Tinejxherë dhe të rinj me imazhe perëndimore, diqysh si skandinavë, me styling të reklamave të modës, me interesime nga më të ndryshmet, shumica me emra dhe mbiemra tipikë kosovarë.

Qëndresa, Albulena, Gani, Dhurata, Fatlum, Krenar, Ester... Këta janë disa nga ambasadorët tanë vizualë. Të rinj, simpatikë, energjikë, me plane për të ardhmen që nuk dallojnë aspak nga ato të moshatarëve të tyre europianë. Dëshirojnë të bëhen dizajnerë, rokerë, DJ, ekonomistë, IT, shkrimtarë...

Për t’u pasur zili. Mashalla. Tamam The Young Europeans.

Por - për sherr, gjithmonë është një “por”, realiteti kosovar nuk i jep të drejtë kësaj qasjeje, sepse mostra e përzgjedhur e të rinjve nuk është përfaqësuese për Kosovën. Ajo mund të duket interesante nga perspektiva e Public Relations, por rënia nën ndikimin e saj, zgjat shumë shkurt. Dhe e bën kthimin në realitetin kosovar një përjetim brutal. Na tregon për iluzionet në të cilat na shtyjnë të besojmë. Na vërteton diskrepancën frikësuese midis asaj që thuhet dhe asaj që është.

Ndjenjat e të qenit europianë, që kjo fushatë tenton të na zgjojë, zhduken me automatizëm sapo të na lindë dëshira për të udhëtuar në Europë, ose për ta ftuar Europën në Kosovë.

Radhët e pafundme para ambasadave, grumbujt e mëdhenj të letrave, dhjetëra kërkesa për dokumente dhe pagesa nga më të ndryshmet, refuzimi pothuajse i garantuar – janë përvojat e The Young Europeans, nëse duan të shkojnë në Europë.

Komplikimet e sistemeve të ndryshme të pushtetit në Kosovë janë pengesat e ardhjes së Europës në Kosovë. Dhe e pashmangshmja - çështja e statusit.

Paradoksi i pamundësisë së The Young Europeans që të udhëtojnë në Europë, nëse nuk kanë ndonjë ftesë zyrtare, është fakti më i fuqishëm se ata nuk janë The Young Europeans.

Fushata e Saatchi & Saatchi për “nation branding” të Kosovës ka dëshmuar se Kosova ende nuk e ka arritur nivelin e ballafaqimit real me vetveten. Guximin për evidentim të saktë të gjërave që janë dhe të gjërave që s’janë.

Problemet konceptuale me këtë projekt shihen në faktin se këto reklama shfaqen edhe në mediat tona dhe në billboarde nëpër Kosovë. Pra, përveç se i tregojmë Europës kush jemi, njëkohësisht këtë dëshirojmë t’ia tregojmë edhe vetes - ta bindim veten se jemi europianë.

Kjo duhet të jetë pasojë e inercionit të funksionimit të Kosovës në realitete paralele gjatë dy dekadave të fundit.

Në pjesën më të madhe të viteve ’90, Republika e Kosovës – në letër, në diasporë, në mendje dhe në shpirt - ishte realiteti ynë përballë dhunës faktike të sistemit të Slobodan Milosevicit.

Prej 2002 deri në 2008, Qeveria e Kosovës ishte një formë e Qeverisë Lokale në krahasim me Qeverinë Qendrore të UNMIK’ut.
Nga pavarësia e këndej, vazhdimësia e paralelizmit është transferuar në çështjen e pozicionimit tonë ndërkombëtar.

Ne (dhe miqtë tanë) themi se jemi shtet. Shumë të tjerë nuk mendojnë kështu.
Ne tregojmë se jemi europianë. Europa nuk pajtohet me këtë.
Dhe inflacioni i fjalëve vazhdon të rritet.

Tendenca për konstruktimin e një identiteti krejt të ndryshëm nga ai që e jetojmë në përditshmëri, mund të shndërrohet në bumerang tragjikomik. Shembujt e Serbisë dhe Maqedonisë na flasin qartë për këtë. Fushatat reklamuese kanë për detyrë ta zbukurojnë produktin, por jo ta zëvendësojnë atë me një tjetër, posaçërisht kur bëhet fjalë për një element konstituiv siç është identiteti.

The Young Europeans do të bëhemi vetëm atëherë kur do të kemi zhvillime domethënëse sociale, ekonomike dhe politike, respektivisht institucione, arsimim, shëndetësi dhe kulturë, që do t’i afrohen shkallës së The Old Europeans.

Do të jemi vërtet The Young Europeans vetëm atëherë kur nuk do të kemi nevojë ta themi këtë.

3 Komente

qe NJE PJESE e shqipove jane "obsessed" me cfaredolloj gjeje qe vjen prej "west"-it, sikur u ka vene njeri pistoleten ne temtha dhe jane "dorezuar pa kushte" ne kontaktin me te, s'ka asnje lloj dyshimi (kujto vetem larmishmerine e emrave te rinj dava "United Nations", nga Xhulia te Alesio te Xhoni e Xhesika...). po keta gazetaret e Kosoves me duken mu si monkeys. real life smart monkeys, but dumb ass humans! tipa qesharakesh, po ne sens te kundert. vetem kane nje merite te papare ne ate qe po i shtohet larmishmerise "pertej kufijve" te kultures sone, asaj "shqiptare". fjala eshte per: shqipnglish-in e pastert, qe tashme eshte kthyer ne gjuhe zyrtare ne te folurin kosovar.

jokes te cepi. e ka kush e ka (fajin, jo loja), shqipet e Kosoves i jane hapur shqipes me dymbedhjete-pike-shtatc (po qe s'jane keq nga shenjestra ke pare ti)! kame nje pershtypje qe me shqip flisnin kur s'ishin te LIRE.

ca vemendje ti kushtosh anlaizes ose ti kuptosh mesazhin qe do te percoje gazetari, kur ky ne kete rast zoti Muhaxhiri (hajde mbiemer hajde!) e fillon: "se "tinejxherë"-ve.... ".
qe ketui: Tring!! (si zilja e gongut) "the smiley monkey" pops up (shfaqet vetetimthi)! e te vjen ne ndihme. dhe ti, pa nje pa dy, i kursen vetes rreshtat vijues dhe ne milisekonde i ben nje te lexuar vertikalisht artikullit.

nashi ti po ke bythe lexo me tutje dhe merr mendjen e "Muhaxhirave" se c'benet ne kete dynja.. smiley

pajtohem

Tinejxherë, styling, diskrepancën (si the edhe njeher se s'te mora vesh?), automatizëm, billboarde,  konstituiv

Dhe

Public Relations, The Young Europeans, “nation branding” ,The Old Europeans

Kaq te nevojshme e keni ta shemtoni shqipen deri ne kete grade se na plaset mor burr, kemi frike te lexojme nje artikull se na hapin zorret e barkut keto fjalet e shprehjet e huaja, sidomos keta artikujt nga Kosova. Ka plot fjale e shprehje shqipe per ato qe jan thene me siper, qe i pershtaten edhe me mire rrjedhes te llogjikes te artikullit. Dobet, shume dobet, artikullshkruesi perpiqet te sqaroje simptomat e semundjes te cilen po e vuan edhe vete.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).