Mesazh i Presidentit të Republikës Prof. Dr. Bamir Topi me rastin e Vitit të Ri 2010
www.president.al

Të nderuar bashkëqytetarë, bashkatdhetarë e bashkëkombas, kudo ndodheni, brenda e jashtë Shqiperisë!

Të dashur motra e vëllezër!

Erdhi momenti i dashur i përshëndetjes tradicionale të fundvitit, nëpërmjet ekranit me Ju, dhe përshtypja e parë është se ndihemi më afër njëri –tjetrit. Kjo është një ndjesi që më jep force!

Në këtë prag të Vitit të Ri 2010, ju shpreh çdo njërit prej jush kudo që ndodhet, si dhe të gjithëve sëbashku, urimet më të ngrohta, më të përzemërta!

Në këto caste të ndërrimit të viteve, uroj të gjithë shqiptarët që sot festojnë në gjirin e familjes së tyre, kësaj qelize të shenjtë të shoqërisë sonë, e cila është motiv krenarie, besimi e shprese. Paçi gjithmonë dashuri, lumturi, harmoni e shëndet në jetën tuaj!

Sonte më shumë se kurrë, shpirtërisht, jam pranë atyre që për arsye të ndryshme gjenden të vetmuar. Jam pranë prindërve të moshuar që nuk i kanë fëmijët pranë, duke u uruar që t’i takojnë sa më parë të dashurit e tyre; jam pranë jetimëve dhe fëmijëve të braktisur, duke u premtuar atyre mbështetjen time të plotë, për të gjetur edhe ata një strehë të ngrohtë familjare, jam pranë njerëzve me aftësi të kufizuar dhe familjeve të tyre, me urimin për një vit të ri që t’u lehtësojë vështirësitë e tyre, me impenjimin e të gjithëve.

Këtë natë të gëzuar shumë shqiptarë, të afërmit tanë, miqtë e shokët, të njohurit, e festojnë në vende të ndryshme të botës, ku jetojnë dhe punojnë me dinjitet e sakrifica prej vitesh, duke kontribuar në imazhin dhe progresin e Shqipërisë. Ju rikujtoj të gjithëve sonte, mallin që provojmë për ju, dhe ju uroj nga zemra një vit të mbarë.

I vecantë vjen Viti i Ri edhe për forcat tona të armatosura, tashmë anëtarë të NATO-s që shërbejnë në Afganistan, Irak, Sudan e Bosnje, të cilët janë shndërruar në misionarë të paqes, rojtarë të saj, prandaj dua që sonte në këtë vigjilje të ndërrimit të viteve, t’u dërgoj urimin në të cilin bashkohemi të gjithë: Nga Mot Gëzuar! Jemi krenarë për ju!
Bashkë me dhuratat që fëmijët tanë do të gjejnë nën pemën tradicionale të Vitit të Ri, u përcjell urimin tim me të ndjerë, më të vecantë, me sigurinë që Presidenti i Republikës, ëndrrat, dëshirat dhe të drejtat e tyre, i ka për zemër më shumë se çdo gjë tjetër, dhe tek ata sheh Shqipërinë e bukur të së nesërmes.

Shqipëria të dashur motra dhe vëllezër, është në ecje të vazhdueshme, në kërkim konstant për të përmirësuar standartet e veta politike, ekonomike e shoqërore. Kjo natë është edhe një moment bilanci e reflektimi, prej të cilit duhet me të drejtë, të ndihemi krenarë për çdo arritje. 2009-a ishte një vit i rëndësishëm për vendin tone! Historia jonë kombëtare u pasurua me një ngjarje të madhe, sic ishte antarësimi në NATO, në këtë organizatë të lirisë e sigurisë, si dhe u bënë hapa vendimtarë drejt integrimit në familjen europiane.

Populli shqiptar është një dhe i pandarë në dëshirën e tij për një Shqipëri demokratike europiane e në mirwqënie. Politika duhet të reflektojë realitetin.
Mirëkuptimi, harmonia, bashkëpunimi i përditshëm mes njerëzve, si dhe atmosfera e këtyre festive, uroj që ta ndihmojnë gjuhën politike, që të jetë më pranë interesave të qytetarëve.

