Mos thoni se nuk e njihni skulpturën e famshme “Mendimtari”, ku një njeri i ulur ka vënë dorën tek mjekra. Nëse nuk e keni parasysh, mund të shikoni njerëzit që presin të ulur në majë të bordurave ndarëse të superstradës Durrës-Tiranë. Ka shumë variante të uljes galiç: të gjitha i ngjajnë mendimtarit që është në mëdyshje, të vdesë apo të mos vdesë. Ky do të ishte fillimi i një shkrimi të tretë mbi zakonet tona të ngarjes së makinës, po fjala trilogji është më e dashur se sa tetralogji. Dhe meqë janë të paktë ata që kanë shkruar tetralogji, nuk ja vlen që numri i tyre të shtohet. Pra, le të mbetemi tek fundi i trilogjisë: zgjidhjet.
Që askush të mos mendojë se ajo çka po lexon është thjesht një foto çasti mbi jetën tonë, po ofrojmë edhe disa mënyra të pazakonta për të zgjidhur problemet e ngarjes, sipas një këndvështrimi që rreket të jetë po aq i çuditshëm sa zakonet që kemi fituar ndër këto vite tranzicioni. Dhe pikërisht për galiçët mund të ishte një zgjidhje e thjeshtë që të çahej muri ndarës prej betoni i autostradës që njerëzit të mos bëhen artistë cirku pa pasur ndonjë talent për këtë. Nëse do të bëhej ndonjë nënkalim, kjo po që do të ishte arritje: mbikalimet nuk janë praktike.
Aksidenti rrugor nuk është çështje policore, por kulturore, pra nuk i përket kryekëput ministrisë, por akademisë. Asnjë konferencë shtetërore, që përjashton njerëzit e mendjes, njerëzit e kulturës e të artit dhe njerëzit e sportit, pra autoritetet mendore e morale të kombit, nuk do t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje. Këtë e tregon edhe pagëzimi me banja gjaku i konferencave që bëhen nga autoritetet shtetërore (disa të vdekur me një dorë). Në rast se konferencat iniciohen nga të huajt fondengrënës që kanë gjetur parajsën në vendin tonë dhe kërkojnë të nxjerrin dhjamë nga pleshti, e jo nga ata që kanë marrë përsipër të jenë njerëz publikë dhe duan të marrin ngarkesë publike, atëherë kot sa rrahim ujë në havan. Asnjë autoritet për sigurinë rrugore nuk do të krijojë siguri më të madhe nga sa ka siguruar.
Shqiptari përfundimisht nuk lidhet me rrip. Do të ishte një kursim i madh për të gjithë, sidomos për trupën policore, të mos e konsideronte shkelje këtë virtyt tonin, për të cilin ka folur dhe Bajroni. Në rast se policia nuk do të kujdesej vetëm për rripat tanë, si deri më sot, atëherë do të kishte më shumë kohë të merrej me gjithë garipat që i lënë gjithmonë pas makinat e ngordhura të policisë për nga shpejtësia, apo dhe me të gjitha rastet e kalimit me të kuqe, që janë kthyer në normë. Pyesni njerëzit në makina se çfarë lloj shenje është portokallia e semaforit...
Lidhur me patentat, duhet të bëhet një rikonceptim total i patentimit. Së pari, kërkohet një proces ripatentimi i ngarësve. Pjesa më e madhe e tyre në rrugë shfaqin mungesë arsimimi rrugor, ngase një pjesë e patentave janë shitur, ngase shumë autoshkolla janë fantazma, ngase në autoshkolla mësohen gjëra që askujt nuk i hyjnë në punë, si p.sh. si funksionon makina (si funksionon AMG modeli i fundit, po makinat hibride?) apo “Kujdes, kafshë të mbrojtura”! Gjithashtu, kërkohet një patentim i këmbësorëve (të paktën i mijëra fëmijëve që janë pjesë e sistemit arsimor). Çdo këmbësor duhet të ketë licencë për të ecur në rrugët tona, duhet të dijesohet lidhur me rreziqet. Kjo do të pakësojë trafikun që më së shumti shkaktohet nga luzma e këmbësorëve që ecin vend e pa vend, kohë e pa kohë (edhe sikur të kërkonte hekurizim të rrugëve, gardhim me çimento, apo shumë zgjidhje të tjera penguese e barrikaduese). Gjithashtu, kërkohet prodhimi i një softi të përgjithshëm, të detyrueshëm për të gjitha autoshkollat (përveç rastit më të