Të gjitha automjetet e vendeve të Bashkimit Evropian kanë të përbashkët në targën e tyre flamurin e BE-së. Krijimi i Bashkimit Evropian lindi nevojën e unifikimit të një elementi në targat e këtij komuniteti. Shqipëria, vendi që aspiron së afrimi të jetë pjesë e familjes evropiane, do të ndërrojë targat e automjeteve shqiptare. Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit po punon për krijimin e targave të reja. Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, Kreshnik Bozho, në një intervistë për gazetën “standard” tregon të gjitha risitë që ky institucion pritet të sjellë në shërbim të qytetarëve. Por targa e re mbetet ende surprizë. Nevoja e krijimit të një targe të re, së pari duket se ka lindur nga mbarimi i shkronjave në targat e dhëna tashmë. Fakt ky që tregon se shqiptarët po blejnë si gjithnjë e më shumë automjeteve. Nga ana tjetër, targat e reja do të jenë me elemente të reja dhe të sigurta, kur pritet që së afërmi ne të lëvizim pa viza drejt vendeve të BE-së, që do të shoqërohen edhe me marrëveshje për njohjen e patentave shqiptare me këto vende. Por ajo që Bozho i vë më shumë rëndësi në funksionin që kryen, madje që e quan dhe sfidë, është dixhitalizimi i shërbimeve që ofron drejtoria e tij. Kjo drejtori në një periudhë kohe prej 3 muajsh synon që të ketë të lidhur në rrjet online shumë institucione të tjera të rëndësishme, çka do ta bëjë më të lehtë kontrollin e mjetit dhe poseduesit të saj. Sipas drejtorit Bozho, angazhim i qeverisë është që ashtu siç ndodh me QKR-në dhe QKL-në, të ndodhë edhe në sportelet e DPSHTRR-së. Kur një qytetar të paraqitet pranë kësaj drejtorie, mjafton me një takim të kryejë të gjitha shërbimet që i nevojiten, regjistrim i mjetit, pajisja me leje drejtimi dhe pajisja me gjithë dokumentacionin e duhur. Bozho thotë se dhënia me koncesion e Kontrollit Teknik, kompanisë zvicerane, do të rrisë cilësinë e shërbimit dhe do të rrisë sigurinë e mjeteve në rrugë. Nga statistikat rezulton se qytetarët shqiptarë kanë një tendencë në rritje të blejnë automjete dhe gjithnjë e më tepër i kërkojnë ato të reja, madje shumë syresh i blejnë pranë koncesionarëve të markave më të njohura në vend. Bozho bën të ditur për “standard” se në vitin që vjen do të kemi targa të reja, logo të reja për kolaudimin e makinave, shërbime më cilësore ndaj klientëve, por ai thekson se të gjitha këto nuk do të shoqërohen me rritje taksash. Së afërmi, - thotë ai, - do të ndërtohet dhe një ambient modern për Drejtorinë e Tiranës, e cila tani ka ambiente me qira, me një investim prej 90 milionë lekësh të reja, ku do të ketë ambiente komode, cilësi shërbimesh, më shumë sportele, do të jetë një shërbim i afërt si bankat.


Pas privatizimit të Shërbimit të Kontrollit Teknik, cilat janë shërbimet kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor?

-Shërbimet kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor kanë qenë Kontrolli Teknik i detyrueshëm i mjeteve, regjistrimi i mjeteve dhe lejet e drejtimit si 3 shërbimet kryesore. Kemi dhe shërbimin e kontrollit në rrugë, objekti i punës së tyre është kontrolli i gjithë dokumentacionit në bazë të legjislacionit përkatës. Kemi pasur dhe licencimin e transportit të mallrave, ndërkombëtar dhe brenda vendit, për të tretë me qira. Në këtë moment jemi si një hallkë e ndërmjetme, sepse me krijimin e QKL-së është lehtësuar shumë procedura e licencimeve. Pranë nesh merret certifikata e kompetencës profesionale për drejtuesit ligjor të ndërmarrjeve të transportit, të cilët trajnohen një muaj pranë Qendrës Kombëtare të Trajnimit, që ne kemi në Durrës, e më pas kalohet në provim. Me dhënien me koncesion të kontrollit të detyrueshëm të mjeteve, gjatë këtij viti, që iu dha kompanisë zvicerane për 10 vjet, tani drejtorisë sonë i mbeten vetëm dy shërbimet bazë, që janë regjistrimi i mjeteve dhe lejet e drejtimit.


