Me lirinë absolute të veprimit, kryetarët pasi iu hynë në “hak” anëtarëve të tyre duke iu ndrydhur konkurrencën e ndershme, nën motot makiaveliste se të të kenë frikë është më e sigurt se sa të të duan dhe se fshehtësia është më rracionale se transparenca, pasi kjo e fundit mund ta rebelonte turmën. Dhe pasi iu kontrollojnë mendjet me propagandën televizive qytetarëve si në ditët më të ndritura të komunizmit, i diskriminojnë ata edhe më rëndë duke i trajtuar si të njerkës, pasi të nënës kanë bizneset. Në fakt, një efekt tjetër negativ që ka gjeneruar bipersonalizimi politik shqiptar janë grupet e fuqishme të interesit të bizneseve të mëdha private që në fakt orientojnë politikat partiake nëpërmjet instalimit të një rrjeti të madh klientësh e ortakësh. Pra oligarkët e lartëpërmendur. Lobet në fjalë, investojë në fushatat e partive politike, apo të kandidatëve të tyre, të holla në shuma të konsiderueshme dhe në këmbim marrin favore si tendera, konçesione, apo edhe poste të rëndësishme politike. Nuk besoj se është nevoja të evidentohen se sa sipërmarrës të fuqishëm të botës së biznesit i kanë hyrë politikës në dy dekadat e fundit, nën justifikimin e thjeshtë se është e drejta e tyre. Sigurisht që të drejtën e kanë, por numri i tyre, e mbi të gjitha përvoja politike e gradët e shkollimit dhe të kualifikimit që shpeshherë i shoqërojnë, janë në disproporcion flagrant me kushtet minimale që lipsen për të patur një privilegj të tillë. Ky fenomen, njëkohësisht e diskrediton, si dhe e bën aspak të besueshme tezën avokateske që synon t’i mbrojë, por ky nuk është një problem të drejtash, më shumë se sa i rolit dhe i lirisë absolute që zotërojnë drejtuesit politikë në marrje vendimesh e përzgjedhje. Nuk po e zbuloj unë sot se Ekonomikokracia ka zëvendësuar Demokracinë në shumë vende të botës dhe natyrisht, nuk mund të linte pa prekur edhe Shqipërinë. Politikanë të tërë të vënë në shërbim të pronarëve të firmave të mëdha dhe jo vetëm, nga të cilat përfitojnë mjaft të mira materiale dhe kundër të cilëve nuk do mund të vepronin në asnjë rast, pasi një gjë e tillë do t’iu rrezikonte pushtetin dhe karrierën. Sipas kësaj logjike, do të ishte pak rracionale, që një politikan, pra vartës në këtë rast, t’u kundërvihej “boss”-eve, pra atyre prej nga merr pagën reale dhe jo atë nominale. Problemi është se këto lobe përfaqësojnë interesat e pakicës, duke krijuar kështu një formë “Aparthaid”-i politik, ku pakica sundon mbi shumicën. Qëllimi kryesor i këtyre lobeve është fitimi dhe për të arritur atë nuk ka moral, nuk ka skrupuj, gjithçka është e lejuar. Qëllimi i partive është pushteti (kush na thotë të kundërtën, s’bën gjë tjetër veçse përpiqet të na tregojë përralla nga ato që i lexohen fëmijëve për t’i vënë në gjum) që mund të arrihet pak a shumë me të njëjtat praktika dhe gërshetimi i dy qëllimeve mes këtyre grupimeve, ka krijuar një formulë perfekte korruptuese. Në Shqipëri, ndodh edhe që vetë politika të jetë biznesi më i mirë, tekefundit ajo mundëson akumulimin e një pasurie të madhe në formën e rryshfeteve dhe nuk ka asnjë kosto materiale. Përë këtë arsye, biznese me epshe të pashueshme për fitim, nga shërbëtorë të politikës më pas i hyjnë vetë asaj, pasi qëllimi final ësthë që në fund politika t’u shërbejë atyre. Por në tokën e shqiponjave grabitqare nuk sundon vetëm ekonomikokracia. Duke patur parasysh rrënjët e thella të një shoqërie klanore, që na ka karakterizuar për shekuj me rradhë (elementët e së cilës mund të gjenden fare mirë të konservuara edhe në disa mjedise të veçanta sot, pse jo edhe politike) lidhjet e ngushta të gjakut, ose miqësore, janë një tjetër kategori e favorizuar, e cila merr benefite nga kjo situatë kaotike, pavarësisht meritokracive. Këtu bëhet fjalë për lulëzimin e klanokracisë, që ngrihet në piedestal veç për hir të konsideratave personale, pëlqimit fizik, apo ndjenjës vllazërore. Është shumë e lehtë të ndërtosh një formë organizimi me shokë “të vërtetë”, apo ushtarë të devotshëm, i ndërgjegjshëm se nuk do të mund të të kundërviheshin kurrë, por historia mëson, se kjo është një sindromë diktatoriale, e atyre udhëheqësve që askush nuk mund t’i kritikojë dhe që kur kërkojnë një mendim, nëse mendimi i dhënë nuk përkon me të tyrin, nuk e marrin parasysh. Sigurisht, veprime të tilla, të ndërmarra në mënyrë arbitrare, pa norma e kushte specifike, shpeshherë çojnë edhe në gabime të rënda e të dukshme. Këtë duhet ta dijë më mirë, dikush që dy pikat kyçe të fushatës, pra veprimtarinë në terren dhe konsultat inovatore ua besoi dy të rinjve me plot energji dhe dëshirë, por pa përvojë dhe të rrëmbyer nga impulsiviteti dhe entuziazmi i moshës. Jo se të rinjtë nuk dinë e nuk bëjnë, por me gjithë respektin, disa “gjeneralë” ende në fuqi do të mund të jepnin më tepër sugjerime të vyera dhe që i përkasin kohës. Që kjo të mos mbetet vetëm një kritikë boshe, po jap argumentin se ku bazohem. Në fushatën elektorale të 2009-s në kërkim të antitezës se ka edhe meritokraci e jo vetëm klanokraci, mbeta i zhgënjyer. Shpalosa programin në një minilibër si dhe në adresën në internet të një partie modeste që merr frymë prej pak kohësh