Shqipëria si m’u duk

Ky titull është i Konicës. Më 1928 ai u kthye për herë të fundit në Shqipëri dhe në tekstin “Shqipëria si m’u duk” bëri një përshkrim të gjatë të asaj që pa dhe përjetoi në atdhe.

Ndërkohë, Zogu kishte konsoliduar pushtetin, kishte krijuar stabilitet në vend dhe kishte shpallur mbretërinë. Ai i bën Konicës një pritje aristokrate, të nivelit të lartë, të tillë që Konicës i pëlqente jashtë mase: çon sekretarin e oborrit në anije, tej Durrësit, që ta marrë dhe t’i shpreh mirëseardhje, e bie në Tiranë dhe e vendos në një vilë luksoze. Pastaj vijnë pritjet, takimet e nivelit të lartë, drekat dhe darkat intime dhe zyrtare, bisedat, e kështu me radhë. Konica luhatet. Atij duket sikur i çrregullohet “qendra trunore e të menduarit kritik”. Dinakëria e Zogut, njeri i pushtetshëm dhe politikan i shkathtë, duket sikur ngadhënjen përfundimisht mbi mendjen e mprehtë të intelektualit me pedigre. Për nderet që i bën Zogu, Konica e shpërblen me tekstin që e përmendëm në fillim. Është ky teksti më pak kritik dhe më oportunist që ka shkruar Konica. Por teksti përmban edhe dy mesazhe të padukshme, largvajtëse: një, se intelektuali Konica e fal pushtetarin Zog për armiqësinë e gjatë që kishin mes veti, për hir të një interesi sipëror, që në këtë rast është konsolidimi i shtetit shqiptar; dhe, dy, ndryshueshmëria e pikëpamjeve dhe parimeve politike te shqiptarët, qofshin ata intelektualë ose jo, ka një traditë më të gjatë dhe shkon në drejtim të kundërt me mentalitetin tonë konservativ.

Ndërkohë, me mendime të shpërndara nëpër histori dhe aktualitet, futem në Tiranë po nga ajo anë e horizontit, nga kishte hyrë Konica pothuajse një shekull më parë. Nuk është vetëm pamja ndryshe e Tiranës, nga ajo që e përshkruan Konica, por edhe stina. Në përgjithësi, është një botë e ndërtuar mbi kontraste të mëdha, në një kohë që Konica flet për një harmoni të përsosur të peizazhit me gjendjen dhe situatat. Sot, po kërkove të shikosh si funksionojnë shpjegimet akademike dhe mësimet nga historia në realitetin aktual të Shqipërisë, do të përballësh me probleme të shumta konceptuale dhe botëkuptimore. Këtë e vërej sapo marr një grumbull gazetash ditore dhe i vë përpara.

Ose hap televizorin. Nuk ka si të mos më bjerë në sy fakti, se shumicën e atyre që zënë shtyllat e para të gazetave me komente politike, që shfaqen si analistë në TV, ose që janë bartës të funksioneve të rëndësishme në medie, drejtorë, kryeredaktorë, i kam njohur që në vitet nëntëdhjetë. Me disa syresh jam njohur te “Fideli”, ose në ndonjë vend tjetër të Tiranës. Kjo pak ka rëndësi. Por e di se, ajo që më bënte përshtypje që atëherë, ishte kontrasti i madh ndërmjet ashpërsisë së gjuhës publike që ata përdornin kundër njëri-tjetrit, kundrejt krahut tjetër politik, nga njëra anë, dhe atmosferës miqësore dhe të relaksuar që krijonin në bisedat joformale, më anë tjetër. Dukeshin armiq në medie, por mbeteshin miq në jetën e përditshme. Edhe një gjë: kjo gjeneratë, tani e mesme, e gazetarëve, e analistëve, por edhe e politikanëve, të cilat tashmë kanë filluar t’i japin pamje tjetër Shqipërisë, pothuajse që të gjithë kanë dalë nga lëvizja politike e fillimit të viteve nëntëdhjetë. Madje edhe opozita me liderët dhe bartësit kryesorë të saj, e cila sot duket aq e egërsuar në pikëpamje dhe në vijë politike, ka dalë nga po ajo mitër. Shpesh kam menduar, a është ky problem i konvertimit të lehtë, pra i paqëndrueshmërisë, apo i një kulture të re politike? Apo, as njëra, as tjetra. Më shkonte mendja se Sali Berisha me pushtetin e tij, më shumë se me punët që ka bërë rreth Shqipërisë, e ka meritën më të madhe për krijimin e një opozite jokonvencionale, e cila tashmë nuk identifikohet me trashëgiminë komuniste. Ajo ka filluar të identifikohet (për aq sa mund të jetë e till&eumlsmiley me lojalitetin ndaj Shqipërisë dhe me pragmatizmin politik.

