Për të drejtën ndërkombëtare detare

Me 30 janar 1932 Ministri amerikan në Tiranë, Herman Bernstein i dërgonte një raport konfidencial Sekretarit të Shtetit.  Thelbi i mesazhit ishte sovraniteti i Sazanit, i cili de jure i takonte Shqipërisë, por de facto kontrollohej nga Italia.  Kablli telegrafik midis Brindizit e Sazanit ishte duke u ndrequr, kësisoj autoritetet italiane i kërkuan drejtorit të telegrafës së Vlorës lejen për të transmetuar telegramet e tyre për Sazan nëpërmjet telegrafës së Vlorës.  Z. Bernstein raportonte në Washington se “qeveria shqiptare udhëzoi drejtorin e telegrafës të përgjigjej se telegramet për Sazan mund të dërgoheshin rregullisht, si për çdo pjesë tjetër të territorit shqiptar, sepse ishulli i Sazanit ishte territor shqiptar”. Ministri Bernstein citon Mehmet Konicën të shprehej: “Kjo përgjigje irritoi shumë italianët, pasi ata mendonin se Sazani ishte i tyri.  Mirëpo Mbreti dëshironte t’u kujtonte atyre se Sazani mbetej gjithmonë territor shqiptar. Ai ishte i lumtur që ky rast iu dha tani”. [Raport No. 450; HB:KK 801.46, Arkiva e Departamentit të Shtetit].   

Edhe pse nuk mund të dime se çfarë raportesh hartojnë sot diplomatët e huaj për qendrat e tyre, përmendim këtë ngjarje historike në kontekstin e marrëveshjes së kohëve të fundit për përcaktimin e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku mësojmë se, sipas disa burimeve, Shqipëria paska humbur rreth 200 km katrore të ujërave të veta territoriale…

Në shembullin e parë kemi një administratë që, edhe pse e pafuqishme ndaj fqinjit, përpiqej me çdo mënyrë të ushtronte sovranitetin e vet mbi mbarë territorin e saj, edhe aty ku hë për hë nuk mundte; ndërsa 77 vjet më vonë kemi një marrëveshje që, sipas shtypit, vjen në dëm të interesave të ligjshme të shtetit shqiptar si dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë [Neni 3 i Kushtetutës: “tërësia e territorit …është baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë ta respektojë dhe ta mbrojë atë.”] pasi thuhet se Shqipëria i paska dhënë fqinjit atë që i takon asaj.   

Do të theksonim qysh në fillim se fryma e miqësisë dhe e paqes me fqinjët dhe negocimi i marrëveshjeve me interes dypalësh duhet përshëndetur.  Mirëpo në proces negociatash duhet të hysh me qartësi e kompetencë, si dhe me vullnetin politik për mbrojtjen e interesit të shtetit tënd. Përndryshe, askush nuk të shtrëngon të hysh në një marrëveshje që nuk të intereson.

Kushtetuta dhe e Drejta Ndërkombëtare
Prandaj nuk mund të pajtohemi me mendimin se: “Në bazë të nenit 5, 121 dhe 122 të Kushtetutës, e drejta ndërkombëtare ose traktatet ndërkombëtare ku Republika e Shqipëria është palë, janë detyrimisht të zbatueshme dhe kanë prioritet për legjislacionin vendas.” 

Së pari, Neni 4 i Kushtetutës parashikon se ajo “është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe kësisoj, ky nen përcjell sërish debatin gjithmonë të gjallë në lagjen e juristëve nëse kryet e vendit në hierarkinë e legjislacionit të brendshëm e ka kushtetuta apo e drejta ndërkombëtare.       

Duhet pranuar se prirja e përgjithshme sot është epërsia e së drejtës ndërkombëtare, por kjo nuk është ekskluzive.  Epërsia e së drejtës ndërkombëtare ndaj së drejtës së brendshme, për shembull, zbatohet me cilësime në fushën e të drejtave të njeriut, në rrethin e normave të gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, si dhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare të tipit të Bashkimit Evropian.  Por është absurde të mendohet se e drejta ndërkombëtare paska epërsi ndaj së drejtës së brendshme aq sa një vendi të caktuar mund t’i imponohet cënimi i integritetit të vet territorial tokësor, detar e ajror.   

