Qielli është bërë njësh me tokën. Ndonëse janë orët e para të mëngjesit, një erë e ngrohtë, që vjen nga deti, na shoqëron gjatë gjithë udhëtimit tonë. Mati duket ca si i nxirosur. Teksa rrugëtojmë bri tij, mbi udhën e re, vëmë re shtëpitë e para të mirditorëve, të ngjitura mbi skërkat e kodrave shkëmbore. Janë krejt të qullura dhe duket sikur bash e në atë moment janë larguar me frikë nga lumi i vrullshëm. Vetëm pak dhjetëra kilometra më në Veri, në Shkodër e në Lezhë, uji është duke bërë hatanë. Paska pasur edhe raste kur të jetosh disi më larg lumenjve e më afër maleve ta quash veten me fat.

Në Rrëshen arrijmë herët. Këtyre anëve u ka ikur tashmë ai nami si vende të largëta. Nga Tirana nuk kemi udhëtuar më gjatë se një orë e gjysmë, e shumta dy. Qendra e Mirditës është e përgjumur dhe kalimtarët që nxitojnë të shkojnë nëpër punë i kanë ende sytë e skuqur nga gjumi i një nate të gjatë dhjetori. Shiu, çuditërisht i ngrohtë, vazhdon të lagë qetësisht sheshin qendror me monumentin e 9 bajrakëve dhe tezgat e pazarit fare afër tij. Ne rrimë e presim një copë herë derisa qyteti të marrë ritmin e tij normal.

Kemi ardhur shumë herë në Mirditë, aq herë sa që tashmë nuk i mbajmë më mend. Në të gjitha udhëtimet jemi pritur nga miq të mirë e shokë besnikë, sikurse dinë të jenë vetëm mirditorët, porse gjithherë vetëm burra e djem. Kemi takuar nëna e gra mirditore, por në të gjitha rastet ato kanë qenë vetëm sfondi i kullave të gurta, apo i historive të vjetra. Këtë herë kemi vendosur ndryshe. Kemi ardhur në Mirditë që të bisedojmë më gjatë e më shtruar me “nana” të vërteta mirditore. Nga ato që kanë mbetur nga një kohë e hidhur e mbushur plot rrebeshe, luftëra, absurditete politike dhe varfëri.

Nana Gjelë: “Fati asht fat”

Gjela Përgega i ka mbushur 86 vjetët. Të mësuar t’i shohim gjithnjë plakat e Mirditës në sfondin e kullave apo të maleve, neve na duket disi e çuditshme prezenca e saj në një pallat normal në qendër të Rrëshenit. Në fillim na duket sikur Nana Gjelë nuk është rehat në apartamentin e djalit të saj të vogël. Por ajo, si e kupton vetë çudinë tonë të parë naive, na flet vetë e para. “Ma mirë paska qenë në këto shtëpijat e reja se sa aqe n’kullat tona. Atje ka pas ba boll ftoftë. Ktu i kam te dora të tana dhe jeta asht ma e mirë”. Nana Gjelë nuk di shkrim e këndim. Të bijtë e nuset çuditen kur e shohin të lexojë orën e madhe në mur dhe kur përdor celularin. Ajo di të dallojë numrat dhe i mban mend ato përmendësh.

Nana Gjelë ka lindur në Kryezez, bajraku ku përfshihej edhe Rubiku i sotëm. “Nana më ka lanë jetime që kur isha tre vjeçe – nis të tregojë ajo – kishte ba katër fëmijë, po dy i patën vdekë nga kulufrista (tuberkulozi), kshtu që kam metë unë dhe një vlla. Baba ma vonë asht martu prap. E maj men mirë kullën n’Kryezezë. Baheshim afër 40 vetë që jetojshim nën një çati”. Nana Gjelë nuk është nga ato që ankohet më kot. “Me hangër kishim, po jeta ishte e vshtirë. Dimrit bante shumë ftoftë dhe ne nuk kishim asa doktorra e as ilaçe. Kur kam mushë 20 vjet më ka martu baba. Burrin as që e kisha pa ndonjë herë. Edhe natën e parë që kena fjetë bashkë nuk mujta e pashë sepse në dhomën tonë ishte terr i madh. Vetëm të nesërmen e njofta burrin me të cilin krijova familjen, Nikollë Përgegën nga bajraku i Kthellës. Kshtu ishte atëherë. Do t’ju nënshtrojshe fatit që të binte. Unë pata fat, me thanë të drejtën. Mas dasmës kena ardhë në Rëshen, që atëherë ishte nji katun i vogël. Kena pas ba nji shtëpi si ksollë e pak nga pak Nikolla arriti me e ba kullë tamam. Mas tre vjetësh ka le Gjini, djali i madh e mas tij edhe gjashtë fëmijë të tjerë”.

Nana Gjelë bën ca pushim, jo se është lodhur, porse befas i kemi kujtuar histori të vjetra të cilat duhen ndarë nga njëra-tjetra. Një kupë e vogël me raki të butë, që e kthen me një frymë, sikur e ndihmon të vazhdojë rrëfimin e saj. “Nikolla punonte në fushë, por këndej nga ne toka ka pasë pak. Kshtu që shkojshim me djepin n’krah andej nga Kurbini. Na pagushin me grunë. Maj men që pagesën e kishim nji dyshek me drithë. Njaq ishte. Kur ka fillu lufta e maj mend mirë postbllokun te Ura e Matit. A jeni komunista a nacionalista na pyetshin? Na ishim vetëm disa fukarenj të shkretë e s’kishim punë me politikë, po me bukën e gojës, por gjithherë na kanë lanë me kalu e me kthye në shtëpi. Koha e luftës ka qenë boll e keqe. Maj mend se kena gjetë disa gjermanë të vramë kur kena shku n’mal për me mbledhë dru. Nuk kishte gja ma t’keqe se sa me i pa ata të shkretë qysh ishin ba ashtu. Mandej kanë ardhë partizant edhe në shtëpinë tonë. Ashtu u danë atherë ma, shpi m’shpi.

Sa i kam njoftë unë nuk ishin djem të këqinj. Ishin të urtë dhe hajshin çfarë u vejshe përpara. Nji herë njeni prej tyne, nji djalë krejt i ri, futi n’xhep nji copë bukë. Atherë, i pari i tyne i ka mbledhë të gjithë në oborrin tonë dhe i ka bërtitë fort para shokëve të tij. E bani për pesë lek. Lufta dhe vitet e para mas saj, ato po kanë qenë kohë të vështira. Çfarë s’na kanë nigju veshët. Manej ka ardhë prishja e kishave. Unë kam qenë gjithnjë besimtare. M’ka dhimtë në shpirt kure kanë mylë kishën e përzunë priftin, po na atherë s’kishim ç’ka të bajshim. Nuk mujshim as me folë”.