Keni futur element të ri në pajisjen me leje drejtimi dhe ka ndryshuar mënyra e testimit. Si merret tani një leje drejtimi?

-Risitë që kemi sjellë gjatë këtij viti janë disa. Për lejet e drejtimit mendoj se kemi bërë një revolucion, sepse testimin e kemi dixhitalizuar. Ne po ecim me shpejtësi për të shtrirë në të gjithë vendin këtë lloj teknologjie. Në këtë mënyrë kemi mbaruar Durrësin, fillojmë testimin edhe në Tiranë ku është 60 për qind e volumit të punës dhe bashkë me Durrësin përbëjnë 75 % të volumit të punës. Ka pasur një lloj ngadalësimi, pasi ishim në procedura tenderimi për pajisjet e informatikës, tashmë instalimi është bërë totalisht, programi ka përfunduar. Ky program i dixhitalizuar korrigjon testimin në mënyrë automatike, konkurrenti klikon, mbaron, largohet, programi nxjerr nëse është humbës ose fitues në testin e bërë. Ky program eliminon çdo lloj abuzivizmi, sepse nuk ka më një gjykim subjektiv, nuk ka kontakt me persona, por gjithë kjo procedurë kryhet në një program.


Dixhitalizimi i sistemit, çfarë shërbimesh të tjera do të ofrojë?

-Tani jemi në një moment revolucioni për sa u përket shërbimeve për mjetet. Para pak ditësh është bërë një mbledhje në zyrën e Kryeministrit dhe porosia e prerë e kreut të qeverisë ka qenë dixhitalizimi i gjithë shërbimeve që ofron në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor. Me këtë çështje janë angazhuar për ta realizuar sa më parë, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ministri i Shtetit, Genc Pollo dhe do të jetë një koordinim i punës nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informatizimit. Pritet që brenda një apo dy muajsh të realizohet programi, që do të thotë realizimi i lidhjes online nëpërmjet DPSHTRR-së dhe drejtorive rajonale dhe kërkesat do të jenë përsëri online. Qytetari në këtë rast do të ketë një formular përpara, i cili do të përmbushë gjithë zërat. Sistemi ynë do të jetë i lidhur me data base-n e Ministrisë së Brendshme, që ka të bëjë me kartat e identitetit, me pikat e kalimit kufitar, ne do të jemi kështu në lidhje online me doganat, në lidhje online me Interpolin. Sistemi kontrollon të gjitha këto të dhëna dhe pranë drejtorive rajonale do të shkojë formulari, ku do thuhet se qytetari që po aplikon është në rregull, apo subjekti shtetëror apo privat. Automatikisht sistemi ynë do të zgjedhë targën, do të printojë lejen e qarkullimit, certifikatën e pronësisë. E gjithë kjo procedurë do të krijojë një lehtësi shumë të madhe për qytetarin, do të ketë vetëm një kontakt me kontrollin fizik, sepse ballafaqohet dokumentacioni, libri i origjinës, me numrin e shasisë. Po ju them një krahasim, nëse në 2004 janë targuar 1800 mjete me doganë false, ne kemi 2 vjet që e kemi zero këtë tregues. Sepse ne jemi në lidhje online me doganat dhe mund të them se nuk ka mjete të vjedhura, të targuara dy vitet e fundit. Përsëri ka një tentativë nga segmente të caktuara në numrin e shasisë dhe përfitoj nga rasti që t’ju bëj thirrje se dita është shumë e shkurtër e këtyre veprimeve, sepse në fund të muajit bëjmë rakordimet me të gjitha regjistrimeve që janë bërë dhe ne këto mjete i çojmë pranë Policisë së Shtetit. Realizimi pas dy muajve e të gjitha shërbimeve online, direkt do të ketë përplasje në sistem dhe nuk do të jetë i mundur targimi i këtyre mjeteve.



Kjo do të thotë se lejet e drejtimit që jepen në bazë të këtij programi, garantojnë se në rrugë do të dalë një drejtues mjeti i kualifikuar dhe se e meriton patentën e makinës, siç quhet në gjuhën e përditshme?

