Bujar Sh., pedagog i ri në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, po përpiqej të ruante durimin atë ditë shtatori në provimin me vjeshtukët e par-time. I pakënaqur me sjelljen e pafytyrë të studentëve mbetës, me kopjet e zëna në flagrancë apo nëpërmjet mesazheve dhe teknikave bluetooth, i pakënaqur me lutjet e pëshpëritura nëpër dhëmbë për mëshirë, i skandalizuar nga llomotitjet plot gabime të pafalshme, pa asnjë grimë logjike, atij iu ngulit një mendim i pashqitshëm: "e vetmja lidhje që kanë këta studentë me lëndën, është urrejtja dhe përbuzja e saj". Auditori i provimit po boshatisej, lavdi Zotit, dhe ai pa me një ndjenjë lehtësimi edhe dy vajzat e fundit që prisnin të përgjigjeshin. Bujar Sh., pa orën, mati kohën hipotetike dhe mendoi se i mbetej kohë e mjaftueshme për të marrë vajzën nga kopshti dhe për të blerë disa ilaçe në farmaci për vajzën tjetër, të voglën, e cila ndodhej prej dy ditësh e sëmurë në shtëpi, nën kujdesin e së ëmës.
- S'ka më studentë të tjerë? - pyeti ai dy të mbeturat, thjesht për t'u siguruar.
- Jo presor... Kemi mbetur vetëm ne, dy kunatat, - tha duke u spitulluar njëra.
- Aha... - bëri Bujar Sh., me një grimasë dhe gjest të papërcaktuar, sikur t'i kujtohej diçka e turbullt.
Ndërkaq, ajo që foli, kunata bionde, u ngrit dhe u afrua në tavolinën e Bujar Sh, përballë tij, e gatshme të përgjigjej.
- Mund të ulem presor?
- Sigurisht, ç'prisni tjetër.
Nga sasia e paktë e rreshtave të shkruar në fletë-format, Bujari kuptoi se edhe ky ishte një rast i pashpresë. Kunata tjetër, brunia, qe afruar në tavolinën përbri. Nuk shkruante. Dëgjonte.
Kunata bionde dukej tip energjik. Ndoshta dhe nervoze. Nëpër kyçet e zhveshura të duarve kishte disa rrathë, byzylykë e gjithfarë xhinglash, që tringëllinin sa herë bënte gjeste të panevojshme me duar, herë duke shpjeguar kunfuzionin e vet, herë duke shtruar flokët e gjatë, të cilët nuk se po i bezdisnin pamjen. Megjithatë llomotitja e saj nuk iu duk profesorit të ri aq pa lidhje dhe me origjinë aq obskurante, andaj nuk po e ndërpriste. Por pas një copë here iu desh ta ndërpresë, pasi kunata bionde, pa ndonjë shkak të dukshëm, po përsëriste disa herë ca togfjalësha, më gjasë, për të rënë në sy, sidomos në nisje të fjalive: "Se ne intelektualët presor... se ne poetët presor... se në që merremi me leximin e letërsisë...", et, etj.
- Ju lutem përqendrohuni në tezën tuaj, zonjë; mos u hapni shumë jashtë teme... Nuk e di pse i përmendni kaq shpesh atributet e intelektualëve, poetëve, artistëve a ku di unë...
- Po sepse edhe unë, presor, jam poete... e madje edhe piktore!
- Aha, - bëri prapë Bujar Sh., - shumë mirë! Ku punoni? Ose lëreni fare..., tha ai i penduar menjëherë. - Nuk është ky thelbi, - shtoi ai. - Thjesht ju sugjeroj të mos shpërqendroheni nga tema.
- Jo, s'ka absolutisht asgjë... desha të them nuk është sekret, presor... Unë kam një parukeri andej nga stacioni i Trenit. Jam shumë e kënaqur... jam si të them, vetë zot, vetë shkop. Herën tjetër do desha t'ju dhuroj dy librat e fundit me poezi dhe madje, po deshët, të vini dhe të zgjidhni një nga pikturat, cila t'ju pëlqejë.
- Faleminderit, por do ta kem parasysh t'i blej...
- Jo presor, jo. E kam kënaqësinë t'jua dhuroj vetë.
- E lëmë këtë bisedë, zonjë. Më duket se dolëm jashtë teme. Më mirë përqendrohuni në përgjigjen e tezës.
- Po, po. Sigurisht, - tha ajo, duke i futur thellë gishtat, deri në rrënjët e floknajës së vet: "...James Joyc-in, apo më saktë romanin e tij "Uliksi" e kanë quajtur një enciklopedi të modernizmit. Vepra për herë të parë na paraqet metodën narrative të "përroit të ndërgjegjes"...
- E thatë njëherë këtë, zonjë. Më tutje. Meqë ra fjala Xhojsi nuk është i pari që e ka zbatuar këtë metodë...
