1. Pyetjes “A është korrupsioni një problem madhor...?”, iu përgjigjën pozitivisht 78% e të intervistuarve. Këta mendojnë jo vetëm që korrupsioni është një problem madhor, por edhe që ai është gjerësisht i përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe/ose të kategorive të zyrtarëve, përfshirë politikanët. Cili është ky vend, qytetarët e të cilit mendojnë kështu?! Shqipëria, pa diskutim - është përgjigjja që vjen vetiu! Jo, nuk është Shqipëria! “Vendi” në fjalë është Bashkimi Europian dhe të intervistuarit janë një kampion përfaqësues i qytetarëve nga të gjitha vendet anëtare. Burimi: Eurobarometër, studimi me titull “Sjellja e europianëve ndaj korrupsionit”, botuar në nëntor 2009.

2. Ndërsa treguesit mbi korrupsionin bazuar në perceptime janë shumë të larta, eksperienca konkrete personale e europianëve me ryshfetin është mjaft, mjaft më e ulët. Pyetjes: “A ju kanë kërkuar ryshfet apo kanë pritur që ju të jepnit ryshfet.... në 12 muajt e fundit?” iu përgjigjën pozitivisht vetëm 9% e të intervistuarve, me një variacion që lëviz nga 1% në Danimarkë deri në 27% në Lituani e Rumani. Brenda këtij intervali bien në sy një grup vendesh lindore, por edhe perëndimore, anëtare të reja ose të vjetra të BE-së, me një nivel kërkese ryshfeti në intervalin 17-23% të të intervistuarve.

3. Treguesit perceptivë të Shqipërisë, sipas studimeve profesionalisht të krahasueshme me studimin e sipërcituar, përputhen lidhur me rëndësinë, gjerësinë, sektorët publikë, kategoritë e zyrtarëve më të korruptuar, si edhe me shkaqet dhe burimet e këtij fenomeni. Ndërkaq, treguesit e eksperiencës konkrete dhe personale të të intervistuarve me ryshfetin janë shumë më të lartë në rastin e Shqipërisë krahasuar me Europën e po kështu me vendet e Ballkanit.

4. Sipas publikimit më të fundit të Gallup-Ballkan Monitor, veçse pak ditë më parë, bazuar në studime me zgjedhje në të gjitha vendet e Ballkanit dhe intervista të kryera në periudhën shtator-nëntor 2009, pyetjes identike me atë të Eurobarometer-it, mbi kërkesën apo pritshmërinë për ryshfet nga zyrtarët, në rastin e Shqipërisë iu përgjigjën pozitivisht 42% e të intervistuarve. Bie në sy rezultati edhe më negativ i Kroacisë me 52% nga një anë dhe rezultati mjaft pozitiv i vendeve të tjera të Ballkanit – Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – me veçse 5-10% të rasteve, nivel ky nga më të ulëtit edhe brenda vendeve të Bashkimit Europian. A mos janë shqiptarët dhe kroatët më të “sinqertë” se ballkanasit e tjerë apo janë zyrtarët shqiptarë dhe ata kroatë shumë më të “pacipë” se kolegët e tyre ballkanas?!

5. Lidhur me dhënien e ryshfetit, shqiptarët u përgjigjën pozitivisht në 52% të rasteve duke zënë vendin e parë në Ballkan. Kësaj pyetjeje iu përgjigjen pozitivisht vetëm 8% e kroateve. Për vendet e tjera të Ballkanit treguesi i dhënies së ryshfetit varion në intervalin 16-20% ose dy deri tri herë më i lartë se treguesi i kërkesës. Nga këtu mund të nxjerrim konkluzionin se: I ) shqiptarët i dorëzohen kërkesës për ryshfet dhe japin më shpesh se ç’iu kërkohet; II) kroatët i rezistojnë mjaft mirë kërkesës për ryshfet; iii) ballkanasit e tjerë janë disi të çuditshëm, edhe kur s’ua kërkojnë në mjaft raste ata japin ryshfet.

6. Qoftë lidhur me kërkesën, qoftë lidhur me dhënien e ryshfetit, ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit ku në sektorin e shëndetësisë fenomeni rezulton në nivelin e 10-15% të të gjitha rasteve, në Shqipëri, ky sektor zë mbi 50% të të gjitha rasteve. Nëse i zhveshim rezultatet agregate nga ndikimi i sektorit të shëndetësisë, mbetjet do të tregonin frekuencën e kërkesës dhe/ose të dhënies së ryshfetit në të gjithë sektorët e tjerë. Pas këtij modifikimi, treguesit e kërkesës dhe të dhënies së ryshfetit në rastin e Shqipërisë rezultojnë mjaft më pranë treguesve respektivë të vendeve të tjera ballkanike.