-Mendoj se vërtet janë leje drejtimi të merituara, programi nuk toleron gabimet. Nëse e meriton, e kalon testin, nëse jo, do ta përsërisësh disa herë, deri sa ta fitosh atë, çka do të thotë të aftësohesh të drejtosh një mjet sipas parametrave ligjorë. Ky lloj testimi rrit shumë cilësinë e daljes së një drejtuesi mjeti, por mbi të gjithë është një shërbim që ne ofrojmë për luftën kundër korrupsionit, abuzivizmit.



Sa është numri i mjeteve të regjistruara pranë drejtorisë suaj dhe sa prej tyre qarkullojnë?

-Ne kemi për detyrë, na detyron Kodi Rrugor dhe vendimi i Këshillit të Ministrave, të ngremë regjistrin kombëtar të mjeteve. Deri më tash janë rreth 450 mijë mjete të regjistruara, nga të cilat në qarkullim janë rreth 300 mijë mjete. Këtë vit është bërë një amnisti shumë e madhe për një numër të madh drejtuesish mjetesh, u amnistuan dhe ata që nuk kishin paguar taksat deri në fund të vitit 2007. Ndërsa numri i lejeve të drejtimit të dhënë deri tani shkon në rreth 700 mijë. Pavarësisht lehtësisë së ofruar nga qeveria, qytetarët nuk iu përgjigjën ashtu siç duhej kësaj amnistie. Atyre iu falën taksat e papaguara dhe duhet të vinin thjesht të çregjistronin mjetin, por shumë prej tyre nuk u paraqitën dhe mund të them se kjo është papërgjegjshmëri. Gjatë këtyre 20 viteve të fundit, një pjesë e vogël e qytetarëve e linin mjetin në një varrezë të mjeteve, por nuk bënin çregjistrimin dhe tek drejtoria jonë ata rezultojnë debitorë. Ne këtë situatë po përpiqemi ta përmirësojmë. Ne kemi krijuar një regjistër pasiv të mjeteve dhe regjistrin aktiv. Regjistri pasiv përbëhet nga mjetet, të cilat vitet e fundit nuk kanë ardhur të kryejnë shërbimet e kontrollit teknik dhe të paguajnë taksat ndaj nesh dhe ne po analizojmë me hollësi regjistrin pasiv, kujt institucioneve shtetërore i shërben, kujt subjekteve private, duke bërë të mundur kështu që t’i njoftojmë të vijnë të çregjistrojnë mjetet, që mos t’iu shtohet debia që kanë ndaj nesh.


Debia në vlerë monetare që kanë ndaj drejtorisë suaj, sa është?

-Debia që kanë ndaj nesh për mospagesë taksash është në qindra milionë lekë mund të them. Këtu gabimi ka qenë i dyanshëm, sepse ne duhet të publikojmë sa më shpesh nevojën për çregjistrimin e automjeteve kur ata dalin jashtë qarkullimit. Ndodh shpesh kur një mjet nderon pronësinë, ai që e shet mjetin nuk vjen të bëjë çregjistrimin. Ne u detyruam gjatë këtij viti të ndryshojmë gjithë lejet e qarkullimit, ku rregulluam shumë problematika, sepse me ndryshimin e lejes së qarkullimit u kaluan mjetet përsëri në kontrollin fizik, u bë rakordimi i taksave, apo i debisë së mbetur pa shlyer. Por theksoj edhe një herë me këtë revolucion dixhital që do të bëjmë, do të jetë një lehtësi shumë e madhe për qytetarin dhe për drejtorinë tonë. Unë do ta quaja sfidë realizmin e këtij programi.



Nga regjistrimi i mjeteve që ju bëni në drejtorinë tuaj, çfarë tendence kanë shqiptarët, janë të pritur për të blerë mjete të përdorura apo ka një nxitje për të blerë mjete të reja?

-Ka ndryshime sigurisht. Ne tashmë kemi në Shqipëri përfaqësues koncesionarë të markave të ndryshme të makinave. Veç kësaj, ne shohim në rrugë që qytetarët gjithnjë e më shumë po posedojnë mjete të reja. Ky është proces me rritjen e mirëqenies ekonomike të qytetarit apo dhe të shoqërisë. Kjo është një rritje e cilësisë së blerjes së mjetit, por gjithsesi ky është një proces në raport dhe me rritjen ekonomike të vendit.



Marrëveshjet me shtetet e tjera për njohjen e patentave shqiptare, sa kanë ndikuar në lehtësinë e lëvizjes?

