George Papakonstantinu, ministri grek i Financave, shumë i zënë me punë në këto kohë, e krahason përpjekjen për ta larguar.Greqinë nga katastrofa ekonomike me ndryshimin e kursit të Titanikut. Deri këtë javë dukej sikur vendi po ecte gabimisht drejt një ajsbergu. Dy paketa të masave shtrënguese nuk arritën të bindnin partnerët europianë të Greqisë apo tregjet financiare se plani për të reduktuar deficitin buxhetor këtë vit, nga 12.7 për qind e GDP-së në 8.7 për qind, do të funksiononte.
Kritikët në Bruksel thonë se qeveria socialiste greke i kishte varur të gjitha shpresat te premtimet për të reduktuar evazionin fiskal duke “rrjepur” të pasurit, më shumë sesa reduktimi i shpenzimeve, veçanërisht duke ulur pagesat e sektorit publik dhe pensionet. Në 3 mars, gjithsesi gjithçka ndryshoi. George Papandreu, kryeministri grek, më në fund mori masa vërtet drastike. Qeveria e tij njoftoi se do të rriste tatimin e vlerës së shtuar nga 19 në 21 për qind, do të vendoste taksa për naftën, duhanin dhe alkoolin dhe do të ngrinte pensionet, ndërsa do të reduktonte deri në masën 30 për qind shpërblimet e punonjësve të sektorit shtetëror për festa, si Krishtlindje apo Pashkë.
Kjo e fundit është e barabartë me heqjen e një rroge mujore për forcën e punës së sektorit publik grek prej 700.000 vetësh.
Papandreu i kishte neglizhuar thirrjet e mëparshme të Brukselit dhe Berlinit dhe më shumë duhej bërë në këtë drejtim.
Por, ai ndryshoi sjellje pas vërejtjeve të bëra nga Olli Rehn, komisioneri i ri i BE-së për ekonominë që vizitoi këtë javë Athinën.
Papandreu pretendon tani se Greqia ka marrë masa të dhimbshme, por të nevojshme për të kualifikuar e për të siguruar mbështetjen nga partnerët europianë, por pa sqaruar se në ç’formë do të merren ato.
Greqia ka dëshpërimisht nevojë për 20 miliardë euro në dy muajt në vazhdim për të përballuar borxhin. Nëse ajo arrin t’i sigurojë ato, më shumë se gjysma e huave të këtij viti prej 53 miliardë eurosh do të jenë mbuluar dhe presioni nga tregjet do të zbutet, thonë bankierët. Një mënyrë mund të jetë bindja e vendeve të eurozonës për të blerë bonot greke të thesarit, ndoshta duke dhënë garanci për investuesit e eurozonës.
“Ne duam të jemi të aftë të marrim hua me të njëjtat shkallë interesi ashtu si vendet e tjera të eurozonës”, - tha Papandreu, ndoshta duke u shfaqur më shumë optimist se ç’duhet, duke pasur parasysh deficitin e lartë buxhetor të Greqisë.
Nga ana tjetër, ashtu siç tha ai, Greqia nuk mund të vazhdojë me marrjen e huave pafundësisht në një nivel prej 350 pikësh mbi Gjermaninë. Përfitimet nga masat drastike mund të jenë të papërfillshme krahasuar me këtë borxh gjigant që ka vendi.
Vizitat e fundit të Papandreut në Berlin, Paris dhe Uashington mund të ndihmojnë Greqinë me çështjen e borxhit.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka shqyrtuar mundësinë e Gjermanisë për të ndihmuar Greqinë, edhe pse ajo nuk është shfaqur shumë e gatshme të flasë për ndihmën me Papandreun.
Gjermanët janë të shqetësuar ende lidhur me çështjen e rrezikut: një ndihmesë e madhe financiare do ta nxirrte nga telashet Greqinë, që për shumë vjet është treguar e papërgjegjshme me politikën fiskale dhe mund të jetë një precedent negativ për vendet e tjera të dobëta të eurozonës.
Gjykata Kushtetuese në Gjermani vendosi dy dekada më parë se traktati i Maastrichtit ishte i pranueshëm vetëm nëse klauzolat e tij kundër ndihmesave të shpëtimit do të respektoheshin, ndaj për këtë arsye çdo ndihmesë e tillë duhet shmangur për të mos pasur probleme ligjore.
Megjithatë, bankat gjermane besojnë se me një borxh kaq të madh në Greqi, edhe mbështetja nga taksapaguesit është e pashmangshme.
Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, duket më i gatshëm për të ndihmuar, por Greqia mund të vendoset nën preson për të blerë më shumë fregata franceze. Ky nuk është një pakt që do t’i pëlqente Papandreut, pasi Recep Tayyip Erdogan, kryeministri turk, sapo ka propozuar që dy fqinjet dikur rivale, të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët, me anë të së cilës të angazhohen për t’u dhënë fund shpenzimeve për mbrojtjen.
Për të shtrënguar duart me liderët e tjerë të eurozonës, Papandreu rrezikon t’i drejtohet për një hua të butë FMN-së. Kushtet nuk kanë gjasa të jenë më problematike sesa masat e fundit drastike, thonë zyrtarët grekë.
Por, edhe kjo mund të jetë më optimiste se ç’duhet. FMN mund t’i kërkojë Greqisë të largojë nga puna mijëra punonjës të sektorit publik dhe të reduktojë pensionet. Por, sidoqoftë, siç thotë edhe një zyrtar grek, “të paktën, me ndihmën e FMN-së nuk do të vrasim më mendjen se ku do t’i gjejmë paratë e borxhit”.
Sindikatat greke janë shumë të nevrikosura lidhur me shkurtimin e shpërblimeve, që vjen pas uljes së pagës me 4 për qind, gjë të cilën ata e gëlltitën. Protestat pritet të vazhdojnë.
Disa protesta nuk janë aspak popullore, për shembull shoferët protestuan sepse ishin të detyruar t’u jepnin pasagjerëve biletat. Ka më shumë mbështetje për pensionistët që po përballen me masën e dytë më të rëndë, pra ngrirjen e pensioneve të tyre dhe rritjen e taksave. Pensionistët papritur kaluan kordonin e sigurisë që bllokonte rrugën para zyrë së Papandreut, në kohën që ai po lajmëronte masat e reja. Ata do të protestojnë sërish, thonë sindikatat. “Nuk mund të mbyllësh muajin me 400 euro”, thonë një pensionist. Ekziston frika lidhur me afatin e vendosur nga Brukseli për zbatimin e planit të ri. Greqia duhet të plotësojë legjislacionin për taksat shumë shpejt dhe duhet të paraqesë propozime për të reformuar pensionet shtetërore, që tashmë marrin rreth 11 për qind të GDP-së. Një shkurtim nga detyra i burokratëve kompetentë e bën më të vështirë arritjen e synimeve. Nëse Greqia do të vazhdojë këtë kurs, Papakonstantinu dhe ekipi i tij duhet të punojnë me orë të zgjatura.

