Drama më e mirë shqipe


Rreth 20 vepra për çmimin e Konkursit Austriak të Dramës Shqipe për vitin 2009. Votimi është bërë mbi numrat që mbanin tekstet dramaturgjike, duke përjashtuar emrat e konkurrentëve.

Prandaj edhe fituesja është një anonime: Junia Ruvina e cila është Jonila Godole e vërtetë. Vendi i dytë për Stefan Çapalikun


Autorja që fshihet pas emrit Junia Ruvina është Jonila Godole, fituesja e vërtetë e çmimit për dramën më të mirë shqipe për vitin 2009. Vendimi i jurisë ndërkombëtare u bë i ditur dje në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në prani të përfaqësuesve të Ambasadës Austriake në Tiranë të cilët i dhanë prezantimit tonet e ceremonialit diplomatik përballë pak gazetarëve dhe ca nëpunësve të Ministrisë.

Mësuam se i quajturi Konkursi Austriak i Dramës Shqipe me titull "Të flasim për kufijtë", është kryer mbi një anonimat të autorëve dhe duke gjykuar mbi tekstet dramaturgjike të cilat kanë mbajtur si autorësi gjatë kohës së shqyrtimit një numër.

Iniciatori i këtij projekti për Shqipërinë, regjisori Chrisian Papke bëri të ditur se "juria i ka lexuar pjesët pa e ditur kush i ka shkruar. Nga 20 vepra, 4 ishin më të mirat. Vepra e para që ka zgjuar interesin e jurisë mban numrin 4 dhe është shkruar nga Lediana Paja, pastaj vepra me numër 10 e Ferdinand Hysit, ajo me numër 14 e Stefan Çapalikut dhe vepra me numër 12 e Junia Ruvinës."

Juria përbëhej nga pesë anëtarë: 2 shqiptarë, 2 austriakë dhe 1 gjerman: Mark Marku (anëtar jo i fushës); Adonis Filipi, regjisor dhe drejtor i Festivalit të Teatrit Bashkëkohor Skampa të Elbasanit; Christian Römer drejtor i Neuköllner Oper Berlin, skena e katërt operistike e Berlinit dhe që mbahet si teatri muzikor më kreativ i kryeqytetit gjerman; Gerald Bauer, dramaturg kryesor në Schlossparktheater Berlin, lektor në Universitetin e Vjenës dhe që nga viti 2002 drejtues artistik dhe dramaturg i Teatrit të Rinisë; Christian Papke, ndër të tjera anëtari më i ri në kryesinë e P.E.N Clubit austriak.

Në qershor 2009 nën regjinë e tij u vendos në skenën e Teatrit Kombëtar komedia "Forca e Zakonit" e autorit austriak Thomas Bernhard.

Kjo juri vlerësoi me çmimin e parë veprën me nr. 12, drama "Njeriu i rërës" e shkruar nga Junia Ruvina. Çmimi në vlerë 3500 euro, jepet nga Ambasada Austriake. Papke e quajti surprizë, provokativ, estetik, shtjellimin e një thrilleri tek "Njeriu i rërës" së Ruvinës që në thelb është konflikti ndërmjet babait dhe birit.

"Është një pjesë shumë e pasur dhe ka një mister", shtoi Papke, "dialogët elokuentë, struktura dramaturgjike e mirë, karakteret kompleksë dhe të kompletuar.

Për këto arsye fiton kjo pjesë."
Për anëtarin tjetër të jurisë Adonis Filipi i pranishëm në ndarjen e çmimeve, te "Njeriu i rërës" kemi pesë karaktere që zbulojnë të kaluarën e tyre.

Deri në fund të konferencës për shtyp nuk u dha asnjë e dhënë se cila është autorja Junia Ruvina. Një emër i panjohur. Organizatorët nuk thanë që kemi të bëjmë me një pseudonim, por lanë në kuptohej se për fituesen do të jepej një informacion në ditët e ardhme, pas takimit do të kishin gjithë konkurrentët mbrëmjen e djeshme në ambasadën austriake.

Por "Shekulli" mësoi se ajo që shkruan me emrin Junia Ruvina është Jonila Godole. Lektore e disa lëndëve pranë Departamentit të Gazetarisë, vjen nga një formim filologjik në të njëjtin Fakultet në Tiranë, dhe nga Shkenca Politiket e Sociologjike në Gjermani. Ka përvojë disavjeçare si gazetare politike në gazetën "Koha Jonë".

Është autore e romanit "Puthja e Udhëheqësit", përkthyese e disa autorëve të rëndësishëm të kulturës gjermane e austriake. Së fundi puna e saj është provuar në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë me përkthimin e komedisë "Forca e Zakonit" e Bernhard-it, vënë në skenë nga Ch. Papke.

Me këtë çmim Godoles i jepet një mundësi shumë e mirë, sepse pjesë e çmimit është njëkohësisht edhe përkthimi në gjermanisht dhe botimi në 11.000 kopje i dramës, prej të cilave 10.000 kopje do të shpërndahen së bashku me revistën austriake kulturore-teatrore "Bühne", kurse 1.000 kopje do t'u dërgohen skenave dhe zyrave letrare e dramatike në hapësirën gjermanishtfolëse.

Çmimi i dytë u fitua nga Stefan Çapaliku me dramën "20 vjet, 2 javë, 2 ditë", i cili kap vlerën 700 euro dhe jepet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sipas anëtarit të jurisë, Ch. Papke kjo vepër i pëlqeu jurisë sepse "në zhanrin e komedisë shtjellon mënyrën depresive të të jetuarit."

Regjisori Filipi tha se komedia e Çapalikut është vlerësuar si "interesante" për mënyrën se si i trajton raportet e njeriut me kohën.

Drejtori i Teatrit Kombëtar Kristaq Skrami u shpreh entuziast për konkursin duke parë tek ky aktivitet promotorin e krijimtarisë së dramaturgjisë kombëtare. Për hir të së vërtetës ky (pro)motor ka qëlluar shpesh me defekt.

Konkursi ka qenë organizuar gjithnjë nga Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar, kësaj radhe TK është thjesht një bashkëpunëtor, ndihma e të cilit do të kërkohet nëse "Njeriu i rërës" do të shohë në një të ardhme të afërt dritat e skenës.

Një vit përpara autorët shqiptarë u ftuan të shkruanin për "ndjenja jetësore në kohë shndërrimesh". Ishte iniciativë e Ministrisë Austriake për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, P.E.N Club-it austriak dhe Ministrisë Shqiptare të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nën kurimin e Dr. Christian Papke.
Konkursi Austriak i Dramës "Të flasim mbi kufijtë" organizohet çdo vit prej 2005 për vende të rajonit të Evropës Juglindore.

Shekulli

 

1 Komente

ne mos gaboj kjo goca eshte perkthyse e gjermanishtes?

nese po, cfar koicidence  emertimi: "konkursi austriak i drames"

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).