-Kemi njohjen që ne bëjmë të patentave të vendeve të tjera dhe njohjen që i bëjnë patentave tona. Ne njohim patentat e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian. Ne na i njohin patentat deri tani Koreja e Jugut. Njohja e patentave tona u bë nga marrëveshja këtë vit me Italinë, që ka disa specifika. Që një patentë shqiptare të njihet në Itali, duhet që emigranti duhet ta ketë marrë patentën shqiptare para se të ketë shkuar në Itali, ta kesh përdorur mjetin 3 vitet e fundit dhe disa masa të tjera. Deri tani janë me qindra qytetarë që kanë ardhur pranë zyrave tona që kanë marrë një dokument vërtetësie për ta çuar në Itali. Por edhe në rastet kur emigrantët shqiptarë kanë leje ndërkombëtare për drejtimin e mjetit që e marrin pranë nesh, ndodh shpesh që policia në vendet ku janë në Itali, Greqi, Maqedoni, iu kërkojnë patentën e vogël, pasi patenta e vogël ka shumë elemente sigurie (12 elementë sigurie). Ju e patë në takimin e fundit që bëri Kryeministri Berisha me Kryeministrin Papandreu në Greqi. Kryeministri ynë, një nga kërkesat që i bëri, ishte njohja e patentës, por edhe ne si drejtori e kemi kërkuar këtë në takimet e zhvilluara mbi transportin. Kemi shumë shpresë që mund të arrihet një marrëveshje, pasi ata “de facto” kërkojnë patentën tonë të vogël.


Shqetësimi kryesor që ju vjen nga drejtuesit e mjeteve, cili është? Çfarë nuk dimë të bëjmë mirë ne shqiptarët kur vendosim të marrim dhe drejtojmë një mjet?

-Shpeshherë i bëj pyetje vetes, si qytetar, si drejtues mjeti, por edhe si drejtues i një institucioni që lind drejtues mjetesh, “ne shqiptarët kur bëjmë një gabim, e bëjmë se nuk e dimë, apo e bëjmë se duam ta bëjmë?”, dhe unë po marrë disa shembuj: kur kalojmë semaforin me të kuqe, e dimë që nuk lejohet kjo, nuk besoj se ka drejtues mjeti që nuk kupton se po kaloi shpejtësinë që i referohet tabelës dhe sinjalistikës, ka rrezik dhe ai përsëri e bënë këtë veprim, edhe në parakalime nxitojnë. Po t’iu referohesh statistikave, burim aksidentesh bëhen ata drejtuese mjetesh që kanë një lejë drejtimi 5 vjet e lart dhe kjo jo vetëm në Shqipëri, pasi vetë psikoza e një drejtuesi të ri është që të ketë kujdes, sa të njihet me rrugën, me trafikun, kërkon të ruajë veten e makinën, është më i kujdesshëm. Drejtuesit e mjetit e dinë që shkelin rregullat dhe rrezikojnë jetën, për më tepër mund t’i marrin jetën tjetrit. Ka dhe shumë faktorë të tjerë, që ndikojnë në aksidente, gjendja e rrugës, sinjalistika, gjendja e mjetit etj.


Si është marrëdhënia juaj me distributorët e makinave, që të themi të drejtën në Shqipëri ka marka të njohura?

-Para pak ditësh kam pasur një takim me koncesionarët e makinave në vend. Jo vetëm atyre, por gjithë grupeve të interesit që kanë lidhje me drejtorinë që unë drejtoj, u kam bërë një thirrje shumë të sinqerte: Ejani, të bisedojmë se çfarë mund të përmirësojmë, në radhë të parë për punën tuaj, sepse një drejtues institucioni, sot është, nesër s’është, ndërsa kjo është punë e tyre. Autoshkolla ka një punë të vazhdueshme, koncesionari, të shesë makina, ndaj për ta dera ime dhe institucionit është e hapur për çdo shqetësim që ata mund të shfaqin. Po kështu, rëndësi i kam kushtuar edhe marrëdhënies me publikun. Kam vendosur në çdo sportel dy numra telefoni, ku u kërkon qytetarëve, klientëve, të më dërgojnë SMS për çfarëdo lloj shqetësimi që mund të kemi. I ftoj qytetarët të bëhen pjesë për të luftuar korrupsionin. Ne duhet të respektojmë qytetarin tek sporteli kur vjen dhe thirrja kryesore e Kryeministrit tek mbledhja e punës që kemi bërë është kjo: “Ne do luftojmë fort, duke ngritur sisteme të tilla që të mos lejojmë askënd të shkelë ligjin”. Kjo është një sfidë, ne brenda 3 muajve duhet të realizojmë dixhitalizimin.

