TIRANË - Përballë sjelljes jokorrekte ndër vite të shtetit shqiptar për pronën, pronarët shqiptarë shohin Gjykatën e Strasburgut si të vetmen mundësi për të fituar të drejtën e tyre.


Listës së gjatë të proceseve të hapura kundër Shqipërisë nga shtetas të ndryshëm për çështje pronash i janë shtuar edhe 13 dosje të tjera, për të cilat Strasburgu sapo ka nisur apo pritet të fillojë gjykimin. Të 13 çështjet e dërguara së fundmi në Strasburg kanë të bëjnë me moszbatim të vendimeve të marra ndër vite nga Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.


Pronarët kanë fituar të drejtën e kthimit apo kompensimit të pronës, ndërkohë që prej disa vitesh për arsye të ndryshme kjo nuk ka ndodhur. Përballë kësaj situate ata i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut, duke kërkuar zgjidhje për problemin e tyre.


Çështja "Dani dhe të tjerët kundër Shqipërisë" ka të bëjë me familjen Dani nga Lezha, që në vitin 1994 Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i ka njohur pronësinë mbi 3434 metër katror tokë, nga të cilat 713 metër katrorë iu është kthyer. Për sa i përket pjesës tjetër prej 2721 metër katrorë, Komisioni ishte shprehur se ajo do t'u kompensohej pronarëve, sipas ligjeve në fuqi.


Duke mos rënë dakord me vendimin e komisionit, kjo familje e ka dërguar çështjen në gjykatë, e cila, në vitin 1996-të, ka vendosur për kthimin në total të 1900 metër katror tokë pronarëve. Ndërkohë, pjesa tjetër prej 1534 metër katror ka mbetur ende pa iu kthyer pavarësisht vendimit të Komisionit të Kthimit të Pronave në vitin 1994.


Një çështje tjetër "Ahmatas dhe të tjerët kundër Shqipërisë" ka të bëjë me një familje pronarësh nga Korça, toka e të cilëve është sekuestruar gjatë regjimit komunist, si dhe zënë me forcë nga individë të ndryshëm gjatë pluralizmit. Janë plot katër mijë hektarë tokë, për të cilën familja kërkon të kompensohet.


Duke parë se toka është zënë, në vitin 1996-të, KKKP-ja e Korçës njohu pronësinë e tyre mbi pronën, duke iu kthyer vetëm 60 metër katror tokë, ndërsa për pjesën tjetër vendosi kompensimin e pronarëve me bono privatizimi nga shteti. Deri më tani, pronarët nuk kanë përfituar asgjë, pavarësisht vendimit të marrë.


"Goga dhe të tjerët kundër Shqipërisë" është një tjetër dosje, për të cilën pritet të fillojë gjykimi në Gjykatën e Strasburgut. Në vitin 1996-të, familjes nga Durrësi i është njohur e drejta e pronës mbi 12 mijë metër katror tokë, ndërsa për 9.950 metër katror është marrë vendimi për t'u kompensuar. Në janar të vitit 1997-të, familjes i është kompensuar 600 metër katror, ndërsa për sa i përket pjesës tjetër nuk është ndërmarrë asnjë hap i mëtejshëm.


Çështja "Sharra kundër Shqipërisë", ka për objekt kthimin dhe kompensimin e plot 47 mijë metrave katrorë tokë. Në vitin 1994, për këtë familje është marrë vendimi për kthimin e vetëm 2100 metrave katror tokë, ndërsa për pjesën tjetër nuk ka ende një vendim.


Gjykatës së Strasburgut i është drejtuar edhe familja Luli nga Tirana, të cilës Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në vitin 1996-të, i njohu pronësinë mbi 23.500 metër katror tokë, nga të cilat iu kthyen 5.000 metër katror. Pavarësisht vendimit për kompensimin e të gjithë sipërfaqes, deri më tani, sipas të dhënave që ofrohen nga Gjykata kësaj familjeje, nuk i është kthyer apo kompensuar asnjë metër katror tokë nga pjesa e mbetur.


Çështje të tjera që pritet të shqyrtohen nga Strasburgu janë, "Dvorani dhe të tjerë kundër Shqipërisë" ; "Metalla kundër Shqipërisë"; "Bushati kundër Shqipërisë"; "Tartari kundër Shqipërisë"; "Muka kundër Shqipërisë"; "Okaj dhe të tjerët kundër Shqipërisë", etj.

4 Komente

Jane me miliona euro qe dalin nga xhepat e taksapaguesve per te demshperblyer te demtuarit plus kostot e procesit. Dhe kjo histori ka vite.

Hajdutet, apo cdo lloj dallverexhiu me dy fije pushtet gjejne shesh e bejne pershesh. Gjyqtaret fusin leket ne xhep... VK se drejtes.
 

A mban njeri pergjegjesi per keto per gjithe keto para te shkuara dem?

Dua te shtoj se psh ne tirane jane me qindra pronare trojesh qe per nevoja publike (kryesisht zgjerim ruge) jane shpronesuar, por akoma nuk jane shperblyer megjithese kane kaluar nga 1 deri ne 5 vjet. E pra keto jane standartet me te cilat ne duam te hyme ne BE. Se cmu kujtua shprehja "Cdon populli ben Partia dhe cthote Partia ben populli". Asgje nuk ka ndryshuar nga ai regjim vetem se ai ta merte por me letra ta njihte, ndersa keta te sotmit ta marrin me letra por sta paguajne. 

Ke provuar ndonje here te kalosh unazen e Tiranes, dhe te kalosh ne zonat fqinje me Bathoren? Aty sheh Mogadisho te gjalle! Njerez te eger qe te versulen vetem pse sheh. Dhe te gjithe bertasin--"Na ka pru sala k'tu". Perderisa kjo logjike e "prurjes" nga nje person tjeter do te vazhdoje, ky vend kurre nuk do te ndertohet e te rregullohet.

 Baza e drejtesise qe prona te shkoi te i zoti,nqs shteti nuk del dot garant per pronen llogarit te tjerat

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).