The Economist

3 Komente

Ky togfjalësh i çuditshëm te përkthimi, 

Disa protesta nuk janë aspak popullore, për shembull shoferët protestuan sepse ishin të detyruar t’u jepnin pasagjerëve biletat.

mungon te origjinali ( http://www.economist.com/world/europe/di... ), te i cili gjendet:

Some strikers are unpopular, for example the taxi drivers.

ku nuk flitet për pasagjerë, shoferë e bileta.

Një miell e një ujë, po jo gjithmonë:

to buy more expensive French frigates for its navy

thjeshtohet në:

për të blerë më shumë fregata franceze

ndërsa

To strengthen his hand with the rest of the euro zone,

gati humb kuptimin, kur përkthehet:

Për të shtrënguar duart me liderët e tjerë të eurozonës,

Origjinali flet për sindikata të zemëruara për arsye të parashikuara (Greek trade unions are predictably furious), përkthimi flet për "Sindikatat greke janë shumë të nevrikosura".

Sipas origjinalit Strikes will spread, në përkthim Protestat pritet të vazhdojnë.

Mungesa e teknokratëve të aftë (A shortage of competent bureaucrats makes it harder...)

shndërrohet në Një shkurtim nga detyra i burokratëve kompetentë në përkthim.

 

Ç'fat i hidhur për artikullin e The Economist-it...

Duke lexuar "jeshmen" (jshm), me erdhi ne koke nje ide :

Pse nuk krijohet nje reviste humoristike tip "Tallesit pa kufi", dhe te shkruajne per çdo jave "xhevahiret" e shtypit ? Vetem keto, asgje tjeter, kap artikullin, veri referencat : shkruar nga ky, date aq e kaq, dhe pastaj zbertheje keshtu vendçe qe t'i vijne mendte verdalle atij shkronjesit, botonjesit, dhe lexonjesve te shkronjesit.

Per pune ? Sa te duash. Nuk besoj se do te mbarohej materiali. Po ashtu, pastaj rrasjuni televizioneve, edhe aty nja ca vite te mira, pastaj rrasjuni librave te shkrimtereve, pastaj perkthenjesve te librave, pastaj... pastaj... erdhi koha e pensionit, futjani andej nga Thethi dhe jetoni me bageti e bujqesi.

ps : po e beri kush kete pune, me çoni ndonje fjale te vij e ta pi nje gote çampein, si thoni ?

Siç e kam thene djema, Greqia do ndimohet nga Europa, pavarsisht se kesaj te fundit i dhemb koka nga çeshtja Greke. Thanasis, ka per ta shternguar dhe nje vrime me brenda rripin e pantallonave. Asgje me shume. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).