ëndërr (jo-melodike)

nën re
është një vend ku një djalë shkon
e përhumbet kur gjithë të tjerët
janë kah flenë

është një lumë
që rrjedh shpejt, dhe gurët rrokullisen përnën ujëra të tij
një lumë me dallgë, me vorbulla e ujëvara
që përmbys brigje, përmbyt fshatra

një lumë të turbullt me ujin e ngrohtë
që vjen nga mali e sjell me vete trungje
shtëpi, pallate, antena televizive
kafshë, njerëz, kafshë dhe njerëz
e gjithë ç’i ka dalë para

një lumë për t’i dhënë kuptim
jetës së kënetshme, pa rrymë e pa dallgë
qytetit që të mbyt ngadalë nëpër gropa
të baltosjes

është një këngë që dëgjon
një kitarë dhe një violinë
që bien kur të tjerët janë kah shkojnë

është një këngë
për një port
mbushur me marinarë, ushtarë
lypës edhe kurva, njerëz të veshur plot sqimë,
piratë, prindër, fëmijë, aktorë të dështuar
babadimra barkmëdhenj me pelerina purpuri kinez
e me thasët bosh
përreth truma truma fëmijë e trumcakë

është një këngë
për një pus
ku mbyllen sekrete lotësh e dashurish të pamundura
vajzash të vogla, fjongosh të kuqe
shishe të vogla parfumesh
për t’ia mbuluar kutërbimin
jetës së pluhurt, revoltës së vdekur
në qytetin e zhytur në sherbet sheqerzhuli
prej palëvizjes

është një flakë
që ndizet kur errësira arrin tmerrin

një dritë që në mes e pret terrin
dritë xixëllonjash, shkëndija e fundit e një zjarri të vjetër
shkëndija e parë e një flake të re
flakë që ndez mendje
diej, e shpirtra

flakë që s’ngroh, por djeg, përcëllon dhe përgjithmonë
lind qytetin feniks që s’ka për të vdekur më
përbaltjes, inercisë edhe mpirjes

përflaken
sytë e personazhit në fillimin e vjershës
që për vit të ri
i kërkon miqve si dhuratë
vetëm një lumë
një këngë
një flakë

8 Komente

Dua dhe une vetem nje lume

nje kenge

nje flake

smiley

ouups, tani e pashe daten... po keto jane te mirat kur s'ke c'ben, e rremon senduqet... Dhurata te tilla jane te mirepritura ne cdo stine. smiley

bwah... e lexova, ferkova nje cike syte... pastaj pashe edhe une daten.

Sol, ta dish sa je rrit ne krijimtari!!! t'pakten per mu. bej krahasim.

E kemi pare te rritet e te veselitet poezi pas poezie... smiley

ouups, tani e pashe daten... po keto jane te mirat kur s'ke c'ben, e rremon senduqet... Dhurata te tilla jane te mirepritura ne cdo stine

 Eshte rrit dhe doza e optimizmit,"nje drite qe ne mes e pret terrin" gje e mire. Pak drite o mik, o CEZ, o Cezar .

 mos e bej kaq tragjike dhe ti, Cezi drita te jep, packa se cmimin ta rrit. Tashi, t'i japim Cezit ate qe i takon Cezarit. smiley

 Fix, jepi Cez ATE qe i takon Cezarit . Ave Magnum smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).