Idete i kemi si syzet
Woody Allen

Që në fillim e them se jam për fuqizimin e opozitës, jo për dobësimin e saj. Opozita është mrekullia e pluralizmit politik, e mohuar dhe e asgjësuar në sistemet totalitare. Kriticizmi i opozitës është jo vetëm katarsis, shpresë, por dhe pllenimi i të gjitha zhvillimeve të reja.

Opozita nuk është instrument, është konceptualitet. Për shkak të qarkullimit të pushteteve atributi dhe statusi i opozitës lëviz, madje konvertohet. Çdo opozitë vjen në pushtet, pra e humb atributin e mëparshëm, për t’u larguar nga pushteti, për ta rifituar përsëri këtë atribut. Karakteri instrumental i opozitës nuk është i vijueshëm, ndërpritet, për të rifituar përsëri statusin kriticist. Kjo përkohshmëri ka rregullsi kushtetuese.

Prandaj e theksoj edhe njëherë se opozita nuk është instrument, por konceptualitet. Opozita shqiptare është në kërkimin e vetvetes. Për shumë arsye. Institucionalizmi i saj është më i rëndësishëm sesa verbalizimi i saj. Hyrja e opozitës në Kuvend është një fillim, ndonëse i vonuar ky fillim është në të mirën e të gjithëve. Pra ka një potencial të brendshëm dhe të pafund. Është një modus operandi për të mos qenë modus moriendi. Pse? Mos është një mbivlerësim? Një misionarizëm? Opozita nuk bazohet te misionarizmi, por te kriticizmi. “Një qeverisje e keqe, - thotë Max Weber, - tregon se ka një opozitë të keqe”. Kjo është një logjikë. Një e vërtetë.

Opozita flet me të drejtë për krizën politike. Kriza në një kuptim filozofik është diçka e përhershme. Nuk duhet fetishizuar subjektiviteti politik i kujtdo qoftë. Kriza është substanca e zhvillimit. “Nuk ka histori normale”, ka shkruar dikur me zgjuarsi Pol Valeria, - paradoksi është formë e normalitetit të historisë”. Kriza është e përbotshme, por jo apokaliptike. Kriza në Shqipëri ka qenë dhe do të jetë. Për shkak të luftës politike tejet të skajshme, kriza objektive subjektivizohet marrëzisht. Më konkretisht, kriza politike në Shqipëri duhet të perceptohet drejt. Ajo është një krizë e vijuar për shkak të marrëzive të mëdha diletante, ose patriarkale ballkanike të klasës politike në të gjithë spektrin pa përjashtim. Kriza politike e tanishme e ka megjithatë një shpjegim. Shpjegimi do gjakftohtësi, por dhe ndershmëri. Konfliktualiteti midis PS dhe PD është bërë gati mitik, por në thelb nuk është mitik. Po artikuloj vështrimin tim personal, të pandikuar nga të tjerët. Zgjedhjet e 28 qershorit u konceptuan nga një marrëveshje e bujshme, plot probleme konceptuale midis PS dhe PD. E përsëris se në 28 qershor asnjë parti politike nuk i fitoi zgjedhjet. Edhe PS sikur të kishte fituar disa deputetë më tepër, përsëri nuk mund të quhej fitimtare. Aleanca qeverisëse e PD me LSI, nga pikëpamja formale juridike e arriti statusin kushtetues. Duhet të ishte e kundërta. Aleanca e PS me LSI u konceptua marrëzishëm, jo thjesht si dualitet, por si antagonizëm. Kriticizmi personal nuk ka asnjë vlerë në politikë. Virtytet dhe mëkatet e kryetarëve të partive ndikojnë, por nuk përcaktojnë substancën politike. Kontradiktat e vetvetes nuk janë me domosdo kontradiktat e të tjerëve dhe anasjelltas. Humbja e zgjedhjeve nga PS (PS i ka njohur juridiksht humbjen dhe mandatet e të gjithë deputetëve në Parlament) prodhoi një krizë te vetë PS. Kjo qe një vështirësi e madhe, një tendosje e tmerrshme. Mungoi gjakftohtësia që është parakusht e larpamësisë. U fatalizua humbja. Zgjedhja e bojkotit qe megjithatë një lëvizje politike, që çuditërisht u dogmatizua. Ndërkombëtarizimi i bojkotit u arrit. Si qytetar i këtij vendi nuk më pëlqen parabola, sipas së cilës kur zihet burri dhe gruaja kërkohet ndihma e komshiut për t’i pajtuar. Kjo tregon nivelin e ulët dhe të papërgjegjshëm të klasës politike shqiptare, madje një kompleks të kotë. Por si qe ndërkombëtarizimi i bojkotit? Si aprovim apo si detyrim? Unë nuk di asnjë nga ndërkombëtarët ta ketë pohuar bojkotin. Të gjithë argumentuan institucionalizimin parlamentar.

