Lajmi u dha dhe kërkesa tashmë është bërë: njeriu kryesor politik i Serbisë, Boris Tadiqi, do ta vizitojë Kosovën. Ai tha se po vjen në tokën e tij, kurse Qeveria, Pieter Feithi dhe EULEX-i po ia lehtësojnë realizimin e qëllimit. Tadiqi po shkel në vendin tonë të cilit ia lufton pavarësinë, në Kosovë të cilës punon t’ia mohojë vullnetin dhe qenien, në atdheun tonë, të cilit synon t’ia nxijë të ardhmen. Tadiqi mendon për Kosovën ashtu siç menduan të gjithë burrështetasit serb pa dallim gjatë këtyre shekujve të fundit: Kosova është tokë serbe dhe kulturë serbe, kurse shqiptarët ardhacakë uzurpues. Prandaj, mendon ai, toka duhet kthyer, kurse ardhacakët të spastrohen. Është tjetër që Tadiqi nuk po ua bën shqiptarëve atë që ua bëri Milosheviqi: gjithçka reduktohet në pamundësi, por aspak në vullnet. Se çka do t’i bënte Kosovës Tadiqi e kemi shembullin e gjallë në Luginë të Preshevës, ku shqiptarët i janë nënshtruar një terrori, shkelje e diskriminimi edhe më të egër se në kohën e Milosheviqit. Të gjendur nën këtë fushatë mizore antishqiptare, pa mundësi për shkollim e punësim, shumë familje po i lëshojnë tokat e tyre, ose po i shesin ato, duke ardhur për të jetuar në Kosovë.

Qeveria, Pieter Feithi dhe EULEX-i po e lozin vallen e vjetër: institucionet ndërkombëtare ua dorëzojnë institucioneve të Kosovës kërkesën e Tadiqit për vizitë, bashkë me rekomandimin e tyre jopublik (sigurisht pozitiv), që në fakt, më pas bëhet vullnet i Qeverisë. Hashim Thaçi pastaj del e mburret se ishte Qeveria e cila në mënyrë të pavarur dhe me vullnet të plotë vendosi t’ia lejojë Tadiqit vizitën e tij në Kosovë. Gjithsesi, duke e ditur paraprakisht disponimin armiqësor të kësaj vizite, aq më keq nëse Qeveria ka vendosur e pavarur dhe me vullnetin e saj. Kjo do të thotë që Qeveria e Kosovës me plot vetëdije po i bën keq vendit tonë, dhe bile po na tregon për këtë gjë!

Herave të mëparshme Qeveria ka treguar se po të dojë mund t’ua ndalojë vizitat armiqësore në Kosovë zyrtarëve nga Serbia. Kështu ndodhi me të ashtuquajturin Ministër i Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviq, të cilit dy herë iu pat ndaluar hyrja në vendin tonë. Kjo tregon se bëhet fjalë për marrëveshje direkte ose indirekte të Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë. Kjo tregon po ashtu pse nuk merren doganat në veri, pse mallrat e Serbisë e kanë vërshuar Kosovën, dhe pse tolerohen strukturat e Serbisë. Gjithçka është, siç do të thoshte kryeministri ynë lozonjar, në “koordinim të plotë me faktorët ndërkombëtarë” dhe Serbinë, natyrisht.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Tadiqi ka paralajmëruar se do të ndalet edhe te Manastiri i Deçanit. Ne i bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës së Decanit që t'i mobilizojë institucionet komunale dhe popullatën kundër kësaj vizite dhe për pengimin e saj, dhe kësisoj të mos i bashkohet bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me Boris Tadiqin. Prej Deçanit ai me siguri që, ashtu siç ka ndodhur edhe herave tjera, do ta lëshojë kushtrimin për gjithë serbët kudo që jetojnë ata, për të mos e harruar Kosovën si tokë të shenjtë të Serbisë të dhuruar nga Zoti. Ai nga aty do të thërret për vazhdimin e luftës për Kosovën. Lufta e Serbisë kundër Kosovës ka patos fetar – Tadiqi lutet për Kosovën si tokë serbe dhe për mbrojtjen e saj i referohet Car Lazarit e Kishës Serbe. Ajo është luftë edhe politike – Tadiqi është kundër Kosovës si shtet. Lufta ka natyrë edhe juridike – Serbia po e kundërshton pavarësinë tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Serbia e Tadiqit po na lufton ekonomikisht me bojkotim, me shkeljen e CEFTA-s etj. Kurse Hashim Thaçi e pret atë krahëhapur. Siç e pret krahëhapur edhe ndaljen e Tadiqit në fshatin Osojan, aty ku Serbia e ka përqendruar kthimin e serbëve, dhe fshat të cilin Serbia insiston që ta avancojë në status të komunës për ta zgjeruar, kështu, Zubin Potokun kah veriperëndimi.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).