Lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, mund të hidhet e të më thotë, me njëfarë të drejte, sigurisht, që titulli i mësipërm të kujton, dashur pa dashur, “Legjendën e misrit”, pra, atë prozë të shkurtër të Migjenit, e cila të trondit thellë me përshkrimin e dhimbjes së të varfërve në fillim të shekullit XX. Sepse të varfër ka edhe sot në atdheun tonë të dashur kapitalist të shekullit XXI, që, pa dyshim nuk vdesin urie, por jetojnë me lista ose me borxhe, pra, me privime të dhimbshme.
Legjenda e prasit ka disa javë që më ra ndër mend tek po bëja pazaret në tregun e vogël të Bërrakës sime modeste, mu në zemër të kryeqytetit shqiptar. Më bëri përshtypje çmimi i jashtëzakonshëm i tij: 170 lekë (të rinj, natyrisht) kilogrami; në fakt, duhet pranuar se po t’ia hiqje bishtat dhe të paktën një shtresë lëkure çdo prasi, kilogrami duhej t’i binte aty te 200 lekë (po aq të rinj, natyrisht). D.m.th. sa për tri bukë 60-lekëshe dhe dy minisimite 10-lekëshe (përsëri po aq të rinj, natyrisht). Pra, prasi, zarzavat krejt i rëndomtë, po kthehej, të paktën sipas mendimit tim gati vegjetarian, në diçka të shtrenjtë, pothuajse të shenjtë, pra, në njëfarë mënyrë, në shenjtor: Shën PRASI... O Zot, sa madhështore po më tingëllon kjo fjalë sot.
Befas, sesi m’u kujtua një shprehje frazeologjike, gati-gati proverbiale, me fjalën “pras”. Nxitova të hap e të rrëmoj në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, ku fjala “pras” më shpuri tek ajo “presh”. Përveç përkufizimit gjuhësor përshkrues si “perime e ngjashme me qepën..., që mbillet në kopshte e ara dhe përdoret për ushqim”, gjeta edhe një numër shprehjesh frazeologjike, si, për shembull “kap me presh në duar”, por mungonte, mjerisht, shprehja që kërkoja, “fluturoj me presh...”, në kuptimin “ushqehem me iluzione dhe marr superxhiro”. Çka më kujtoi që, dikur, në rrënojat e një ndërtese të vjetër jo larg shtëpisë sime, pata gjetur një dorëshkrim të kohës së diktaturës hoxhiste, me titullin “Farmak Fjalor” në të cilin prasi ose preshi përkufizohej edhe si mjet fluturimi që përdoret në raste shumë të veçanta.
Jam, pra, i detyruar të hulumtoj në këtë drejtim duke shtruar një sërë pyetjesh aktuale për politikanët tanë: Kush po fluturon me presh? Pse po fluturon me këtë lloj mjeti transporti ajror? Për ku po fluturon? Në ç’mënyrë po fluturon? Le të orvatemi t’u përgjigjemi me radhë, objektivitet e edukatë politiko-erotike këtyre katër pyetjeve jo pak intriguese:
1. Partia Socialiste e Shqipërisë, humbësja fatkeqe e zgjedhjeve të 28 qershorit të kaluar, duke bojkotuar punimet e Kuvendit, po bën çmos ta pengojë qeverinë Berisha 2 në përpjekjet e saj të mundimshme për ta çuar fluturimthi vendin drejt Bashkimit Evropian; për këtë qëllim, ajo ka rrëmbyer në stilin më të pastër leninist mjetin e fluturimit, pra, prasin apo preshin, dhe po rreket ta përdorë vetë këtë mjet për ta bërë realitet ëndrrën e saj politike.
2. Me gjasë, qëllimi afatshkurtër i kësaj Partie është imponimi i zgjedhjeve të parakohshme nëpërmjet praktikimit këmbëngulës deri në absurditet të bojkotit të punimeve të Kuvendit dhe të mobilizimit të “popullit opozitar” që ta mposhtë “popullin pozitar” (dasi kjo që të kujton deri diku luftën civile që pasoi Revolucionin e Madh Socialist të Tetorit në Rusi).
3. Pikëmbërritja përfundimtare e kësaj strategjie kriptoguerrilase është marrja e pushtetit me çdo kusht, çmim dhe sakrificë. Kjo strategji mbështetet gjithashtu te parimi makiavelik sipas të cilit “Qëllim justifikon mjetin”, pra, marrja e pushtetit justifikon përdorimin revolucionar të prasit apo preshit.
4. Së fundi, por jo më së paku, mënyra e fluturimit të Partisë Socialiste drejt pushtetit është mjaft origjinale: bëhet fjalë për atë që të fluturojë me pras ose presh në by...rek, meqenëse byreku me pras ose presh ka qenë historikisht një nga gatimet më të parapëlqyera, pavarësisht se nga e hanin, të disa diktatorëve në Ballkan, përfshirë edhe tonin, më të egrin mes tyre.
Në përfundim të kësaj përsiatjeje, mund të thuhet se ngritja e çmimit të prasit kohët e fundit jo vetëm në tregun e vogël të Bërrakës sime modeste në zemër të kryeqytetit shqiptar, por edhe në tërë Shqipërinë e Ballkanin, me pasoja të paparashikueshme në luhatjet e treguesve Dow Jones e Nas Daq në Bursat më të mëdha të rruzullit tokësor, tregon qartë arsyen përse kompanitë ndërkombëtare të fluturimeve ajrore po përballen pikërisht këto kohët e fundit me grevat e personeleve të tyre, të cilët druajnë se mos zëvendësimi i avionëve me pras ose presh do t’i hedhë ata në rrugë të madhe për të shtuar radhët e të papunëve.