- Më falni presor, tani e kujtova: këtë metodë të paraqitjes letrare atij ia dha miku i vet triestin, Italo Zvevo, gjatë viteve të miqësisë që kaloi me të në Trieste.
- Krejtësisht gabim... Por vazhdo me gjëra të tjera, mos këmbëngul këtu, - e këshilloi Bujar Sh. - Na fol për një episod po deshe... shoh, se e ke të vështirë të flasësh për tërë veprën.
- E di, presor, por s'më kujtohen. E kam lexuar librin, por asgjë s'më kujtohet. Nuk më ngjiti si roman.
- Po mirë, atëherë, fol për arsyet se pse nuk të "ngjiti". Në ç'pikëpamje?
- Nuk e di, presor... ndoshta nuk mund ta lexoja më tutje, qëkur kuptova tradhtinë e Molit ndaj Leopold Blumit... s'më bëhej ta vazhdoja romanin.
- Domethënë, "t'u prenë krahët"?
- Po, presor.
- Por ky episod që ju paska shkurajuar dhe ju ka bërë ta braktisni leximin, gjendet në dyzet faqet e fundit të romanit ama. Ndërsa romani ka, saktësisht, 777 faqe!
Kunata bionde u turbullua. Shtroi disa herë me nervozizëm flokët, mandej e këputur dhe e pafuqishme tha:
- Presor, më pyesni për diçka tjetër. Unë jam tip që kam lexuar... në përgjithësi...
Bujar Sh., i bëri dhe disa pyetje të tjera dhe i pakënaqur prapë nga përgjigjet, po lëkundej në duhej kaluar apo jo. Me këtë dilemë në mendje sytë i kapën procesverbalin e notave, varganin e gjatë të katrave që kishte vënë atë ditë. Të paktën kjo edhe mund të lexojë... emrat e shkrimtarëve dhe veprave i thotë saktë, jo si të tjerët, që Andre Bretonin e bënin Andre Beton, surrelizmin e deformonin në surratalizëm, ndërsa Virgina Woolf e bënin Virxhinia Golf. Dhe meqenëse pretendon, se shkruan e boton poezi, pikturon madje, megjithëse...
- Mirë zonjë, do t'ju kaloj me një kusht. Nëse jini e sinqertë me veten dhe këto vepra do t'i lexoni menjëmend, pa qenë e shtrënguar t'i jepni provim. Thjesht për kulturën tuaj, për begatimin e përvojës tuaj me këto vepra, që janë themeli i artit letrar të shekullit XX...
- Patjetër presor, ju betohem! - shpërtheu me një zë të gjallëruar kunata bionde, e cila tashmë qe ngritur dhe ndiqte shënimin e notës në librezë.
Vendin e saj e zuri kunata brune. Ata vetëmse këmbyen vendet, ngase biondja tani po e priste e ulur në tavolinën përbri.
- Ju kam parë shpesh këto kohë në aoeroport presor, - tha brunia. - Udhëtoni shpesh për jashtë?
- Ju punoni aty? - pyeti indiferent Bujar Sh.
- Po, me grupin e Sigurisë.
- Epo shumë mirë. Kjo do të thotë se keni patur mjaft kohë për të lexuar, apo jo?
- Po, - tha me entuziazëm të ftohur kunata brune.
- Të të dëgjojmë atëherë. Mund të filloni përgjigjen.
Brunia u kërrus mbi letër dhe filloi të lexonte një shkrim të imët e të dendur. Dukej qartë që kishte kopjuar fjalëpërfjalshëm një pjesë të leksionit. Që në pyetjet e para sqaruese mbi ato çfarë kishte shkruar, brunia u bllokua, u shushat dhe nuk hapi më gojë.
Heshtjen që dukej se do të vazhdonte e ndërpreu sekretarja e Departamentit, një grua mbi të dyzetat. Ajo kishte qëndruar në derë.
- Më falni, prof. Bujari, a do ta dorëzoni sot proce-verbalin e notave?
- Po, sigurisht. Pas pak madje...
- Mirë atëherë, po ju pres sa të mbaroni.
- Po ju mi? E dhatë? - iu drejtua sekretarja kunatës bionde. Mandej iu afrua. Seç i çuçuriti në vesh dhe u largua, duke i përshëndetur të dyja.
Brunia vazhdonte të thellonte ca vija të pakuptimta mbi letër, duke u mëshuar fort me stilolaps.
- Presor, unë kam lexuar, por... nuk e di pse u bllokova. Bujar Sh., vuri re se ajo nuk ishte krejt brune: flokët e saj të drejtë e të prerë sipas modelit të një aktoreje të njohur hollivood-i kishin një prarim me reflekse bluje të thellë. "Vepër e kunatës bionde, parukiere, poete dhe piktore", - mendoi Bujar Sh.
- A keni lexuar ndonjë vepër të Programit të detyrueshëm, për të cilën të jeni në gjendje të flisni? - lëshoi pe profesori.
- Kam lexuar "I huaji" të Albert Kamy, - tha brunia.
- Alber, - e korrigjoi ai.
