Kredia, bankat njoftojnë konsumatorin për ndryshimet e interesit

Rregullorja e re, më shumë transparencë ndaj konsumatorit

BSH, rregulla të reja për kredinë konsumatore dhe hipotekare për individët

 

Ndryshimi i normës së interesit të kredive në çdo kohë, është një informacion që kredimarrësi duhet të jetë i informuar nga bankat e nivelit të dytë. Rregullorja e re e miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së parashikon që bankat duhet të njoftojnë konsumatorët për ndryshimin e normës së interesit. Sipas kësaj rregulloreje, banka njofton konsumatorin gjatë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë, për ndryshimet në normën e interesit ose në kostot e pagueshme, siç përcaktohet në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”.

Ka kërkesa të veçanta për kontratën e kredisë hipotekare për individin. Në rastin e një individi që aplikon për kredi hipotekare, banka është e detyruar t’i paraqesë atij informacionin standard parakontraktor të plotësuar dhe personalizuar sipas formatit të dhënë në aneksin 1, bashkëngjitur dhe pjesë përbërëse e kësaj rregulloreje. Në çdo kontratë kredie hipotekare për individin, banka plotëson kërkesat e parashikuara në nenin 7 të kësaj rregulloreje, me përjashtim të kërkesës së shkronjës “k” të këtij neni. Banka publikon në ambientet e saj dhe pajis individin me informacion në formë të shkruar mbi mënyrën e përllogaritjes dhe/ose të ndryshimit të normës së interesit të kredisë hipotekare për individin, duke i ofruar klientit si një nga mënyrat e kuotimit të kredisë hipotekare, indeksimin e normës së interesit të kësaj të fundit me normën bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë për marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes (repo).

 

Rregullimi i kontratës së kredisë konsumatore

Konsumatori ka të drejtën të tërhiqet nga marrëveshja dhe/ose kontrata e kredisë konsumatore pa dhënë ndonjë arsye për këtë qëllim, brenda një periudhe kalendarike 14 (katërmbëdhjet&eumlsmiley ditore. Ky fat fillon nga dita e arritjes së marrëveshjes ose lidhjes së kontratës, ose nga data kur konsumatori merr dijeni për kushtet kontraktuale (nëse kjo e fundit është e mëvonshme). Përpara ushtrimit të kësaj të drejte, konsumatori njofton bankën për synimin e tij (brenda afatit prej 14 ditësh) për t’u tërhequr nga kontrata e kredisë. Në qoftë se kredia është disbursuar dhe përfituar nga konsumatori dhe në qoftë se ky i fundit ushtron të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata, banka njofton konsumatorin për vlerën e kredisë që duhet t’i rikthehet nga konsumatori. Kjo vlerë përbëhet nga shuma e kryegjësë dhe interesit për ditët përkatëse, si dhe shpenzimet e mundshme të bankës të krijuara nga veprime me palë të treta për efekt të disbursimit të kësaj kredie.

Shpenzimet e mundshme të bankës të krijuara nga veprime me palë të treta për efekt të disbursimit të kësaj kredie, përfshihen në çdo rast në informacionin kontraktor, ndërsa interesi llogaritet mbi bazën e normës së interesit të rënë dakord. Nëse pala konsumatore përbëhet nga disa persona dhe njëri prej tyre ushtron të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata e kredisë konsumatore, sipas pikave të mësipërme të këtij neni, atëherë dhe personat e tjerë që përbëjnë palën konsumatore kanë të drejtën të tërhiqen nga kjo kontratë. Nëse një konsumator tërhiqet nga kontrata e kredisë, edhe personi që ka hyrë në detyrime kontraktore duke dhënë garanci për detyrimet e konsumatorit sipas kësaj kontrate, mund të tërheqë gjithashtu garancinë/të e vendosura prej tij për ekzekutimin e kësaj kontrate.

Konsumatori ka të drejtën e shlyerjes së plotë ose të pjesshme para afatit të maturimit të detyrimeve të tij, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e kredisë konsumatore për këtë qëllim. Në këtë rast, banka duhet të bëjë një reduktim të kostos totale të kredisë. Ky reduktim konsiston në uljen e interesave dhe kostove të aplikuara mbi pjesën e pashlyer të kredisë, për periudhën e mbetur sipas kontratës së kredisë.