Së dyti, Kushtetuta cilëson apo përcakton se “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të”, pra vetëm atë çka është “e detyrueshme”, dhe jo të drejtën ndërkombëtare në tërësi.  Prandaj vepron procedura e ratifikimit dhe e denoncimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, me ligj ose me referendum, e parashikuar në Nenet 122 e 123 të Kushtetutës. Kjo më tej vërteton se e drejta ndërkombëtare, para se të bëhet pjesë e së drejtës së brendshme dhe të fitojë epërsi ndaj saj, duhet fillimisht t’i nënshtrohet gjykimit dhe vendimit të sovranit, i cili mund ta pranojë ose mund të mos ta pranojë atë. Për shembull, Konventa e së Drejtës Detare, edhe pse mbahet si ndër dokumentet më të rëndësishme juridike të shekullit XX, nuk është ratifikuar nga SH.B.A., Turqia apo Peruja.    

Po ashtu, në disa raste një shtet ruan tagrin për ta zbatuar të drejtën ndërkombëtare sipas interesit të vet. Greqia, për shembull, i ka bashkëngjitur Konventës deklaratën sqaruese ku shprehet se “i ushtron të drejtat e saj sipas strategjisë së vet kombëtare.” Po ashtu, Republika Popullore e Kinës pohon të drejtën për “delimitimin e kufirit detar me shtete me breg të afërt ose të kundërt me Kinën sipas të drejtës ndërkombëtare si dhe sipas parimit të zbatimit të drejtë e të ndershëm të normave [equitability].”

Shqipëria dhe Konventa
E drejta detare është tërësia e normave që rregullojnë përdorimin e detit në kohë paqeje, në sipërfaqe e thellësi të tij.  Ajo është kodifikuar me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, dokument relativisht i ndërlikuar i së drejtës ndërkombëtare. Shqipëria e ka ratifikuar atë me 23 qershor 2003, por nuk ka paraqitur deklaratë shoqëruese. Konventa u njeh shteteve bregdetare disa të drejta: ( i ) ujrat territoriale deri në 12 milje nga vija bazë e bregut [Neni 3]; (ii) zonë kufitare (contiguous) prej 24 miljes nga vija bazë [Neni 33]; zonë ekonomike ekskluzive deri në 200 milje nga vija bazë [Neni 55] si dhe platformë kontinentale, shtrirja e së cilës llogaritet sipas nenit 76 të Konventës.
Pra Shqipërisë i takojnë ujrat territoriale në brezin prej 12 miljesh, ku ajo ka sovranitet të plotë, plus brezi kufitar prej 12 miljesh shtesë, ku ajo ushtron të drejta të rëndësishme të ligjshmërisë e të rendit, plus zona ekskluzive ekonomike plus brezi i platformës kontintentale. Tek dy zonat e fundit Shqipëria ushtron vetëm të drejta ekonomike.

Delimitimi i ujrave territoriale dhe i platforms kontinentale kryhet duke u mbështetur kryesisht tek Konventa. Si vend bregdetar Shqipëria ka fituar praktikë relativisht të konsoliduar të së drejtës detare. Me Italinë marrëveshja përkatëse e delimitimit të platformës kontinentale është përfunduar qysh më 1992. Edhe me Malin e Zi mund të zbatohet, i rishikuar, Protokollit shqiptaro-jugosllav i 26 korrikut 1926 që caktonte si kufi “vijën e drejtë pingule me drejtimin e përgjithshëm të bregut dhe që përfundon në grykëderdhjen kryesore të Bunës”. Sa i takon Detit Jon, problemi ndërlikohet për arësye të afërsisë së bregdeteve dypalëshe në Ngushticën e Korfuzit dhe vijës së përthyer bregdetare greke.