Nana Gjelë na ka pritur së bashku me njërën prej nuseve të saj, atë të Ndojit, djalit më të vogël. “Me ktë të renë teme – thotë me krenari – shkojmë shumë mirë. Djalin e du se atë e kam mec, po kiherë kët e du ma fort. E kam edhe si shoqe. Në këtë jetë paska qenë gjithshka punë fati”.

Mirditorja ka një teori të sajin për fatin dhe se si duhet të sillet njeriu me të. “Fat, more djem asht jeta, fat. Që t’ju them nji histori. Kur kam pas Gjinin e vogël, krejt t’vogël, hala në djep, shkosha tu punu në arë. Kur jam kthy, kam gjetë nji alamet gjarpni që po flete bashkë me djalin në djep. Isha gati tu u çmendë prej frikës. Nuk dija se ç’ka të bajsha. Ta zgjosha djalin kisha frikë se trembej gjarpni e ma pickote djalin, ta zgjosha gjarpnin po ashtu. Atherë kam tundë vetëm lehtë, krejt me frikë, djepin. Gjarpni nuk bani asnji gjatjetër veçse, si më pa, ka dalë prej djepit dhe ka ikë për dere e jashtë. Kshtu ka ndodhë. A nuk i thoni fat ju ktij. Po që më ka lanë nana jetime që tre vjeç? A nuk ishte fati i jem i keq ky? Po që edhe vllai shumë vjet ma vonë ra prej urës në Rrubik e u myt në Fan duke lanë 10 fëmijë jetima? A ka dashtu fati kshtu”. Ne mundohemi t’i mbushim mendjen se veç fatit e ka ndihmuar edhe qëndrimi dhe forca e saj shpirtërore. Po nana nuk lëshon pe. “Që ta dini prej meje – na thotë - se ndoshta kush e di a shifena ma herë tjetër. Fati duhet pranue si ç’asht.

Grueja duhet ta pranojnë burrin që i ka ra, qoftë ky i mirë apo i keq. Njashtu e ka pasë fatin. Burri, asht shtylla e shtëpisë. Kshtu ka qenë e kshtu duhet të jetë”. Për këtë punën e fatit Nana Gjelë nuk dorëzohet as para kundërshtimeve dhe “ngacmimeve” tona. “Po kur burrit i bie gruaja e keqe, a duhet edhe ky t’i nënshtrohet fatit?”, e pyet plakën njëri prej nesh. “Po edhe atëherë besa. Vetëm se unë nuk po flas për ato cuca që kanë lajfit (lajthitur) krejt kto kohët e fundit. Po flas për cuca për s’mari”. Marrim frymë të lehtësuar. Edhe fati i bëka ca përjashtime.

Krushqi në vend të gjakut

Nga pallati në qendër të Rrëshenit dalim bashkë me Nanën Gjelë. Ajo po shkon në një mort. Një grua e re ka vdekur nga një sëmundje e rëndë. Në këto anë thuajse të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe në hidhërime njerëzit shtrëngohen edhe më shumë. E lemë shpejt pazarin e vogël të mbushur me rrëmujën e përgjithshme dhe kalojmë përbri “ëndrrës” më të fundit mirditore: stacionit të trenit.

Tashmë një ndërtesë e madhe e harruar stacioni ka nisur të rripet sikurse ndodh rëndom me të gjitha gjërat e panevojshme të kësaj bote. Një pellg i madh me ujë që ka zënë sheshin ku duhej të stacionoheshin trenat e ëndërruar na kujton se edhe Fani dhe degët e tij bëhen nga një herë të frikshëm njësoj si “shokët” e tij më në Veri. Brenda pak minutash jemi në majë të një kodre të madhe, në Kodër-Rrëshen. Shtëpitë e mira, rruga e re, tokat e punuara dhe qetësia që mbretëron kudo, të lenë një shije fort të mirë. Jemi nisur të shkojmë të Albert Filopati. Nëna e tij, Tereza 84-vjeçare, është nga ato mirditoret e vjetra që ka jetuar një mal me histori.

“Baba jem, Lesh Ndue Gjoni, ishte djalë axhet me bajraktarin, Gjon Marka Gjonin – nis të flasë Nana Terezë në skaj të sobës me dru që bubullin fort – qysh se ishte vra Preng Bibë Doda, princi i Mirditës prej malësorëve të Dedë Cokut në bregun e Matës, mirditorët dhe malësorët i kishin keq punët. Kishin hy në gjak. Atherë, si janë vra shumë burra, të parët tanë kanë vendosë me u pajtu dhe si shenjë të ktij pajtimi nana jeme që ishte prej familjes së Dedë Cokut u martu me baben tem prej fisit të Bajraktarit. Kshtu, nga martesa e tyne u mbyllën gjaqet. Unë kam le në Orosh, në sarajet tona të reja që ishin në krah të atyre të Kapedanit. Kam qenë vetë e shtata motër. Nuk kishim vëlla.

Në 1942 asht ba dasma jeme. E madhe sikur i takote të dy familjeve tona. Jam martu me Zef Filopatin, djalin e Preng Pjetër Filopatit. Dasma u ba krejt simbas zakoneve tona. E mbaj mend veten ende të hipun në kalë ndërsa po vijsha prej Oroshit këtu. Në këtë kullë ku jena tesh kam kalu pjesën ma të madhe të jetës time”. Soba vazhdon të kërcasë në dhomën e kullës së Preng Pjetrit ndërsa Nana Terezë i ka ngulur sytë diku teksa mundohet të shohë më shkoqur në grumbullin e saj të madh me kujtime. “Ne luftën e kena kuptu vetëm kur na ka ardhë afër. Ma gjatë ato punë i dishin burrat. E mbaj mend si sot, kur kahë hy partizant në anët tona asht ba nji luftë e rreptë që zgjati pesë ditë e pesë net. Pastaj u hodh në erë kulla e Kapedanit dhe atëherë fillun armiqësitë e mdhaja. Në 1949 asht vra Bardhok Biba. Atherë me shumë burra të tjerë të nigjum të ktyne anëve kanë arrest edhe babën. E kan majtë në burg në fillim në Shkodër e ma vonë në Burrel. Nanën me dy motra që nuk ishin martu i kanë internu në Tepelenë ku kanë ndejtë tre vjet. Baba ka jetu vetëm nantë vjet si ka dalë prej burgut. Po fjala burg paska qenë e shkrume për njerëzit e mi. Edhe burri jem, dikur shok i ngushtë me Bardhok Bibën, bani du herë burg. Herën e parë pat ba 9 muaj hetuesi dhe tre vjet burg dhe herën e dytë 6 vjet burg. Kena pasë jetë të vështirë, por të paktën sot fëmijët jetojnë mirë”. Nana Terezë psherëtin thellë kur Berti, i biri, na tregon fotografinë ku ajo ka dalë me Zefin, të shoqin e ndjerë. Pastaj bie heshtja dhe dëgjohet vetëm zhurma e druve që digjen në sobën brenda kullës së gurtë që mësuesi Preng Pjetri pat ndërtuar në vitin tashmë të largët 1940.