Bojkoti e kërkon një kauzë. Por a ishte hapja e kutive një kauzë? A është shëmbëlltyra e fshatit Ruzhdie (e tmerrshme!) ideja më e patjetërsueshme e bojkotit? Standardet e zgjedhjeve në Shqipëri kanë qenë problematike, kam frikë se kjo problematikë do të vazhdojë, por duke u zbehur përfundimisht. Por çfarë janë standardet? Janë një e drejtë politike kushtetuese e përcaktuar nga mekanika asnjanëse e numërimit real të votave. Kjo gjë nuk arrihet me komisionerët partiakë. Nëse komisionerët e PD i mashtruan ose i blenë komisionerët e PS, atëherë mund të themi se teorikisht ekzistonte dhe mundësia që komisionerët e PS të mashtronin dhe të blinin komisionerët e PD. Që ka një pisllëk të neveritshëm në këtë çështje kjo nuk ka asnjë dyshim. Që këmbëngulja e PS për standardet është një e drejtë e të gjithëve, as kjo nuk ka asnjë dyshim. Po a janë standardet gjithçka? Standarde të numërimit nuk ka vetëm në politikë, por ka në shumë fusha të jetës. Standardet e numërimit kanë një karakter formal të padiskutueshëm. Por këto standarde nuk konceptualizojnë politikën. Kjo është një çështje e diskutuar mrekullisht nga Karl Poper. Poperi i sjell dy shembuj kuptimplotë në argumentet e tij. Me votim të pamanipuluar Aeropagu e dënoi me vdekje Sokratin. Vendimi i quajtur demokratik qe fatal. Po kështu me votime të rregullta, numerikisht të pakontestuara erdhi në fuqi Hitleri. Pra standardet e drejta nuk i shmangin dot gabimet konceptuale.
Atëherë, pas formës, le t’i përkushtohemi përmbajtjes. Politika e opozitës ka një karakter më universal. Asnjëherë opozita shqiptare nuk ka pasur 64 deputetë. Deputeti quhet i tillë nga parimi kontraktual kushtetues dhe jo nga vetitë e tij intelektuale. Formalisht me hyrjen e deputetëve të PS në Kuvend, pas betimit të tyre, ata nuk duhet të konceptohen thjesht si potencialë apo në gjendjen paraprake para betimit. Opozita nuk rri në paradhomë.

Nëse opozita kërkon t’i përdorë të gjitha mjetet demokratike duke përfshirë edhe protestat, unë kam të drejtë të pyes: Ç’të keqe ka nëse deputetët e PS do të luftojnë fuqishëm në Kuvend dhe njëkohësisht PS të organizojë protesta sensibilizuese? Pse veçohen dhe ndahen këto dy elementë? Kush e ka konceptuar këtë ndarje në dysh të fuqisë dhe të veprimit të opozitës? Çfarë bindje mund të quhet justifikuese? Si mundet që legjitimiteti i zgjedhjeve i njohur publikisht nga PS (përherë është deklaruar se e njohim rezultatin), me anë të bojkotit të stërzgjatur të minojë më tepër legjitimitetin e të vetëve? Ekletizmi i opozitës duhet shndërruar në konceptualitet. Është e vetmja rrugë që ka mbetur. Shpëtimtare. Rigjeneruese. Emancipuese. Nuk mundet një frazë e bujshme si “Hapni kutitë” (në fakt, artikulimi logjik do të ishte “T’i Hapim kutitë”, duke mos e koncentruar vetëm te PD, sepse është pa kuptim) të limitojë tërë vizionin e kriticizmit politik të PS. Parimi i rrugës, i protestave duhet kuptuar qartë, pa asnjë simplifikim. Kritika e rrugës, e mediave dhe e shoqërisë civile në Shqipëri është e dobët. Doni prova? Askush nuk proteston për ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike, ose të ushqimeve, as për përmbytjet etj. Këto janë çështje më ekzistenciale dhe më të mëdha sesa çdo fitore politike në zgjedhje. Nëse besohet se procesi i kimisë politike, i shtjellimit të degraduar të ngjarjeve në vetvete është dhe zgjidhja alkimike për të ardhur në pushtet, nuk mendoj se kjo do të ishte rruga e politikës si konceptualitet. Varfëria e ideve të opozitës është shqetësuese.

