Në Farkë, aty ku po lulëzon biznesi dhe urbanizimi

Fadil Kusha, banor autokton i Komunës së Farkës, rreth 10 kilometra në juglindje të Tiranës, prej 60 vitesh merret me prodhimin e enëve prej balte të pjekur, të njohura me emrat tava dheu dhe vorbe, aq të kërkuara nga restorantet tradicionale shqiptare. "I shpërndajmë kryesisht në Tiranë e Kavajë. Me këtë punë mbaj familjen", thotë Fadili, dikur punëtor në Ndërmarrjen "Konsumi i Gjerë", por që prej 15 vitesh e ushtron këtë zanat privatisht. Prodhon 50 tava dheu dhe vorba në ditë dhe në këtë aktivitetet e mbështet prej 6 vitesh dhe i biri që me mburrje të thotë se, "i vetmi vend në Shqipëri, ku prodhohen tavat e dheut është Farka". Prodhimet e dala nga duart e tyre janë funksionale sot e kësaj dite, por edhe artistike. Materialin për prodhimin e tyre e gjejnë në Fushë-Krujë. "Tavat apo vorbat e mira dhe rezistente, kërkojnë "miell" të mirë, argjile të përshtatshme", thotë i moshuari, i cili e njeh mirë zanatin. E me ç'nuk merren banorët e Farkës, komunës me një popullsi prej 15 mijë banorësh, 65% e të cilëve janë autoktonë, ndërsa të tjerët të ardhur në vitet e demokracisë. Banorët ndihen me fat, pasi natyra është treguar shumë bujare me tokën pjellore që u ka falur. Gjelbërimi dhe ajri i pastër i kësaj zone shërben si 'oaz' dhe për shumë qytetarë të Tiranës, të cilët drekojnë apo darkojnë në fundjavë në lokalet me ushqime tradicionale, më së shumti të ngritura në fshatrat Lundër dhe Mjull Bathore të kësaj komune.

Zhvillim në këtë zonë po merr dhe kultivimi i ullinjve

Shumë prej banorëve të Farkës merren me bujqësi, pak me blegtori, ndërsa një pjesë punon në kryeqytet apo emigracion. Por, parësore për banorët punëtorë të Farkës është bujqësia dhe vreshtaria, sidomos tani kur 6 fshatrat e komunës rrezatojnë urbanistikë, rrugë, drita, ujësjellës. Ata jo vetëm që e kanë ruajtur traditën e vreshtarisë, por edhe e kanë shtuar atë. Në Lundër, ndodhen 3 kantina të prodhimit të verës. Vetëm tokë bujqësore aty ka rreth 250-300 ha. Mustafa Tufa është marrë me bujqësi gjithë jetën e tij dhe tani që është 80 vjeç vazhdon të punojë. Kujdeset për vreshtat që kultivon, ndërsa djemtë, siç tregon, ai janë pronarë të një punishteje të prodhimit të verës, por edhe të një restoranti në Lundër. Një pjesë të vreshtave që kemi tani, thotë i moshuari, i kemi ngritur me mbështetjen e shtetit.

Në të gjithë fshatrat e Farkës, vetëm këtë vit, banorët kanë mbjellë 1500 rrënjë ullinj, një investim jo i vogël i komunës me mbështetjen e qeverisë, që zbatohet për herë të parë. Dekada më parë, kjo zonë shumë pranë Tiranës ka qenë një pyll, pa ujë, kujtojnë të moshuarit. Të jetoje aty ishte shumë e vështirë, por tani gjithçka ka ndryshuar. Banorët janë të kënaqur me furnizimin me ujë të pijshëm, por edhe me furnizimin me energji elektrike. Komuna, thotë 80-vjeçari, ka vënë në punë 20 kilovoltshin, por sipas tij kjo ka nevojë të mirëmbahet. Rrugët e rikonstrukturara gjatë dy viteve të fundit, vijon ai, kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e banorëve, ndërsa prodhimi i fermerëve të zonës arrin më shpejt në tregjet e Tiranës, apo gjetkë.

Infrastruktura rrugore e kësaj komune, një problem tashmë i zgjidhur tashmë

Infrastruktura rrugore e kësaj komune është një problem i zgjidhur tashmë. Nuk ka rrugë fshati që të mos jetë rehabilituar apo ndërtuar nga e para dhe për këtë banorët nuk ngurrojnë të vlerësojnë mbështetjen e qeverisë në katër vitet e fundit. "Vëmendja e qeverisë ndaj komunës sonë ka qenë e jashtëzakonshme", thotë pronari i një lokali në këtë zonë, të cilët banorët e thërrasin me emrin Gjyshi, sikurse quhet dhe biznesi i tij. Komuna jonë, vijon ai, është ndër të vetmet në vend që ka rrugë të asfaltuara, që furnizohet me ujë dhe drita në 24 orë. Ka edhe probleme, shton ai, ndërsa sjell në vëmendje mungesën e një shërbimi urban në këtë zonë apo të një sistemi për derdhjen e ujërave të zeza. Nga drejtues të komunës mëson se këto probleme janë duke u zgjidhur madje, projekti për kolektorin e pastrimit të ujërave është në zbatim e sipër.