Profesioni im: vajtimi

Në një lokal të ri në qendër të Rrëshenit, Bardha Pjetraj, e veshur me kostumin tipik mirditor, e porosit një “Red Bull”. Sapo jemi takuar me 72-vjeçaren. Është një ndër gratë më të njohura në

Rrëshenin e sotëm. Shumë herë e kishim dëgjuar emrin e saj. Tani kemi rast ta njohim më nga afër. Shpejt, shumë shpejt do ta kuptojmë përse është e njohur Bardha. Ajo ka lindur në bajrakun e Selitës. Kanë qenë tre motra e një vëlla. Bardha ishte më e vogla e motrave. Në moshën 12-vjeçare mbetet jetime. Është rritur në Kurbin. 16 vjeçe është martuar. Ajo vetë vë buzën në gaz kur kujton mënyrën se si është martuar. “Me burrin jam njohur që kur isha një vjeçe”, bën shaka ajo. Në fakt, prindërit e të dyve kanë vendosur për martesën e tyre kur ajo ishte ende motake. “Kur jam rrit, kam pasë shumë kërkesa të tjera – vazhdon ajo gjysmë me humor – po gjithherë i ka ardhur përgjigjja se ‘isha e zanme’. Kshtu ishin ato kohë ma”. Bardha ka qenë anëtare e Partisë së Punës, kryetare e Këshillit të Bashkuar, teksa vazhdonte të punonte si punëtore “me pikë” në kooperativë. Në moshën-48 vjeçare burri i saj ndahet nga jeta. Si shumë mirditorë të tjerë, edhe ai vuante nga silikoza, sëmundja e rëndë që ngurtëson mushkëritë. Një kryq i madh, i florinjtë, varet në qafën e saj. Ne bëhemi kuriozë se si një njeri mund të jetë njëherazi edhe komunist, pra ateist fanatik, edhe besimtar i bindur katolik. “Besimtare? E si nuk paska qenë besimtare! Unë besoja fshehurazi edhe kur isha anëtare partie – thotë Bardha – kur janë prishë kishat në 1967 jam lutë gjatë që Zoti t’ja falte atë punë që po bajshin. Mbaj mend se mbas tërmetit të 1979 na u dëmtua shtëpia. Atherë na kanë pasë pru gur për me rindërtu shtëpinë. Te ne patën pru edhe guret e qsheve të kishës. Mu drodh toka nën kambë. Besimtare kam qenë gjithherë, vetëm se në atë kohë nuk mund të flitshim”.
Bardha sapo është kthyer nga ai morti, i cili ka bërë bashkë thuajse të gjithë Rrëshenin. Tani ajo ka një profesion tjetër. Ajo është vajtimore. Pra ajo qan sipas një rituali të përcaktuar mirë të vdekurin para se të varroset. “Kam përditë punë – thotë – sepse më thërrasin edhe në qytete të tjera, në Lezhë, në Shkodër, në Laç…”.

Bardha nuk duket si një njeri që “takon” vdekjen përditë, përkundrazi ka një humor të hollë dhe duket sikur e shijon jetën pikërisht ngaqë e njeh aq mirë të kundërtën e saj, vdekjen.

“Të jesh vajtimore paska qenë një dhunti e dhënë nga Zoti – na thotë Bardha – në fillim kurrë nuk më kishte shkuar mendja se vaji do të më kthehej në profesion. Njeriu i parë që kam qarë me vaj, pra me vargje të sajume aty për aty, ka qenë bash vjehrri im. Për herë të dytë kam vajtu për vajzën teme 9-vjeç. Që më vdiq krejt papritmas. Herën e tretë për një mik të shtëpisë. Kshtu nisa me e kuptu se isha e prirun për këtë punë. Vaji ka rregullat e veta. Jo kushdo mund ta bajë këtë punë. Ma përpara kanë pas qenë edhe burrat që vajtojshin. Ma i fundit prej tyne ka qenë Gjon Marka Gjini që vdiq vjet. Vetë e kam vajtu me këto vargje: Në ditë morti/ E në ditë mexhlisi/ Zani yt bash si i bilbilit/ Kur Gjon Marku lshote zanin/ Atherë toka merrte gjamën… Vajtimin unë e baj krejt si përpara. Në fillim interesohem se kush ishte i vdekuni, çfarë ka punue, vetë sati fëmijë ishte, si vdiq, çfarë ka lanë mrap dhe pastaji hartoj vargjet aty për aty”.

Buzëqeshja e Bardhës zbehet teksa ne e pyesim se në cilin mort është ndjerë më keq. Portreti i saj bëhet serioz dhe duart i shkojnë instinktivisht te kryqi i florinjtë. “Jam ndjerë shumë randë në tre raste – na thotë - po ua tregoj: Në 1997 kur kam qa për tre vëllezër të vramë. Maj mend se kam pasë përdorë edhe këtë varg: Nuk ka dorë me u hedhë dhe! Nji herë tjetër në Orosh një 30-vjeçar jetim u vra në një aksident. La pas dy vajza e një djalë. Jetimi la pas jetimë. Herën tjetër që jam ndjerë vërtet shumë keq ka qenë në Velë, kur nji nanë e re dhe nji vajzë 7 vjeçe u vranë në një aksident automobilistik”.

Ka ardhur koha të vazhdojmë më tej. Nuk e dimë as vetë sepse e zeza e shamisë së Bardhës na duket edhe më e fortë se zakonisht. “Duhet të jetë një profesion fort i rëndë ky i vajtimores”, thotë njëri prej nesh teksa jemi sërish në bulevardin e lagur të Rrëshenit.

Jeta dhe vdekja, gjysmë për gjysmë

Një apartament i vogël në katin e parë duket edhe më i errët se zakonisht. Shiu që bie pa reshtur e pengon dritën të hyjë mes dritareve jo edhe aq të mëdha. Brenda kësaj hyrjeje modeste na pret Liza Dushi dhe e bija. Nana Liza ka lindur në një fshat të Pukës në 1923. Si të gjitha shoqet e saj të asaj kohe, “fati” ia solli që të martohej në Kaçinar, një zonë mirditore, atëherë e largët. Këtu u martua me Mark Dedë Dushin. E shkoi gjithë jetën duke bërë punë të rënda. Perëndia i dha gjashtë fëmijë. Në të gjallë të saj i ka marrë tre. Nana Liza nuk ankohet. “Kshtu e kam pasë fatin”, përsërit ajo një shprehje që e kemi dëgjuar që në krye të takimeve tona me nanat mirditore.