Protestat e rrugës kanë megjithatë një karakter konvencional. Është provuar në histori se dhe lëvizja studenteske e vitit 1967 në Francë, edhe lëvizja çeguevariste, nuk kanë qenë të suksesshme jashtë institucioneve të politikës. Eksperimentizmi i vonuar nuk i hyn në punë askujt. Opozita shqiptare ka nevojë për ide të fuqishme. Ajo ka nevojë për të forcuar homogjenitetin e saj. Deputetët “rebelë” të LMN nuk janë një parti më vete dhe as duhet të jenë një e tillë, pra PS dhe LMN janë e njëjta parti. Pse harrohet kjo? Pse nga kreu i PS nuk luftohet për homogjenitet? Pse deputetët e LMN të PS nuk kanë asnjë ide konstruktive për homogjentitetin e opozitës? Pse aleancat e opozitës ndërtohen me emra fiktivë? Pse politikanët dhe deputetët e PS nuk luftojnë për rigjetjen e identitetit politik të PS?
Thelbi i krizës politike në Shqipëri është qeverisja problematike. Përtej këtij thelbi të gjitha gjërat e tjera janë të dorës së dytë, ose stolisje të stilit barok, ornamental. Opozita duhet t’i largohet luftës së fjalëve që janë katandisur thjesht në shenja verbale, që automatikisht shkaktojnë marrëdhënie urrejtje dhe dashurie.

Për luftëtarin e fjalëve, fjalët janë armët-fjalë, jo idetë. Lufta e ideve mund të artikulohet me pak fjalë. Shumë fjalë shpesh nuk kanë asnjë ide. Opozita duhet fuqizuar dhe do të fuqizohet. Askush nuk mund ta pengojë opozitën që të luajë funksionin e saj publik dhe kushtetues. Por opozita fillon nga idetë e drejta. Opozita është gjithmonë programore. Opozita mediatike është një pjesë shumë e vogël e opozitës programore. Lufta e fjalëve është më shpesh emotive. Lufta programore është qartësi e pashlyeshme. Te çdo parti duhet një nivel i lartë intelektualiteti. Do mendim të kualifikuar politik. Nuk do spontanitet emocional. As inate të ndrydhura. As mesianizëm. Te çdo parti unitarizmi i Njëshit krijon mistikë, pasiguri, klonim, sterilitet. Partitë politike janë institucione të pashmangshme kombëtare. Janë legjitime përfundimisht. Në këtë optikë lufta politike nuk është as shkatërrim, as katastrofë, por është korrigjim, rikonstruktim dhe partneritet dhe shpesh konsensus për projektin e së ardhmes demokratike të Shqipërisë dhe të identitetit të saj dinjitoz në botën globale.
Fillimi i opozitës, asnjëherë nuk është i vonuar.

Çdo vonesë kronologjike nuk është fatale. Vonesat konceptuale, të ideve të mëdha dhe të vërteta janë ato që na vonojnë, na trishtojnë dhe na sfilisin me kosto të rënda, por krejt të panevojshme.

10 Komente

"Opozita nuk është instrument, është konceptualitet." ???

çka don me thanë konceptualitet? çka don me thane fjalia?

fh, dy paragrafet qe pasojne citatin, po dhe gjithe shkrimi, besoj e shpreh shume qarte cfare kupton Moikomi me konceptualitet, gjithmone duke pasur parasysh kontekstin aktual te opozites, dmth mjafton te mendosh ca kupton me 'opozite' si koncept dhe ca po ben opozita aktuale, qe te dalesh aty tek shprehja qe citon.

Pra opozita thote ai (sic e kuptoj une) nuk eshte vegel per te arritur nje qellim apriori te njerit ose disave si pakice, nuk eshte leve qe duhet ta fus n'myth nje njeri per tu ngritur ku do vete, por ka funksionet e saj paresore si e tille, si entitet i tille dhe element i domosdoshem i demokracise, pra berjen e opozites, c'ka eshte e vetmja gje qe s'behet nga opozita jone ketu e 6-7 muaj (eshte bere vetem 1 ore gjate kesaj kohe).

Pavaresisht se sa e shprehen apo jo, nuk besoj se ka njeri qe ka ndjekur politiken e 7 muajve te fundit qe te mos e kete plotesisht te qarte qe opozita ne Shqiperi eshte hijack-ur, eshte marre peng, nga Rama, fiks si nje terrorist merr peng nje avion dhe kercenon te beje kete dhe ate  nese s'i plotesohen kerkesat e tij, pa llogaritur aspak koston e atyre te marre peng apo te shume te tjereve poshte avionit.

Kete besoj thote dhe Moikomi, qe kjo opozite ka kohe qe jo vetem neglizhon, po ja ka hequr fare fillin rolit te te berit opozite, ose sic kane thene shume analiste te tjere, eshte kthyer ne nje OJQ, nje Mjaft reloaded.

Se sic thote dhe me poshte, keta fare mire mund te ndiqnin dhe linjen radikale me protesta ne rruge, dhe pjesmarrjen dhe berjen e opozites fuqishem ne parlament, nuk kane pse zgjedhin vetem rrugen, aq me teper kur kjo e fundit eshte fakultative (dhe ekstreme) kurse parlamenti dhe opozite-berja eshte funksioni i tyre, arsyeja perse i votoi populli, se nuk i votoi qe te bejne deklarata nga selia e PS.