Farka, në të ardhmen një nga zonat më të preferuara për banim

Komuna e Farkës është ndër të paktat në vend që ka një studim rajonal dhe mjedisor. Kjo çështje është parë me përparësi për një zonë që kohët e fundit po urbanizohet me shpejtësi dhe ku vlera e tokës është më e lartë se në çdo komunë tjetër të Qarkut të Tiranës. "Me një studim të përgjithshëm urbanistik të territorit të komunës, i miratuar dhe nga KKRTRSH, çdo investim, qoftë dhe në vila banimi, është i kontrolluar dhe i orientuar", thotë për ATSH-në, kryetari i Komunës, Fatbardh Plaku. Në kodrat e Selitës dhe Saukut, pjesë e Komunës së Farkës, ka marrë zhvillim ndërtimi i pallateve të reja, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme si rrugë, kanalizime, ujësjellës, rrjetet telefonike, të internetit, etj. Pjesa më e madhe e buxhetit të qeverisë për komunën, sipas Plakut, është përqendruar kryesisht në rrugë, kanalizime, shkolla, ambulanca dhe krijimin e parqeve të gjelbërta. Në perspektivë, Farka parashikohet të jetë një nga zonat më të preferuara për banim, pasi po rritet tendenca e një shtrese të pasur qytetarësh për të banuar sa më larg qytetit dhe sa më pranë gjelbërimit, ajrit të pastër, larg zhurmës së kryeqytetit. Plaku vlerëson të rëndësishëm faktin që në këtë territor nuk ka raste të pushtimit me forcë të pronës së tjetrit. Pjesa më e madhe e tokave ku po ndërtohet u përket pronarëve të ligjshëm, ndërsa të tjerë i kanë blerë ato. Edhe ndërtimet e paligjshme, rreth 1300, të ndërtuara në kohën e tranzicionit, i janë nënshtruar procesit të legalizimit dhe sot janë në pritje të marrjes së çertifikatës së pronësisë.

Transformimi i Farkës ka rritur interesin e investitorëve vendas

"Në këto 4 vitet e fundit janë ndërtuar një sërë veprash publike, investime kryesisht me buxhetin e shtetit", thotë kryekomunari, ndërsa përmend ndërtimin e ujësjellësit Priskë-Lundër, me një fond prej 80 milion lekësh të reja, realizuar në vitet 2006-2007, kanalizimin e ujërave të zeza në zonën e Selitës, 70 milion lekë, që nuk lejon më ndotjen e Liqenit Artificial në Tiranë, ujësjellësin nga shkolla "Kristal", me vlerë 30 milion lekë si dhe ndërtimin e segmentit nga rruga nacionale deri në Lundër. Në proces janë projekte të rëndësishme si ndërtimi i rrugës nga Kopshti Botanik në Sauk, e gjatë 2 km, me trotuare dhe ndriçim, një investim prej 70 milion lekësh. Është parashikuar dhe ndërtimi i Parkut të Madh të kodrave të Selitës dhe Saukut, me një sipërfaqe rreth 800 ha ullishte dhe shkurre mesdhetare, që do të merret në mbrojtje, tregon kryekomunari.

Një park i madh është projektuar edhe në Liqenin e Farkës, një nga 4 liqenet e rrethit të Tiranës, me sipërfaqe ujore rreth 75 ha, me kapacitet 2 milion m3 ujë dhe sipërfaqe rreth 250 ha përrreth liqenit. "Në tërësi, do të jetë një park i ri", shton z. Plaku.

Transformimi i Farkës, komunës me një sipërfaqe rreth 4000 m2, e shtrirë në juglindje të Tiranës, ka rritur interesin e investitorëve vendas dhe të huaj, për ndërtime dhe ngritje aktivitetesh të ndryshme private në këtë zonë.

1 Komente

E me ç'nuk merren banorët e Farkës, komunës me një popullsi prej 15 mijë banorësh, 65% e të cilëve janë autoktonë, ndërsa të tjerët të ardhur në vitet e demokracisë.

evallah mo, na kon prit mire me thon te drejten smiley  

 

njiktu e ke lli ti o Mire

Banorët janë të kënaqur me furnizimin me ujë të pijshëm, por edhe me furnizimin me energji elektrike

Ku e ke pa ti qi jina t'knoq ne mi? Rrofte ALO UJI, se do kishim nordh fare smiley  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).