Janë mbi 100 autoshkolla në shkallë vendi. Rreth 80 janë në Tiranë. Kemi hequr licenca, kemi pezulluar licenca. Kemi krijuar një strukturë që merret vetëm me kontrollin e autoshkollave, mbi ato që duhet të plotësojnë ato, duke nisur nga mjetet didaktike, mjetet motorike, raporti autoshkollë-instruktor, të gjitha këto janë nën kontrollin tonë të vazhdueshëm. Kemi krijuar zyrë të posaçme për kontrollin e autoshkollave.


Deri në sa herë mund të futet në test një kursant, kur nuk e merr provimin teorik?

-Një kursant ka të drejtë 5 herë brenda vitit për të hyrë në testim, për të ftuar të drejtën të marrë leje për drejtimin e mjetit. Pra, nga 3 herë në vit që ka qenë, është bërë 5 herë në vit. Kemi bërë një ndryshim tjetër, kur bëmë një përafrim të legjislacionit referuar kodit gjerman, francez, testi i parë jepet në teori dhe më pas përgatitesh për praktikën dhe testohesh për të. Pra një kursant ka drejtë të japë provim 5 herë në teori dhe 5 herë në praktikë.


Në Kosovë ka një projekt për të ndryshuar targat e mjeteve, po në Shqipëri ka ndonjë iniciativë të tillë?

-Ne kemi nisur të mendojmë seriozisht për targën e re, sepse po na mbaron shkronja. Targat kanë arritur deri tek shkronja S-T. Mendohet që targat të jenë surprizë, që besoj do të zbulohen vitin që vjen dhe ato do t’i referohen një standardi evropian. Forma e saj do të përcaktohet nga ministria, pasi është MPPTT përgjegjësja për të krijuar formën. Ne si drejtori ekzekutive do të japim pa dyshim mendimin tonë. Do të vij momenti dhe për këtë. Normalisht po mbaron shkronja për targat dhe kjo tregon se shqiptarët po blejnë mjete dhe përafërsisht ne kemi mundësi edhe për dy vjet të pajisim mjetet me targat ekzistuese. Por puna për targat e reja do të nisë vitin që vjen.


Ministri Olldashi, kur ishte ministri i Brendshëm, nxori një urdhër që ndalonte qarkullimin e makinave me xhama të zinj. Pse ka ende rrugëve të Shqipërisë mjete me xhama të errët?

-Ky urdhër është ende të fuqi. Janë të ndaluara që të qarkullojnë makinat me xhamat të zinj. Mund të qarkullojnë vetëm ato makina që janë të homologuara. Këto makina kur vijnë bëjnë kontrollin fizik, marrin një certifikatë nga ne që lejohen të qarkullojnë të tilla, pasi ashtu kanë dalë nga fabrika. Këto makina kanë tek xhami i zi një numër, që korrespondon edhe tek libri i mjetit. Të tjerët që e bëjnë xhamin e zi, nuk kalojnë as kontrollin teknik, as fizik, por janë subjekt i kontrollit të Shërbimit të Policisë Rrugore.

6 Komente

ore se o bera kurioz targat e reja do jene me flamurin europian uhahahah edhe thoni de sjemi ne europee hajde shtet leshi hajde

a do lejohen targat e personalizume apo jo ?  ta marrim vesht.

se une vdiqa ti vej i cike nje targe me logo PPU maqines se re

 

smiley

Targat e reja kane dal,

a si pat ato ne mitingun e 8-dhjetorit!!!

Ne na i njohin patentat deri tani Koreja e Jugut.

Kam degjuar qe ka nje komunitet te madh Shqiptaresh ne Korene e Jugut. Gjithashtu, eshte vendi ku Shqiptaret shkojne me shpesh per turizem dhe biznes...

 Prape targa te reja...!!!???

Po pashaportat do na i nderrojne prape?

tani na duhen te veshim edhe breke me flamurin evropian... mundesisht hapja dypaleshe e brekeve te meshkujve te jete e rrethuar me yje

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).