 

Treguesi me i mire qe kjo opozite la ik per lesh dhe ka shume kohe qe luan jashte vijave te fushes eshte qendrimi i nderkombetareve, te cilet padyshim deri para zgjedhjeve kishin me shume arsye per te qene skeptike dhe te ftohte ndaj Berishes sesa ndaj Rames, per vete historine e Berishes.

Me kujtohet qe kam lexuar diku (s'e mbaj mend ku qe te sjell link/reference) per nje source te Klintonit  qe thoshte per Berishen dhe Klintonin, mardheniet e Berishes me Ameriken para dhe gjate trazirave te '97. Klinton i kishte thene dicka tip 'nuk eshte puna se ne perkrahim Berishen, puna eshte se s'kemi alternative tjeter ne Shqiperi'. Fliste dhe per nje sere presionesh qe i kishin bere atehere nderkombetaret Berishes, dhe se si ky ja dridhte dhe bente po ca deshte vete duke i injoruar totalisht.

E kam fjalen Berisha, pavaresisht moderimeve pas 2005-es, eshte delja e zeze per nderkombetaret. Fakti qe ata dolen kaq hapur dhe kaq direkt, e specifikisht me rekomandime 'lopka', kunder Rames (rrjedhimisht pro Berishes, pasi c'ka ofruan ata Berisha e kishte ofruar me kohe, dhe ata padyshim jane koshient qe perceptohen si te tille tani, i.e. lexo Andrea Stefanet e mediave shqiptare) tregon se sa jashte vijave te fushes po luan ky palla, qe sot mbasi e prishi bojkotin dhe i zhgenjeu dhe ata pleqte qe i solli nga rrethet e i la te flene mbi buke peshku tre net jashte, sot pra mundohet te ktheje presionin e nderkombetareve ne fitore te bojkotit, medemek ja i sollem. Njesoj si te thote nje i burgosur qe kur ben sherr vjen gardiani dhe ja ben hunden gjak, kjo ishte fitore se e solla gardianin. lol

Xhibo, jamm (xhemi) i mjesit - featuring MZ smiley

 

Konform mendimit tim>>

Jam antikonformist>>

2 x njëlloj = 2lloj>>

dhe kshu qerthulloj>>

në konceptualitet>>

I veshur si lypës, jam mbret>>

I kontra(re)ceptivit>>

Me unitarizmin i 1shit>>

Kthesë antropologjike>>

Vonesë kronologjike>>

Dekika të më2shme>>

Për qartësi të pashlyeshme>>

Sedra ime është revoltë lokale>>

Identiteti dinjitoz në botën globale>>

Jam Zot i vetes, kjo është bindje fetare>>

Partite jane institucione te pashmangshme kombetare>>

Karakteri instrumental i opozitës nuk është i vijueshëm,

ndërpritet, për të rifituar përsëri statusin kriticist. Atribut i instrumentit,>>