7. Modifikimin e mësipërm mbi kërkesën apo pritshmërinë për ryshfet mund ta bëjmë edhe lidhur me influencën e arsimit, energjisë, telekomunikacionit e shërbimeve të tjera publike. Mbetja jep kërkesën ose pritshmërinë për ryshfet të zyrtarëve tipikë shtetërorë në nivel qendror e vendor, tatime e dogana, polici, inspektorë gjithfarësoj e deri prokurorë e gjyqtarë. Nga kryerja e këtij ushtrimi njëherësh mbi rezultatet e Gallup-it dhe ato të Eurobarometer-it rezulton se zyrtarët tipikë shtetërorë shqiptarë janë në fakt po aq të “pacipë”, sa edhe kolegët e tyre respektivë të shumë prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe së bashku me këta të fundit, si grup, qëndrojnë mjaft larg sjelljes “fisnike” të zyrtarëve të disa vendeve të tjera europiane, veçanërisht atyre në veri të BE-së.

8. Rezultati i mësipërm nuk është i rastësishëm. Analiza disavjeçare e kërkesës dhe/ose e dhënies së ryshfetit në Shqipëri, bazuar në studimet e kryera nga “TI/Global Barometer”, me metodë e pyetje kompaktibël me ato të Gallup-it të dhëna me sipër, tregon se edhe kërkesa, edhe dhënia e ryshfetit lidhur me zyrtarët tipikë shtetërorë është ulur ndjeshëm nga viti në vit. Përmirësimet shfaqen edhe sipas treguesve të vlerësuar nga institucione të tjera ndërkombëtare si p.sh. USAID, Banka Botërore, BERZH. Kombinimi i reformave strukturore me rritjen e presionit hetimor administrativ dhe/ose penal ka dhënë rezultate të prekshme në sektorët tipikë shtetërore ku edhe janë përqendruar masat antikorrupsion. Këshilla e vjetër dhe universale e përdorimit të “kulaçit e kërbaçit”, duket se ka funksionuar me efektivitet, megjithëse në një kohë të shkurtër, veçse 3- 4 -vjeçare. Vazhdimi i tyre do të sjellë, me siguri, rezultate të tjera pozitive.

9. Shërbimi shëndetësor është sektori që “fatkeqësisht apo fatmirësisht” e radhit Shqipërinë ndër vendet me nivel më të lartë të kërkesës apo dhënies së ryshfetit. Mos “djajtë” shqiptarë janë mjekët dhe infermierët?! Konkluzion i tepruar. Në disa studime të sipërcituara jepen të dhëna mbi kërkesën dhe dhënien e ryshfetit sipas sektorëve. Në secilin, përveç drejtësisë, dhënia e ryshfetit është më e lartë se kërkesa, por me diferenca të vogla mes tyre. Ndërkaq, në sektorin e shëndetësisë oferta është jo vetëm më e lartë se kërkesa, por shumë më e lartë se kjo e fundit. Diferenca mund të interpretohet më shumë si bakshish ose dhuratë mirënjohjeje sesa si ryshfet, por raportohet si i tillë. Sistemi i paradokohshëm i administrimit dhe i financimit të shëndetësisë e ushqente dhe e nxiste përdorimin e ryshfetit dhe/ose të bakshishit. Më së fundi, shërbimi shëndetësor ka hyrë në një reformim rrënjësor, i cili i modifikon relacionet shtet – personel shëndetësor – njësi shëndetësore – pacient/familjar – sigurim shëndetësor – tarifa shërbimi. Rregullat e reja, përveç përmirësimit të këtij shërbimi në tërësi, do t’i dekurajojnë me shumë më tepër efektivitet edhe ryshfetin edhe bakshishin.

10. Zhvillimet pozitive në reduktimin e korrupsionit të tipit ryshfet, ndryshe i quajtur “korrupsion i vogël”, pohohen nga një mori burimesh të pavarura mes tyre e të pandikueshëm nga segmentet e interesuara të politikës, por janë bërë shumë pak të njohura për publikun. Diskutimi publik dhe mediatik i derisotëm ka prirje të forta mohuese mbi zhvillimet pozitive dhe përforcuese mbi ato negative. Kritika ndaj mosarritjeve është e dobishme. Lustrimi i së vërtetës është i dëmshëm. Por edhe mohimi i zhvillimeve pozitive nuk i shërben suksesit, ndoshta është po aq i dëmshëm sa edhe lustrimi. “E keqja” nuk luftohet nëse nuk tregojmë se “e mira” është e arritshme edhe nga ne, shqiptarët.

11. Edhe nëse treguesit e kërkesës dhe dhënies së ryshfetit do të vazhdojnë të ulen, treguesit e perceptimit të korrupsionit në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e BE-së, do të vazhdojnë të mbeten të lartë edhe për shumë vite. Si një lidhje logjike shkak-pasojë, ulja e numrit të rasteve të kërkesës dhe/ose dhënies së ryshfetit, në rrethana të tjera të njëjta, sjell, pas një farë kohe, edhe uljen e treguesit të perceptimit për nivelin e korrupsionit dhe rritjen e besimit të publikut mbi institucionet e demokracisë dhe shtetit ligjor. Në fakt, duke i rënë kryq e tërthor Europës, rezulton se sa më i ulët fakti, aq më i ulët edhe perceptimi i korrupsionit, ndonëse treguesi i perceptimit është, kudo në Europë, disa herë më i lartë se ai i faktit.

