Drejtori i degës së Tatimeve dhe Taksave në rrethin e Fierit, Agim Isufaj, u shkarkua nga detyra dje, pasi u pa se të ardhurat e buxhetit të shtetit në këtë zonë qenë shumë më të ulëta nga sa shpresohej. Një urdhër i firmosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri që Isufaj të dorëzojë çelësat. Ai është drejtori i gjashtë që shkarkohet nga detyra në këtë qytet në më pak se tetë muaj. Për shkak të industrisë së naftës, si dhe aktiviteteve të shumta tregtare, Fieri është një nga zonat më të rëndësishme për të ardhurat tatimore në vend.

Motivacioni i shkarkimit të drejtorit Agim Isufaj, nga burime të sigurta brenda degës së Tatimeve, mësohet se ka qenë pikërisht mosrealizimi i treguesve financiarë. Agim Isufaj drejtoi degën tatimore të Fierit për tre muaj. Ai është emëruar si drejtor menjëherë pas shkarkimit dhe arrestimit të ish-drejtoreshës Nevila Bani për disa vepra penale si falsifikimin, vjedhje etj.

Gjatë gjithë daljeve publike të tij, Agim Isufaj ka pranuar se treguesit e mbledhjes së taksave dhe detyrimeve tatimore kanë qenë të ulëta edhe si shkak i krizës financiare që ka prekur ekonominë botërore, reflektuar kjo edhe në ekonominë e vendit. Po ashtu, ai ka pranuar se borxhet e mëdha ndaj degës së Tatimeve janë shkaktuar si pasojë e shmangies së detyrimeve nga ana e institucioneve shtetërore. Për këto të fundit, Isufaj ka aplikuar edhe masat shtrënguese, duke u bllokuar numrat e llogarisë e duke i paralizuar në lëvizjet financiare. Duket se mosgjetja e një konsensusi me institucionet shtetërore lidhur me debitë e mbartura, si dhe publikimi i borxheve të tyre ka shkaktuar edhe “valën e zemërimit” që ka pasuar me shkarkimin e drejtorit Agim Isufaj. Por urdhri i shkarkimit është shoqëruar me emërimin e drejtorit të radhës. Ai është Albert Malaj. Prej shumë kohësh drejtues i disa bankave të nivelit të dytë që operojnë në Fier, Malaj ka marrë emërimin e drejtorit të Tatimeve. Pas emërimit Malaj është shprehur se do të përmbushë pikërisht objektivat e përcaktuara nga drejtoria e përgjithshme lidhur me vjeljen e të ardhurave tatimore, si dhe do të krijojë një frymë partneriteti mes biznesit dhe degës së Tatimeve Fier.

Administrate e Tatimeve Fier është shokuar nga të gjitha lëvizjet e ndodhura gjatë tetë muajve të fundit, aq më shumë dhe nga ajo e një dite me parë. Mjaft punonjës së administratës së Tatimeve janë shprehur për gazetën “Shqip” se që nga mesi i vitit 2009 e deri më tani kanë pasur presion nga drejtuesit e njëpasnjëshëm që kanë ndërruar.

4 Komente

Mire e bojn qe i ndrrojn, t'gjithe duhet t'bojn lek.

Dembelet dhe hajdutet nuk kane vend n'qeverine Berisha!

 O Mat i Ri qe e sheh Shqiperine nga Anglia me gajase se qeshuri smiley Mos e humb rastin por ajde shpejt ne parajsen qe ka gatitur qiviria Birisha, pa korrupsion pa vjedhje..pa asgje ne fakt.

 

nga ca miq degjova se para dy javesh ai esht emeru drejtor i i western union per degen fier

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).