në politikë. I magjepsur edhe une nga komunikimi mbreslënës mediatik, që merrte gati përmsat e një shoë, u befasova kur në këtë program më paraqitej vetëm analiza se si është situata sot me tone shumë të zymta dhe pesimiste, duke nxirë edhe relitetin më të brishtë, por nuk ofrohej asnjë ide e politikanëve të rinj e vizionarë se si e shihnin ata të mundur ndryshimin e këtij realiteti. Bëheshin vetëm premtime euforike, të tipit: “Ne do të çrrënjosim papunësinë, do t’i rikthejmë buzëqeshjen rinisë etj”, por në asnjë rresht nuk shpjegohej se nëpërmjet cilave plane apo strategjive konkrete do të ndodhte kjo. Për kë ka dyshime, mund të kontrollojë ende në faqen e partisë rinore në fjalë. Mendova vallë, po mirë, këta elektorë modestë të kësaj partie, me gjithë dëshirën e mirë, nuk e shohin vallë të gjithë me këtë sy? Përgjigja për fat të keq është jo, sepse cinizmi dhe sofistikimi në persuazionin politik dhe arti psikologjik se si duhet të veprosh përpara kamerave për të joshur dikë, siç ndodh me firmat e biznesit që duan të shesin produktin, del shpeshherë mbi aftësitë e njeriut për të zgjedhur. Në këtë mënyrë e panevojshmja u bëhet masave të besojnë se është shumë e nevojshme për ta. Një fenomen i tillë gjithsesi mund të vërehet fare lehtë te mjaft programe të partive në Shqipëri. Kthimi i politikës në një produkt biznesi, ku përmes një reklame shumë të fortë, shitet vetëm malli i laboratorit i prodhuar në zyrën e Kryetarit, pavarësisht përmbajtjes dhe formës së prodhimit është një tjetër shenjë vendimmarrjeje qëndrore politike, që anashkalon një sërë strukturash e procesesh, duke favorizuar klanokracinë, pra ata që do të thonë gjithnjë “si urdhëron shef!”. Dhashë vetëm një argument se në bazë të shijeve personale apo të ndonjë borxhi të vjetër prej shokësh, vlerësohet më shumë mënyra se si thuhet diçka se sa përmbajtja në vetvete,për arsye hapësirash, por pa frikë mund të pasqyronim edhe mjaft argumenta të tjera, ku përfshihen gra kolegësh, të fejuara beniaminësh, kushërinj, dhëndurë, xhaxhallarë, kunetër, baxhanakë, e kështu me rradhë. Duke qenë se ndodh kështu, të vjen pështirë të shohësh të rinj të shndërruar në papagallë e megafonë të prishur të kryetarëve. Sidoqoftë, të rinjve të tjerë të traumatizuar nga kjo dramë politike u duhet dhënë një sinjal shprese dhe u duhet thënë: “Jo, politika nuk është kjo që na servirin këta zonja e zotërinj. Politika është përmasa që çdokush i jep asaj në bazë të normave të tij morale, kulturës dhe zakoneve që ka. Një politikë ndryshe është e mundur!”. Mjafton që të gjithë ta kemi të qartë se fluks biznesmenësh mund të ketë vetëm në partitë e djathta dhe kurrësekurri në ato të majta, pasi interesi i të djathtës është zhvillimi i biznesit, ndërsa i të majtës ekuiteti i shkaktuar nga inefiçencat që ky zhvillim cinik dhe shpeshherë pa zemër sjell. Nga ana tjetër është e habitshme, që edhe duke mbajtur petkun e përfaqësuesve të popullit, disa zotërinj vazhdojnë t’i ushtrojnë në liri të plotë e pa iu bërë vonë veprimtaritë e tyre fitimprurëse, madje disa prej tyre janë edhe presidentë skuadrash futbolli, pra financuesit kryesorë të shumave të konsiderueshme, duke tejkaluar me shumë herë të ardhurat e tyre të deklaruara. Të gjithë e dinë, por askush nuk thotë gjë. Edhe pse Kushtetuta e ndalon qartë, duke e shprehur në mënyrë eksplicite se çdo funksion tjetër privat apo publik nuk është i pajtueshëm me funksionin e deputetit, përveç rolit të Kryeministrit, Ministrave, etj si këto. Po kush ka gojë të flasë? Shimica njësoji janë! Këtu nuk është puna vetëm për të folur, por disa organe kompetente e serioze dhe me vullnetin e mirë duhet t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese me faktet në dorë për të shqyrtuar situatën e çdo individi që ndodhet në kushte të tilla edhe pse kjo situatë e përputhshme me stereoptipin “hajduti bërtet kapeni hajdutin”, ka pak gjasa të ndodhë. Nuk do ta harroj kurrë, që në zgjedhjet e fundit, kandidati i një partie, pikën kyçe të programit të tij elektoral kishte hapjen në një qytet të caktuar të një Universiteti privat, i së cilit ishte vetë edhe pronar. E hatashme! Një deputet i ardhshëm që thotë: “Me votoni mua që të ndërtoj shkollën time, ku unë mund të fitoj dhe ju mund të studioni”! Pra ai perzien interesin personal me atë publik, ose më saktë është shembulli më rrëqethës që shpreh qartë me paturpësi një tendencë për ta shfrytëyuar politikën në dobi te vetes dhe jo të të tjerëve. Por nuk është më tepër çështje parimesh se sa shkelje rregullash të qarta. Kjo ishte shpërfillja më e dukshme që dëshmon se sa pak vlerë i jepet Kushtetutës.
Nevoja për “Të Majtë”