- Po, Alber. Në këtë roman - vijoi brunia, - personazhin e dënojnë me vdekje, sepse nuk kishte qarë në varrimin e së ëmës. Përveç kësaj ai kishte pirë cigare, kafe dhe... më duket se edhe kishte qeshur.
- Për kaq pakogjë? - pyeti Bujar Sh.
Brunia u mendua gjatë e kërrusur në thellimin e vijave në letër, aq sa fytyra nuk i dukej më. Mandej ngriti kokën dhe tha:
- Ai, Mersoi, kishte kryer një krim... se përdesh harrova... Kishte vrarë një arab në plazh.
- Po me çfarë motivimi e kishte kryer krimin Mersoi?
- Hiç mo presor, kot ashtu... për qejf, - u përgjigj brunia duke ngritur supet.
Kjo përgjigje ia hoqi çdo dëshirë Bujar Sh., për t'i bërë pyetje të tjera. Sepse këta, mendoi ai, edhe mund ta kenë lexuar një vepër të caktuar, por çfarë dobie ka kur gjithë mahninë artistike të veprës e reduktojnë kaq banalisht.
Ndërsa po mendonte si t'ia bënte me vlerësimin, ndeshi shikimin lutës e përgjërues të brunes. Atëbotë iu desh të hapte një mesazh të porsambërritur. Ishte e shoqja, që e njoftonte, se të voglës i ishte ngritur temperatura në 39 e gjysëm. Me nervat e bëra ujem, Bujar Sh, gjykoi dashamirësisht: "nuk bën të shkojnë në shtëpi, njëra kaluese e tjetra jokaluese. Një zot e di çfarë kompleksesh inferiore i ngjallen kunatës brune. Një zot e di...". Dhe megjithëse ky ishte një gjykim jashtë kriteri, ai i vuri një pesë në librezë dhe e mbylli atë ditë të mërzitshme provimi. Kunatat po e falenderonin përzemërsisht, ndërsa ai po mblidhte mjetet. Kontrolloi edhe njëherë proces-verbalin e notave, plotësoi formalitetet, pa orën dhe u ngrit. Zbriti shkallët për në sekretari. Në shkallët e katit të dytë ndeshi përsëri me dy kunatat, të cilat i buzëqeshën gjerësisht, i tundën dorën dhe zbritën shkallët me shpejtësi, njëra duke tringëllirë xhinglat e duarve, ndërsa tjetra, tufën e çelësave të makinës.
Bujar Sh., hyri me nxitim në sekretari, i zgjati procesverbalet sekretares, përshëndeti dhe u mat të largohej, kur sekretarja me një buzagaz të fshehtë i tha të qëndronte. Mandej ajo mbylli dhe derën me shul.
-Dëgjo këtu, presor Bujari... Ato dy kunatat ju kanë lënë një, si të thuash... një kafe, - tha ajo, duke i zgjatur një zarf. Bujari Sh., e mori zarfin, pa bërë ende lidhje me kuptimin e fjalëve të sekretares. E hapi me lehtësi zarfin, ndërsa zëri i sekretares vazhdonte:
- Kunatat të janë shumë mirënjohëse. Ata kanë besim tek ti dhe të luten t'i ndihmosh edhe në ndonjë rast tjetër... me ata kolegë, që ke më shumë muhabet.
Bujar Sh., e kishte parë tashmë përmbajtjen e zarfit: aty ishin gjashtë kartëmonedha njëqindeuroshe. Si duket, nga ky zbulim, po e shihte sekretaren me sy të shqyer nga habia, andaj ajo nxitoi të shtonte nën zë më një ton konfidencial:
- Mos e kij merak, i kam të miat unë ato...
- Çfarë? - tha ai, duke e lëshuar zarfin mbi tavolinë. - Çfarë je ti moj, sekretare apo seksere?
Sekretarja u mundua të buzëqeshë koketnueshëm, por u zbraps në çast nga tiparet dramatike në fytyrën e Bujar Sh.
- O, jo, joooo, më kupto... nëse nuk i pranoni, kjo është puna juaj, mos i pranoni... unë ua kthej.
- Sa kohë ka që e bën punën e sekseres, ti, zonja sekretare?
- Të lutem presor, unë mendova... thjesht, për mirë...
- Mirë tani, dëgjomë me vëmendje: se çfarë ke menduar ti, do ta thuash nesër në mbledhjen e Departamentit. Ndërsa tani, deri në mbrëmje, ke afat t'i lajmërosh dy kunatat e tua të më marrin secila në telefon dhe të më njoftojnë që i kanë marrë mbrapsht eurot e tyre. Qartë?
- Po, e kuptova presor, - tha e zverdhur e më zë të dridhur sekretarja.