Edhe pse sot kritikohet me pa të drejtë shteti komunist që zbatoi kufirin detar prej 15 miljesh gjatë viteve 1976-1990, ai ishte brenda të drejtave të tij sovrane e në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për ta ndërmarrë atëhere atë hap.   Siria, për shembull, deri vonë ka zbatuar një kufi detar prej 35 miljesh.
Eshtë e qartë se qysh me krijimin e shtetit modern shqiptar, ushtarakët dhe marinarët shqiptarë e kanë pasë njohur mirë kodin zakonor të detit. Mirëpo sot nuk mund të thuhet se tek juristët, gjykatësit apo prokurorët shqiptarë gjen një nivel të ngjashëm diturish dhe njohjeje.  E drejta detare dhe Konventa vetëm sa ceken në lëndën e së drejtës ndërkombëtare në fakultetet e drejtësisë dhe nuk studiohen fare si lëndë e veçantë.  Praktika juridike e gjyqësore e së drejtës detare dhe e Konventës është e pakët dhe e panjohur, edhe pse ngjarjet e ndodhura në ujrat territoriale dhe kufitare kanë qenë e janë të shumta.

Marrëveshja Dypalëshe
Marrëveshja shqiptaro-greke për “delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare” paraqitet mjaft problematike qoftë në rrafshin e së drejtës ndërkombëtare, qoftë në rrafshin e së drejtës së brendshme. Nuk duket se titulli i marrëveshjes pasqyron përmbajtjen e saj. Shqipja nuk përdor fjalën “shelf” por “platformë” ose “rrafshnaltë nënujore”. Sipas deklarimit të negociatorëve shqiptarë, mësojmë se “për caktimin e kufirit detar janë respektuar neni 5, 7, 10 dhe 15 i Konventës për të drejtën e detit”. Neni 1 i Marrëveshjes pohon parimin e baraslargësisë së mesores ose vijës së mesme nga vija bazë në bregdetet përkatëse. Prandaj edhe përcaktimi i drejtë dhe i ndershëm i kësaj të fundit është thelbësor në arritjen e një marrëveshjeje të drejtë e të qëndrueshme.  Ka dy mënyra për përcaktimin e vijës bazë: vijë bazë normale sipas vijës bregdetare (Neni 5), ose vijë bazë drejtvizore për bregdete të thyera (Neni 7).

Nuk e dime se cila metodë është përdorur për secilën palë. Duket se e meta themelore e marrëveshjes është përcaktimi i vijës bazë të palës greke prej nga varet shtyrja e mesores drejt bregdetit shqiptar. Po ashtu, nga njoftimet e shtypit, del se pala shqiptare nuk ka përfituar nga përvoja apo kujtesa institucionale e fituar në negociatat e ngjashme për marrëveshjen për platformën kontintentale me Italinë më 18 dhjetor 1992. As nuk është mbajtur parasysh e drejta e brendshme detare sipas disa dekreteve të vitit 1970 dhe 1976 ku përcaktohen shtatë segmente të vijave bazë të bregdetit shqiptar si dhe parimet e praktikën që rrjedh prej tyre.

Gjiret, Ishujt dhe Hapësira ajrore
  Marrëveshja ka një problem tjetër të madh pasi qenka mbështetur edhe në Nenin 10 të Konventës që mbulon Gjiret, çka duket shumë e paqartë, madje në kontekstin tonë, e panevojshme.  Zbatimi i këtij neni për Ngushticën e Korfuzit do të ishte i padrejtë pasi krijon një vijë bazë drejtvizore greke në Gjirin e Korfuzit qysh nga kepi i Shën Stefani deri në Kërkyrë, që cënon parimin e baraslargësisë së vijës së ndarëse të dy shteteve bregdetare duke e shtyrë mesoren apo kufirin më afër bregut shqiptar dhe brenda ujrave territoriale që i përkasin Shqipërisë sipas së drejtës ndërkombëtare. Nëse ka ndodhur kjo, negociatorët shqiptarë nuk duhej ta pranonin këtë vijë bazë.  Nga ana tjetër, vija bazë alternative nga kepi i Shën Stefanit në Anno Lefkimmi, gjeografikisht më e drejtë dhe e ndershme [equitable], nuk mund të interpretohej sipas Neni 10 të Konventës. Rrjedhimisht ajo nuk mund të pranohej në Marrëveshje dhe interesat e shtetit shqiptar do të mbrohesin më mirë duke rënë dakord për një mesore të baraslarguar nga brigjet dypalëshe të Ngushticës ndërkombëtare të Korfuzit.