Neve na duket sikur kjo plakë e thjeshtë dhe e heshtur e ka shkuar të gjithë jetën e saj mbi një fill të hollë që ndan jetën nga vdekja. Dy fëmijë i kanë vdekur që foshnja. Të tjerët i rriti me një barrë mundime së bashku me të shoqin, porse kur punët dukeshin sikur po shkonin më mirë, bash atëherë Perëndia i dha një goditje tjetër: njëra nga vajzat vdiq e re nga një kancer në gji. Nana Lizë nuk do të na mërzisë me historitë e saj të trishtuara, më shumë i pëlqen të flasë për Kaçinarin, fshatin ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. “Kena punu shumë, po puna asht se ça korrëm se”, na thotë duke psherëtirë”. Pastaj për një copë herë, vendoset heshtja. Nga televizori i Nanës Lizë mësojmë se në Shkodër gjendja është rënduar. Rruga nacionale porsa është bllokuar, ndërsa në ekran shikojmë vazhdimisht pamje shtëpish të përmbytura. Dy kolegë transmetojnë direkt të zhytur në ujë deri në brez. “Koha të kqija boll kanë ardhë – i del nga shpirti plakës – na budallt e vjetër e kena pas thanë me kohë: ruju ujit e zjermit. Mjer kujt t’i ndodhi kjo punë”. “Budallt e vjetër” i thotë vetes me modesti nana e mirë mirditore me një mal me përvojë mbi shpinë. Përballë nesh në ekran kanë nisur konferencat e shtypit. A thua ndonjë ia ka vënë veshin ndonjëherë ndonjë “budalli të vjetër”? Vështirë se po.

(Autori falënderon zotërinjtë Bardhok Gjikola e Ndue Dedaj për ndihmën e dhënë gjatë realizimit të këtij reportazhi)

48 Komente

Baxhaku vetem lexohet.

Natyrisht 5 yje.

Baxhaku vetem lexohet.

 

shume dakord!

Shume flm per prurjen.

5*****

Baxhaku, je i madh. I madh shume, si e verteta dhe si nenat. RESPEKTE!

Te jam borxhli per fragmentin me poshte, te cilin do e perdor sikur ta kisha timin. Edhe nje here, respekte!!!

Maj mend se kena gjetë disa gjermanë të vramë kur kena shku n’mal për me mbledhë dru. Nuk kishte gja ma t’keqe se sa me i pa ata të shkretë qysh ishin ba ashtu. Mandej kanë ardhë partizant edhe në shtëpinë tonë. Ashtu u danë atherë ma, shpi m’shpi.

Sa i kam njoftë unë nuk ishin djem të këqinj. Ishin të urtë dhe hajshin çfarë u vejshe përpara. Nji herë njeni prej tyne, nji djalë krejt i ri, futi n’xhep nji copë bukë. Atherë, i pari i tyne i ka mbledhë të gjithë në oborrin tonë dhe i ka bërtitë fort para shokëve të tij. E bani për pesë lek. Lufta dhe vitet e para mas saj, ato po kanë qenë kohë të vështira. Çfarë s’na kanë nigju veshët. Manej ka ardhë prishja e kishave. Unë kam qenë gjithnjë besimtare. M’ka dhimtë në shpirt kure kanë mylë kishën e përzunë priftin, po na atherë s’kishim ç’ka të bajshim. Nuk mujshim as me folë”.

Shume interesante. Shto ketu dhe nje teknike te mire shkrimi.

Të jesh vajtimore paska qenë një dhunti e dhënë nga Zoti – na thotë Bardha – në fillim kurrë nuk më kishte shkuar mendja se vaji do të më kthehej në profesion.

Para nja dy tre vjetesh ka qene nje cikel tek Shekulli per Traditat e Dasmave dhe Ritet Mortore ne krahina te ndryshme te vendit.  Nuk po e gjej linkun e plote te artikullit, por po sjell nje pjese nga nje forum tjeter.  

Historia e nje riti te ralle* mortor ne Malesi

Mirditasit i kanë kushtuar vëmendje të veçantë, pos dasmave dhe ceremonive të gëzimit, edhe mortit, madje hera-herës duke i dhënë ngjyresa monumentale. Në studimin e tij “Vajet dhe Vajtimoret e Mirditës”, studiuesi i njohur vendas, Ndue Dedaj, i mëshon faktit të përmendur në hulumtimet e kahmoçme të studiuesve më të zëshëm të vendit dhe të huaj, se vajet e Mirditës janë aq karakteristike, sa janë përfshirë në një masë të madhe, në korpusin e Visareve të Kombit. “Mirditorja qan thekshëm, shënohet aty, që të ban me kujtue disi poetët e motshëm; elegjinat e Tribulit, e ma mirë të grekëve të vjetër”, me “të bërtitmen e saj mbi të dekunin me një za të thekshëm, që e ka prej natyre me i dhanë vajit të vet at’ poezi të dhimbshme”. Vajtimoret e Mirditës, kanë qenë përmendur, ashtu si dhe Burrat e Dheut. Ato kanë krijuar një opus të shkëlqyer të folkut elegjiak, që vijon dhe sot e asaj dite të mbijetojë në kohët moderne.

Studiuesi Dedaj, thotë se, nëse në mjaft vaje të zonave jugore, i vdekuri (burr&eumlsmiley, zakonisht portretizohet si “trim”, në vajet e Mirditës, burri i këtyre anëve, përgjithësisht është “gjyqtar i venue”, çka do të thotë se “zanati” kryesor i malësorit të kësaj ane, nuk ka qenë pushka e trimnia (pa e zbehur kët&eumlsmiley, por gjykimi i çështjeve, kuvendi, urtësia dhe mençuria. Trimëria mund t’i lypej njëherë malësorit, kurse mençuria (gjyqtaria) i duhej dita me ditë. Kjo përmasë, që e përcjell dukshëm kënga, duket se është e ndërlikuar me praninë e kanunit, pleqësisë, kuvendit, vetëqeverisjes.

_______

Me rit te rralle, behet fjale per historine e "Burrit te gjalle te vdekur", riti i fundit mortor tradicional ne Miredite, ku burri i vdekur qendron ne karrige, (fotografuar nga Marubi) dhe pasi vajtohet me zakonet perkatese, atehere varroset.   

Pervec vajtoreve, e njohur ne Malesi ka qene gjama e burrave.