Por ka një tjetër problem. Në Shqipëri ku partia e majtë quhet e djathtë dhe e djathta e majtë, ky hibridizim politik, kjo krizë identiteti i ka çoroditur të gjithë votuesit, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve (dhe jo emigrantë, e kjo duhet theksuar), kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpi e të mos votojnë më, në pritje që një alternativë bindëse, por që nuk po vjen, t’u japë një të shkundur dhe t’i rrëmbejë nga pasiviteti elektoral. Në Shqipëri mungon rruga e mesme, në Shqipëri mungon e majta, sepse të gjitha partitë janë të djathta. Ky është një fakt, po të shohësh se në të dy partitë kryesore, në listën e deputeteve dhe në organet e brendshme partiake, ka më shumë biznesmenë se sa njerëz të botës intelektuale, nga fusha e shkencës, nga kategoritë e punëtorëve, minatorëve, administratorëve publikë etj. Pra në to është eveniment të gjesh më një njeri që të mund të identifikohet si i majtë. Vdekja e së majtës në fakt është një fenomen i pranishëm në mbarë Europën, përjashto disa vende të Lindjes, ku gjithashtu të majtët janë bërë njësh me oligarkët, për të cilët punojnë, sikurse edhe në Shqipëri tekefundit (edhe pse ka edhe teza të respektueshme intelektualësh, që e shtrojnë ndryshe çështjen. Sipas tyre, ndryshimi midis Italisë dhe Shqipërisë është se ndërkohë që në Itali janë në pushtet shokët e mafiozëve, në Shqipëri është në pushtet vetë mafia. Pa dyshim edhe mendime të tilla të bëjnë mjaft të reflektosh!). Sakaq, e kundërta mund të thuhet për mjaft vende të Amerikës së Jugut, ku e majta po rilulëzon, pikërisht si pasojë e dëmëve kolosale të shkaktuara nga partitë e djathta. Në këtë çorbë identiteti, nuk mbetet gjë tjetër veçse të lindë edhe në Shqipëri e majta, duke reformuar në themele, ideale dhe parime, por edhe në njerëz, ndonjë parti ekzistuese, ose duke themeluar një të re. Do të ishte e vetmja mënyrë për të ngritur nga divani i shtëpisë 50% të zgjedhësve shqiptarë, që nuk ndihen të përfaqësuar nga askush. E majta në Greqi që nuk ka shumë që ka ardhur në pushtet, ka premtuar taksa progresive në varësi të të ardhurave ekonomike dhe lehtësime për punëtorët . Në Shqipëri të ashtuquajturat parti të majta u premtojnë parajsa fiskale kompanive vendase dhe kryeshisht atyre të huaja, të cilat vinë mbi valën e entuziazmit, dhe me po të njëjtin vërrull largohen që në rastin më të parë të shfaqjës së ndonjë mundësie më të mirë për sa i takon kostove të krahut të punës, duke shkaktuar më shumë dëme se sa përfitime në nivel punësimi kombëtar. E majta italiane është në luftë me Kishën Katolike, në favor të legalizimit të çifteve “de facto”. Në Shqipëri “e majta” doli kundër një ligji të tillë, duke dhënë si argument faktin se ishte i parakohshëm. Herët a vonë dikush duhet ta kuptojë se në Shqipëri shumica dërrmuese janë punëtorë, emigrantë e të papunë. Dhe kur të vijë ai moment, dikush duhet të marrë mundimin t’u shpjegojë punëtorëve, se duke votuar dy të djathtat (ose “mafiet në pushet”), nuk bëjnë gjë tjetër veçse nënshkruajnë me dorën e tyre vdekjen sociale. Pra duopoli politik ka shkaktuar vdekjen e së majtës, duke lënë të papërfaqësuar 50% të zgjedhësve shqiptarë. Dhe duke i ndarë në gjysëm zgjedhësit efektivë të dy partive më të mëdha dhe duke patur parasysh mungesnë e opozitës për kaq kohë në Parlament, i bie që shifra të jetë edhe më dramatike, pra 75% e zgjedhësve janë ose kanë qenë të papërfaqësuar dhe nuk kanë patur zë, ose kur e kanë patur këtë zë, ai është dëgjuar në rrugë e jo në Parlament, a thua se ne të ishim një demokraci direkte si në Zvicër dhe jo parlamentare si në pjesën më të madhe të Botës demokratike. Ky është rezultati më i madh negativ që mund të kishte prodhuar ndonjëherë politika shqiptare.
Për mandatet dhe kutitë
Opozicioni ekskluzivisht vetëm në rrugë mund të ushtrohet për sa kohë afatet kushtetuese e lejojnë, ndryshe nga lëvizje opozitare kthehet në lëvizje anarkike (më në fund të gjithë kemi rëndë dakord për këtë). Jo më kot në Shqipëri prej 20 vjetësh zhvillohet Demokracia Parlamentare, në rast të kundërt le të ndryshojmë rregullat e më pas të pretendojmë aplikimin e një tjetër lloj demokracie. Përfaqësuesit e popullit e kanë vendin në Parlament, pasi atje është habitati “par exellance” ku mundet dhe duhet të ushtrojnë funksionin e tyre. Parlamenti ekziston pikërisht edhe për të kufizuar pushtetin e të paktëve. Demokracia direkte është një e drejtë që i njihet qytetarëve dhe jo partive. Kur qytetarët ushtrojnë demokracinë direkte, veprojnë për interesin e tyre; kur partitë ushtrojnë “demokracinë direkte”, e bëjnë gjithashtu për interesin e tyre. Problemi është se në një Shtet ka rëndësi interesi i qytetarëve, jo i partive (të cilat duhet të jenë në shërbim të të parëve dhe jo e kundërta) dhe jo gjithnjë dy interesat në fjalë janë e njëjta gjë. Ndër të tjera, habitem se si disa kostitucionalistë të nderuar, ndryshe na i kanë mësuar ne teoritë e parlamentarizmit, e ndryshe dalin e prononcohen tashmë nëpër media, me argumenta aluçinante se nuk na u hiqkan mandatet në mënyrë kolektive dhe se rregullorja e brendshme e Parlamentit nuk na e përcaktonka qartë se kur nis betimi i deputetit. Përse ky alarm lëshohet vetëm tani? Ku i gjejnë këto argumenta këta zotërinj, në qiell apo në tokë? Nuk ka asnjë rregullore apo ligj më të rëndësishëm se ai themelor i Shtetit, pra Kushtetuta, ku sanksionohet se në rast mosbetimi apo mungese prej 6 muajsh pa arsye deputeti e humbet mandatin. Dihet qartë se mandati fillon në momentin kur jepet nga KQZ. Nëse ndokush më pas thotë se nuk është e pajustifikuar mungesa, pasi moshapja e kutive është një arsye, kjo