Deklaratë e Drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile Z. Alfred Olli mbi situatën në Qarkun e Shkodrës dhe Qarkun e Lezhës. Dt 04.01.2010

www.moi.gov.al


Bazuar në informacionet e ardhura nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër dhe Lezhë për situatën e krijuar nga reshjet dhe shkarkimet nga Kaskada e Drinit, sot rezulton se ka një përmirësim të ndjeshëm duke pasur parasysh se edhe niveli i ujit ka rënë me afro 20 cm.

Qarku Shkodër.
Bashkia Shkodër: Nga vlerësimi paraprak është përmbytur rreth 600 ha tokë në rajonin nr.1. Në lagjen Ajasem, Bahçallëk dhe Tophane, janë evakuar nga zona e përmbytjes 37 familje, nga të cilat 11 familje janë strehuar në ambjentet e Turizmit në Shkodër. Dje pasdite 130 persona të komunitetit rom janë akomoduar ne repartin ushtarak Melgushë, ku u është dhënë asistencë me ndihma në ushqime dhe ndihmë mjekësore. Sot për këto familje janë duke u dërguar nga Rezerva e Shtetit edhe 100 pako familjare me ushqime.  

Komuna Ana e Malit: Sipas vlerësimit paraprak është përmbytur rreth 850 ha tokë. Janë me prezencë uji 130 shtëpi në fshatin Obot, nga të cilat 13 janë evakuuar më parë dhe 15 familje janë evakuuar sot. Sot janë dërguar rreth 150 pako familjare me ushqime dhe nga komuna po merren të gjitha masat për t'i shpërndarë në çdo shtëpi.

Komuna Dajç: Në këtë komunë janë përmbytur rreth 1000 ha tokë bujqësore. Në prezencë uji ndodhen 70 banesa dhe janë evakuar 53 familje. Në fshatin Semrisht ka demtime të argjinaturës.  Në këtë komunë janë të dislokuara dy zjarrfikse për mbrojtjen nga përmbytja të dy kabinave elektrike.

Në terren në Qarkun e Shkodrës,  janë dislokuar forcat operacionale me përbërje: 15 mjete të Policisë së Shtetit për të ndihmuar evakuimin e banorëve, forca të FNSH Shkodër e Tiranë, si dhe reparti Delta Force me dy gomone.
Në qarkun e Shkodrës po veprojnë në terren nga Ministria e Mbrojtjes 112 trupa, 13 mjete transporti vetshkarkuese dhe 6 motobarka gomone. Sot janë nisur për në Komunën e Ana e Malit 12 forca montimi me dy mjete transporti të ngarkuara me dy ura tip bejli që do të montohen në këtë komunë.

Qarku Lezhë: Situata në këtë qark po shkon drejt normalizimit.
Vazhdon puna për ndërtimin e argjinaturës në lagjen Stome, fshati Ishull Shëngjin. Po punojnë forca dhe mjete të ushtrisë, të Policisë së Shtetit, emergjencave civile, të bordeve të kullimit dhe të pushtetit vendor. Në terren po punojnë 11 makina vetëshkarkuese, tre ekskavatorë dhe tre fadroma.
Në zonën e Tales nuk ka asnjë problem, uji është larguar dhe nga tokat bujqësore.

Dëshirojmë t'i bëjmë me dije opinionit publik se të gjitha strukturat shtetërore të angazhuara për përballimin e kësaj situate emergjente janë në terren dhe në gatishmëri të plotë.
Komisioni Ndërministror i Emergjencave Civile dhe shtabet e emergjencës në qarqet Shkodër e Lezhë po monitorojnë hap pas hapi situatën dhe po koordinojnë veprimet me strukturat e varësisë për zgjidhjen e problemeve dhe përballimin e situatës.

7 Komente

Shkodër, 200 shtëpi nën ujë, PS: Banorët në mëshirë të motit

Anila Dushi
Gazeta Shekulli
04/01/2010

Partia Socialiste i bën thirrje qeverisë të ndërhyjë në kohë dhe të mos lërë banorët e rrezikuar nga përmbytjet në mëshirë të fatit dhe të motit. Me anë të një deklarate për shtyp, opozita njofton se situara mbetet e rëndë në Obot sepse niveli i ujërave nuk ka lëvizur. Po kështu, situata mbetet emergjente në Darragjat dhe Samrisht të Vjetër sepse rrezikon të çahet argjinatura tek e cila nuk është vënë dorë prej 22 vjetësh.

