fustan të bardhë që i jepte bukurisë së saj një rrazëllitje klasike e aristokrate. Muzika e ëmbël, veshja e të pranishmëve, pijet, delikatesat e rastit, i jepnin apartamentit një atmosferë mondane të ngjashme me atë të pritjeve VIP, ku Besimi e kishte aq për zemër të shkonte.

E shoqja Manjola e priti me një buzëqeshje të përzier me dashuri e mirënjohje. Megjithëse jo trim e guximtar Besimi dukej se kishte ngritur një çerdhe të ngrohtë familjare, për të cilën gruaja dhe e bija dukeshin se ia dinin shumë për nder. Ky mendim i beftë e bëri Besimin të ndihej krenar dhe i lumtur.

Në mes të këtij kompleksi mendimesh mori një pije dhe filloi të përshëndetej me të ftuarit. Në mes tyre ishte edhe një nga ata “trimat e guximtarët” e vjetër, Naimi. “Hë, si shkon puna?” e pyeti ai si me përtesë. “Çdo gjë në rregull, miku im. Është koha të festojmë,” u përgjigj Besimi i ngazëllyer.

“Në kuti është dhurata që ia pata premtuar Vjosanës,” i tha Naimi me një buzëqeshje që shprehte gëzim, duke i zgjatur Besimit një kuti të paketuar me kujdes. “Faleminderit, miku im. Besoj se Vjosana do ta pëlqejë shumë,” ia ktheu me mirënjohje Besimi.

Miqtë, Besimi, Manjola, Vjosana, Naimi, gëzuan e festuan gjatë atë natë. Shumica e kanaleve televizive në orët e fundit të transmetimeve dhanë lajmin se Qeveria Shqiptare do të merrte nga Bankat Shqiptare një borxh prej qindra milionë dollarësh. Besimi e Naimi, bënin sikur nuk e kishin mëndjen fare nga ai lajm, megjithëse Naimi, bashkpronar në një nga Bankat më të mëdha në vend bëri ashtu kalimthi një koment në favor të Qeverisë. Komenti humbi në atmosferën festive të mbrëmjes.

“Gjithçka shkoi shumë mirë, zemra ime,” ishte Besimi që pëshpëriste ashtu çakërrqejf. “Asnjë incident, asnjë pakënaqsi. Vjosana ra të flerë më e lumtur se kurrë. Miqtë u ndanë me urimet dhe dhuratat më të mira.” Manjola dhe Besimi gjysëm të dehur ndiheshin të lumtur. “Kam një dhuratë shumë të bukur për ty këtu,” pëshpëriti Manjola duke treguar pak poshtë rripit të dekoldesë së saj. “Edhe unë gjithashtu,” pëshpëriti Besimi.

Pasi u siguruan se vajza flinte u përgatitën për pjesën tjetër të natës. Manjola ndezi sobën e ngrohjes që punonte me gaz, dhe atë fenerin me dritë të bardhë e të fuqishme. Besimi zgjodhi një nga shampanjat e preferuara dhe e vendosi në akull, në një nga ato kovat e bakërta që ai kishte sjellë nga Franca.

Apartamenti vazhdoi të rrinte i ngrohtë, pas ndërprerjes së energjisë elektrike, dhe feneri i vendosur pas grillave të ndarjes së rrobave u jepte lakuriqësisë të trupave të tyre një ngjyrë të bardhë rrazëllitëse. Manjola e Besimi vazhduan të qëndrojnë gjatë në ekztazën seksuale të rradhës. Skenografia e përsosur e “party-t,” apartamenti luksoz, kutia e mbushur me dollarë, shampanja e ftohtë, u fali atë natë, sikurse në shumë çaste lumturie të së shkuarës, optimizmin, adrenalinën dhe orgazmën e suksesit të merituar.

Në një prej momenteve të jashtë ekstazës Besimi u ndje përsëri krenar për vetveten. Kutia e hapur, dollarët e shumtë shpërndarë në shtrat dhe kudo nëpër dhomë, kova me akull, shishja e shampanjës, drita e bardhë pas grillave, gjithë së bashku formonin, për të, një skenë të ngjashme me ato të jetës në Hollywood…

Pa orën. Ishte tepër vonë. Duhej të ngrihej e të bëhej gati për të filluar ditën e tij të zakonshme të punës. E megjithatë vendosi të dremisë edhe pak si për ta shumëfishuar egzistencën e tij në atë jetë të ëndërruar, që vetë e kishte ndërtuar, për ta shijuar deri në fund. Mendimi se për të arritur lumturinë e tij dhe të familjes se tij nuk i ishte dashur të shëndrrohej në trim e guximtar, si ata trimoshat e marrë që i kishte urryer e admiruar vazhdimisht, e bëri ta shijonte edhe më shume dembelizmin e atij mëngjesi.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. e.T thotë:

    28 April 2007 @ 12:16 pm

    I bukur shkrimi !

  2. akull-naja thotë:

    28 April 2007 @ 5:10 pm

    Mor, ka ndonje vella ky Besimi gjekundi?

  3. edrus thotë:

    29 April 2007 @ 7:37 am

    Po moter???

  4. Pjer Thomas thotë:

    29 April 2007 @ 5:05 pm

    Do ishte me i bukur te fuste dhe shqetesimet e borxhlinjve te rinj shqiptare, nga huaja e marre.

  5. swed thotë:

    29 April 2007 @ 5:48 pm

    Per qamet se po e bej dot lidhjen ndermejt kutise qe i dha Naimi per Vjosanen dhe kutise me dollare qe perdoren ata per eksitim :(

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com