Marrëveshja nënkupton se për përcaktimin e vijës bazë mund të jenë përdorur kritere që lidhen me konceptin e arqipelagut [Neni 47 i Konventës], çka i mundëson palës greke përdorimin “edhe të një shkëmbi mbi sipërfaqen e ujit …si pikë referimi për ndarjen e sipërfaqes ujore”, sipas deklarimit të negociatorit shqiptar.  Kjo duket tek përmbajtja e Nenit 1 të Marrëveshjes, ku në tekstin e paqartë shqip, në kllapa, përmendet termi “vijë bazë ishullore”.  Mirëpo kjo mund të ketë sjellë një vijë bazë kryekëput në favor të palës greke dhe, rrjedhimisht cënim në thelb të parimit të barazlargësisë dhe dëmtim të interesave të palës shqiptare.  Pikërisht, këtu mund të jetë zanafilla e humbjes së rreth 200 kilometrave katrore sikurse pretendohet nga shtypi.
Delimitimi në të drejtën ndërkombëtare detare nuk mbështetet domosdoshmërisht në vijat bazë të ishujve. Për shembull, Marrëveshja e delimitimit midis Italisë e Jugosllavisë e 8 janarit 1968 (e njohur nga Kroacia dhe Sllovenia) zbaton kriterin e mesores midis dy brigjeve duke i dhënë një efekt nul ose minimal ishujve jugosllavë të Pelagosës, të Pomos dhe Shën Andreas.  Për analogji, edhe marrëveshja shqiptaro-greke duhej t’i jepte efekt nul ose minimal ishujve të Erikusës dhe Othonit në veri të Korfuzit dhe përballë bregut të Lukovës.

Por Marrëveshja mund të paraqesë problem tjetër serioz për hapësirën ajrore.  Sipas kushtetutës shqiptare dhe së drejtës ndërkombëtare, kufiri i një vendi është vija ndarëse që përmbledh rrafshin vertikal të hapësirës tokësore, ajrore, detare dhe nëntokësore. Por ky parim nuk njihet nga fqinji ynë.  Greqia e ka brezin e hapësirës së vet detare 6 milje, por hapësirën ajrore e shtrin edhe 4 milje përtej hapësirës detare. Marrëveshja dypalëshe nuk flet fare për këtë çështje.  Nuk del e qartë gjithashtu, që në zbatim të parimit të barazlargësisë, pala greke ka filluar të zbatojë brezin prej 12 miljesh të ujrave territorial në Detin Jon, çka nuk e ka shpallur në Egje.

Transparenca dhe Rishqyrtimi i Marrëveshjes
Eshtë për të ardhur keq që negocimi i marrëveshjes u bë me dyer të mbyllura dhe me fare pak transparencë.  Nëse pala shqiptare nuk ishte e përgatitur, ajo nuk duhej të futej në negociata. Po ashtu, nuk kishte arësye të refuzonte ndihmën e ekspertëve nga vende anëtare të Konventës. Aq më tepër që mesorja e Marrëveshjes Shqipëri - Greqi lidhet në një pikë në jugë të Kanalit të Otrantos me mesoren e Marrëveshjes Shqipëri - Itali të vitit 1992 dhe me atë midis Italisë – Greqisë të 24 majit 1977.

Po ashtu, Neni 1 i Marrëveshjes, që përcakton mesoren ose “vijën e mesme” duhej të shoqërohej me një “hartë detare sipas shkallës së përshtatshme për të përcaktuar vendosjen e vijës ndarëse apo kufirit”, së cilës i duhej dhënë “publicitet i duhur”, kërkesë kjo e parashikuar në Nenin 16 të Konventës.  Përdorimi i të dhënave gjeodezike të koordinatave gjeografike përdoret vetëm si alternativë e hartës dhe “mundet” por nuk duhet detyrimisht ta zëvendësojë atë.