Pasi doli në rrugën e Elbasanit, Bujar Sh., ndezi një cigare. Një rribë erë ngrinte tek-tuk nëpër trotuare vorbulla gjethesh të thara. Pasditja qe e hirtë, me një pikërrimë gati të padukshme piklash të imëta. Zhurma dhe rrëmuja. Një ndjesi sikur gjithë ai përshpejtim i njerëzve në lëvizje, tërë ajo katrahurë therëse borish dhe cijatje rrotash do të vërshonin në trotuar. Përpiqej të vendoste rregull në mendime, të përqendrohej në radhën e veprimeve që e prisnin. Preku instinktivisht në xhep dhjetëmijëlekshin e fundit, të cilin me mendje e ndau në para për ilaçet e recetës, që kishte në xhepin tjetër dhe në tepricën e panjohur, që do t'i shërbente për të blerë ushqime të domosdoshme. Ora po shkonte tre dhe kohë për mbylljen e kopshtit kishte dhe një orë. Kur kapërceu Ambasadën amerikane krejt turbullira në kokën e Bujar Sh., u kullua, duke precipituar në një inat kontradiktor, absurd, ndërsa dora në xhep kapej pas kartëmonedhës së fundit. Sipas llogarive rrogën i takonte ta merrte pas 3 ditësh. Por nuk donte të mendonte hollësisht për mënyrën se si do t'i gjente lekët deri atëherë. Aq më tepër kur sapo kishte refuzuar një zarf me 600 euro! Inati i tij kishte të bënte më shumë me faktin se, po ta gjykonte dikush tjetër këtë refuzim, do ta quante gomar, derdimen, donkishot. Këtë ai e dinte mirë, por pikërisht kjo e acaronte edhe më shumë. "E çudshme kjo punë, mendoi pavetëdijshëm Bujar Sh., - përse i sajon Zoti gjërat kështu?". Por nuk donte të ngatërrohej në zgjidhjen e kësaj enigme. Kur mbërriti në kryqëzim, makinat qenë tubuar para semaforit. U ndal dhe ai në pritje të dritës jeshile. Nga bokset piskatëse të një makine që kishte përbri fluturonin tingujt e përshpejtuar vajzërorë të një refreni: "S'paske as makinë? Qenke çun koti!".
Kishte kaluar kryqëzimin dhe urën e Rrugës së Elbasanit. Vazhdoi më të djathtë, përshkoi sheshin me statujën e të persekutuarve politikë, derisa doli në trotuarin e djathtë. Gjatë gjithë kësaj kohe, herë pas here ndjente zilen këmbëngulëse të celularit. M'u përballë ndërtesës së Kryesisë së Komunitetit Mysliman u ndal, i qetë, të kundronte numrin që po i binte. I panjohur. Gjykuar nga prefiksi me 037, duhet të ishte nga Kosova. E hapi:
- Allo! Zotni Bujari?
- Po zotëri, mirëdita! Kush jeni?
- Shiqo, unë jam Muhamed K., nga Prishtina. Kam ardh n'Tironë dhe due me ju takue, se ma kanë dhanë një porosi për ju.
- Ku ndodheni tani?
- Po jam m'u këtu... ke kafja e Operës... Kam xanë në nji tavolinë përjashta.
- Më prisni aty, se vij për pesë minuta.
- Ani, qashtu, po ju pres.
Bujar Sh., nuk e pati të vështirë ta njihte personin. U përshëndoshën dhe u ul dhe ai. Erdhi kamerieri.
- Urdhëroni, zotni Muhamedi, çfarë do të merrni, - i tha Bujar Sh., ndërsa vetë porositi një kafe.
- Një kolla, falemnderit.
Bujar Sh., llogariti rrufeshëm shumën që do të zbriste nga dhjetmijëlekshi dhe mendoi, se ilaçet nuk rrezikoheshin. Si iku kamerieri, i ardhuri nga Prishtina i zgjati një zarf, duke i shpjeguar, se e ka amanet nga kryeredaktori i revistës "Jeta e re". Ai ju kërkon ndjesë për vonesën, zotni Bujari, por ua ka paguar të gjitha honoraret e mëparshme me këtë rast. Bujar Sh., kishte dëshirë ta hapte zarfin aty, por u përmbajt. Me të mbaruar kafen, pagoi dhe u ngrit, duke i lyp ndjesë mysafirit. U hodh matanë sheshit "Skënderbej" dhe sapo u gjend i patrazuar, midis lodrave të fëmijëve, hapi zarfin. Bujar Sh., mbeti i shtangur. I numëroi përsëri: fiks 600 euro! Të gjitha me prerje njëqindshe, identike si ato të kunatave, që sapo i kishte refuzuar në Sekretari.
Ne nuk e dimë me saktësi, se çfarë mendimesh e ngërthyen kokën e profesorit të ri, Bujar Sh., por ato ishin mendime krejt të ndryshme prej atyre, që e mundonin përgjatë Rrugës së Elbasanit. Por, tek e fundit, njërit mendim edhe mund t'ia qëllojmë. Ani pse dhe atë mund paraqesim me përafërsi: "A nuk është ky zarf një mrekulli e Zotit? Pse e kanë të vështirë njerëzit t'u besojnë mrekullive? Se Zoti, nuk është ndonjë shok lagjeje, që të merret ditë për ditë me ty, duke të treguar prova!"