12. Ndërkaq, treguesi i perceptimit varet shumë nga ndodhitë e veçanta, të ashtuquajturat “raste të korrupsionit të madh”, “kapje e shtetit” apo “skandale” e ku përfshihen zyrtarë të lartë a politikanë me emër. Në diskutimin politik, mediatik apo urban të këtyre rasteve shkelet rëndë parimi i “prezumimit të pafajësisë” dhe s’kihet durim të pritet një vendim gjyqësor përfundimtar. Diskutimet pasionante, të politizuara, në mirëbesim e aq me shumë në keqbesim, rrisin treguesit e perceptimit mbi korrupsionin dhe i mbajnë këta, për një kohë të gjatë, në nivele disa herë më të larta se treguesit e faktit. Për pasojë, cenohet edhe besimi te vetë institucionet. Fenomeni ndodh në Shqipëri, Ballkan dhe Europë. Me sa duket, kjo është natyra njerëzore e sjelljes! Këtu nuk bëjnë përjashtim as nordikët me mendje të shëndoshë e shpirt të patrazuar! Mendo pastaj latino-mesdhetarët dhe ballkanasit! Aq më shumë shqiptarët!

7 Komente

...Diferenca (kerkese oferte ne mjekesi) mund të interpretohet më shumë si bakshish ose dhuratë mirënjohjeje sesa si ryshfet, por raportohet si i tillë...

Spekullim i pacipe. Perfundofsh ne spitalet Shqiptare ku ke frike se s'ta prekin me dore te semurin po s'i dhe leket dhe pastaj hajde e flasim per "diference mes kerkeses dhe ofertes".

Me plot gojen Artan Hoxha per mua eshte nje sherbetor profesionist i oborrit te familjes se kryeministrit.

Ndërkaq, treguesi i perceptimit varet shumë nga ndodhitë e veçanta, të ashtuquajturat “raste të korrupsionit të madh”, “kapje e shtetit” apo “skandale” e ku përfshihen zyrtarë të lartë a politikanë me emër. Në diskutimin politik, mediatik apo urban të këtyre rasteve shkelet rëndë parimi i “prezumimit të pafajësisë” dhe s’kihet durim të pritet një vendim gjyqësor përfundimtar. Diskutimet pasionante, të politizuara, në mirëbesim e aq me shumë në keqbesim, rrisin treguesit e perceptimit mbi korrupsionin dhe i mbajnë këta, për një kohë të gjatë, në nivele disa herë më të larta se treguesit e faktit. Për pasojë, cenohet edhe besimi te vetë institucionet. 

Bullshit! Ne Gerdec u vrane 26 vete, dhe ministri pergjegjes vazhdon te jete pjese e kabinetit qeveritar. Sa here lexojme neper gezeta per te minatore e punetore ndertimi te aksidentuar fatalisht ne pune, per nxenes te helmuar nga ushqimi, per njerez te mbytur mbas festimeve etj etj. Por asnjehere nuk kam lexuar per funksionare te larte te ministrive perkatese qe te pergjigjen para ligjit. Keto jane rastet me flagrante qe permbajne fatalitete, spo flas fare per bakshishet e rruges apo politikat e emerimeve ne administrate, apo per qeveritare qafetrashe qe pa prit e pa kujtu gdhihen me nga dy tre diplloma, mastera, doktoratura e traplliqe si keto.

Zoteri, ujku eshte aty dhe i kercellin dhembet popullit. Perdite! Mos u lodh te na tregosh gjurmet.

Sapo pashe kush e shkruan artikullin hoqa dore nga leximi. A Hoxha eshte komplet i pabesueshem dhe pa integritet sepse besoj qe eshte boll i zgjuar te ndaje shapin nga sheqeri, por ne vend te tij zgjedh bythelepirjen.

Nuk mund ti lexosh shkrimet e ketyre servilave pa i paragjykuar. Mos harxhoni hapsire kot.

E fillova ta lexoj dhe mbeta pa goje e pa mend nga gjykymi dhe keqanaliza e ketyre fakteve qe per mua kane vetem nje qellim:  tu thote turmes/miletit katunar shqiptar se" Rini o milet rehat se ja edhe Evropa ku ju deshit me shku ka korupsion si edhe ne" Flini te qete o turme katunare se keshtu eshte kjo bote Ska vend pa korupsion"

Ka njeri ta perkthej kete artikull ne shqip. Jo per ndonje rendesi te vecante por thjesht per gallate

- agregate

- kompaktibël

-prezumimit

etj

 

 

 me korrupsionin po behet KORRUPSION

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).