është thjesht një shmangie përgjegjësie, aq më tepër kur të tilla provokime mbërrijnë nga ndonjë përfaqësues i popullit. Në rastin e mundshëm të heqjes së mandateve, nuk është se dikush niset për të diskriminuar kolektivisht disa deputetë, por ndodh që të marrë një nga një, ata në total përbëjnë një kolektiv që ka ezauruar afatet kushtetuese dhe heqja e mandateve individuale përkon me këtë kolektivitet. Hapja e kutive nëse nuk ka një nen që as e ndalon por as e detyron, do të thotë se mund të hapen, por jo detyrimisht. Kush vazhdon ende të spekulojë me gjëra të tilla, e bën këtë vetëm për të ushtruar presion politik, e bën vetëm për interesa personale, sepse kutitë nuk janë absolutisht problemi më i madh që ka Shqipëria sot. Vota e lirë dhe e ndershme qëndron në themelin e një Shteti demokratik dhe për sa kohë nuk provohet që ajo është cënuar, atëherë presupozohet se ajo e ka ruajtur origjinën e saj. Rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve nuk e shpallin partitë, por organet e pavarura të zgjedhura në mënyre konvencionale prej tyre. Ankimimin dhe shqyrtimin për ankesat, nuk e vendosin partitë, por pushteti i tretë, ai gjyqësor, që është i pavarur dhe krerët e të cilit zgjidhen nga Parlamenti dhe në rast se të gjitha këto institucione të pavarura dhe legjitime shprehen në një mënyrë të caktuar, edhe në qoftë i gabuar ky vendim, atë nuk e përmbysin dot partitë. Ajo që partitë mund të bëjnë, është të ndryshojnë rregullat e lojës dhe të bëjnë korrigjime, në mënyrë që gabimet e vërejtura të mos përsëriten më. Nga ana tjetër, e drejta kushtetuese e çdo qytetari për t’u informuar lidhur me veprimtaritë e institucioneve shtëtërore, sigurisht që nuk mund t’i mohoet askujt, por në rastin e kutive ndodh rëndom që parlamentarët, dashje apo padashje të mos kishin përcaktuar një nen në ligjin elektoral që ta bënte të mundur respektimin e të drejtës për informim në rastin e kutive. Janë në kohë ta bëjnë, por kjo, për fatin e mirë apo të keq të ndokujt nuk bëhet në rrugë... Pra mungonte procedura se si dhe kush mund ta bënte dhe pa një procedurë të shkruar, vërtet nuk ndalohet hapja e kutive, por as detyrohet. Është kontradiktore që pasi mungoi vullneti i partive për ta parashikuar qysh në fillim një rregull të tillë (për arsye që mbase jo të gjithë i dimë), që pikërisht do të shërbente për transparencën dhe informimin e qytetarëve, tani partitë të na hiqen si fort dashamirëse të transparencës dhe informimit të qytetarëve. Mos vallë mosparashikimi i një rregulli të tillë ishte i paramenduar dhe i ndërgjegjshëm, pasi asnjërës prej partive nuk do t'i kishte leverdisur? Në qoftë kështu, partitë nga flamurtare të fshehtësisë nuk mund të na shiten si pishtarë të transaprencës. Por le të tregohemi më pak paragjykues dhe të mendojmë se padashje, mes halleve të shumta, përfaqësuesve tanë (gjithnjë nëse ata mund të vendosin) u kishte dalë nga mendja një kleçkë kaq e vogël dhe e parëndësishme. Edhe në këtë rast do të ishte e pafalshme që ata nuk e kanë menduar më të keqen, por të dehur nga euforia e fitores së mundshme janë treguar të pamatur e të papjekur politikisht. Në këtë gjendje gjithçka i lihet vullentit të mirë dhe moralit personal. Kjo do të thotë se nëse arrihet të gjendet ky vullent i mirë, mirësetëvijë, ndryshe, askush nuk mund të akuzojë askënd për mungesë vullneti, a thua se kjo të ishte një vepër penale kur nuk shkel asnjë ligj. Keni dëgjuar ndonjëherë qoftë edhe një politikan të vetëm që të ketë lakuar ligjin elektoral ku ta bazojë kërkesën e tij për hapjen e kutive? Jo! Me siguri nuk do të kishte ngurruar askush ta citonte natë e ditë sikurse vërtet të ekzistonte. Këta zotërinj, po i japin luksin dikujt që e kanë akuzuar gjithnjë si armikun më të madh publik të ligjeve të vendit, të sillet si më dashamirës e babaxhan me ligjet se ta. Në pritje që kutitë të hapen apo të mos hapen, ndërkohë, nuk do të ketë asnjë ligj të veçantë, ku opozita mund të japë kontributin e saj për përgjegjësitë që ka, për t’i dhënë zgjidhje problemit të të ngujuarve, lustracionit të dosjeve të komunizmit, dëmshpërblimit të ish-të persekutuarve dhe të ish-pronarëve, luftës ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, zgjidhjes së krizës ekonomike, papunësisë dhe emergjencave që godasin vendin e qytetarët e tij, rritjes së çmimit të energjisë elektrike e kështu me rradhë. Këto janë problemet reale të shqiptarëve, kutitë janë problem i atyre që duan t’i hapin dhe i atyre që i lënë mbyllur. Mbase të gjitha këto çështje mund të mos kenë më tepër rëndësi se marrja e pagës nga ana e deputetëve për ndonjë parti, ndryshe nuk do të gjenim përgjigje per kthimin e papritur të opozitës në Kuvend. Një kthim i tillë zor se do të kishte ndodhur po të kishte qenë për të parët, të cilët gjithnjë të tillë mbeten sido të shkojë puna. Por të gjendur përballë trysnisë së jashtme dhe sidomos rritjes së pakënaqësisë së brendshme, deputetëve u duk sikur iu tha: "Shkoni, shkoni, ç'tiu bëj pagave tuaja e ligjeve, se të jetë per mua...". Pra një kthim i tillë nuk bëhet nga shqetësimi se populli opozitar po mbetet pa zë dhe se nuk po ia përfaqëson