Pa zgjidhur asgjë nga dilemat e këtilla, të cilat kryesisht janë të nxitura nga konvertimet e shpeshta politike të miqve, kolegëve, të njerëzve që i ke njohur, të nesërmen shkoj në Ministrinë e Turizmit, Kulturës etj., ku duhet të ndahen çmimet vjetore të letërsisë. Nuk e mohoj, që kur e kam dëgjuar për herë të parë se Shqipëria nuk do të ketë më ministri kulture në kuptimin e plotë të fjalës, i kam shtrembëruar buzët në shenjë pakënaqësie. Por nuk më shkuar mendja deri sot se, mbase, kjo është zgjidhja më e mirë, madje një zgjidhje e avancuar, sepse nënkupton një largim gradual të ndikimit të shtetit në punët e kulturës dhe të krijimtarisë. Pamja e godinës dhe sallës ku do të ndaheshin çmimet, ishte dinjitoze. Kombinim i shkëlqyer i traditës dhe bashkëkohësisë: një sallë e rregulluar me shije, një orkestër e vogël, dy aktorë nga më të mirët dhe një auditor letrar-artistik reprezentativ. Kadare i jep peshë dhe sharm këtij solemniteti. Si padashur, e krahasoj atë ambient dhe atë atmosferë, me një të ngjashme, të mbajtur tani së fundi në

Ministrinë tonë të Kulturës, që u dha në TV, me rastin e ndarjes së çmimeve homologe, me emrin “Azem Shkreli”. Një tkurrje, një rrudhje, një strukje, mbase ikje nga opinioni. Çmimet këtu te ne u ndanë në kabinetin e ministrit, pa asgjë artistike, pa asgjë solemne që do të shkonte më të. Nuk bëhet fjalë për varfëri materiale, por për varfëri shpirti.
Së fundi, rreth Kosovës në Tiranë, Kosovës në Shqipëri. Së pari, dallimi që bie në sy është se, edhe përkundër faktit se skena politike e Shqipërisë është e ashpër dhe ndotur, megjithatë ajo është me e çiltër, më e relaksuar. Te ne është jo vetëm më konservative, por edhe më tinëzare. Por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që brengos, është prania e munguar e Kosovës. Ajo, për Tiranën, tashmë është lajm në distancë, është medie, por nuk është substancë, nuk është ndodhi, nuk është ngjarje autentike. Media e Shqipërisë ka arritur ta bëjë atë që nuk e bëri dot politika për një kohë të gjatë: e ka integruar hapësirën shqiptare.

Duket se në të ardhmen ky integrim do të shkojë edhe më shpejt. Por, kjo është iniciativë e lirë dhe prandaj funksionon. Aty ku duhet të jetë shteti, nuk ka asgjë. Politikat në Kosovë tashmë e kanë hequr nga rendi i ditës bashkëpunimin me Shqipërinë. Për Prishtinën politike, Tirana është një vend ku mund të bëhen ekskursione dhe turizëm. Kosova nuk është në gjendje t’i përgjigjet Shqipërisë në asnjë pikë. Këtë ma thonë kolegët e mi në Tiranë, njerëz të kulturës, të artit, të letërsisë. Trokitja në dyert e Kosovës për çfarëdo bashkëpunimi kulturor, thonë ata, është një trokitje në shurdhësi. Unë nuk dua ta pranoj se është kështu, së paku jo para tyre. Sepse më vjen inat. Sepse nuk dua të jetë e vërtetë. Sepse ndjehem i lënduar në sedër. Megjithatë, unë e di se Ministria jonë e Kulturës, gjatë vitit të shkuar, nuk ka realizuar asnjë program kulturor të bashkëpunimit me Shqipërinë.
Juve ua thash këtë “në besë”, por atyre të Shqipërisë nuk desha t’ua pranoj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).