Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit me 0.5%

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në konferencën për shtyp mbi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit nga 6.25% në 5.75%

www.bankofalbania.org
Data e publikimit 28.01.2009

Sot në mbledhjen e tij të radhës, bazuar në informacionin më të fundit të disponueshëm, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim zhvillimet ekonomiko – financiare në vend.

Ekonomia botërore dhe veçanërisht sistemi financiar pësuan tronditje të mëdha gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008. Kriza e cili goditi zemrën e sistemit financiar botëror u transmetua në mënyrë progresive e të pandalshme në aktivitetin ekonomik të vendeve të zhvilluara, duke i çuar ekonomitë e disa prej tyre në recesion.

Përballë kësaj vale goditëse, ekonomia shqiptare ka shfaqur rezistencë gjatë periudhës në fjalë. Sipas të dhënave zyrtare të disponueshme dhe duke gjykuar mbi një sërë treguesish të tërthortë, Banka e Shqipërisë konstaton se aktiviteti ekonomik i vitit 2008 është zhvilluar përgjithësisht në linjë me parashikimet e fillimvitit, si për sa i përket rritjes ekonomike ashtu edhe në drejtim të ruajtjes së balancave makroekonomike. Në veçanti, Banka e Shqipërisë e ka përmbushur mandatin e saj parësor, duke kontribuar në qëndrueshmërinë e stabilitetit të çmimeve.

Aktiviteti ekonomik në vend është mbështetur kryesisht në burimet e brendshme të financimit. Duke vepruar brenda të gjithë parametrave të shëndetit financiar, sistemi bankar shqiptar është treguar dinamik dhe efektiv në kanalizimin e kursimeve të ekonomisë drejt financimit të aktiviteteve prodhuese të firmave apo konsumit të qytetarëve.

Ky proces është lehtësuar edhe nga stabiliteti makroekonomik, i cili ka mundësuar uljen e primeve të rrezikut në ekonomi dhe ka ndihmuar në zgjatjen graduale të horizontit të investimeve.

Megjithë presionet inflacioniste të vëna re gjatë fillimit të vitit 2008, kryesisht si rezultat i goditjes së faktorëve të ofertës, inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit u kthye brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të vitit. Në këtë periudhë të vitit, inflacioni vjetor shënoi vlera pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, përkatësisht 3.0 për qind dhe 2.5 për qind, në secilin tremujor. Rikthimi i inflacionit brenda bandës së synuar nga Banka e Shqipërisë u kushtëzua jo vetëm nga qetësimi i goditjeve të ofertës, por edhe nga kushtet e përshtatshme monetare, që kanë mundësuar balancimin e faktorëve të kërkesës dhe ofertës.

Gjatë vitit 2008, politika monetare ka qenë neutrale dhe norma bazë e interesit është mbajtur e pandryshuar, në nivelin 6.25 për qind. Së bashku me forcimin e disa masave të mbikëqyrjes bankare në drejtim të administrimit të rrezikut të kredive, kjo politikë ka ndikuar në një rritje më të balancuar të kredisë dhe ka përcjellë stimujt e duhur për konsum e kursime. Politika e drejtë monetare dhe kontrolli i inflacionit nga Banka e Shqipërisë janë reflektuar edhe në ankorimin e pritjeve për inflacionin të agjentëve ekonomikë, pranë nivelit 3 për qind të synuar nga Banka e Shqipërisë.

Në këtë kontekst nuk duhet lënë pa përmendur edhe kontributi i politikës fiskale, e cila, nëpërmjet kufizimit të deficitit buxhetor në nivele të pranueshme, ka kontribuar në ruajtjen e balancave makroekomike. Nga ana tjetër, sektori i jashtëm i ekonomisë ka vijuar të karakterizohet nga zgjerimi i deficitit të llogarisë korente. Tremujori i tretë i vitit 2008 regjistroi një rritje të deficitit korent. Raporti i tij ndaj PBB-së vlerësohet të ketë arritur në rreth 13.7 për qind. Në thellimin e deficitit korent gjatë kësaj periudhe, kontribuoi jo vetëm rritja e deficitit tregtar, por edhe ngushtimi i bilancit pozitiv të llogarisë së të ardhurave dhe të transfertave korente. Dinamika e zhvillimeve të bilancit të pagesave përbën një objekt konstant të monitorimit të Bankës së Shqipërisë, duke e faktorizuar atë në gjykimet tona për përshtatshmërinë e kushteve monetare.

Ecuria e treguesve monetarë gjatë gjysmës së dytë të vitit rezulton përgjithësisht e qëndrueshme, ndonëse shfaq shenja ngadalësimi të ritmeve të rritjes të depozitave dhe të kredive, gjatë tremujorit të fundit. Në terma relativë, ky ngadalësim ka prekur një pjesë të vogël të bilancit të bankave tregtare, por pa prekur në asnjë rast treguesit e shëndetit të sistemit bankar dhe aftësinë paguese të tij. Aktiviteti i tregjeve të parasë gjatë kësaj periudhe është kushtëzuar nga zhvillimet e treguesve monetarë dhe të ekonomisë reale. Ashtu si dhe në eksperiencat e vendeve të tjera, sensitiviteti i rritur i bankave ndaj likuiditetit ka sjellë uljen e vëllimeve të tregtimit ndërbankar dhe tendenca rritëse të normave të interesit të depozitave.

