Bedri Dedja, baba i modernitetit në letërsinë shqipe për fëmijë

Agim Deva
Tema

Kujtesë në katër vjetorin e vdekjes

kryengritje-ne-pallat.jpgKam përshtypjen se prof. Bedri Dedjes, këtij kolosi të kulturës sonë, i kemi mbetur borxh të gjithë nga pak : edhe kohërat që i kishte kaluar me të gjitha ngjyrimet e mundshme, edhe organet dhe institucionet social-kulturore, edhe rrjedhat e reja që hynin pamëshirshëm në gërshërë me ato të vjetrat, e ku prof. Dedja si rrallëkush realizonte intelektin e vet në mënyrën më dinjitoze : i kemi mbetur borxh prof. Bedri Dedjes edhe ne këtu në Kosovë, edhe për së gjalli, por edhe pas vdekjes së tij.

Mos ndoshta, të gjitha këto borxhe ndaj këtij bardi të kulturës sonë, na shpiejnë në fjalët e Tolstojit të madh kur thotë se « ndërgjegja është zëri i shpirtit.. » ?

Shfletoj librin me kujtime « Nëpër ravat e jetës » (Tiranë 2001), ku Bedri Dedja qysh në hyrje të tij, midis të tjerash, jep një sqarim të shkurtër, por esencialisht domethënës dhe simbolik : « …Fjala ravë ka kuptimin e rrugëve të dhive në mal, ose të gjurmëve në dëborë. Më është dukur se rrugët e mia të jetës ngjasojnë më shumë me ravat.. »

Dhe po të rrëshqasim, qoftë edhe shumë përciptazi nëpër jetën e prof. Bedriut (gjë që ai nuk e meriton një qasje të këtillë sipërfaqësore), do të shohim se nga viti 1930 kur erdhi në jetë e deri më 2004, kur ma dërgoi romanin e tij « Sikuriada », që realisht ishte pjesa e tretë e romanit « Kalamajtë e pallatit tim » (roman i një lloji të ri – roman manifest), dhe iku nga kjo botë, duke marrë me vete shumëçka, që po të na linte në një formë apo në një tjetër, do të kishim një dobi shoqërore shumë më karakterogjene, se tani kur gjëndemi pa të.

Autoriteti i tij qe ndërtuar gjithnjë me sakrifica natyrash të ndryshme. Vetë prezenca e tij në një konsultë, program kulturor, simpozium, mbledhje, etj. e kishte peshën e vet dhe karakteri i tij, gjithnjë stabël, të imponohej me një qetësi impozante, me një urtësi antike, me një kriter të formësuar e të shumë kohezional, që ishte rezultat i dijes, i përvojës së tij shumëvjeçare në shumë fusha të artit, të kulturës, të arsimit, të shkencës. Këtë përshtypje e kisha edhe në vitin 1973, kur për here të pare u takova me të në Tiranën “misterioze”, dhe qysh atëherë më duket se kisha takuar një njeri, që kishte lindur nja tridhjetë vjet më herët, sepse vetë shkalla e tij e inteligjencës, fjalori i komunikimit, horizonti i tij kulturor që gravitonte nga Europa, qetësia me të cilën të dëgjonte dhe këshillat e tij assesi të imponuara si domosdoshmëri, mirësjellja e tij në interpretime shkencore, kishin tipare të një pedagogu e psikologu me experience, prej të cilit mund të mësonim shumë të gjithë ne, që kishim fatin të rrinim me të. Një tip recent, një mëndje e ndritur, që herë-herë m’i përkujtonte rilindasit tanë. Korçari sharmant, studenti i dalluar i Universitetit të Moskës, pedagog shumëvjeçar në Universitetin e Tiranës, shkencëtar i dalluar, sidomos në fushat e psikologjisë, letërsisë për fëmijë dhe pedagogjisë, organizator i shumë simpoziumeve të ndryshme, krijues i një numri të madh veprash letrare (poezi, tregime, përralla, novela, poema, romane, legjenda, fabuka, përralla mbi kafshët, kujtime, etj.); pastaj, themelues i mendimit teorik-kritik mbi çështjet e ndryshme të letërsisë për fëmijë, autor i veprave letrare kapitale, me të cilat janë rritur gjenerata të tëra fëmijësh e të rinjsh tanë si: “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kapiteni i shtrëngatës”, “Kalamajtë e pallatit tim”(1,2,3), “Republika e 1100 çudirave”, “Nëpër korridoret e thella të Jonit”, “Qyteti me tri kështjella”, “Përralla njëmbëdhjetëkatëshe”, si edhe dhjetra e dhjetra vepra të tjera, që na bëjnë ta perceptojmë realisht formatin e madh të akademik Bedri Dedjes, pena e të cilit gjurmonte modalitete të reja të shprehjes, deri në ditët e fundit të jetës.