Instrumentimi, besimi se verbimi>>

Nuk vjen prej lëshimi.>>

Lëmimi, ai që vjen prej tundimi>>

Instrumentisti është pronë paragjykimi>>

Dhe reflektimi, pse jo përçmimi>>

Sa është çmimi?>>

Kriza është e përbotshme, por jo apokaliptike.>>

Kriza në Shqipëri ka qenë dhe do të jetë.>>

Apoliptike.>>

Epike>>

Si thurja për trike>>

Dy shtiza për 500.000 gojë>>

Që mbyllen kur leshi të mbarojë>>

Dhe hapen kur shkepja fillon prej fillimi>>

Megjithë kundërshtitë >>

që sjell institucionalizimi>>

objeksionin për subjektivizmin>>

e objektivitetit, deformimin pasionant të realitetit>>

I veshur si lypës me zakonet e mbretit>>

Një mbret i ri zgjohet çdo mëngjes>>

Por të gjithë mbretërit kanë të njëjtin ves>>

I zgjedhin fjalët me po aq kujdes>>

Sa zgjedhin gratë, nga këmbët në mes>>

Dhe mbajnë vetëm ato fjalë>>

Që u falin djalë>>

Pra trashëgimi, njëfarë përkushtimi>>

Ose perceptimi me një krah qarkullimi>>

Çështja në fjalë është kontestimi>>

Homogjenizimi dhe fokusimi>>

Nga goja e aktorit tek ushqimi>>

Sa kushton xhirimi / sa do nxjerrë filmi>>

Pa filmin a ka jeta najfarë kuptimi>>

A i bën njerëzit më të mirë përdëllimi>>

Cili është morali, cili është skandali>>

Firoi përfitimi>>

Ç’ne kjo koinçidencë, par excellence>>

Intense incense of pretense>>

Makes it all sense, hints we drop>>

Chocolaty eloquence>>

The robo-dance>>

Re-place thy grace in evindence>>

At your expense>>

Gratify the graphic gravity>>

Of long impatient lines of desiny>>

That move slowly, slower than death>>

that takes 100 years to get here>>

Although all-along is known to be near>>

Leshpunuese, kushtetuese>>

Fol qartë and clear>>

Me hir a pahir>>

Kjo është rruga më e mirë>>

Për ta futë çelësin n’birë>>

Për ta hapë një derë>>

Për të dalë ku s’mban erë.>>

Dhe rruga pret mashtruese>>

Emancipuese, rigjeneruese.>>

(Që ka një pisllëk të tate>lace>nevlace>tate>eritshëm kjo çështje>>

kjo s’ka asnjë dyshim!)>>

 

Moikomi, mesa e kemi lexuar ketu tek Peshku, shkruan  bindeshem dhe me vend. PS ka shum intelektual, dhe habitem se si ne kongresin qe kaloi, nuk konkuroi asnje nga keta intelektualet.

"....Kritika e rrugës, e mediave dhe e shoqërisë civile në Shqipëri është e dobët. Doni prova? Askush nuk proteston për ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike, ose të ushqimeve, as për përmbytjet etj. Këto janë çështje më ekzistenciale dhe më të mëdha sesa çdo fitore politike në zgjedhje. Nëse besohet se procesi i kimisë politike, i shtjellimit të degraduar të ngjarjeve në vetvete është dhe zgjidhja alkimike për të ardhur në pushtet, nuk mendoj se kjo do të ishte rruga e politikës si konceptualitet. Varfëria e ideve të opozitës është shqetësuese..."  

 Ku jeton o Pjer??? Kujton se konkurohet kaq lehte ne partite shqiptare. Po ne ate kongres as delegatet me dokumenta nuk u lejuan te futeshin ne salle, ti thua te vinin te tjere te konkurronin????

Për luftëtarin e fjalëve, fjalët janë armët-fjalë, jo idetë. Lufta e ideve mund të artikulohet me pak fjalë. Shumë fjalë shpesh nuk kanë asnjë ide.

 

Jo vetem si thenie dite por postulat per peshqit qe duan te luftojne ne kete Blog te nderuar .

Por perle mbi perla eshte sikur kete citat ta vene tek nje Blog llafollogesh si " Peizazhet e fjales" .

Sidomos me kete te fundit te lind e drejta te nxjerresh perfundim se M.Z e lexoka ppu , ndryshe nuk ka si ta portretizoje Xhibin kaq sakte smiley

Apoliptike.

Epike

Si thurja për trike

Leshpunuese, kushtetuese

Emancipuese, rigjeneruese.

Po te perfytyroja si rap-sat duke e kenduar kete kengen, nje dore ne k0qe dhe nje dore duke i ra gjoksit, me kapele me strehe mbrapc and all that smiley

fh, kur te kesh kohe na bej ndonje bejte per bomben e Ruzhdijes pliz smiley

In the meantime, ja dhe nje artikell nga Eni Vasili qe eshte ne te njejten vale-length me ate te Zeqos, bile duket sikur e ka lexuar ate artikell dhe ka cuar me tutje nocionin ne nje aspekt. smiley

 