askush interesat. Ai bëhet në emër të pagave, por i mbuluar nga kutitë. Deputetët edhe një herë që patën një shans që të vendosnin për të mirën kolektive, gjë që duhej ta kishin bërë me kohë, vendosën të vendosin për pagën e tyre dhe për shmangien e rrezikut të humbjes së një luksi të tillë të gjendur në buzë të humnerës. Kthimi është vendimi më i duhur që mund të merrej, por momenti se kur u mor është shumë i vonuar dhe fakti që cilësohet si pjesmarrje e përkohshme e bën edhe më të qartë faktin pse ndohi ky kthim. Kjo opozitë që vjen në Parlament një herë në gjashtë muaj se me kë më ngjason... Rezistenca e derimëtanishme me aktin e fundit i humbet të gjitha vlerat e një kauze parimore dhe merr përmasat e plota të një teke personale. Deputetët nuk do ta humbisnin gjithsesi mandatin e tyre edhe sikur të vendosnin që të vepronin për të mirën kolektive dhe jo për atë të kryetarit. Por në një mjedis të zoteruar nga kryetarokracia edhe vendimi më i drejtë i një deputeti do të dënohej si i pamoralshëm nga shoqëria, përmes krijimit të një opinioni të tillë kryetaresk nga televizionet famëkeqe. Në këtë pikë deputetët janë plotësisht të justifikuar, por kjo është një arsye më shumë që ata të nisin të rindërgjegjësohen se kontratën e kanë me popullin. Mungesa e "primary elections" bën që dashje apo padashje kjo kontratë të lidhet me kryetarin, kundër çdo ligji apo logjike. Do ishte shumë e lehtë të merresha me kritikat ndaj qeverisë, e bejnë të gjithë sepse është shumë komode, ndërsa me opozitën nuk merret askush, përveç qeverisë dhe njerëzve pranë saj. Do të më vinte vërtet keq sikur çdo kritikë që të paktën synon të jetë objektive, të merrej si agresion. Pra shqiptarët po paguajnë një çmim shumë të kripur, pikërisht për shkak të duopolit diskriminues, ndaj të cilit nuk mund të revoltohen dhe i cili në vend të zgjidhë problemet e tyre, mendon se si të zgjidhë problemet e tij.
Problem bipersonifikimi, jo bipartitizmi
Në rastin e parafundit kur dy partitë u takuan ato kishin si qëllim krijimin e një sistemi politik bipartiak, ku të përjashtoheshin nga “tregu” të gjithë konkurrentët e tjerë, pasi situatat duopolistike apo monopolistike, sjellin fitime më të mëdha, duke qenë se partitë mund të merren vesh mes tyre dhe të fiksojnë rregullat e lojës, të pashqetësuara nga rivalë, që mund të jepnin oferta më të mira dhe me kosto më të ulëta. Bipartitizmi në politikë, ndryshe nga duopoli në ekonomi, në vetvete nuk është kjameti, tekefundit ekziston edhe në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, e disa vende të tjera të mëdha, ku niveli i demokracisë është i kënaqshëm. Në Shqipëri, për më tepër, ku partitë e voçkla uniperson përfaqësonin vetëm interesat e ulëta dhe lakuriqe të kryetarëve dhe të asnjë kategorie të caktuar sociale, është mirë për demokracinë që ato të mos ekzistojnë, duke qenë se nuk kanë luajtur kurrë ndonjë rol barazpeshues, konkurrues, apo përfaqësues. Thjesht kanë bërë aleanca për interesa personale me grupime të ndryshme sa herë iu është dashur nevoja, duke rendur sa në një koalicion në tjetrin, duke vegjetuar kështu në parlament e institucione të tjera. Shqipëria ka vetëm dy parti përfaqësuese (me përfaqësim në këtë rast dua të nënkuptoj vlerat historike dhe më shumë se 25% të votuesve efektivë në tërësi) dhe nëse ka vetëm një gjë të mirë që na bënë dy partitë e mëdha, ajo ishte nxjerrja në play-off e minipartive, në pritje që ato të restrukturohen dhe të përpiqen të përfaqësojnë vërtet dikë apo diçka. Kush mbijetoi veç tyre, do të thotë se përfaqëson ende diçka, por me rregullat e lojës në fuqi, një parti e vogël mund të mbijetojë vetëm duke u kapur pas komardares së partisë së madhe, e cila nuk do të jetë gjithnjë në gjendje t’ia hedhë. Dhe me siguri, partia tjetër e madhe nuk do të dojë t’ia hedhë kur të jetë në gjendje ta bëjë për çështje inatesh të vjetra, duke e lënë kështu të fundoset. Nga ana tjetër, jo gjithnjë situata do të jetë e atillë, që nëpërmjet shantazhesh të caktuara, të trafikohen vota nga një parti në tjetrën dhe kjo do të sjellë fundojse të mëtejshme për të vegjël të tjerë. Gjithsesi në politikë asgjë nuk përjashtohet. Ironia e fatit e do që ndonjë parti e madhe, që kaq shumë u përpoq t’i shkatërronte liliputët politikë, tani kthehet e ua hedh sërish dorën në qafë këtyre të fundit dhe nga ana tjetër, ndërsa akuzonte partitë e mbijetuara për tradhëti idealesh, edhe vetë ndërmerr të njëjtin hap, duke lidhur bashkëpunime me kampe të tjera politike, që deri dje etiketoheshin si parti oborrtarësh apo inetresash klanore. Ky është thjesht oportunizëm e pragmatizëm, i maskuar me justifikime e fjalë të bukura që i thuhen vetes përpara pasqyrës dhe të tjerëve përpara ekranit, ose siç e thotë ndryshe me shumë mençuri populli i urtë shqiptar: “Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë”. Sipas teorive të Giovanni Sartori-t, ndër të tjera, kemi bipartitizëm edhe kur alternimi, apo rrotacioni në pushtet, janë alternativa të besueshme. Unë nuk e di se sa të besueshme dhe sa alternative mund të jenë dy forcat më të mëdha, për sa kohë kanë të njëjtin program politik dhe të dyja kanë