Është vërtet e dhëmbshme kur nëpër mbledhjet komemorative ngrihemi në këmbë për të mbajtur një minute heshtje për kolosët, siç ishte në këtë rast, Bedri Dedja. Një minute heshtje. Më besoni: kurrë nuk kam mundur ta kuptoj domethënien e këtij minuti, sado që edhe vetë jam ngritur shumë here në këmbë për këtë qëllim, për miqtë dhe dashamirët që na ikin – secili në mënyrë të vet. E shpjegojnë si nderim të fundit, që i bëjnë të ndjerit.

Bedri Dedjen do ta nderojmë për kohë të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha: është baba i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë. Prej tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet edhe ndryshe, se edhe të vegjlit janë të detyruar të na kuptojnë edhe atëherë qartë e drejtë. Në botën e librit tone ka sjellë përvoja e modele të reja kreacionale, duke përkthyer vepra të rëndësishme nga letërsitë e huaja. Vetëm ata që e duan njeriun, mbeten të pavdekshëm. Akademik Bedri Dedja ishte prej atyre që ka rrezatuar me energji positive kudo që ka qënë i pranishëm.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. akvll-naja thotë:

    15 April 2008 @ 1:22 pm

    Në çdo rast, Prof. Bedri Dedja meriton heshtjen më mirë se shqipen dhe cektësinë e artikullit më lart (mendoj unë).

  2. Blendi Salaj thotë:

    15 April 2008 @ 1:35 pm

    Heshtjen po, Harresen jo.

    Me ka marre malli te lexoj edhe nje here si dikur “Neper koridorret e thella te Jonit”.

  3. akvll-naja thotë:

    15 April 2008 @ 1:58 pm

    Ja ç’më tha Wiki që ia kish thënë Historia e Letërsisë Shqiptare për Fëmijë :

    Bedri Dedja, Akademik dhe profesor në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë,ka qenë një personalitet shumëplanësh në krijimtarinë letrare shqiptare për të vegjëlit dhe atë shkencore për të rriturit : poet e prozator, përrallëtar e dramaturg, tregimtar e publicist, novelist e romancier, përkthyes, gazetar e kritik, studiues i psikologjisë, pedagogjisë e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, studiues e teoricien i historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë. Fitues i shumë çmimeve letrare, “Qytetar Nderi” i Beratit, mbajtës i “Cmimit te Republikës”, “Urdherit Naim Frashëri” dhe titullit “Mjeshtër i Madh”, Bedri Deja është vlerësuar gjithashtu nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë vend në Vëllimin e XVI të biografive si autor i shquar i shekullit XX. Bedri Dedja ka lindur në Korçë më 20.11.1930. Shkollën fillore e kreu në Shkodër ndërsa gjimnazin e perfundoi në qytetin e Durrësit. Më pas studioi në Universitetin e Moskës dhe u diplomua shkelqyeshëm në vitin 1953 në disiplinat e pedagogjisë, psikologjisë dhe njëkohësisht të letërsisë për fëmijë. Pas përfundimit të studimeve universitare, për 40 vjet ai ka qenë lektor dhe Profesor titullar i lendeve të psikologjise dhe pedagogjisë në Universitetin e Tiranës dhe për një periudhë 5 vjeçare (1975-1980) edhe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit. Nga viti 1972 e deri sa u nda nga jeta më 13 prill 2004, ka qenë Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Paralelisht me veprimtarinë pedagogjike, deri në vitin 1975 ai ka ushtruar edhe funksione drejtuese publike si Drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik Tiranë, Kryeredaktor i Revistës “Fatosi” dhe Gazetës “Mësuesi”, Drejtor i Drejtorisë së Botimeve Shkollore e Drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike në Ministrinë e Arsimit, Zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës si dhe Sekretar i Përgjithshëm Shkencor i Akademisë së Shkencave. Bedri Dedja ka qenë për shumë vjet anëtar i Shoqatës Botërore të Psikologëve, Kryetar i Shoqatë Kombëtare të Psikologëve si dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë. Bedri Dedja gjithashtu ka qenë anëtar i Redaksisë së përgjithshme për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) si dhe bashkëautor dhe redaktor përgjegjës i botimit të Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit, Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar Vol. I (2003). Shume vepra të tij janë përkthyer e botuar jashtë Shqipërisë si në Maqedoni, Kosovë, Greqi, Rumani, Kinë e Zvicër.

    Burimet : Kjo biografi dhe të dhënat janë bazuar në Tekstin Historia e Letërsisë Shqiptare për Fëmijë të Dr. Astrit Bishqemi, Universiteti “A.Xhuvani” Elbasan, Botimet Sejko - 2001, fq. 287-289 duke u plotësuar vetëm me të dhënat e reja dhe botimet pas vitit 2001.