rekomanduar që mund të ngrihet një autoshkollë shtetërore), ku të përgatitet elektronikisht materiali dhe të lehtësohet nxënia e tij, duke mos ia lënë në dorë gjithfarë pedagogëve të improvizuar). Theksi duhet të jetë te kultura e ngarjes, jo te shenjat rrugore apo te mënyra e funksionimit të makinës. Ka nene të miratuara që nuk lejojnë prekjen e makinës, përpos specialistit, por pavarësisht kësaj kërkohen nga studentët ca dije që vijnë qysh nga koha e bjellë-manivelës. Shitja e patentave, majmja e disa individëve në kurriz të jetës së disa të tjerëve, janë tregues të cungimit, që duhet goditur në thelb. Provat duhet të jenë publike, në mjedise publike, në prani të ekspertëve të huaj, të cilët duhet të certifikojnë procesin, duke certifikuar njëherazi edhe njësimin e patentave. Përdoruesve të drogës duhet t’u hiqet patenta, derisa të shërohen. Janë rreth 50 000 mijë përdorues droge. Nuk duket e habitshme që një pjesë e tyre të kenë patenta. Kjo masë, që mund të merret nga një bashkëpunim i ngushtë me spitalet, ose do t’i shpëtojë ata nga droga, ose do të na shpëtojë nga të droguarit.
Në makina mund të instalohen shpejtësimatës specialë, të cilët lëshojnë sinjale akustike në rast rritjeje të shpejtësisë. Njëherazi, mund të instalohen edhe zhurmues kundër sinjalit telefonik. Të parët ekzistojnë (në Turqi askujt nuk i shkonte në mend t’i manipulonte, siç manipulojmë ne kilometrazhet e makinave), të dytët mund të porositen. Nëse instalohet në makinat tona dhe një sistem i vogël alarmi që lëshon ujë kur bëhet tym duhani, atëherë makinat tona do të bëheshin si kisha apo xhami të vogla lëvizëse. Shkurt, makina pa vese. Personi që nuk mund ta ngasë dot makinën pa pirë duhan, le të trajtohet njëlloj si personat e tjerë që u ndalohet ngarja e makinës.
Policia rrugore mund të lehtësohej shumë në punën e vet, në rast se nuk do t’i shërbente vetëm pushtetarëve (përse këta duhet të nxitojnë në rrugët e rënduara, mos vallë punët e tyre janë më të rëndësishme se sa tonat!?) dhe mafies së karroatrecëve. Këta të fundit urgjentisht duhet të dalin jashtë ligjit. Janë grabitës të qytetarëve, por janë të mbështetur nga shteti, madje shteti punon për ta. Policia rrugore mund të pajiset me gjoba që janë si letra me vlerë. Rishikimi i të gjitha masave administrative dhe sjellja e tyre në dy apo tre masa fikse të pagueshme në lekë dhe pjesa tjetër të pagueshme në qeli, do të bënte që policët të mos kishin hapësirë për të abuzuar me ligjin (pra, jo nga kaq deri në aq, ku se sa paq e përcakton polici). Gjoba do të ishte e gatshme dhe veç do të vendosej në xhamin e makinës shkelëse. Policët as nuk duhet t’i bien borisë, as nuk duhet të komunikojnë fare me ngarësin, se aty fillon gjithë meseleja: mjafton të fotografojnë nja dy herë makinën aty ku gjendet e parkuar. Pajisja e policëve me kamera si ato që shiten rëndom në supermarkete do të bëjë që asnjë polic të mos mund të të vendosë gjobë në Krujë kur je në Tiranë, dhe asnjë shofer nuk do të ketë kohë të marrë në telefon mbrojtësin e vet me uniformë ose jo. As polici s’ka pse të presë vulëhumburin që kushedi se nga pi kafe. Abuzimi do të shkojë në zero dhe policët do të kenë interes të marrin një pjesë të ndershmërisë së tyre ndaj ligjit në formën e shpërblimit monetar. Kjo do t’i rregullojë disi rrogat e tyre qesharake, dhe njëkohësisht nuk do t’i lejojë policët xhepistë të përfundojnë vilat e tyre. Policët me maska të vogla ajri në fytyrë, duke pasur më shumë të ardhura, nuk do të kenë më nevojë të punojnë si taksistë pa licencë.