në arsenalin e tyre nga fshatari i Lazaratit, e deri te sipërmarrësi i Koplikut. Pra kanë në një kafaz edhe macen edhe miun dhe hiqen se na i përfaqësokan denjësisht interesat e të dyja palëve dhe se ato nuk na qenkërkan konkurruese, por komplementare. Më tepër se një alternativë partish, është një alternativë figurash, plagë e thëllë që nuk na është mbyllur ende mirë kjo... Importuam modelin e fushatave amerikane, të një sistemi presidencial ku presidenti zgjidhet direkt nga populli dhe e implementuam duke e bastarduar në një sistem demokracie parlamentare, ku kryeministri nuk zgjidhet nga populli, duke na bërë të ngjante se në fakt kështu ishte. Më shumë se një alternativë e mirëfilltë, rrotacioni mes partive në pushtet ngjason me një bordello politike, apo me një han me dy porta, ku gjithëkush mund të hyje, të kryejë punë e të dalë. Këtë e tregon më së miri përvoja e viteve të fundit, nga e cila duhen të nxirren mësime të rëndësishme për ne votuesit. Jemi shumë të varur pas liderit karizmatik, e mitizojnë atë, duke ngjizur kultin e individit, duke e shndërruar thuajse në një Zot. Dëbuam një diktat, por krijuam disa të tjera, nga boshllëku dhe nostalgjia mbase që ndienim brenda nesh për të parin. Me ndryshimin e vetëm se diktatorët e rinj modernë, nuk i rrëzojmë ne, ata zëvendësohen, merren vesh, kuptohen, na lënë në baltë, e ne gjithsesi vazhdojmë t’iu qendrojmë besnikë si qeni të zotit. Mësimi më i mirë që ka dalë nga këto 20 vite tranzicion të stërzgjatur e të pafundë, është se disa liderë (nuk do të ma nxinte goja të thoja të gjithë) janë të përkohshëm, ndërsa partitë janë afatgjata. Madje liderët kur nuk janë më në parti edhe e pështyjnë bukën që kanë ngrënë dhe nuk përjashtohet që edhe të tjerë në vijim ta bëjnë kur të mos jenë më. Këta janë liderët që ne kaq fort i kemi dashur dhe i kemi bërë ata që janë, ose që kanë qenë. Nëse do të vazhdojmë të kemi liderë të tillë, në rradhë të parë për këtë duhet të bëjmë një “mea culpa” dhe katharsis të thellë. Sa për personalizimin e politikës, sa herë mund të kemi dëgjuar, që të flitet me “Unë”, “Ti”, “e ime”, “ e jote”, apo t’i drejtohet tjetrit në emër, si dikujt në kafene, duke mos respektuar titujt institucionalë dhe normat minimale të etikës, çka shmang dialogun, e buron konfliktin. Gjëja e parë që bën bipersonalizmi sot është t’i drejtohet palës tjetër nga televizori, ose nga selia, e jo të ulet në tryezë e të flasë shtruar me të, duke e konsideruar tjetrin si armik e jo si rival. Kjo frymë lufte dhe përçarjeje përçohet edhe të qindëramijëra qytetarë dhe këtë e dëshmon më së miri krijimi i disa grupimeve idiote dhe raciste të rinjsh të krijuara në rrejtin social Facebook të tipit: “Me bast që ne Rinia e Veriut arrijmë t’i bëjmë përpara Rinisë së Jugut 50.000 veta” dhe anasjelltas. Çfarë mendojnë institucionet përkatesë për këto prirje? Përgjigja është: Nuk iu intereson fare! Më e bukura është se edhe në një moment dialogu, pas tij, nxirret dikush të akuzojë e të shajë, me bindjen se kjo është politika, pra se duhet të ushtrosh sa më shumë presion dhe me çdo mjet. Më tepër se politikë, kjo ngjason me një boshllëk të madh diplomacie. Jo më kot mjaft analistë shqiptarë në mënyrë shumë korrekte e kanë etiketuar këtë sistem, si një sistem me dy kryetarë edhe shumë zëdhënës. Kryetarët grinden një herë vetë, pastaj nxjerrin shokët, të cilëve u mësojnë fije e për pe se çfarë të thonë. Në një sherr të tillë lagjeje, ka vetëm humbës dhe asnjë fitimtar. Dhe humbësit më të mëdhenj janë qytetarët, që në mjaft raste edhe zbaviten me “Big Brother”-in politik që na dhurojnë përditë e më shumë “kanakarët” tanë, duke harruar për pak çaste se personazhet e tragjikomedisë që i shoqëron prej 20 vjetësh, janë po ata që i lënë pa punë e pa bukë. “I them...... se”, “I përgjigjem Zotit.....”. Kush janë këta zotërinj që zgjidhen të veprojnë në emër dhe për llogarinë tonë dhe flasin në emër të tyre? Kush janë këta zotërinj që politikën tonë e kthejnë në çështje personale? Dikush prej tyre pretendon se është më liberal se tjetri dhe se në partinë e tij fryma dhe mekanizmat demokratike janë shumë më të prekshëm. Janë vetëm fjalë! Ja çfarë thonë shifrat: Një kryetar u zgjodh me 99.1% të votave, ndërsa tjetri me 93%, shifra që kundërmojnë era Mao dhe Stalin. Pra i binka që niveli i mendimit ndryshe është vetëm 6.1% më i theksuar në një parti se në tjetrën, çka dëshmon qartë bunkerizimin e të dyja selive në fjalë. Skandali është se, kur një kryetar zgjidhet si nëpër diktaturat më të shëndosha me mbi 90%, ky nuk është një rast për të thurur lavde, por më tepër për të vënë duart në kokë se ku ka përfunduar liria në vendin tonë.
Dhënia fund e një hegjemonie të tillë nuk varet nga dëshira e mirë e kryetarëve, por duhet t’iu imponohet atyre nga poshtë, nga baza, e cila duhet të ndërgjegjësohet nga zërat e pakët që janë ende të lirë, që të ushtrojë të drejtat dhe kërkesat e saj, për të kontrolluar sovranitetin e pacënueshëm prej monarkësh që sundon në partitë-bunker. Do të jetë shumë e vështirë që ta ndryshojmë këtë realitet, por kemi duruar edhe më shumë nga ç’duhet, është momenti për të vepruar!