Gjama... kur burrat e Malësisë vajtojnë me thonj, britma dhe gjak

Forma më antike, më ekspresive dhe më spektakolare në të cilën plazmohet kriza e pikëllimit gjatë ritit mortor në malësitë veriore është gjama e burrave. Etnologu Bledar Kondi, thotë se "të dhënat më të hershme mbi gjamën e burrave dëshmohen nga Herodoti, i cili flet për ekzistencën e vajtimeve kolektive të fiseve dardane.

Në mesjetë, Mikel Apostoli përshkruan një skenë mortore pranë Shkodrës, ku burrat dhe gratë, të cilët ai, në vitin 1437 i quan ende me emrin "taulantë", "vajtonin si kretasit", duke nënkuptuar me këtë modelet e lashta të vajtimit helen me britma dhe vetgjymtim". Marlin Barleti dokumenton i pari gjamën personale të Lek Dukagjinit për vdekjen e Skënderbeut, ndërsa Pjetër Budi jep një tablo dramatike të malësorëve katolikë që i nderonin të vdekurit e tyre me gjamë të përgjakshme edhe gjatë salikimit fetar në shtëpinë e Zotit.

Gjatë shek. XIX dhe gjysmës së parë të shek. XX janë pikërisht klerikët katolikë italianë dhe shqiptarë të cilët ofrojnë dokumentacionin etnografik më të pasur mbi praktikimin e gjamës në Malësinë e Dukagjinit, Malësinë e Madhe, të cilat kulmojnë me kodifikimin e dokeve mortore dhe të usullit të gjamës në Kanunin e Maleve, nga Shtjefën Gjeçovi [1900-'07]. Ndërsa gjatë gjysmës së dytë të shek. XX gjama do të bëhej objekt i studimit etnografik, folklorik dhe etnomuzikologjik nga Rr. Zojzi, R. Sokoli, A. Ahmeti, A. Çeta, M. Tirta, A. Ahmedaja etj. duke nxjerrë më në në pah funksionin dhe rëndësinë e këtij vajtimi prototipal në traditën mortore shqiptare.

Përsa i përket regjistrimeve zanore të gjamës kolektive, ato janë shumë më të pakta, dhe ekzemplarët e regjistruar fillimisht nga O. Xhatufa në vitin 1972 në malësitë e Tropojës, Shkodrës, gjenden të depozituar vetëm në Arkivin Audiovizual të Institutit të Kulturës Popullore".

Gjama e burrave ka mbijetuar deri në dekadat e fundit në fshatrat katolike të Malësisë së Dukagjinit, Malësisë së Madhe, e pjesërisht të Pukës, Mirditës e Lezhës; por nuk ka munguar aspak në malësitë albanofone të Trieshit, Grudës, Plavës, Gucisë (Mali i Zi) dhe të Gjakovës (Kosov&eumlsmiley.

Kurse komuniteti mysliman i malësive ka qenë shumë më i frenuar prej dogmës fetare për të praktikuar ritin e gjamës, prandaj burrat myslimanë privatisht bënin gjamë individuale të mbyllur në kullë, kurse publikisht thërrisnin burrat katolikë për t'u bërë gjamë në raste vdekjesh. A. Ahmeti dhe P. Stojanoviq informojnë se gjamatarët profesionistë të malësive shqiptare shquheshin edhe kundrejt fqinjëve të tyre sllavë për ekzekutimet kolektive dhe individuale, prandaj dhe janë ftuar shpesh në ritet funerale malazeze dhe boshnjake për të thirrur gjamë fillimisht në serbisht dhe më pas në shqip.

Këto dy aspekte dëshmojnë në mënyrë kuptimplotë se gjama kolektive dhe individuale e ekzekutuar publikisht gjatë ritit funeral, e ka nxitur komunitetin malësor shqiptar që të mposhtë shokimin nga vdekja, të fuqizojë kohezionin social, të ripërtërijë jetën normale të çorganizuar me ekuilibrat e saj të prishur, duke kapërcyer çdo dallim fetar dhe etnik.
 

PS: Ndjese qe kam dale ca nga tema. 

Kam qene para nje muaji ne Rreshen dhe duke pare fytyrat e tyre i vetmi mendim qe me vinte ishe "O zot sa te vuajtur", te vuajtur por shume bujare dhe burrnore.

Nuk di ç'te them. Perplexe. Nje shije e hidhur, e vogel, gati e pandjeshme, por aty eshte.

Per veten time, keto ekzibicionet me "vrasin" pak ne jaken e kemishes. Me ngjajne pak a shume me pershkrimet e Ylli Pangos kur vajti per here te pare ne Amerike, dhe shenonte atje sa autobuse kishte nderruar e sa kushtonte bileta e tramvajit. Jo se dua te barazoj Baxhakun me Pangon, se ky i fundit eshte nder me te pavleret ne syte e mi, dhe Baxhaku mund te jete shume i nderuar ne profesionin e tij.

Por keto udhetimet keshtu te llojit Durham (pas vaktit) me turbullojne. Une mund ta kuptoj qe tjetri te shkoje ne Mirdite dhe te beje nje reportazh per druvaret, per bujqit, blegtoret, apo djegesit e furrave. Por qe te besh reportazh per Mirditoret te tille si Mirditore, kjo me duket e tepert.

Nuk besoj se na shtohet dashuria per malesoret me reportazhe te tilla. Mbase shumekush i sheh si rreqethese, shije e paprovuar, ndjesi te reja, perjetime te reja, por fakt eshte se ne jemi ne nje antropologji te llojit te keq. Aq me teper nga nje shqiptar. Po te me vinte rasti te ndeshja mbi nje kanadez apo gjerman qe shkon ne katundin tim per te pare si hane e si pijne, do t'i thosha qe te mbledhe plaçkat dhe te shkoje andej nga katundet e veta se ketu s'kemi nevoje per hulumtues pyjesh afrikane ne kerkim gorillash.

Keto lloj ekspeditash do te kishin nje kuptim nese kryhen ne kornizat e studimeve etnografike, ku do te kishte nje synim te qarte : do te shkojme te mbledhim kenget apo vallet e ketij vendi. Ose varrimet. Ose lindjet. Por te shkosh keshtu e te flasesh per gjithçka dhe asgje, nuk e di, turbulluese.

Po mire mer trim, ose me mire mer kastravec, pse nuk e ben ti ate qe po ben Baxhaku ?

Nje dyzine dokumentaresh , nga treva qe qe nuk i shkel kembe njeriu me  e qe u ka humb vula? Po as qe mund ta kesh idene ti mer se sa mund do kjo pune te behet dhe ca me keq te kuptohet nga tyrrlisoj rrypash qe i lexojne shkrimet apo shohin dokumentaret.

Jane te vetmet prodhime qe po mundohen te pershkruajne Shqiperine e sotme me vertetesi. Dhe nuk kane vleren e nje shkrimi peshku apo te nje perkthimi peshku.