    Tituj të veprave

    Bedri Dedja, ka botuar:

    Novela : Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit(1954); Një udhëtim i rrezikshëm(1961); Kercënimi i thonjve kozmikë(1976); Përrallëmadhja (1998);

    Vëllime me tregime e përralla : Përralla popullore mbi kafshët(1957); Përralla e tre vëllezërve(1958); Kallëzimet e gjyshe pastërtores(1960); Kapiteni i shtërngatës(1970); Përralla e shpatave të arta(1976); Përralla e lepurit dhe e breshkës(1976); Bariu i vogël në mal të thatë(1979); Përralla njëmbëdhjetëkatëshe(1996); Përralla të zgjedhura(1997); Përrallat e Zvicrës(2002);

    Vjersha dhe poema : Numrat(1959); Shkolla e pyllit(1967); Artan Borizani dhe çeta e tij(1970); Garda partizane(1972); Patoku në plazh(1975); Poezi të zgjedhura për fëmijë(1975); Beni shkon në malësi me familje dhe shtëpi(1976); Gjashtë poema për kalamaj(1976); Vera, Genti e Driloni(1985);

    Romane : Shoku i braktisur(1957); Kalamajtë e pallatit tim Vol.I(1972),Vol.II(1979);Republika e 1100 çudirave(1975);Nëpër korridoret e thella të Jonit(1976); Met partizani(1981); Si u rrit një komisar(1986); Alarmet e qytetit Sdikuisht(1989); Kacamicri rreth globit(1993); Si katër fëmijë u bënë biznesmenë(1996); Qyteti me tri kështjella(1998); Sikuriada(2002); Presidenti i Planetit të Kuq(2006, botuar post mortum);

    Pjesë teatrale : Gjyqi i Maçokut(1962); Kryengritje në pallat(1972);

    Publicistikë : Biseda me pionierët(1986); Nëpër ravat e jetës - Kujtime(2001); Duke ecur kontinenteve - Përshtypje udhëtimesh(2004);

    Përkthime nga gjuha ruse : L.Tolstoi - Tregime dhe përralla për fëmijë(1954); Robi i Kaukazit(1959); V.Majakovski - Për fëmijët(1954); Lexo, shëtit e fluturo(1958); C’është mirë e ç’është keq(1966); N.Nosov - Tregime(1954); Aventurat e Dinpakut dhe shokëve të tij(1957); M.Tuein - Aventurat e Tom Sojerit(1955); A.S.Pushkin - Përralla e peshkatarit dhe e peshkut(1956); H.K.Andersen - Përralla(1956); M.Gorki - Jashka,Samovari(1957); Sh.Péro - Maçoku me çizme(1958); Përralla ruse(1998, përshtatje e shqipërime nga 18 autorë);

    Studime dhe vepra shkencore : Edukimi i marrdhënieve të drejta midis djemve dhe vajzave në familje(1956); Psikologjia për shkollat e mesme(1959); Letërsia për fëmijë(1961,1964,1966,1975,1983); Psikologjia për shkollat e larta (bashkëautor 1965,1985,1987); Mbi rrugët e perfeksionimit të sistemit të sotëm të edukatës familjare(1966); Politika dhe Pedagogjia(1967); Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë(1971); Shënime mbi historinë e mendimit pedagogjik shqiptar(1972); Burimet e letërsisë shqipe për fëmijë(1978); Shkrime mbi letërsinë për fëmijë(1978); Studime mbi problemin e metodave të të mësuarit në shkollë(1978); Didaktika(bashkëautor 1986); Drejt enigmave të psikikës së njeriut(1989); Psikologjia Sociale(1990); Sekreti i talentit(1998)

  4. anonymus thotë:

    15 April 2008 @ 10:18 pm

    Me ka marre malli te lexoj edhe nje here si dikur “Neper koridorret e thella te Jonit”.

    Edhe mu’ dude! :)
    E mbaj mend si sot kur ma blene ata te shtepise! Per 10-vjetor! Ke libraria qe ka qene djathtas, pa shkuar tek sheshi Avni Rustemi!

  5. eni thotë:

    15 April 2008 @ 10:37 pm

    Nderim dhe respekt te thelle per kete mik te shquar te femijeve. Librat e tij ishin hapesira te pafund per femijet e “realizmit socialist”. Une i kam lexuar te gjitha librat e tij dhe here pas here lexoj disa faqe nga libri “Kalamajte e pallatit tim”, megjithese jam ne moshen dyzet vjecare. Une jetoj larg atdheut, por kete liber e kam marre me vete dhe e kam vene midis librave te tjere ne biblioteken time personale.

  6. Peshku Fluturues thotë:

    16 April 2008 @ 1:38 am

    Eni. Ta kam zili qe paske nje kopje te “Kalamajte e pallatit tim” Padyshim eshte romani me i bukur i shkruar nga jeta e perditeshme e femijeve shqiptare.
    Nderim per Prof. Bedri Deden se na ka dhene ca endrra feminie qe s’blihen me flori.

  7. NORA thotë:

    14 August 2008 @ 6:37 pm

    Jeni me i miri dhe shume respekt per ju pr.Bedri DEDJA.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com