 

26 Komente

Me pelqeu goxha. E lexova vertet me interes.

Po bej nje nderhyrje te vockel : per kureshtje letrare me teper, nje nder te paret, ne mos qofte i pari fare i "perroit te ndergjegjes" (apo si i thone atje ne Shqiperi "perroi psikik" a ku e di une), eshte nje francez krejt i panjohur dhe qe eshte mire te zbulohet :

Edouard Dujardin. (1861-1949)

me romanin e tij "Dafinat jane prere" (1888)

Shkrim shume i bukur.

Vetem ajo puna e Zotit dhe provat mu duk pak pa vend.

edhe une - nqse shkrimi ka nje qellim moralizimi, perfshirja e Zotit ne tregim sikur redukton efektin ose jep mesazh tjeter, tip:
"vepro drejt sepse Zoti te shperblen" a dicka e tille

Ky nuk duhet te jete mesazhi i tregimit. Morali dmth duhet te jete mbi besimin sepse perndryshe nuk do kish efekt te ateistet

Cka, mire. Kalimi I folesit ne fund fare ne "ne," nuk m'u duk shume I natyrshem. Nese kjo eshte bere qellimisht, s'me duket fort e goditur; nese eshte mosvemendje, eshte e pafalshme artistikisht.

gjer pa arrit ke zoti ishte mire

gjer pa arrit ke zarfi ishte akoma me mire

gjithesesi tufa ben mire ti shkruaje historite me mesimdhenien ne shqiperi keto kohe, sepse eshte nje situate qe mund te prodhoje perla smiley

Zoti punon ne menyra habitshme- thone disa. Dhe kane te drejte. Ve bast qe ky shkrim eshte i bazuar ne nje ndodhi te vertete. Mua personalisht me ka ndodhur shume here qe egzaktesisht nje shume qe e refuzoj ne menyre jo te ndershme ta fitoj ne menyre te ndershme, apo qe te humbas egzaktesisht nje shume te fituar jo me hak ne menyra misterioze.

Reportazh i mire. Si letersi-siperfaqsore. Narratori   (pa qene domosdoshmerisht uni biografik i autorit ) pasi kalon dilemen  , pohon te qenurit e tij i pakorruptueshem. Ne fakt , me nje bisturi me te holle dhe me mjete artistike, autori duhej te depertonte ne ca gjera me te thella, ne ato zonat ku fshihet qelbezimi moral dhe deformimi shpirteror i nje shoqerie qe si kult dhe kut mates te gjithckaje ka bere Parane. Kunatat part taimse vetem te vendosura  ne kete kontekst do te zbulonin thelbin e tyre pompoz dhe mjeran njekohesisht.

