Para disa kohësh, në redaksinë e gazetës “TemA” mbërriti një ish-rektor në një ndër universitetet e reja private që mbinë si kërpudha gjatë qeverisjes Berisha. Na përgëzoi për faktin që ishim të vetmit që po shkruanim për këtë bombë sociale në vend dhe na rrëfeu me pikëllim historinë e tij, duke thënë se ajo nuk mund të provohej përmes gazetës. Ish-rektori tha se ishte detyruar, i kërcënuar madje me armë, që të hidhte firmën e tij mbi dhjetëra diploma, që do të shkonin për njerëz që nuk e kishin parë ndonjëherë derën e shkollës ose e kishin parë tepër rrallë. Na tha me bindje se “nuk mund të bënim gjë për të faktuar këtë rast flagrant, sepse regjistrat ishin kopsitur, pasi qeveria nuk e kishte vënë kurrë ujin në zjarr për t’u marrë me këto bomba në arsim.”

Para disa kohësh, ndoshta pak ditë përpara zgjedhjeve, kryeministri klithte në një studio televizive se në sistemin e drejtësisë nuk mund të depërtonin elementët e shkolluar që vinin nga jashtë. Megjithëse nuk e shprehu për asnjë moment, është e qartë se një ndër pengesat kryesore për të mos depërtuar në sistemin e drejtësisë është dhe numri i madh i atyre që quhen juristët gjashtëmujorësh dhe personave që u shkolluan për drejtësi gjatë qeverisjes së Berishës në fillimet e demokracisë. Është Berisha që mbante vulën në atë kohë si njeriu që po bënte çdo person ndër tre me diplomë juridiku.

Gjërat nuk kanë ndryshuar. Kërpudhat e reja që ofrojnë diploma, mbahen falë Juridikut dhe po shtojnë këtë armatë në mënyrë të frikshme.

Në mars të vitit që shkoi, qeveria shqiptare pagoi për të botuar një suplement në “Financial Times”. Kjo e fundit ftoi analistin Gabriel Partosh për të dhënë mendimin e tij për Shqipërinë. Duke folur për rrezikun që i kanosej integrimit të vendit, ai përmendi dhe faktin që administrata do të shtohej me njerëz që po marrim diploma false dhe që nuk kanë aftësitë e duhura. Ai përmendi dhe universitetet private si një regres.

Presidenti i vendit është ndër të paktët që ka vënë gishtin mbi këtë plagë që po përhapet rrezikshëm. Ai kërkoi që të mos shtohet kaq shumë numri i personave që mbarojnë Juridikun.

Por një përgjigje që vjen prej oligarkëve të rinj, që ofrojnë diploma, është se ajo është dega më e kërkuar. Pjesërisht e vërtetë. Në fakt mjekësia, inxhinieritë, arkitektura etj., janë edhe më të kërkuara, por juridiku është më i shpejti për t’u pasuruar. Të mjafton një licencë universiteti, disa tavolina dhe disa pedagogë, që shëtisin gjithandej dhe që pa u dridhur qerpiku thonë se mund të japin çdo lëndë që mund të ofrohet.

Pak ditë pas zgjedhjeve, qeveria shqiptare u tregua bamirëse me këto universitete, duke i akredituar. Deri më atëherë i kishte mbajtur pezull, për shkak se i duhej mbështetje, sidomos ajo monetare. Doemos, rrëfimi i rektorit për shitjen e diplomave të bën të besosh se është një treg me fitime marramendëse dhe pa mundime.

Nëse Kosova arriti që t’i japë zgjidhje shpejt dhe prerazi këtij problemi, Shqipëria nuk po përballet dot me të. Rëndësi ka për kryeministrin që të shtojë një statistikë, atë të diplomave që jepen, pa u kujdesur se si jepen.

Thonë që një regjim degradon, kur shtohet numri i barsoletave për të. Pa më të voglin dyshim, barsoletat për universitetet private janë në top paradë. Mjafton të shohësh emrat e reklamat e tyre të sinqerta për të kuptuar nivelin mjeran: dikush të ofron një celular, po i dërgove një student, e një tjetër krenohet se është universitet 100 për qind italo-shqiptar!!

4 Komente

Po me Universitetet Shtetrore te Peshkopise dhe Kuksit c'far u be!!!

A nxerrin juridiksa keto dy modele te shkollimit (shkallimit)!!!

Ish-rektori tha se ishte detyruar, i kërcënuar madje me armë, që të hidhte firmën e tij mbi dhjetëra diploma, që do të shkonin për njerëz që nuk e kishin parë ndonjëherë derën e shkollës ose e kishin parë tepër rrallë.

Hapa dollapa,

Kush eshte mbrapa,

Ptuj, ptuj , ptuj.

Ja kam la !

Pjese me e dhimbshme e Shqiperise, fillon pikerisht ketu.

Do degjohen kembanat prapa.

Ne se nuk do te forcohet shkolla kurre nuk ka perparim

Ddiploma per te tere ere. Me shume te ze syri universitetete private se furra buke neper Tirane Kjo eshte bombe me e madhe dhe se gerdeci.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).