Për të lehtësuar trafikun e rënduar në Tiranë, duhet që urgjentisht të zhduken të gjithë policët e shtrirë, të mbulohen të gjitha gropat që janë hapur në rrugët që nuk kanë shumë që janë shtruar (mani e çuditshme kjo e jona, sapo shtrohet rruga, hapet një kanal që mund të ishte hapur ca më përpara). Në disa akse të qytetit, trafiku mund të lirohet, duke mos lejuar fare parkimin anash rrugës. Tek Presidenca, apo tek rruga që të çon nga Kulaçi tek ura e Drejtorisë së Policisë, parkohen rreth 20-30 makina, duke penguar qarkullimin e lirshëm në dy rreshta, të mijëra makinave. Matematikisht, do të kishim fituar shumë në kohë, para, karburant, nerva, vetëm po të mos lejonim që disa pak makina t’i marrin erzin mijëra e mijëra makinave në ditë. Duke mos pasur parkim, nuk do të ketë as pengim në radhë, ndërsa rrjedha e makinave do të jetë më e shpejtë, sikundër Buna që iu gjet mjeti për ta pastruar pikërisht në kulmin e përmbytjes, ndërsa pak kohë më parë askujt nuk i shkonte në mendje të bënte të njëjtën gjë me shumë më pak kosto.
Urgjentisht, të gjithë prindërit e nxënësve që i çojnë fëmijët në shkolla me furgonë, duhet të kërkojnë llogari nga drejtuesit e shkollave private se ku i kanë gjetur njerëzit që ngasin furgonët. Një pjesë e madhe e tyre janë të njëjtët persona që ngasin furgonët e fshatrave, dhe që sillen në rrugë me të njëjtën kulturë rrugore si në zanatin e parë. Edhe policia rrugore duhet të kërkojë urgjentisht listën e personave që kanë mjete që përdoren për qëllime shkollore. Nëse deri tani nuk ka raste të frikshme, mënyra aktuale premton shumë.
Aksioni qytetar, një makinë-një tabelë, do të ishte shpëtimi shumë i shpejtë i sinjalistikës rrugore në një kohë rekord. Shteti duhet vetëm të garantojë transparencën. Ata pronarë makinash që sigurojnë prodhimin e një tabele, do të kenë lehtësi të ndryshme. Çmimi i një tabele nuk është i papërballueshëm. Me një dorë do të kishim 300-400 mijë tabela. Mund t’i dhurojmë ndonjë edhe fqinjëve (shumë më të pajisur se sa ne). Kështu, tabelat nuk do të ishin më pronë e policëve që fshihen pas tabelave me hile, po pronë e qytetarëve. Po nuk dhanë kontribut vetë njerëzit, gjithçka do të shkojë drejt shtimit: shto gjoba, shto aksidente.
Lekun që harxhojmë për të larë makinat, mund ta harxhonim për të pastruar rrugët. Me gjithë atë lek të harxhuar 300-500 lekë për seancë, për makinë, për ditë: do të kishim ndërtuar një Colosseum; edhe Bagdadin do ta kishim rindërtuar. Prandaj me një ligj për mbylljen e lavazheve, mund t’i ripunësonim larësit profesionistë në risistemim rrugësh, që do të bëhen pasqyrë kësisoj. Njëherazi, duhet të dimë se ku shkojnë përgjithësisht lekët që harxhojmë për makinat, për taksat e ndryshme, dhe që janë bombardime të xhepit. Taksat me kokë, dhe planet direkte të administrimit të taksave, do ta bënin më të interesuar qytetarin të paguante. Aktualisht për makinat paguhet më shumë se sa paguan biznesi i vogël. Pra, për një mjet paguajmë më shumë se sa për një biznes, shto këtu dhe akcizën goxha të lartë të karburantit që e bën makinën më të kushtueshme se sa sipërmarrja: ndaj, makinat duhet të kishin një trajtim tjetër nga shteti.
Për të shpëtuar nga boritë e makinave, do të mjaftonte një veprim i thjeshtë: shpimi i borive qysh në doganë. Boria e makinës është pothuaj e panevojshme. Në qytet nuk lejohet nga ligji, në rrugë jashtëqytetëse, shpejtësia është më e madhe dhe ajo vetëm sa mund ta trembë qytetarin në rrugë, pra e shton rrezikun. Koha e perceptimit të borisë është e vogël në krahasim me shpejtësinë. Efektet e saj janë të vogla, ndaj si apendicit mund të eliminohet. Duke e eliminuar shpëtojmë nga zhurma në qytet, gjithashtu garantojmë ulje të shpejtësisë jashtë qytetit.