Edhe figura e  profesorit eshte prodhuar sipas klishese. Shikoni detajet -me femije per ti rritur, pa makine, hallexhi me nje fjale. I vetmi preokupim i tij eshte te jete ne rregull me ca parime morale, te jete ne paqe me ndergjegjen  e vet. Kaq i intereson profesorit: buken e ndershme falna ZOT! Nuk perjashtoj nje prof. me rroge modeste dhe pune te ndershme te mos tundohet nga rryshfeti sikurse nuk perjashtoj edhe nje prof. te kamur , me standart te larte jetese te jete i pakomprementueshem pikerisht fale principeve morale sesa gjendjes materiale.

Po dal jashte tekstit dhe po i referohem kontekstit social prej nga merr spunto ngjarja. Mjedisi ne universitetet shqiptare, publike dhe private, eshte i qelbezuar nga korrupsioni, nga renia e intersit per dijen, nga perdhosja e tempujve te dijes prej mediokritetit dhe prodhimit serial te variantit modern te pertypesve te farave te lulediellit.

Vetem nje pene cehoviane mund te prodhoje perla me lenden nga trupi i semure (gangrenizuar) i arsimit te larte dhe jo vetem.

Po,  nje deponim  shume i bukur...  

Vetem do te shtoja, perse nuk e cuar akoma ne polici, qe fajtoret te denohen me terment...

...sa fallco,  o Shenmeri 

 "Mesonjesi" si figure nuk sjell asgje te re, sepse sic u permend eshte  klishe, e stervizatuar. Eshte gjithashtu e merzitshme, sepse nuk ngerthen asnje lloj beteje a dileme me veten. Te gjthe jane te korruptuar dhe etikisht inferiore, me perjashtim te profesorit.  Per bukuri, skene bardhe e zi! Problemi me tregimin me lart me duket se eshte preokupimi i madh i autorit me veten.

Pastaj, te vjen te qeshesh me ca detaje si Albert vs Alber (a thua se te T-ja ka ngecur puna e provimeve te letersise se Tufes), shembull qe nuk rresht se ricikluari, qysh nga Shi ne Plazh p.sh., ose sic eshte bere permendja Joyce-it - telef...  Nuk mund te gjendeshin ca garnitura me interesante xhanem, e nuk mund te ishte sajuar pak me me fantazi situata e dy kunatave? Sidomos per dike qe sapo ka marre cmimin me te madh te letersise?

shqato

Mua nuk me duket fare cudi. Presori jeton ne nje shoqeri ku korupsioni eshte normal, por ne anen tjeter nuk ka perse te mos besojme faktin qe shume presore jan te pakoruptueshem, sidomos ata qe kan krijuar nje fare autoriteti ne mjedisin e tyre, dhe u duhet te ruajne integritetin profesional dhe moral. Mua me duket nje ndodhi e te perditshmes shqiptare kjo, e treguar bukur.

Para se gjithash njehere, nje prefosor duhet te kete nje rroge dinjitose per nje jete normale, sepse Maslow e ka ndare me kohe ate muhabetin e nivelit te nevojave.

Kjo puna e korrupsionit, ta kapesh nga ana teknike, eshte nje tregti, cka do me thene qe shitet nje produkt/sherbim(nota kaluese) me nje cmim te caktuar, qe percaktohet nga kerkesa dhe OFERTA.

Qe te minimizosh fenomenin(zeron nuk arrin kurre) mjafton te ndrydhesh njeren ane, ate me te lehten dhe me te papranueshme, dmth OFERTEN, cka do te thote qe pesha me e madhe eshte te mesimdhenesit, qe duhet te jene MODELI qe u jep forme psiqikes dhe formimit te brishte te atyre qe neser do kene nje rol ne shoqeri. Nisja nga kjo pike, nga tempulli ku ushqehen mendjet e njerezve relativisht te zgjedhur, eshte fillimi i mbare.

Kuriozitet dhe ide biznesi: India, gati nje miliard banore, ka te njejtin problem me kurrupsionin dhe, intuita me pase nje biznes te sukseshem eshte te kuptosh ku jane flukset me medhaja te parase, keshtu qe dikushi, nje avokat qe njeh mire legjislacionin, ka hap nje biznes legal ku kundrejt nje pagese shume me te vogel se 'zarfi ne fjale' ben qe klienti te arrin qellimin i cili duhet te jete i ligjshem. Aktivitet i ngjashem me kamerat e fshehta te 'fiks fare' por vetem me qellimin qe  klienti te mos pagoje ryshfetin.