7 Komente

Te gjithe ne opozite me Opoziten: gazatare, gaztore, shkrimtare, cikerrimtare, karikaturiste, karagjoze, analiste, analosindikaliste, vegjetariane, vegjetuesiane,profesore, profetzorre.

Skllever!!

Tupen e kam qejf, por keto  shkrimet e fundit, pervecse nje buzeqeshje me cep te buzes nuk me kane shkaktuar ndonje ndjesi tjeter.

ne nje shkrim te para disa koheve tentova te eksperimentoja nje dialog imagjinar me lexuesin... se fundmi shoh qe lexuesi e paska pervetesuar aq mire, sa tani ka filluar t'i drejtohet vetes

 

Fakti qe cmimi i prasit eshte rritur mbi 3 here tregon se sa rendesi i ka kushtuar se fundmi qeveria e Sali-ut kesaj perimeje dobi prurese, qe pervec cilesive ushqimore, ka dhe veti te tjera cudiberese - gjithmone sipas letrarit te varfer ne financa, por te pasur ne shpirt Edmond Tupe. E pra aq poshte i ka mberthyer kriza ekonomike njerzit, saqe per te bere te mundur blerjen e prasit duhet te shkruajne (kundrejt nje pagese te majme) patjeter dicka kunder opozites. A thua se opozita eshte pergjegjese per cmimin ne rritje stratosfere te prasit, por jo vetem te tij.

O Edmond, me jep adresen e sakte te te fus poshte derres nje zarf me pak leke (se edhe une nuk kam shume), ne menyre qe te te mbroj sadopak nga kjo e keqe qe te ka gjet.

Nese do qe ti japim fund kesaj mizerrje dhe te ulim cmimin e prasit, hajde te dalim ne rruge dhe te rezojme qeverine jolegjitime per te miren e te gjitheve, pasi jo te gjithe e kane mundesine te shkruajne dhe te paguhen per legjenden e prasit. Apo me mire te zhdukim opoziten dhe te jetojme si ne kohe te Enverit? Mbase ke te drejte edhe ky eshte nje version i tipit leninist. Hajt te na rroje Lenini dhe prasi bashke!

Po kilja e prasit/preshit, edhe ketu ne Europe luhatet nga 0,89 deri 1,39 per kile.  ç'a ka bo vaki aty, apo vendim i qeverise per me shume diete.  

Osht pras politik ky i Tupes o zotnia Pjer , nuk osht nga ai prasi i vertete qe e perdorte Tupja per gjelle ne kohen qe Brraka ishte Brake.

Tani jane modernizu gjojnat . Prasin po dun me e ja ngec ne dere per gjelle shumperdorinshe  edhe qytetareve  te thjeshte , dhe !

....kur s'dune , kane Tupen qe e ka kuptu shkakun perse nuk e dune

Sala ka rrite cmimin e PRASIT . Prova e pare , zbulimi i cmimit nga Tupja ne treg ! Por te le te nenkuptosh edhe per blerjen e tij dhe sprovat qe ka bere per ta perdorur ne favor te perfundimeve te POZITES .

Bravo Mondi.

Shpjegim me shkencor se pse eshte rritur cmimi prasit nuk ka.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).