Edi Rama & shantazhpolitika

Eni Vasili

Që nga 28 qershori, dita kur Partia Socialiste dhe aleatët humbën në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, gjuha e shantazhit politik dhe kushteve ka zbritur në mikrofonat dhe megafonat e së majtës.
“Dua të shoh votën time”.
“Partia socialiste nuk ka humbur, por nuk ka fituar”.
“Partia Socialiste nuk ka bojkotuar, por ka marrëdhënie me kushte me Parlamentin”.
“Partia socialiste kthehet në Parlament jo për të ndenjur, por as për të ikur”.
“Hap kutitë ose largohu”.
Këto janë disa nga retorikat qëllimisht ambigue dhe shumëkuptimëshe, të cilat kanë shoqëruar ditët politike që nga 28 qershori dhe ikje-ardhjet e opozitës nga sheshi i protestave në takimet sqaruese me gazetarët reporterë në të gjithë vendin.
Prej gjashtë muajsh, opozita shantazhon politikisht mazhorancën me bojkotin e saj parlamentar për një çështje që më në fund iu desh ta pranojë se zgjidhja nuk mund të jetë ekstra parlamentare dhe as të vijë në Shqipëri me një çantë diplomatike nga Strasburgu apo Brukseli.
Me futjen e saj në Kuvend, opozita pranoi me krenari se këta gjashtë muaj bojkoti ishin një shantazh politik eficent që i shërbyen për ta ndërkombëtarizuar çështjen, për ta rivënë Shqipërinë jo vetëm në axhenda krizash, por edhe në delegacione europarlamentarësh.
Pak ditë më parë, kur delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Strasburgut mbërriti në Tiranë, opozita u shpall nga shumëkush si fituese morale, vetëm për shkak të kësaj vëmendjeje ndërkombëtare. Aq sa nuk kuptohej më nëse qëllimi i betejës opozitare ishte ky apo hapja e kutive, gjë për të cilën të 10-ët as nuk u prononcuan.
Por tashmë opozita ka vënë në tavolinat e të zgjedhurve të djathtë një kusht të ri pa iu larguar shantazhit të vjetër.
“Miratoni nismat tona ligjore përndryshe protesta dhe bojkoti vazhdon”, kjo në pak fjalë ajo që opozita thotë sot.
Me dorëzimin e këtyre iniciativave pranë Kuvendit të Shqipërisë nuk ka ndryshuar shumë. Shantazhi i opozitës nuk është më vetëm politik, por edhe ligjor.
Pa hyrë në analiza të thella juridike që do meritonin një forum ekspertësh, ajo që vlen të nënvizohet është se të paktën që nga shtatori kur kushti i hapjes së kutive u bë lajtmotivi i betejës opozitare, asnjë përfaqësues i opozitës nuk pranoi kurrë se hapja e kutive ka ndonjë pengesë ligjore apo kushtetuese.
Përkundrazi, çdo herë që mazhoranca foli për të tilla pengesa në kërkesat e opozitës si: verdikte gjykatash, Kod Zgjedhor dhe vendime të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesit e opozitës në kor thanë se asgjë nuk e pengon transparencën e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive.
Ndodh që një nga nismat ligjore që opozita paraqet në Kuvend ka të bëjë me “disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 8891, dt. 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.
Në këtë projektligj parashikohet ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar për hetimin e zgjedhjeve, i cili të ketë juridiksion të plotë për hetimin që nga fletët e votimit deri te rekomandimi i çështjes në prokurori.
Por pyetja është:
Nëse deri më sot, sipas opozitës asgjë nuk e ka penguar ngritjen e një komisioni parlamentar të hetimit të zgjedhjeve për hapjen e kutive, çfarë nevoje ka për një ligj të tillë?
Nëse asgjë nuk e pengon sot hapjen e kutive pse do ta pengojë nesër?
Dorëzimi i një projektligji të tillë është përgënjeshtrimi që opozita po i bën vetvetes në shumë muaj, ku deklaron se nuk ka asgjë që e pengon hapjen e kutive.
Nëse abstragojmë mund të themi se në situata të ngjashme mund të ndodhemi sa herë që opozita të jetë në hall. Pra, për një shantazh politik të krijojë edhe një shantazh ligjor e anasjelltas.
Të njëjtën lojë një opozitë (kushdo qoftë ajo) mund t’ia bëjë kurdoherë një mazhorance (kushdo qoftë ajo) për situata nga më të ndryshmet.
Nëse opozitës nesër nuk i pëlqen p.sh. ligji për buxhetin, nëse paratë e Ministrisë së Kulturës apo për Bashkinë e Tiranës i duken se nuk mjaftojnë, ajo bojkoton për një arsye që e kthen në kauzë. Parashtron ndryshime për një ligj të posaçëm dhe kushtëzon mazhorancën nëpërmjet bojkotit si shantazh politik ta votojë.
Problemi është që demokracitë parlamentare nuk funksionojnë as me kushte as me shantazhe. Në demokraci mazhoranca qeveris, është ajo që miraton ligjet dhe buxhetin, bashkëpunon me opozitën në më të mirën e rasteve, por nuk mund të jetë viktimë e saj, pasi numrat në Kuvend nuk ia lejojnë.
Shantazhi është një nga mjetet politike që për Edi Ramën nuk është asgjë e re. Precedenti i zgjedhjeve lokale të 2007–s, ku lideri socialist kërcënoi me bojkot, flet vetë. Kauza e certifikatave që rrezikoi të çonte në dështimin e zgjedhjeve të atëhershme rezultoi të ishte një flluskë sapuni që nuk u verifikua aspak si problem, por që shërbeu vetëm për të ndërkombëtarizuar një krizë të re për Shqipërinë dhe për t’ia shtuar atë listës së shantazheve politike të Edi Ramës. Një shantazh që u zgjidh me amendime në kod, që asnjë komisioner socialist a demokrat nuk arriti as t’i lexonte, pasi koha për trajnimin me kodin e amenduar ishte shumë e paktë.
Por shantazhet nuk mbarojnë me kaq. Një skenar i ngjashëm po konturohet në perspektivë. Ai i mospjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Bojkoti është përvijuar tashmë si një model politikëbërjeje për liderin e socialistëve. Me një vizion përtej së majtës e së djathtës, opozita e sotme po rezulton të jetë edhe përtej institucioneve. As brenda, por edhe as jashtë tyre ose edhe brenda, edhe jashtë.
Dhe nëse ky shantazh i ri politik për zgjedhjet e 2011-s do të vërtetohet, mund të themi pa frikë që Edi Rama po themelon një shkollë të re në shkencat e politikës. Atë të shantazhpolitikës.