Ska, ose do besh si ne Kine, denim me vdekje ose burg pafund ose do gjesh nje mekanizem te brendshem autoregullues, antitrupa qe kane interes vital zbulimin e fenomenit qe vene te korruptuarin ne pozite shume te veshtire nga ana morale, ligjore, ekonomike.

Po nderhyj edhe njehere, per ca gjera te vockla :

- Ketu sillen mjaft shkrime. Qe iu perkasin gjithfare fushe apo gjinie. E pikerisht, tek kjo e fundit, dmth gjinia, ka shume ngaterresa. Ka qene problem i ditur tashme klasimi i nje teksti : eshte roman, novele, tregim, teater, etj etj ?

Teksti me lart eshte futur ne zerin "arsim". Dhe pastaj eshte shkruar "proze". Ka diçka qe s'shkon : arsimi dhe proza nuk bejne bashke. Madje kur rrasim "proze", ska nevoje per bisht tjeter.

Mirepo, me ç'kam vene re une, kur kam dashur te hedh ndonje tekst ketu (gabimisht, kuptohet), kishte raste kur nuk dija ku ta mballosja. Sepse, nderkohe qe ishte bere nje liste e stergjate me emra gazetash, aty nuk kishte asnje ze "filozofi", "etnografi", "antropologji", apo "pemtari".

Them se kjo duhet te rregullohet sepse po ndodhi ngaterresa te kota. Teksti me lart nuk duhet pare si nje proze e vertete e llojit "fiction", por me teper si nje shkrim "mbresash" apo "shtytjesh" instinktive te llojit "nje dite nga jeta e nje profesori".

Te pakten keshtu duket nga konteksti.

____________

Meqe permenda Edouard Dujardin, ca rreshta nga romani, mbase ju pelqen :

Shtrëngime duarsh. Ai kthen krahët. Mirupafshim. Do t’i ngjitem avenjusë së Operas ; do të ha darkë në kafenenë e cepit të avenjusë dhe rrugës së Fushave-të-vogla ; do të kem kohë të mbërrij në shtëpi para orës nëntë. Zyra e postës. Do të duhet t’iu shkruaja prindërve, po ; jam me vonesë ; do t’iu shkruaj nesër ; nesër kam leksion në Shkollën-e-drejtësisë ; për tre leksionet që shkoj, nuk duhet të mungoj. Lucien Chavainne shkon sonte në Frëngjisht. Po, një djalë i zoti ky ; jo aq i thjeshtë ; por mund të këmbesh me të ; t’i flasësh ; të kupton ; është elegant dhe ka shije të mirë ; dhe mik i vërtetë ; kënaqesh kur e takon ; herën tjetër, do t’ia them të gjitha arsyet e veshjes sime ; sa keq që nuk ia kam shpjeguar ca më tepër pasditen time ; mbase do ta kishte nuhatur tërë sharmin e përfshirë në dashurinë time ; por ai është aq i mbyllur ndaj këtyre gjërave ; të kesh, nganjëherë, ca orë intimiteti të ëmbël, të flasësh, të thuash dhe të bësh asgjëra, të puthësh duart e saj të hajthme, dhe në ditët e ndezura, buzët e saj. Mjerisht, po kur pra, oh, e kur do të dashuronte ajo ? kur do të epej ? dhe kur buzët e saj ? Dy muaj, ka dy muaj ; jo, ishte nga fundi, jo, jo, nga mesi i shkurtit ; dhe ja pra dy muaj që nga puthja jonë e parë, e vetmja ; mjerisht, dhe sa larg tashmë. Dhe ajo s’është fare e lumtur. Po ndizen shandanët e gazit në avenju ; do të thotë mbrëmja po bie. E si do të jetë ajo, kur të kthehet ?>>

Ky tregim i "petagogut te  ndershem" tregon se sistemi i arsimit shqiptar i ngritur nga vet keta petagoge, eshte i kalbur!

Cdo gje eshte e kalbur dhe korruptive ne shqiperi!!   Ky tregim ka edhe  ironine me vete;"Fajin sipas profesorit e kane studentet!!!"

Ndeshmeria e presorit eshte shume naive!

na e bere pete fjalen peTagog smiley

pedagog duhet

 po mu m`pelqe me shum petagogu mi, po presor si duhet?

Ah,vertete ishte krijim i bukur...smiley)

Letersi e dobet. Ka te drejte Rexhep Qosja.

Duke njohur  ate qe e ka shkruar, dyshoj se behet fjale per reportazh - pra, historia duhet te jete saktesisht ashtu sic e ka treguar ai.

