Marrë nga INSTAT

Përmbledhje
Ekonomia në tremujorin e tretë të vitit 2009 u rrit me 4.1 përqind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2008, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 0.4 përqind.

Në këtë tremujor degët që kanë patur rritjet më të larta ishin post telekomunikacioni, transporti dhe tregtia respektivisht me 34.3 përqind, 15.5 përqind dhe 6.4 përqind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008. Degët që patën rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishin industria dhe ndertimi respektivisht me -4.5 dhe -0.7 përqind. Krahasuar me tremujorin e dytë 2009 rritjen me te madhe e kishin degët post telekomunikacioni me 20.5 përqind dhe industia me 5.0 përqind, ndërsa me rënie ishte dega e ndërtimit me -9.5 përqind dhe shërbimet me -0.2 përqind.

Bujqësia
Aktiviteti bujqësor në tremujorin e tretë të 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë është rritur me 2.8 përqind dhe me 0.3 përqind kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2009.

Industria
Grupi i industrive pësoi një rënie prej 4.5 përqind në tremujorin e tretë të 2009 krahasuar kjo me tremujorin e tretë të 2008. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009, dega e industrisë pati një rritje prej 5 përqind.

Duhet theksuar fakti që në degën e industrisë vlerësimi i energjisë elektrike është bërë me mënyrën direkte të vlerësimit, në ndryshim kjo, nga vlerësimi i degëve të tjera të cilat bazohen mbi mënyrën indirekte të vlerësimit.

Në këtë tremujor për këtë degë janë vlerësuar produkti dhe konsumi ndërmjetës më vete dhe më pas vlera e shtuar si diferencë e tyre.

Ndërtimi
Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2009 u ul me 0.7 përqind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008 dhe me 9.5 përqind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009.

Tregti, Hotele dhe Restorante
Ky grup pati një rritje prej 6.4 përqind në tremujorin e tretë të vitit 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe një rritje prej 1.6 përqind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009.

Transporti
Aktiviteti i transportit në tremujorin e tretë të vitit 2009 u rrit me 15.5 përqind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe pati një rritje prej 3.5 përqind ndaj tremujorit para-ardhës.

Post-telekomunikacioni
Dega e post-telekomunikacionit pati rritjen me te madhe me 34.3 përqind në tremujorin e tretë të vitit 2009 përkundrejt tremujorit të tretë të 2008 dhe 20.5 përqind përkundrejt tremujorit të dytë të vitit 2009.

Shërbimet
Dega e shërbimeve në tremujorin e tretë të vitit 2009 pati rritje me 2.3 përqind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2008 dhe nje rënie prej 0.2 përqind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009.


Shënim plotësues:
Për shkak të periodicitetit që kanë seritë tremujore, shumë shpesh ato përfshihen nga lëvizje në periudhën afat-shkurtër, të njohura si lëkundje sezonale. Këto lëvizje mund të shkaktohen nga një sërë faktorësh si moti, ndryshimet legjislative, punësimi sezonal (orët e punës), koordinimi i vendim-marrjeve, etj. Këto lëvizje tentojnë që të përsëriten në mënyrë të rregullt çdo tremujor të çdo viti.

Ndryshimet atmosferike si temperaturat, shirat, etj, ndikojnë drejtpërsëdrejti në prodhimin e produkteve bujqësore, sektorin e ndërtimit, të transportit etj. Koordinimi i vendim-marrjeve si, pagesa e taksave apo shpërblimet në fund të vitit për punonjësit, japin efekte të rregullta sezonale. Gjithashtu nga këto efekte përfshihen dhe degë si turizmi e shërbimet që karakterizohen nga punësimi sezonal.
Efektet e përmendura më lart, e një sërë të tjerash si këto, nxjerrin si domosdoshmëri zhveshjen nga efektet specifike sezonale të secilit tremujorë në mënyrë që të ketë sensë krahasimi i treguesve tremujor midis tyre.

Më konkretisht rritja prej 4.1 përqind i tremujorit të tretë të vitit 2009 krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008 është bazuar mbi seritë e të dhënave tremujore të pa zhveshura nga efektet sezonale, pasi të dy këta tremujorë i përkasin të njëjtës periudhë kohore të vitit, ndërsa rritja prej 0.4 përqind i tremujorit të dytë të vitit 2009 krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009 është bazuar mbi seritë e të dhënave tremujore të zhveshura nga efektet sezonale. Kjo mundëson që këta dy tremujorë mund të krahasohen me njëri tjetrin për të dhënë një koncept më të qartë të ecurisë të treguesve tremujorë.
 

1 Komente

 Te dhenat 3-mujore, jane te domosdoshme, vertet, por te rendesishme jane te dhenat vjetore. Le te presim kur te dalin te tera te dhenat e 2009 per sektoret e siperpermendur. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).