"Partia Socialiste vazhdon të jetë pranë njerëzve që po kalojnë ditë të vështira, pranë banorëve të Anës së Malit e të Dajçit, banorëve të Velipojës e të Bërdicës, banorëve të Vaut te Dejës e të Gurit të Zi, banorëve të Shëngjinit e të Tales", thuhet në njoftim.

Sipas saj, situata aktuale nxjerr në pah paaftësinë e qeverisë për të parashikuar e parandaluar emergjenca të tilla. Nuk është nevoja që Sali Berisha të bëjë parashkuesin e motit apo drejtorin e emergjencave civile.

"Situata që po kalojmë nuk mund të justifikohet me kapriçot e motit. Shqiptarët nuk e kanë dëgjuar për herë të parë baticën kur ua shpjegoi Sali Berisha, por qeveria e Sali Berishës nuk ka marrë asnjë masë për të përforcuar argjinaturat në Tale. Edhe paratë e shpenzuara në vitin 2006 për të mbrojtur Lezhën e Shëngjinin nga përmbytjet kanë shkuar në xhepat e oborrit të familjes në pushtet. I bëjmë thirrje Prokurorisë të hetojë fatin e këtyre investimeve", deklaroi sot PS-ja.

Dajçi dhe Ana e Malit rrezikojnë nga ujërat që shtohen nga hapja e digave, por askush nuk merr guximin të tregojë sa ka qenë niveli i liqeneve të hidrocentraleve në fillim të nëntorit. Sali Berisha i fsheh këto lajme sepse shqiptarët do të kuptojnë se për interesa të oborrit të familjes në pushtet ka vazhduar të importohet edhe pse liqenet kanë patur ujë mbi nivelet e mjaftueshme. Edhe për këtë çështje, Partia Socialiste kërkon hetim. Prokuroria të hetojë mbi këtë çështje, me pasojë dëme të mëdha financiare dhe materiale.

"Ngurrimi i banorëve të Obotit për të lënë shtëpitë është i përligjur sepse ata janë dëshmitarë të dështimit të kompensimeve të tërmetit të shtatorit në Shupenzë, të përmbytjeve në Lezhë në fillim të nëntorit, të përmbytjeve të Vjosës në fillim të dhjetorit. Kjo është dëshmi e qartë e paaftësisë së qeverisë së Sali Berishës për të përmbushur detyrimet që ka ndaj qytetarëve të Shqipërisë", argumenton me tej PS-ja.

Do ishte interesante nese PS do tregonte sa investime jane bere atje gjate viteve 1998-2005.

Personalisht mendoj qe do kishte me shume efekt dhe besueshmeri sikur PS te mos fokusohej vazhdimisht tek Familja, por te fokusohej tek paaftesia dhe mungesa e kompetences qe kesaj qeverie. Me fjale te thjeshta mund ti thuhet njerezve cfare mund te ishte bere per te perballuat situata te tilla emergjente. Sikur PS te ishte futur ne parlament do kishte qene shume me kollaj ti kerkohej llogari qeverise, nga distanca nuk bejne shume efekt keto qitjet me pambuk. Fatkeqesisht PS vazhdon me dokrra.

PS po ferkon duart nga gezimi, dhe lutet qe te bjere prap shi,opozite me te dobet nuk ka pas ndonje here ky vend,kjo eshte opozite fantazem.

 Derdhja e ujtit, apo hapja e portave, u be si hapja e portes se liqenit te Tiranes nga Rama dikur. 

Keshtu do te ndodhe perderisa per hapjen e portave te nje HEC do te jape urdher nje "mesues i gjuhes angleze" te cilit i duket se po hapen "cesmen ne banje"!!!

 Qeveria Shqiptare eshte shume e varfer,e dobet te ndimoje zonat e demtuara,kjo duket sepse nuk e ka idene fare,te pakten deri tani,te vlersoje korrektesisht vleren e demit te shkaktuar te prones private dhe asaj publike!

Nuk di ndonje shifer deri tani!Le pastaj menyrat e evakuimit dhe sistemimit,mjetet dhe forcat qe ajo perdor ne rast emergjensie,vlejne shume per te deshiruar,duken qe nuk jane europiane...jashte standartit!Me kujtohen ato cadrat ushtarake ku u evakuan ata fatkeqet e termetit te Dibres Burelit,ku ra para ca muajsh!U premtuan per demshperblime,por aha,ca moren ca ngelen me gisht ne goje!

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).