17 Komente

Si e ka emrin ky zoteriu apo kjo zonja qe e ka shkruar kete artikull ?

E kam fjalen : kush eshte ky apo kjo ish-drejtuesi i FRESSH ?

Me tej : ç'eshte kjo FRESSH ?

_________

Habitem qe askush deri me sot, nga keta njerezit qe dine te shkruajne mire, nuk ka hapur ne Tirane nje "punishte shkrimi" ku te jepet mesim teknika e shkrimit. Jam i bindur, i sterbindur madje, se shume shpejt ai tipi apo ajo tipesha qe do ta beje kete do te jete milioner ose ere. Duke ia nisur nga Presidenti i vendit Topi, e deri tek nje drejtor i pjerdhur komunaleje qe deshiron te shkruaje letra te bukura per ne ministri, do te regjistrohen ne keto kurse.

Mos me vidhni idene se "qe besa e burrave" po nuk e hapa nje mejhane diku ne Tirane ku t'iu jap mesim politikaneve shqiptare ku vihen pikat e ku presjet, ku merret fryme e ku jepet shpirt, e me ne fund te shpetojme nga analfabetizmi politik. Per ate tjatrin, mjafton nja 100 Dritan Shkaba, dhe eshte OK. Une do te jem Kryedritan. Kryedritan Qiriu, keshtu do ma thone llagapin.

 

Ky eshte ish minister ne kohen e Metes me duket. Ky eshte tani kryetar ne detyre i PSV91, partiza e Petro Kocit, etj. Ja edhe pershkrimi nga wikipedia smiley para disa vitesh:

"Minister of Health Gjergj Koja, 29, has graduated from the Faculty of Medicine, Tirana University. From November 1999 - September 2001, Mr Koja was deputy minister of Health. Over the last year, he worked as a part time teacher in the Faculty of Medicine in Tirana. He has had professional specializations in and outside Albania. For 4 years (1995-1999), Mr Koja has been a member of the socialist General Leading Committee, while since 1995 he holds the post of deputy chairman of Albanian Socialist Youth Forum, FRESSH. From October 2000, he is member of the municipal Council of Durres, while in the general parliamentary elections of June 24, 2001, he was elected a deputy of the Assembly of Albania. Mr Koja knows English and Italian. He is married."

gabim. ky ka qen para 2005

esht sokol kondi. beji e google emrit

Pershendetje te dashur miq, ky shkrim mban autoresine time dhe dua te saktesoj qe nuk kam qene as minister e as kryetar i FRESSH. JU faleminderit si per pergezimet ashtu edhe per kritikat!

rrofsh vllai

Hurb, kjo eshte ide shume e mire. Nuk e di c'ndodh ne France, po ketu ne USA, ka disa firma te specializuara qe bejne kurse gjuhe ( si te shkruash & si te shprehesh) ne kompanite shteterore dhe private. Keto kompani i paguajne ( dhe mjaft mire) keta firma te specializuara. Eshte bisnes shume fitimprures.

Une vete kam marr pjese ne keto klasa, kuptohet si nxenese. Shumica e nxenesve jane amerikane me pozicion profesional te ndryshem. Kuptohet qe paguan kompania. Po mund te marresh klasa edhe vete, po jane shume te shtrenjta.

p.s. tani duhet te jesh i pergatitur, qe neqse e hap kete bisnes ne Shqiperi, mos te paguhesh ne kohe dhe ndoshta me e keqja, mos paguhesh fare...

E verteta lakuriq.

E para here qe degjoj " Ekonomikokracia", gjeniale.

Kush eshte autori? Pse anonim?

I frikshem!!! Vizivisht i frikshem ky shkrim!

Nuk pata guxim qe ta lexoja!

Pershendetje te dashur miq, ky shkrim mban autoresine time dhe dua te saktesoj qe nuk kam qene as minister e as kryetar i FRESSH. JU faleminderit si per pergezimet ashtu edhe per kritikat!