 

Kontrata e kredisë

 

Kontrata e kredisë konsumatore përfshin elementet e mëposhtme: qëllimin e kredisë; të dhëna të plota për identitetin dhe adresat e palëve kontraktore; vlerën totale të kredisë dhe kushtet për lëvrimin e saj; afatin e maturimit të kredisë; normën e interesit, kushtet që përcaktojnë mënyrën e zbatimit dhe përllogaritjes së kësaj norme, çdo indeks ose normë reference të zbatueshme, si dhe periudhat, kushtet dhe procedurat për ndryshimin e normës së interesit, duke përcaktuar dhe mënyrën e njoftimit të konsumatorit për çdo ndryshim të mundshëm; normën efektive të interesit dhe totalin e kostos së kredisë për konsumatorin, të llogaritur në kohën që lidhet kjo kontratë kredie; të dhënat financiare dhe të gjitha supozimet e përdorura për llogaritjen e kësaj norme, kushtet sipas të cilave mund të ndryshojë kjo normë, ose në rastet kur është objektivisht e pamundur të jepet norma efektive e interesit, konsumatorit i jepet informacion i mjaftueshëm në kontratën e shkruar për kostot/shpenzimet e kredisë; çdo shpenzim që nuk përfshihet në llogaritjen e NEI-t, por që do të paguhet nga konsumatori në rrethana të caktuara duke treguar qëllimin si dhe vlerën në rastet kur është e njohur; shumën e këstit, numrin dhe periodicitetin ose datat e çdo kësti (pagesave të konsumatorit) për të shlyer kredinë, dhe çdo shpenzim tjetër lidhur me dhënien dhe përdorimin e kredisë, të paraqitur në një plan shlyerjeje të kredisë; koston e mbajtjes së një llogarie apo të përdorimit të një mjeti pagese për transaksionet e lëvrimit të kredisë dhe të shlyerjeve/ pagesave, dhe kosto të tjera lidhur me transaksionet e pagesave (kur është e aplikueshme); garancitë e vendosura për të siguruar ekzekutimin e kontratës së kredisë dhe sigurimi i jetës ose i pronës (kur janë të aplikueshme); të drejtën e tërheqjes nga kontrata e kredisë, sipas përcaktimit të nenit 11 të kësaj rregulloreje; të drejtën për shlyerjen e kredisë para afatit dhe të përfitimit të një reduktimi të kostos totale të kredisë; kostot/penalitetet, si dhe procedurat dhe metodologjinë e llogaritjes së tyre, të cilat konsumatori duhet t’i paguajë në rastin e shlyerjes së pjesshme ose të plotë të kredisë, përpara afatit të maturimit; formën juridike të vendosjes së kolateralit, vlerësimin dhe mënyrën e vënies në ekzekutim të tij (kur është i aplikueshëm); penalitetet lidhur me mosrespektimin e detyrimeve kontraktore, të cilat nuk janë përfshirë në llogaritjen e normës efektive të interesit, por të cilat paguhen nga konsumatori në rrethana të caktuara, si dhe përcaktimi i këtyre rrethanave. Në rast se njihet vlera e saktë e këtyre penaliteteve që në momentin e lidhjes së kontratës jepen shumat respektive dhe në rast të kundërt, jepet metoda e përllogaritjes së tyre.

Në rastin e kredisë konsumatore, e cila shlyhet me këste, si pjesë të kontratës ose si aneks të saj, banka paraqet edhe: planin e shlyerjes së kredisë në momentin e dhënies së kredisë; dhe mënyrën e llogaritjes së normës efektive të interesit (duke përfshirë në llogaritje të gjitha pagesat e paracaktuara që kredimarrësi paguan në momentin e marrjes së kredisë dhe gjatë gjithë kohëvazhdimit të saj), duke dhënë një shembull të detajuar. Një bankë mund të përfshijë në kontratë me vullnetin e saj edhe informacion tjetër shtesë.
 

1 Komente

 Mire qe rregullat qenkan bere serioze dhe te qarta, po interesat e kredise a jane ulur per ti ardhur ne ndihme njerzeve. Si shpjegohet qe interesat e depozitave, jane 4-5-6 % ne vit, nderkoh qe interesat e kredive jane 12-14% ne vit. A ndikon ketu BQ, tek bankat e nivelit te dyte, ne kete drejtim, apo ju le rruge te lire ketyre bankave te shfrytezojne klientet gjer ne palce, deri sa ata te ngrejne duart perpjete.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).