Gazeta Shqip

 Eni Vasili mos eshte gruaja e Ministrit te Shendetsise Petrit Vasili?? 

Dmth argumentat e artikullit te saj qendrojne ose jo ne varesi te gruaja e kujt eshte? smiley

S'e di, ja te vije grupi qe mbulon biografine e komentatoreve te shtypit dhe te na thote gruaja e kujt eshte kjo, ose nqs eshte beqare me ke ka ndermend te martohet, qe te dime si te vleresojme argumentat qe paraqit ajo.

Kauzë është fitorja, jo justifikimi i humbjes

Eva Allushi*

Disa optimistë që kujtojnë  se e gjetën kauzën, duhet t’ia vënë veshin ndonjë argumenti tjetër.  Argumenti nuk ndihmon të gjithë ata, që me paditurinë normale rreth zgjedhjeve në Shqipëri, sa kohë që nuk kanë qenë pjesë reale e tyre, merren me “të përkëdhelurit” e PS, që gjithsesi ca zgjedhje i kanë drejtuar e organizuar, si pjesëtarë të shtëpisë që janë, dhe harrojnë “miqtë”, që nuk kanë haber ku është kuzhina e jo më të gatuajnë gjellën. Në Shqipëri askush nuk ka nevojë të gjejë Ruzhdien, për të treguar se zgjedhjet mbeten problematike dhe të deformuara. Madje çuditërisht e majta vetëm në këto palë zgjedhje e ka pasur të pamundur të dokumentojë parregullsitë, sepse rregullisht ka ndodhur e kundërta dhe çdo mangësi është dokumentuar e plotë edhe para ndërkombëtarëve. Dhe këtu labirinthin absolutisht nuk e zgjidh duke akuzuar në mënyrën më të pandershme dhe të papërgjegjshme 20 mijë komisionerë, të cilët, kanë vite që janë në ballë të fushatave, shumë prej syresh siç, edhe kam përmendur herë të tjera, i kemi fituar. Sepse historia e PS nuk fillon dhe mbaron sot. Në këtë optikë, hapja e kutive, transparenca e plotë, do të ishte një katarsis, i cili edhe pse i nevojshëm, do të fitonte përmasa të paparashikueshme. Ky përfundim ndillet edhe nga deklaratat djathtas, apo majtas, të të gjithë atyre që thanë se ishin vjedhur, pavarësisht pamundësisë për të vërtetuar gjë, sa kohë që Kodi i miratuar bashkarisht nga “të mëdhenjtë”, përjashtoi çdo komisioner të vogël, dëshmitar të mundshëm të procesit. Ky moment më bën të dyshoj në vërtetësinë e luftës dhe në sinqeritetin e saj, apo në dëshirën për të parë se çka në kuti..
Pra, “Hap kutitë, ose largohu”, nuk është qëllimi vërtet fundor, por një mjet, i kthyer në strategji, sa kohë që socialistët nuk po janë ende në gjendje, të ndërtojnë paralelisht një ofertë të qartë, kësaj here reale ndaj shqiptarëve dhe të tregojnë edhe më qartë rrugën e vërtetë sesi mund të ndodhë ndryshimi dhe sesi socialistët mund ta realizojnë atë.
Në kushtet ku ndodhej Edi Rama, unë nuk mund t’i heq asnjë presje qëndrimit të tij personal ndaj situatës së papritur dhe të beftë që iu krijua të nesërmen e 28 qershorit, sa kohë që ai nuk gjeti forcën të shikonte brenda vetes dhe të përballonte të vërtetën e mundit që nuk u shpërblye nga gabimet.
Për shumëkënd, madje, nuk duhet rreshtuar asnjë argument kundër, sa kohë që socialistët e bënë të tyre axhendën personale të kryetarit, pavarësisht kostove, që mund t’iu duhet të paguajnë nesër. Përpos kësaj, unë ndaj qëndrim të ndryshëm ndaj mënyrës sesi lidershipi i PS po mundohet të kapërcejë krizën brenda vetes dhe të fuqizojë krizën jashtë, duke i bartur të majtës në mënyrë krejt të panevojshme përgjegjësi, krahas përgjegjësive që duhet të mbajë kjo Qeveri si autore e vërtetë e krizës reale të shqiptarëve në çdo aspekt e mbi të gjitha në atë ekonomik. Prandaj, ka ardhur koha që po, të merremi me Ruzhdien, dhe me gjithkund ku së shpejti votohet për të zgjedhurit lokalë, sepse ndërkohë historia vazhdon, ajo nuk mund të ndalë ditën kur PS humbi. 
Në të kundërt Partia Socialistë dhe e ardhmja e saj po mbetet peng i lojës që maxhoranca po e drejton, çka nuk premton asgjë të mirë, për armatën e socialistëve, të majtën në përgjithësi, po mbi të gjitha për vendin në radhë të parë. Nuk është koha që të bëjmë një lojë naïve me argumente të tipit: Nuk ecën ky vend se vidhet vota.
Jo. Pyetja që duhet bërë është: Pse vidhet vota?
Përgjigjen e thjeshtë e dinë të gjithë.
Vota vidhet sot, për të fituar një mandat qeverisës, i cili shërben në çdo ditë të tij për të vjedhur pasurinë e shqiptarëve dhe të këtij vendi, hajdutëri që çdo hajdut qeveritar e bën qelepir, sa kohë që askush nuk akuzohet e dënohet. Prandaj cikli është i mbyllur. Dhe prandaj nuk ka progres raport, apo raport progres që nuk tërheq vëmendjen e “baballarëve” të këtij vendi mbi drejtësinë dhe nevojën urgjente të reformimit të plotë të saj.
Sa kohë që ky mbetet lajtmotivi i “të shërbyerit” në qeverisje, aq kohë, ku të munden, sa të munden, do të vjedhin vota. Po këtë askush nuk po e thotë me zë të fortë, sepse me ç’duket askujt nuk i intereson.
Për sa kohë që lufta për pushtet, është luftë për pasurim, dhe inspiron cilindo, kudondodhet, është naïve të kërkojmë zgjidhjen te kutitë, të cilat po u hapën, mund të largojnë nga skena më shumë sesa Sali Berishën.
Zgjidhja kërkohet në parime e rregulla të reja, të cilat nuk ndërtohen mbi bazën e porosive të veçanta, në një kuadër zgjedhor, ku asnjëherë nuk duhet të ngatërrosh shënjestër dhe të identifikosh armikun e gabuar, ndryshe pasojat mbeten të parikuperueshme. Zgjidhja kërkohet te një reformë e thellë në sistemin e drejtësisë dhe te lufta e pandërprerë ndaj gangrenës së korrupsionit, si frymëzimi, shkaku dhe pasoja pse ky vend po ecën me këto ritme. Dhe e majta, duhet të jetë garanti i kësaj lufte, e ndodhur në opozitë. Prandaj është koha për të hedhur një hap para, gjithmonë duke i sqaruar socialistët dhe duke i thënë të vërtetën rreth bojkotit, arsyeve të elaborimit të tij dhe ndaljes së bojkotit dhe logjikës që pasoi këtë akt.
Kauza nuk mund të mbetet si furtunë në gotë, e veçuar, pa forcë, e mbi të gjitha pa lënë gjurmë, përveç ëndrrës së rizgjuar te socialistët që më 29 qershor, për largimin e Berishës me zgjedhje të parakohshme, si fryt i një bojkoti, që u shfry, në skadencë të mandatit, pa korrur as edhe një fitore reale për të majtën, flas për fitore të prekshme, se ato morale, të majtës nuk i kanë munguar kurrë. 
Partia Socialiste nuk duhet të lejojë të përsëriten gabimet që  e çuan në humbje më 28 qershor, ndryshe humbja e lokaleve do të ishte e pashmangshme.