Artikulli kish disa te verteta te hidhura, viheshin pikat tamam mbi I , mirpo per shum shqiptare, e hidhura nuk para pelqehet   pavarsisht se eshte e vertete.  Autori kish hedhur apo nxjerre ne treg pikerisht ate qe shum njerez te ndershem e thone; Ku eshte majta, Pse s'ka te majte, çfar PS e majte eshte kjo, etj.  Kete gje e kane vene re me qindra e mijra shqiptare.  Fakti tjeter qe autori e nxjerr ;  Afro 50% e elektoratit, nuk do te votoje, dhe i sheh PD e PS si monstra te nje laboratori.  Shkuarja ne Parlament e deputeteve te PS per rrogen dhe jo per elektoratin. 

Do ishte mire qe kete artikull ta lexonte dhe kryetari i PS, ndoshta reflekton ndopak.  

Hurb, perse eshte Peshku nese nuk eshte per mesime falas smiley

bashkohem me ty per stilin e te shkruarit. Aq i gjate sa i iken fare dhe ajo ide qe ka. Artikulli ka dhe disa gabime ortografike qe jane si faji i autorit por edhe i redaktorit.

disa gjera te shpejta:

pra atyre prej nga merr pagën reale dhe jo atë nominale.

fjalet "reale" dhe "nominale" nuk kane ate kuptim ne te cilin i perdor autori... Hurb, shto dhe nje kurs per ekonomi tek ajo kjoska jote

Shpalosa programin në një minilibër si dhe në adresën në internet të një partie modeste që merr frymë prej pak kohësh në politikë.

me ndihmoni pak me fjalen "shpalos" se une e kutpoj kete fjali sikur autori ka bere nje program per nje parti.

vërtet nuk ndalohet hapja e kutive, por as detyrohet. Është kontradiktore

kjo eshte e thjeshte se autori ia jep vete pergjigjen sic e shikoni vazhdimin

Është kontradiktore

kjo fjali eshte kontradiktore ne llogjike.

me pas vazhdon me idene se politikanet e lane vete jashte ligjit hapjen e kutive...

le te mos e hapim kete diskutim... por a nuk ishte ai neni qe dy anetare mundesonin hapjen e kutive?

pas kesaj nuk e lexova me... kishte disa gjera interesante po shume rremuje per shijet e mia

Me vjen mire per pamjen kritike. Per fjalen "Shpalosa" eshte lapsus i imi, doja te thoja shfletova. Gabim!

Per hapjen e kutive, kur them qe politikanet e lane vete jashte rendit te dites, nenkuptoj hapjen e kutive nga ana e partive per te bere transparence ne cdo moment, pas te gjitha vendimeve te institucioneve perkatese, duke e marre si te mireqene faktin qe me kerkese te dy anetareve mund te behet, ajo dihet. Kete po kekrojne dhe partite apo jo, qe ti hapin te gjitha kutite ne cdo moment qe e kerkojne....

Sa per ceshtjen kontradiktore qe as nuk ndalohet, por as nuk detyrohet, ne logjiken time nuk bie ne kontradikte. Ligjet pikerisht per kete ekzistojne. Pra nese nje ligj nuk e ndalon dicka, do te thote se ajo mund te ndodhe, por duke qene se vete ligji nuk e percakton si mund te ndodhe, ajo nuk eshte detyrim i askujt per ta bere. I mbetet vullnetit te lire te paleve te vendosin procedurat. Nese me pas ligji e percakton cdo gje eshte me e thjeshte. Serish sh komplekse per shijet e tua?

 

Per ceshtjen reale dhe nominale mbase jam nxituar disi, por nuk e shoh aq te volitshme kursin ekonomik, dmth nuk e shoh veten ne grade te fundit, edhe pse te mesosh me mire nuk eshte ansjehere vone. Sidoqofte nuk jam ekonomist.... megjithate te falenderoj per sugjerimin. Jam i ndergjegjshem per gabimet.

 

Te pershendes! smiley

 

 

Pershendetje,

 a mund te di cili eshte qellimi i artikullit? Dhe me pas

Do të jetë shumë e vështirë që ta ndryshojmë këtë realitet, por kemi duruar edhe më shumë nga ç’duhet, është momenti për të vepruar!

Te veproje kush dhe si? Faleminderit! smiley

Qellimi i shkrimit ishte nje analize e gjere e gjendjes dhe situates politike e pare nga kendveshtrimi im. Pjesa qe ehste botuar ketu eshte pjesa e dyte, pjesa e pare nuk eshte botuar ketu, por te gazeta Tirana Observer, ehste edhe ne sajtin e saj. Titulli i shkrimit ishte "Per Politiken shqiptare ne pergjithesi". Po ta shohesh ne mjaft rreshta, e kam permendur se ndryshimi duhet te vije nga poshte, pra nga sensibilizimi i anetareve partiake, i qytetareve dhe ndergjegjesimi i atyre qe nuk jane te ndergjegjshem per problemet me madhore behet i mundur nga ata zera te paket te lire qe kane mbetur ende. Po ti kesh pare me vemendje lajmet e diteve te fundit, pati njefare reagimi, edhe pse modest nga ana e shoqerise civile ne kete drejtim. Per kete nuk dua absolutisht ti atribuoj ansje merite shkrimit, por eshte shume e rendesishme qe u be dicka, si filli, shpresoj qe te vazhdohet keshtu, ne vije bashkepunimi midis qytetareve, shoqerise civile, zerave te paket ende te lira ne politike... smiley

Ama analist edhe ti? smiley

Edhe aktivist, por jo politik smiley

Nje pjese tjeter e qellimit te shkrimit ishte edhe te mundohej te propozonte ndonje ide sadopak te dobishme per sa i takon zgjidhjes se problematikave te ngritura... Me vjen mire nga qe komentuesit e mesiperm kane verejtur shume gabime drejteshkrimore, por do me kishte pelqyer te dija mendimet e tyre edhe per sa i takon permbajtjes se trajtuar ne kete shkrim.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).