Tani te te them une se kush eshte problemi yt dhe mundohu ta mbash veth ne vesh : ti turperohesh se nga je dhe fakti qe Baxhaku shkruan kaq qarte e kthjellet dhe ne te tjereve na imponon respekt per personazhet e tij, ty te ben keq.

Hera e fundit qe do ta marr seriozisht nje koment tendin ne peshk. smiley

Une nuk turperohem nga asgje. Kete ta dish mire ti dhe kjo zonjusha ketu poshte. Jam nje fshatar i bindur ne vlerat e tij fshatare. E kuptove tani ? Dhe aq me ben per kullat e Tiranes apo per monumentet e pavaresise lart e poshte. Kjo te jete e qarte, qe mos te rraseni ne iluzione dhe te mos krijoni kot gogole.

Problemi im ishte ky : reportazhi do te ishte ne vendin e vet nese do te ndermerrte pasqyrimin e jetes se barinjve mirditore, se bujqve mirditore apo pajtuesve te gjaqeve mirditore. Vereje mire : mirditore sherben ketu si MBIEMER. Dhe jo te shkohet te flitet per mirditorin mirditor. Ku "mirditor" kercen tani nga mbiemer ne emer. Nuk me pelqen te flitet per MIRDITORIN APO TIRANASIN APO VLONJATIN TE TILLE SI MIRDITOR, TIRANAS APO VLONJAT.

Thjesht sepse ashtu biem ne nje lloj "voyeurisme", ngaqe edhe une shkoj dhe ia fus nje reportazh per Tiranasit si Tiranas, duke thene se ata nuk hane ne shtepi por hane ne restorante dhe bertasin aty me ze te larte. Kjo, thashe une, me duket nje lloj antropologjie qe i ka kaluar koha.

Bukuri, eja ne malet e Bjeshkeve te Nemuna te flasim per kenget epike. Shume bukur. Kjo eshte nje pune e fisme dhe duhet bere sa me shpesh. Por jo te studiosh tipin si tip. Sepse nga ketu, vetem nje hap e ndan nga nxjerrja e vizores per matjen e hundes dhe ballit.

Keshtu Koth, keshtu Monda, qetesohuni pak, lerini komplekset e mia te fantazuara, kur te deshironi, ejani ne kullen time atje ne maje te malit dhe as qe me kercet fare nese nuk ju pelqen qe une eci zbathur apo me çizme peshkataresh neper ode. Am I clear ? 

Shiko e kupto cer citon Baxhaku  eshte si mencuri edhe si dinjitet, edhe si te gjitha nga ato qe mbase te kompleksojne ty, dmth qe te mungojne por qe mua me ngjallin respekt te madh shume dhe jam i sigurte jo vetem mua:

“Jam ndjerë shumë randë në tre raste – na thotë - po ua tregoj: Në 1997 kur kam qa për tre vëllezër të vramë. Maj mend se kam pasë përdorë edhe këtë varg: Nuk ka dorë me u hedhë dhe!

Mire, Koth. Vazhdo te mendosh se jam me komplekse. Fundja, si mendon ti, kush ka me shume rendesi : sendi vete apo ajo çka mendojme ne per sendin ? Psh, ne nje rast te prekshem : vorba apo ç'mendojme ne per vorben ?

Te pershendes. Baxhaku shkruan mire, ka ndjenje, e gjithçka. Nuk kam asgje me kete. Thjesht qasja e tij me le te peshtjelluar. Dhe dhashe arsyet. Nuk kam ç'te shtoj me.

Nji tungatjeta katunarshe pi meje.

reportazhi do te ishte ne vendin e vet nese do te ndermerrte pasqyrimin e jetes se barinjve mirditore, se bujqve mirditore apo pajtuesve te gjaqeve mirditore.

reportazhi, sikurse thote vete autori, u kushtohet nenave mirditore.Nuk shikoj asgjekundi synim per zbulimin antropologjik te mirditoreve si mirditore. Dhe kete reportazhin me nenat mirditore me duket se Baxhaku e ben me nje ndjenje te admirueshme njerzilleku dhe pa asnje fije "ngazellimi" prej studjuesish qe zbulojne zulute. Autori pershkruan Histori nenash dhe grash si dhe vete historine  te shikuar prej syrit te tyre.

Megjithate e kuptoj shqetsimin tend por ketu, ne kete reportazh, shqetsimi yt nuk verifikohet.

Studiuesi Dedaj, thotë se, nëse në mjaft vaje të zonave jugore, i vdekuri (burr&eumlsmiley, zakonisht portretizohet si “trim”, në vajet e Mirditës, burri i këtyre anëve, përgjithësisht është “gjyqtar i venue”, çka do të thotë se “zanati” kryesor i malësorit të kësaj ane, nuk ka qenë pushka e trimnia (pa e zbehur kët&eumlsmiley, por gjykimi i çështjeve, kuvendi, urtësia dhe mençuria. Trimëria mund t’i lypej njëherë malësorit, kurse mençuria (gjyqtaria) i duhej dita me ditë.

thnx Monde, per prurjen. interesante dhe informuese njekohesisht.

kurse per temen, autorit i uroj pune te mbare. Baxhaku, me aq sa kam pare, eshte nje nga te rrallet gazetare qe pervec te tjerave reflekton vetem njerezillek ne punen e tij. Urime!

 

np smiley.  Ka qene nje seri shkrimesh te tilla te Shekulli, ku perfshihen dhe zakone nga trevat e tjera. 

PS: admin, ndoshta llafet e teperta jane fukarallek, dhe ne kete rast ne fakt jane.  Por gjithesesi, si pa kuptim posti i Hurbit ku me referohet per fjale te padukshme. 

ti e di qe: jp*
po, @une pse jo? kot per bejt. apo qm per shs

*je e papare smiley

O Hurb nuk jane personat, individet si individe qe percillen ne kete shkrim por vlerat qe ata mbartin. C'do personazh ka nje seri vlerash qe ne te tjeret i kemi haruar.. modestia.. urtesia, mencuria.. respekti e nderi, por ajo qe me ben me shume pershtypje eshte perceptimi psikologjik i personazheve.. kujtesa e tyre.. fleksibiliteti i tyre per tu perballuar me gjichka qe u hedh dhe pranimi i jetes ashtu sic u vjen.. pa u hidheruar, perkundrazi gjejne kurajon shpirterore per te pare pozitiven dhe jo negativen. Behet fjale per filozofi ekzistencialiste ne thelb ashtu si Sizifi.

shume cilesor ky reportazh.. gjithcka ne te eshte cilesore.