Prandaj, qeveria menjëherë duhet të shpallë e të bëjë publike hartën e Marrëveshjes, në mënyrë që opinioni publik të qartësohet dhe të gjykojë lirisht, dhe jo duke u mbështetur në 150 koordinata gjeografike të vështira për t’u përcaktuar e interpretuar.

Ky rast sjell në vëmendje dobësitë në formimin e specialistëve dhe juristëve me njohuri të shëndosha në të drejtën ndërkombëtare në përgjithësi dhe atë detare në veçanti.  Ndofta ka ardhur koha që Universiteti i Vlorës ose i Durrësit të hapin katedra të specializuara të së Drejtës Ndërkombëtare Detare që të jenë jo vetëm qendra arsimimi e studimi, por edhe për grumbullimin e dokumentacionit shkencor, trakteteve, hartave, etj. Po ashtu, vetë shteti mund të çelë një Institut të Studimeve Oqeanografike dhe së Drejtës Detare, i cili të jetë qendra e formimit, e studimit dhe e përvojës të së drejtës së brendshme detare, që t’u shërbejë specialistëve shqiptarë të marinës, por edhe juristëve, specialistëve të mjedisit, por edhe biznesit shqiptar që parashikon të shfrytëzojë pasuritë e platformës kontinentale të Jonit e Adriatikut.

Po për Marrëveshjen ç’duhet bërë? Opinioni publik mund të jetë më i qartë pasi të shpallen hartat përkatëse, si dhe teksti shqip, greqisht dhe anglisht i saj.  Nëse del se Marrëveshja nuk cënon interesat e shtetit shqiptar, atëhere ajo duhet ratifikuar. Përndryshe ajo duhet të çnënshkruhet, veprim ky që nuk është i panjohur në të drejtën ndërkombëtare, dhe as Kuvendi nuk duhet ta miratojë e as Presidenti nuk duhet ta dekretojë. Po ashtu, palës greke mund t’i niset njoftim ku të ftohet për të ridiskutuar mesoren, vijat bazë dhe koordinatat gjeografike të marrëveshjes, e cila duhet të rinegociohet me një ekip të ri negociatorësh dhe jo në Korfuz. Përndryshe, i takon Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë dhe të vendosë për përputhjen e saj me Kushtetutën.
 

 

Bashkëngjitur: Harta e Marrëveshjes Itali – Greqi
Burimi: www.marina.difesa.it/ editoria/rivista/gloss/p.asp
 

3 Komente

Pike per pike dakort. Do shtoja qe problem eshte edhe shfrytezimi i burimeve natyrore jo te gjalla. Sipas marreveshjes, nqs ne shpojme per nafte ne shelfin tone kontinental dhe hipotetikisht zona naftembajtese shtrihet dhe ne shelfin kontinental grek, ne jemi te detyruar te negociojme me greket per termat e shfrytezimit. Me sa di une nje detyrim i tille nuk ekziston shprehimisht ne konvente e detit. Kete detyrim nuk e di pse e ka marre persiper pala jone. 

Shkrim shume i mire ....

po ky Agron Alibali pse nuk ka bere me shume zhurme para se te behet ajo marreveshje ne favor te greqise? Pse qeveria jone nuk ka marre eksperte per te bere bisedime me greket? me sa na ka treguar historia per keto 18-19 vitet e fundid, qeveritaret tane kane qene te dobet ne fushen nderkombtare, dhe teveqela neper besedime/negociata

Ky nuk eshte shkrim. eshte nje dokument shume i rendesishem qe duhet te botohet patjeter ne ndonje gazete. Kjo marrveshje absolutisht nuk duhet te ratifikohet. rreziku eshte qe kuvendi i ri qe do krijohet mund ta kaloj lehte kete me nje lobim te grekeve.sa ta kuptojne parlamentarete rinj shkoi e vate puna.

sikur te kete 100 djem si Agron alibali ky vend ja vlenti boshatisesh te gjthe institucionet shtetit shqiptar e ti japesh celesat ketyre institucioneve agronit dh te tjereve si ai. Per 10 vjet shqipria asnje dallim nga Europa

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).