Nder te bukurat

Ndoshta ajo pjesa pompoze me " sekretaren  seksere pas provimit " ? e zbeh rrjedhshmerine e leximit "me nje fryme " . Shume deklamacione ?

Si te thuash e shkeput vemendjen nga logjika e prurjes duke e shartuar me skena asketesh "  Dhe kur ? Sot ne kete fare shoqerie smiley

Ndoshta i eshte dashur si copeze per te bere lidhjen me 600 -shen e dhanun prej vllaut smiley si gjeneza e prishjes se cipes publike ne Memedhembje deri ne shkatrimin e plote te te qenurit "te ndershem "me profesionin".

Ngatrimi i emrave , nje gjetje humoristike mjaft e kendeshme  qe te kujton Q.Buxheli tek "Faraone dhe Firaune " smiley Shume e bukur per te percaktuar menyren e leximit ne "mase" te sotem.

Gjithsesi Tufa pas tregimit te meparshem te prure tek PPU duket se po u meshon fort tabaneve te kembeve ne truallin qe i ka bere koken.

I qofte rruge e mbare!

vallahi, fillimi nuk lexohej fare, po te mos ishte per nje shprehje qe me tha dikush para disa ditesh, se nje tregim qe e nis beji nderin ta mbarosh, do e kisha lene, mgjth e vazhdova dhe u be me mire.

cfare dmth "i pakenaqur me sjelljen e pafytyre"? nese sjellja eshte e pafytyre atehere s'eshte nevoja per "i pakenaqur", ose, a ka sjellje te pafytyre qe na le te kenaqur? si pakenaqesia si pafytyresia jane te teperta per mua. jane te dyja gjykime e vleresime subjektive, me teper se te besh kto vleresime, do te preferoja nje autor qe thjesht jep nje pamje te sjelljes se pafytyre, duke e lene lexuesin ta vleresoj kete sjellje vete, e te ndiej vete. Po ashtu me "i skandalizuar".. cdmth "i skandalizuar" nje here? A nuk eshte ky nje tjeter vleresim subjektiv? ose "iu ngulit nje mendim i pashqitshem", ose "llomotitje", ose "llomotitje plot gabime te pafalshme".. ose "urrejtja dhe perbuzja e lendes". Ose "byzylyke e gjithfare xhinglash" ose "gjeste te panevojshme", ca jane gjestet e "nevojshme"? a ka gjeste te "nevojshme"? Ose "dmth tu prene krahet".

pastaj me tutje me terhoqi. ajo qe me pelqeu prej tregimit ishte pamja qe ofron e shkollave dhe arsimit ne ate vend. "a slice of life", si i thon (nje thele jete), por nuk me pelqeu qe konfliktit i jepet nje zgjedhje aq.. aq naive, si ajo e mrekullise se Zotit, e cila, surprize surprize, vjen ne formen e nje zarfi gjithashtu.

"jo si të tjerët, që Andre Bretonin e bënin Andre Beton, surrelizmin e deformonin në surratalizëm, ndërsa Virgina Woolf e bënin Virxhinia Golf "

Ky pasazhi ketu them se eshte miniere floriri. smiley

Mua nuk me ngjiti shume tregimi, nqs do te perdorja gjuhen e njeres prej studenteve ne tregim. Personazhet pa fytyre.

Megjithate do te ishte interesante te bente nje rrefim nga kendveshtrimi i studentit. Gjendja e mjerueshme e universiteteve nuk eshte pergjegjsi vetem e studenteve dhe ky autor me deshmite qe jep glorifikon punen e Profesorve ne menyre te padrejte dhe ne kete menyre nuk jep zgjidhje.

Permendja e  zotit ne fund eshte si me thene "Zoti na ruajt"

Zëri që ngre Tufa është një cimbisje mushkonje ndaj ariut që Tufa vetë e mbante deri dje  si më të mirin e mundshëm.

Gjithsesi, është një zë që do të meritonte vlerësimin e të gjithë neve/atyre që e konsiderojnë korrupsionin si një plagë që po shkatërron çdo gjë.

P.s: Po t'donte t'ja linte Zotit, më mirë të'kishte heq zarfin dhe t'ja kishte lënë 600eurshin ndonjë gërvisht&fito smiley

 

 E bukur, njekohesisht dhe interesante per kete copez jete te nje njeriu te ndershem, ne mes te pandershmeve. 

Pra, si Pedagogu  ashtu edhe studentet perdorin tel. celular gjate provimit. Cudi!

shkrim jo i keq....

thjesht, une ne parim jam kunder provimeve me goje si ne Itali, Shqiperi, etj

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).