 

Nga të gjithë që e njohin, nuk kam dëgjuar një llaf të keq për Baxhakun. smiley

 

Nuk mè zhgènjen kurrè ky fatos baxhaku...tani qè e lexova por edhe kur shoh dokumentarèt nè top chanel...ka njè tè mirè ky...FLET SHQIP!!!!

Hurbinek mas prit qe te peshku te kuptohet kritika e nuancume nga "masat" dmth kta qi kan koh me repliku gjith diten te peshku....kjo "qasje" ashtu si e qun ti asht ba "mode" te "vendet e aferta" vs "vendet e largeta" (si psh Mirdita etj...) Hurbinek kritikoi nuk e hodhi poshte artikullin...Nejse un s'humb koh me si i qasen kta po me ate qe thojn kto gra ne menyren e tyne direkte e autentike, dmth jo alla gazetareske shqip, qi ta shpifin ne pergj.

Përveç vlerave që sjell si shkrim, kur vjen kështu i pareduktuar (aq më keq nëse është botuar kështu) ja humbet vlerat.

Përveç gabimeve të shtypit, ka edhe ndonjë gabim trashanik që bije në sy që larg që kishte nevojë për korigjim:

Edhe natën e parë që kena fjetë bashkë nuk mujta e pashë sepse në dhomën tonë ishte terr i madh.

rudeta, nuk shkruhet bije po bie !!! meqe e paske merak redaktimin them

 

Ketu dikush  po tregohet nje segment i kruarjes se hundeve , qe eshte njesia matse e HURIt , kur futet ne prurjet e Baxhakut .

Idiotizni i tij i noterizuar sikur nuk ka nevoje per noterizime te metejshme . as per huazime e as per rritje te nr te katunareve ose gdhenjve.

Baxhak pen e nderuar , e embel , e thjeshte dhe plot jete - prane jetes.

znj rudeta !

Përveç gabimeve të shtypit, ka edhe ndonjë gabim trashanik....etj etj

Qe ta njohesh me mire Shqiperine duhet te dish kur kane vajtur dritat , pas koheve te bishtukeve . Por une jam i bindur plotesisht zotnie , se drita e Partise sone pas 90 ka ndricue ne jete te jeteve por e ka mshefur Diktatura.

Thjesht nuk ka asnje gabim as te vogel biles. Ka vetem nje kritike TRASHANIKE qe nuk njeh Shqiprine e kohes qe pershkruan Baxhaku me gojen e nenave Mirditore , shume te ngjashme me te gjithe nenat.

Nëse vini re, në fjalinë e parë të komentit kam përmëndur VLERAT e shkrimit.

Tani, sa për kritikën time (që mund të jetë edhe trashanike), e bëra sepse supozova, me vehten time, që autori fillimisht e kishte shkruajtur kështu: "Edhe natën e parë që kena fjetë bashkë nuk e pashë sepse në dhomën tonë ishte terr i madh" , por, për të folur me "gojen e nenave Mirditore , shume te ngjashme me te gjithe nenat.", autori ka dashur ta zbukurojë duke shtuar atë fjalën dialektore pa marrë mundimin që të korigjonte dhe foljen që e pasonte.

mire moj mire, por kur shkruan: "bije ne sy", ne vend te: "bie ne sy",  nuk e ke luksin per te korrigjuar baxhakun

E keqja eshte se reportazhi eshte ndertuar sipas disa skemave te realizmit socialist. Kjo ndjehet qe ne titull : "Histori nanash mirditore". Vendosja e fjales "nana" tregon qe ne krye per nje paramendim te autorit. Pra, doemos qe do te tregojme nana te vuajtuara, por te mencura, trime, te dashura, etj. etj. Dmth autori do te tregoje ate qe ai ka patur me mendje para se te shkoje atje, dhe jo cfare do te gjeje atje. Keto reportazhe nuk dallojne nga ato qe bente dikur Dritero Agolli me shoke. E qe do ti gjenim me vone ne poezite : "Ju te mirat, te urtat, burrneshat, etj"

Duke para dhe se kush eshte entuziasmuar ne PPU nga ky reportazh, ma perforcon akoma me shume idene.

kjo ideja e shamngies se determinizmit ne kreativitet eshte disi e paforme. natyrisht qe baxhaku eshte nisur me paragjykime dhe me plane per te gjetur dicka, dhe kur ka vajtur disa paragjykime i kane rezituar skemave, disa jane kthyer ne gjykime, disa jane rrezuar, ndersa dhe plani, pjeserisht i ka dale, pjeserisht eshte improviauzr aty per aty. por nuk shoh se si ndonje reporter mund te niset per ku ta shpien kembet (pra pa plan, se qe kur paska ne plan te niset per mirdite, ka dhe stereotipe brenda), dhe pasi te mberrije ku ta shpien kembet, te sjelle per publikun ate qe i del para, po jo ne menyren se si e percepton reporteri (qe eshte qenie me filtra etj etj, dhe eshte gjithmone biased, se nuk ka unbiased people), por ne nje menyre krejt transparente. Pra reporteri te shnderrohet ne nje tub vakuumi permes te cilit vjen rastesia rastesore rastesisht tek nje publik i rastit...? Kjo s'eshte e mundur me duket...

Skemat mund te ndryshohen, por nuk besoj se mund te zhduken. Mund te dalim nga skemat e realizmit socialist e te shkojme tek skemat e nihilizmit postmodern, apo te cinizmit kozmopolitan, apo te metroseksualizmit konsumist, apo te rebelizmit pa shkak, apo te tradicionalizmit "gjak e dhe", ose ne ndonje skeme krejt te re, po nuk shoh se si mund te zhduken skemat, apo paramendimet... pra mund te kritikohet skema e perzgjedhur, por jo ekzistenca e skemes mendoj une

po mire.. e njejta nuk mund te thuhet per ty.. se ti e ke vendosur qe ne titull se cfare do te nxjerreh prej ktij reportazhi? dmth ti sa ke pare "nana" ne titull e ke vendosur se cfare do te na shkruash neve ktu ne lidhje me artikullin, jo cfare do te gjesh gjate leximit te reportazhit?!

Propozoj që Baxhaku me shokë të aplikojnë hiper-realizmin socialist. Ça do të thotë kjo? Ja që kamera të fokusohet te punëtori me grushtin lart duke protestuar kundër sistemit, dhe pastaj kamera të shkojë te djali i punëtorit që i bi me dorë në dhomën e vet.

“Të jesh vajtimore paska qenë një dhunti e dhënë nga Zoti – na thotë Bardha

Cer thot kjo mer..ne Shkoder, kur isha heren e fundit, u detyruam te arratiseshim nga apartamenti per pothuaj 24 ore se po 'vajtonin' ca Mirditore e ne skishim qef me pa ondra t'kqija.