Ekonomia e vendit e mbylli vitin 2009 me përpjekjen për të ruajtur ritmet e rritjes ekonomike, dhe përballur me sa më pak dhimbje ndikimin e efekteve të krizës ekonomike botërore. Viti 2010 kërkon forcimin e dialogut politik dhe shoqëror për vazhdimin e reformave, për t’i dërguar sinjale tregut për qetësi dhe klimë të favorshme për operatorët ekonomikë.

Të gjithë sëbashku duhet të kemi më shumë besim tek vetvetja për të përballuar me efikasitet sfidat e vitit të ardhshëm, duhet të mendojmë për zgjidhje të qëndrueshme të cështjeve kryesorë që preokupojnë sot shoqërinë shqiptare. Një shoqëri e vërtetë demokratike ka nevojë për një sistem drejtësie të pavarur, larg ndikimeve politike.Por në të njëjtën kohë kemi nevojë për profesionistë të ndershëm dhe kurajozë. Si drejtuesi kryesor i këtij sistemi, në bashkëpunim me të gjithë faktorët e tjerë institucionalë, po punojmë me përkushtim për reformimin e tij, për ta kthyer atë në mjetin kryesor kundër korrupsionit dhe në një sistem drejtësie të besueshëm e të barabartë për të gjithë.

Që të jemi sa më të suksesshëm, cdo kush duhet të bëjë atë që i takon, duke u çliruar nga frika, që nuk të lë të arsyetosh dhe nga vecanësitë që nuk të lënë të vendosësh.

Viti 2010 pritet t’i sjellë konfirmime historike e të merituara popullit shqiptar, sic është liberalizimi i vizave, i cili shemb edhe pengesën e fundit të ndarjes reale e psikologjike me Europën. Tashmë rruga për për t’iu bashkangjitur familjes europiane, është më e hapur se kurrë.

Të dashur vellezër e motra,

Të gjithë sëbashku duhet të zgjojmë energjitë tona më të mira, për një Vit të Ri të mbarë e të sukseshëm. Ne kemi talent, forcë, kurajo, vullnet për të ndërtuar një shoqëri të begatë e demokratike për vete e për fëmijët tanë.
Gëzuar!
Qoftë një vit i mbarë për të gjitha familjet shqiptare, me shëndet, harmoni, mirëqënie e shumë suksese!

Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët!
Edhe një herë Gëzuar!




Kryeministri Berisha iu uron gëzuar të gjithë shqiptarëve Vitin e Ri 2010
www.km.gov.al

Të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, bashkëkombëse dhe  bashkëkombës të mi, kudo që ndodheni!

Ora me akrepat e saj do të shënojë pas pak çastesh, ndërrimin e viteve, momentin që po presim me padurim për të përqafuar dhe për të uruar me ngrohtësi, dashuri, miqësi dhe respekt njëri tjetrin.

 Unë, sonte, si familjar, prind, mik shok, dashamirës, bashkëqytetar, por edhe kryeministër i juaj, vij pranë jush në këtë festë dhe dua që urimin tim më të përzemërt si dhe atë, të familjes sime dhe të qeverisë shqiptare për secilin prej jush, ta bashkoj me qindra dhe mijëra mesazhe urimi që ju merrni me letra, kartolina, sms, telefonata, facebook  nga më të dashurit tuaj.

Gëzuar Vitin e Ri 2010!

Le të sjellë ky vit plot gëzime, mirësi, shëndet, suksese dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja dhe të gjithë të dashurit e zemrës tuaj kudo që ndodheni dhe festoni sonte në vatrat familjare, në lokale me shokë dhe miq brenda apo jashtë vendit në udhëtime, në detyrë në Shqipëri apo jashtë saj në misione diplomatike, apo misione paqeruajtëse, në Afganistan, Çad, Bosnjë etj, në spitale, institucione  të vuajtjes së dënimit.

Gëzuar!

Por në këto çaste të fundit të ndërrimit të vitit, besoj se duhet që me shumë mirënjohje, respekt dhe krenari për njëri-tjetrin, t’i themi faleminderit dhe lamtumirë vitit që po lemë pas.