Për ata prindër të pandërgjegjshëm që vendosin fëmijët pa rrip në sedilen e parë, mund të vihet një numër telefoni ku fëmijët të denoncojnë prindërit, si në kohën e parë kur kjo gjë edhe funksiononte. Nëse prindërit nuk mbrojnë fëmijët, atëherë t’u mësojmë fëmijëve si të edukojnë prindërit. Ose më thjesht akoma, disa raste të tilla policia t’i bëjë publike, sidomos ato raste kur kokat e fëmijëve dalin jashtë dritareve të makinës. Postoblloqet e lëvizshme, makina të policisë pa shenja policore që lëvizin në rrugë dhe filmojnë makinat plumba, dhe grupet e mëdha të policëve në lagjet e banuara, që të monitorojnë njëri-tjetrin, do të zhduknin shumë abuzime rrugore. Sa për dasmorët, dasma e parë që do prishet nga policia rrugore që do t’ua fusë me dhunë ligjore kokat dasmorëve brenda makinave të tyre, dhe nuk do lejojë muzikën e pakëndshme të borive të hyjë dhunshëm në veshët tanë, do të bëjë që asnjë dasmë e dytë të mos i ngjajë kësaj. Mjafton shembulli i parë.
Faktikisht, semaforët janë vendosur në mënyrë të gabuar dhe është e çuditshme se si kur nuk ka drita, ka më pak trafik. Pa semaforë duket se jemi më mirë.
Shpërndarja e mallrave mund të bëhet në orë të caktuara: nuk kemi përse të presim derisa dikush të furnizojë një dyqan me furgonin e vet dinamits që të vazhdojmë punën tonë. Por caktimi i orarit të përshtatshëm natën vonë ose në mëngjes shumë herët nuk mund të sjellë rezultat nëse nuk zhduken pica taksitë që janë bërë si ato fantazmat që duken e zhduken aty kur nuk ta pret mendja.
Nuk është ndonjë kosto e madhe që makinat që hyjnë në kufi të pajisen me një broshurë të vogël ku t’u shpjegohet njerëzve jo ajo që është shkruar aktualisht: kujdes, se vdisni. Askush nuk ka frikë nga vdekja, ndërsa nga gjymtimi, po. Le t’i shpjegojmë njerëzve numrin e të gjymtuarve dhe përfitimet reale që ka një i gjymtuar, duke i ftuar njerëzit të aksidentohen. Atëherë po që do të tmerrohen, sidomos po të ketë një pyetësor të vogël ku t’u thuhet të zgjedhin paraprakisht se si e duan arkivolin, prej pishe, prej ahu apo prej plumbi. Edhe një video horror rrugor mund të shfaqet në gjimnazet e vendit. Nuk ka kosto. Të papatentuarit janë më të rrezikshëm se të patentuarit: nuk i zë as ligji.
Do të kishim më shumë vende parkimi nëse nuk do të lejonim që njerëzit të zënë rrugët me makinat e tyre për shitje. Kjo kuptohet nga targat e huaja ose kur janë pa targa. Le të shkojnë në vendin e caktuar: zgjidhja është vendosja e një tatimi për makinat e përdorura që shiten jashtë vendit të caktuar. Tatimin le ta mbledhin agjenci private. Ato le të kujdesen dhe për vjeljen e gjobave, për t’ua çuar në shtëpi njerëzve që se dinë që kanë bërë shkelje.
Një zgjidhje shumë e lehtë për parkimet dyshe e treshe, që eliminon në të njëjtën kohë vdekjen prej parkimit, do të ishte të vendosnim në xhamin e makinës numrin tonë të celularit. Ai që ka hall do trokasë, po duhet t’i jepet shansi. Të gjithë kemi nga një celular e kusur.
Do na vlente të gjithëve që makinat e plasaritura të quhen si normale. E rëndësishme është jo pamja e jashtme e makinës, por pamja e brendshme.  Njerëzit në moshë shumë të shtyrë i humbin aftësitë e tyre psikomotore dhe duhet t’u tërhiqet patenta.
Lajmi i fundit është i mirë: sapo ka filluar edhe biznesi i sipërmarrjes me aksidentet. Ka shoqata që mbledhin fonde nisur nga fatkeqësitë tona, që të vjedhin kumtimet dhe i përvetësojnë si pa gjë të keq. Anonimët pa pritur zënë kryet e vendit, pa një përse në shpirt. “O gra, kena met pa proxhekt!” Edhe shteti bashkëpunon me këta tipa lekistë e pa zemër. Edhe media. Sa kollaj është: më jep pak borxh shpirtin se më duhen ca lekë për katin e tretë të vilës. Sa herë të shikoni tipa të tillë, mbështetini se janë në nevojë.
 