Ndërkohë, gjatë dy muajve të fundit të vitit është vënë re një rënie e raportit të mbulimit të kërkesave për huamarrje të qeverisë dhe zgjerim i disa primeve të rrezikut. Këto dukuri kanë sjellë rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe, në disa raste, të kredisë. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregjet e parasë duke injektuar likuiditet me afate të ndryshme maturimi, sipas kërkesave të sistemit. Gjithashtu, për t’i shërbyer më mirë nevojave të bankave, Banka e Shqipërisë ka ndryshuar në muajin nëntor formën e ankandit të repove, në ankand pa kufizim shume.

Në vazhdim të deklaratave publike të mëparshme, Banka e Shqipërisë, thekson se ndikimi i krizës botërore në ekonominë shqiptare do të varet si nga intensiteti, ashtu edhe nga kohëzgjatja e saj. Siç e kam përmendur edhe më parë, kanalet të cilat ekspozojnë më shumë ekonominë shqiptare ndaj goditjeve të ambientit ekonomik botëror janë rënia e prurjeve valutore, si të natyrës korente ashtu dhe kapitale, dhe shtrëngimi i kushteve të financimit në përgjithësi. Ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve do të materializohej në një rritje ekonomike më të ngadaltë, gjatë vitit 2009. Nga ana tjetër, parashikimet më të fundit të Bankës së Shqipërisë për ecurinë e çmimeve të konsumit gjatë periudhës në vazhdim, tregojnë një zbutje relativisht të ndjeshme të presioneve inflacioniste.

Duke marrë në konsideratë sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën e interesit për marrëveshjet e riblerjes me 0.50 pikë përqindjeje. Në këto kushte, niveli i normës bazë të interesit arrin në 5.75 për qind.

Banka e Shqipërisë, në bazë të analizave, vrojtimeve dhe fakteve të mbledhura, vërtetoi se muaji janar krijoi premisat për më shumë hapësirë manovrimi, duke nënkuptuar ndryshimin e kahut të politikës monetare drejt zbutjes së normave të interesit.

Vendimi që sapo shpalla, ndërmjet të tjerash, do të ulë koston e huamarrjes së bankave. Banka e Shqipërisë, vlerëson se nëpërmjet tij, krijohen premisat për një reagim pozitiv nga ana e sistemit bankar, në drejtim të uljes së përqindjeve të interesit në lekë për kreditimin e ekonomisë.

Stimuli i sotëm vlerësohet një hap në momentin e duhur, për të mbështetur ekonominë me kredi dhe nga ana tjetër, ndihmon në konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar të sistemit. Nëpërmjet këtij vendimi, krijohet më shumë frymëmarje për aktivitetin ekonomik të vendit. Ai është një kontribut i drejtpërdrejtë për minimizimin e efekteve negative që vijnë nga kriza ndërkombëtare si dhe ndihmon për qëndrueshmërinë e mëtejshme të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit.

Banka e Shqipërisë do të punojë për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar, në interes të zhvillimit ekonomik afatgjatë. Në këtë drejtim, dëshiroj të theksoj se sjellja më racionale për çdo individ, biznes apo aktor tjetër të shoqërisë shqiptare, do të ishte besimi në sistemin bankar dhe në bilancet e tij tërësisht likuide, transparente dhe të shëndetshme.

2 Komente

Ulja e normes baze te interesit, mendoj se ishte nje nga hapat e mençur te BQ, biles po mendoja se pse po ngurojne ta ulin normen baze te interesit, kur kriza ka trokitur ne shumicen e ekonomive. Ndoshta ekspertet e BQ, e kane pare te arsyeshme te mos nxitoheshin, persa kohe bizneset nuk ishin trazuar akoma dhe pa nxjerre rezultatet perfundimtare te 2008. Ndoshta ka ndikuar dhe interesimi i biznesit te huaj per te investuar ne Shqiperi, numri i larte i turisteve per 2008 (2.5 milion) qe e ka shtuar besimin dhe sigurine ne ekonomine shqiptare e per te mos u nxituar.  Kam pershtypjen se kur kriza do te ndikoje pak me shume ne Shqiperi (aty rreth tremujorit te dyte, prill-maj), nuk eshte çudi qe norma baze e interesit te ulet deri ne 5.50, per ti dhene me shum frymemarje ekonomise. Natyrisht qe ne kete kohe fillon dhe ulja e çmimeve dhe hyrja e valutes (qershor-korrik-gusht), dhe nuk eshte çudi qe keto dy paketa ta ulin inflacionin deri ne 1%, duke e forcuar provizorisht lekun ne raport me euron dhe dollarin, vlera/paketa e se ciles mund te shkoje deri ne 4-5-6% te GDP/PBB, qe e thene me terma te thjeshta do te thote gjenerimi/çlirimi i disa qindra milion leke per investime ne sektoret publike.  

E ka marre ferra uraten .....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).