Gazeta Panorama

*Per ata qe jane te interesuar ne biografite para se te dine si te vleresojne argumentat e artikujve, kjo me duket ka qene deri vone kryeredaktore e Zerit te Popullit, kshu thote teta Google.

Me duket eshte frymezuar dhe kjo nga artikulli me siper i Moikom Zeqos, se kshu behen analizat ne shtypin tone, ndjekin topin e njeri-tjetrit, ping-boll.

 

Ylli Manjani ka disa keshilla per socialistet se si duhet te prononcohen ne media, duke filluar me "Jemi mire shume".

 

Kurse Pandeli Majko keto percarjet e  brendshme te PS i quan "gjimnastike". Hallall gjimnastika qe beni Majko, cka eshte pergjegjese per humbjen e zgjedhjeve nga juve ne 28 qershor dhe per ri-ardhjen ne pushtet te Berishes. Po u "stervitet" akoma kshu si e keni nisur, kushedi dhe sa vite do jete Berisha ne pushtet. Mbase duhet te ndjekin keto regjime gjimnastikash dhe ata qe shkruajne tek tema e dietave per dobesim.

Ka dhe nje te forte tjeter kur thote se caktimi jo i vetes (Majkos) po i Rucit ne krye te grupit parlamentar te PS "krijon një balancë dhe kohezion në grupin e deputetëve, mes deputetëve të rinj dhe atyre të vjetër në PS".

Te rinjte mire, po te vjetrit cilit jane? lol

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).