Por qe te besh reportazh per Mirditoret te tille si Mirditore, kjo me duket e tepert.

Pse jo? Kane qene njesi shtet-formuese. Dmth po ta mendosh Rep e Rrumpalles si konfederate, Mirdita eshte pjese perberese.

 Tosin eshte gjithnje kenaqesi ta lexosh. Nga te rrallet gazetare puro sangue ne Shqiperi. 5 yje gjithmone per keto shkrime.

 Kjo gruja e marre nga mbrapa duket mu si Big Chief i Mohicans. smiley Scaryyyy! Kush e mban mend indianin e madh tek "One flu over the cuckoo's nest"?

ai qe bente sikur ishte i cmendur..

btw its just an illusion.. higher ground.. higher hills.. big coat... smaller ppl around.. that make her seem like a giant, por nuk eshte m e gjate se 1.70

Librin, po.

 Per hir te se vertetes duhet thene qe ky artikull nuk sjelle asgje te re. Ka kaq shume per te studjuar aty sa habitem qe ky gazetar nuk i sheh. C'fare eshte vajtoca ...kjo eshte fjala shqip besoj...e ka thene Ismail Kadare ne nje ese te tij...qe kjo rrjedh qe nga kohet pellazgjike...kjo duhet thene me force. C'fare jane Mirdita dhe Mirditoret? Jane pasqyre e gjalle e lashtesise se popullit shqiptar...jane pasardhesit e pellazgeve qe asnje studjues i mirfillte shqiptar nuk e thote. Ne vajtimet e tyre ndihesh sikur je ne nje tragjedi greke...dihet qe greket i moren shume zakone nga pellazget. Ky gazetar shkon e vjen e s'thote asgje...pse? c'fare? etc...etc

Ky eshte thjesht nje reportazh mbi nanat mirditore, sic thote edhe artikulli, nuk eshte enciklopedi plako. Enciklopedite i takojne historianeve etj ti bejn, jo reportereve, dhe ato qe thua ti behen ne libra ose dokumentare te zgjatura, ketu ka vetem nje reportazh, kaq.

 Bukur!!! 

5*

@ sol, nje fakt per qejf tone: ne 30 komentet e para, ka nje siguri prej 97.5% qe njeri koment do jete "weird", po te supozojme nje shperndarje standarde normale te normalitetit. Sipas kuptimit frekuentist, po te perseritej 1000 here ky artikull pasuar me komente, ne 1000 universe paralele, tek 975 prej tyre do gjeje nje koment deviant (shqip "te shkare permatane&quotsmiley. Dmth comment sampe size = 30 in order to get an outlier.

Faleminderit Baxhaku!Une te githe personazhet e ketij reportazhi i njof personalisht.Keni qene shume i vertete dhe per kete te falenderoj vecanarisht

Nuk do te ishte keq qe Baxhaku, te fliste me shume per jeten ekonomike te tyre, dhe te na jepte pershkrime nga dyqanet, numri i tyre ne 1 fshat, çmimet etj.  

Ca na shkruan o Fatos..per 70-80 vjecaret e Mirdites..Mirdita tani eshte nja 100 vjet mbrapa + dhe nga 70 edhe 80 vjetet e tyre e mere me mend ku dalim..ne shekullin xix. Te me falin ata qe kane ecur me hap te madh si te Sal Berishes, nuk jane perfshire ne koment.

Une them qe Baxhja shkru mire biles shume mire.

Edhe gjithmone ka shkrujt mire dhe ka qene nje nga cunat gazetare ma te mire te Tirones.

Madheshtia e tij eshte se, nuk e ka ndy doren shume me shkrime politike.

Baxhja eshte tamam cun tirons, qe nuk do leke shyqyri dhe pikerisht per kete arsye ka zgjedh me u mor me reportazhe jugu dhe veriu.

Gjithmone i nerum dhe i respektum

cun flori

Amin ! smiley 

shkrimi  5*,

me krijon nje nje qasje shume 'dashamirese' -nese mund te thuhet- ndaj nje zakoni qe me le nje shije te hidhur(vajtimit).... dhe nje realiteti akoma me te keq( vdekejes)....

 

    <b>Nuk ka dorë me u hedhë dhe!... </b>  rengjethese....

 

 

 

qyqjaSad

kush ka vdek me ...

ti shkojme per kryshnosh ...

se me ka shku menja ene per hallve paleSad

MIRDITA asht krahina ma heroike e Shqipnise. Gjate 5 shekujve, asht e vetmja krahine ne te cilen s'ka mujt me hy kamb turkut kurre ; e vetmja krahine qe ka rujte plotesisht fene dhe zakonet e saja. Mirdita asht e vetmja krahine qe te gjitha shtetet europiane ishin te gatshme me e marre nen patronazh (pikerisht per kte rezistence heroike) ne vitet 1910-18 nqse do te vendosej qe Shqipnia te coptohej. Deshti Zoti dhe Shqipnia nuk u coptu shume (...!), dhe Mirdita mbeti shqiptare.

Kam te njejtin respekt per heroizmin e Sulioteve e Jugut (krahinat e te cileve jane sot ne Greqi).

MIRDITA asht krahina ma heroike e Shqipnise. Gjate 5 shekujve, asht e vetmja krahine ne te cilen s'ka mujt me hy kamb turkut kurre ;

Pse e thua sikur po deklaron ndonje fakt, s'te marr vesh. Qenke kaq i sigurte qe ska hyrre kamba e turkut kurre ne Mirdite se historia thote ndryshe, e po te jesh mirditor vet, pyet gjysherit e tu se te kallxojn ka hy a ska hy kamba e turkut ne Mirdite.

e vetmja krahine qe ka rujte plotesisht fene dhe zakonet e saja.

Je i sigurte edhe per kete? Pyet andej nga malecia dhe nga laberia se te kallxojne.

Mirdita asht e vetmja krahine qe te gjitha shtetet europiane ishin te gatshme me e marre nen patronazh (pikerisht per kte rezistence heroike) ne vitet 1910-18 nqse do te vendosej qe Shqipnia te coptohej.

Shtetet europiane ishin te gatshme te merrnin nen patronazh c'faredo toke tju ofrohej jo vetem guret e mirdites, se terhiqen nga interesa jo nga respekti per qendresa heroike.

Deshti Zoti dhe Shqipnia nuk u coptu shume (...!), dhe Mirdita mbeti shqiptare.

Desh zoti pra qe nuk u coptu shume Shqiperia dhe kemi kete Shqiperi qe kemi, jo se s'kish kush te na e merrte nen patronazh or mik!!

Kam te njejtin respekt per heroizmin e Sulioteve e Jugut (krahinat e te cileve jane sot ne Greqi).

C'far thua plako??

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).