5 Komente

Artikull imire dhe me alternativa (qe nuk eshte se nuk dihen), por qe te gjithe bejne sikur i harrojne.

Nuk e mora vesh pse zgjatej shume ne disa paragrafe abstrakte, kam pershtypjen qe eshte nje prirje Hypiste, ate pershtypje me dha te pakten...

Eh, mer Kristo (non santo), jep zgjidhje sa te duash ti, tani qe kane bllokuar dhe bulevardin dhe e kane bere parkim vetem per kuvendin, jo 2-3, por 14 ke per t'i pas parkimet aty verdalle. Ketu tek ne, mbyllet nje avaz e hapin 100 te tjera... prit, prit si do behet trafiku tani qe do fillojne punimet per ate te uruar shesh "skenderbej"... kercen prifti nga belaja, thuaj.

Theksi duhet të jetë te kultura e ngarjes, jo te shenjat rrugore

Stop! Nuk meriton të lexohet më tej!

Çfardo që të ketë thënë më poshtë, gomarllëkun e rradhës e ka thënë që këtu.

Mos thoni se nuk e njihni skulpturën e famshme “Mendimtari”, ku një njeri i ulur ka vënë dorën tek mjekra.

Posi jo, si nuk e njohim?! Eshte hartuesi i rregullores te qarkullimit. Ose-ose ka mundesi qe ti Kristo t'i kesh vene monopolin Rodin.

Erion, teme te mire ke kapur vetem se ke shkuar si caze larg me ca fantazira. Kam frike qe nuk kupton dicka thelbesore. Nuk rregullohet trafiku me masa te momentit apo sic thuhet ne anglisht "putting out fires". Duhen plane te detajuara qe nuk do aplikoheshin vetem ne TR por ne territor vendi. Por perpara te gjithave fare, fare, fare ne duhet te kishim nje minister rendi qe joshumecuditerisht ne Shqiperi merret me funksione te tjera si psh vezhgime permbytjesh ne zonat veriore dhe funksione te tjera qe vetem me rendin s'kane lidhje etj. Na duhet nje shkolle policie ku orari shkollor nuk e ka emrin menu etj., ministrit te rendit i duhet nje bos pa semundjen e lopes se cmendur, me fjale te tjera "many things must fall into place at the same time"............po s'kena fat.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).