Për secilin prej nesh, për kombin shqiptar dhe për atdheun tonë Shqipërinë, viti 2009 ishte viti i arritjeve më të mëdha në historinë e udhëtimit tonë shekullor për t’u bashkuar me Evropën dhe perëndimin. Këtë vit me 4 prill në Samitin e Strasburgut, ne u bëmë anëtarë të Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe politike të të gjitha kohërave, NATO-s. Një nga ëndrrat tona më të bukura  u shndërrua në realitet, liria e Shqipërisë dhe shqiptarëve u bë më e sigurt se kurrë.    

Më 28 qershor të vitit 2009, ne zhvilluam zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, dhe nderuam kështu në mënyrën më fisnike bindjet e ndryshme të njeri-tjetrit, vullnetin tonë të lirë; por dhe miqtë dhe dashamirësit tanë kudo në botë, Shqipërinë e hoqën nga lista e zezë e zgjedhjeve jo të lira.

Më datë 16 nëntor, 27 qeveritë e vendeve anëtare të BE-së pranuan unanimisht kërkesën tonë për vend anëtar të BE-së. Po në nëntor, Parlamenti Evropian, kryesia e BE-së dhe Këshilli i Ministrave të BE-së vendosën Shqipërinë në listën e bardhë për heqjen e vizave gjatë muajve që vijnë.

Vetëm dy javë më parë ne morëm pyetësorin nga KE, si urimin më të bukur që ky komision iu bëri për festat e fundvitit shqiptarëve.

Viti 2009, ishte viti i përfundimit të veprës më e madhe publike  në historinë tonë, korridorit të kombit, rrugës që bashkoi shqiptarët. Po këtë vit në kulmin e një cunami të vërtetë financiar dhe ekonomik për Evropën dhe botën, Shqipëria ia doli të qëndrojë në krye të rritjes ekonomike në Evropë, të jetë e para në botë për rritjen me 36% të turistëve. Në vitin 2009 ne rritëm rrogat dhe pensionet më shumë se kurrë dhe realizuam premtimin për dyfishimin e tyre për mësuesit, mjekët, infermierët, si dhe dyfishuam pensionet e fshatit. Fëmijët, vogëlushët tanë nisën vitin e ri mësimor me internet në çdo shkollë.

Përmenda këto arritje, të vitit 2009, si më të mëdhatë në historinë tonë, por jam i sigurt dhe thellësisht i ndjeshëm ndaj faktit se gjatë këtij viti, në Shqipëri jo pak qytetarë dhe familje kanë përjetuar brenga të mëdha nga skamja, papunësia, sëmundja apo humbja e njerëzve të tyre më të dashur. Për të gjithë këta, uroj që viti 2010 të sjellë shpresë, qetësi, paqe, gëzim në sytë, zemrat dhe vatrat e tyre.    

Të dashur qytetare dhe qytetarë, viti që lamë pas ishte një vit i madh dhe i bekuar, në të cilin ne së bashku realizuam ëndrra dhe projekte madhore dhe kjo na mbush me besim, krenari dhe shpresë dhe siguri, se viti që vjen do të jetë një vit i bardhë edhe më i madhi për ne shqiptarët, një vit në të cilin, ne do të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë shekullore të lëvizjes së lirë pa viza në Europë. Vit në të cilin me përpjekje të përbashkëta do të krijojmë më shumë vende pune, do të rrisim më shumë rrogat dhe pensionet, do të përmirësojmë shërbimet ndaj jush, do të zvogëlojmë më shumë varfërinë. Shqipëria do të ecë e sigurt drejt kandidaturës për anëtare e Bashkimit Evropian.

Gëzuar vitin 2010, një vit të mbarë për çdo njërin prej jush, miqtë dhe të dashurit tuaj, kudo në botë.

Shëndet, gëzime dhe mirësi për të gjithë ju dhe për Shqipërinë. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja dhe shqiptarët kudo që janë.

Zoti e bekoftë  Shqipërinë!

Gëzuar! 




 

2 Komente

Thank you Welldone Ball. Grazie Fabene Cannone. Falimners Bamir Topit

Fjalimi i Presidentit, mu duk me i sinqerte dhe me i afrueshem/prane ndjenjave te njerzeve, se sa fjalimi i kryeministrit qe kish shum propagande politike dhe tingellonte jo aq shume i sinqerte.

Ndoshta ketu ndikon dhe veprimtaria e kryeministrit si pelivan politik qe eshte, e ne disa aspekte edhe si negativ qe njihet tashme, per ta/te mos i marre seriozisht fjalet e tij.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).