Kur një mik bullgar më tha se është interesante të bësh punë terreni në çarshinë e shqiptarëve, u habita, sepse në një qëndrim prej dy orësh në këtë vend, gjatë një të djele ku në fakt pjesa më e madhe e dyqaneve ishte e mbyllur, kisha parë se të gjitha tabelat e dyqaneve ishin shkruar në maqedonisht, kuptohet me shkronja cirilike. Edhe këtë herë unë arrita në çarshi pikërisht në një ditë të djelë në mëngjes, po si në mëngjes, si në mbrëmje, pamja ishte e njëjtë. Përveç ndonjë lokali, çarshia ishte e mbyllur. Që në fillim më ranë në sy disa dyqane që mbanin në dritaret e tyre një letër si tip pulle, ku me shkronja cirilike shkruhej ECHAФ – Esnaf. Në një nga dyqanet në hyrje të çarshisë shkruhej në maqedonisht dhe anglisht se aty ishte selia e Shoqatës së Esnafit të çarshisë së Vjetër të Shkupit, por për sa kohë që ndenja në çarshi, asnjëherë nuk e pashë të hapur atë, dhe nuk takova ndonjë antar të kryesisë së saj.
Për të qëndruar u vendosa në një hotel të vogël në çarshi, direkt prapa xhamisë dhe shumë pranë kishës ortodokse. Personi që më ndihmoi për të gjetur hotelin, u bë edhe një nga informantët e mi kryesorë . Ai ishte shqiptar, ndërsa pronari i hotelit ku bujta ishte maqedonas. Duket se ata bashkëpunonin për t’i gjetur klientët njëri-tjetrit.
Çarshia kishte tre hyrje kryesore, njëra nga bit-pazari (tregu me tezga qoftë i perimeve, qoftë i çikërrimave dhe mallrave kineze) dhe dy të tjera nga ana e Urës së Gurtë. Në të mund të dalloje dy pjesë, pjesën e vjetër, me arkitekturën tipike të çarshive, dhe dyqanet nga ana e Urës së Gurtë, që ishin ndërtuar në kohën e Titos, e që ishin parashikuar për t’u bërë qendra më e madhe tregtare e Jugosllavisë. Por ky projekt kishte mbetur pa u realizuar. Dyqanet zejtare në çarshi ishin shumë të pakta. Zejtarët e vetëm duket se kishin mbetur argjendarët, apo më mirë të themi arëtarët (злaтар- zllatar) disa jorganpunues (јорганџиa - jorganxhia) dhe një ngjyronjës cohash. Dyqane me prodhime dore për dhurata që në Tiranë mund të numërosh me dhjetra, aty ishin vetëm tre ose katër. Pjesa më e madhe e dyqaneve ishin me veshje të çdo moshe, dyqane për fustane nusesh, qebaptore, çajtore, restorante dhe pak bare, një pub, dy ose tre agjensi udhëtimi, dy librari me libra fetare, tre ëmbëltore, disa zyra këmbimi monetar, katër bujtina dhe më interesantja - dy qendra për rehabilitimin e të droguarve, por që nga jashtë shkruanin – xoтeл, hotel. Ndërsa në mes të çarshisë, mbi një dyqan ngrihet një tabelë e madhe që lexon China Center, qendra e mallrave kinezë. Në fakt pjesa më e madhe e tregtarëve ishin shqiptarë, por pjesa rreth kishës ortodokse dhe thuajse e gjithë pjesa e re e ndërtuar në kohën e Titos, kishte tregtarë maqedonas, torbesh dhe vllah. Këtij tregu, që ishte qendër historike e qytetit, pranë të cilit ndodhej kalaja, muzeu historiko-arkeologjiko-etnografik i Maqedonisë, nga e kaluara nuk i kishte mbetur tjetër përveç emrit dhe pak nga pamja e jashtme. Tirana është një qytet pa çarshi, por me zejtari tradicionale, ndërsa Shkupi ka çarshi, por pa zejtari.
Përveç kësaj, në çarshi shihje pak turistë (as që mund të krahasohej nga frekuentimi me Krujën), pak maqedonas dhe shumë më pak gra.
Frekuentimi i pakët i çarshisë ishte preokupimi kryesor i çdo bisede që përpiqesha të hapja mbi të. E kjo nuk duket se ishte e lidhur vetëm me biznesin dhe të ardhurat që vinin duke u pakësuar, por edhe me një keqardhje për vetë çarshinë. Këto qendra kanë qenë të lidhura kaq fort me jetët e njerëzve, saqë pavarësisht nga biznesi lidhja është edhe shpirtërore.
Që në fillim të kërkimit në terren më rekomanduan të intervistoja njërin prej argjendarëve më të vjetër të çarshisë, jo vetëm sepse ai ishte nga më të mëdhenjtë në moshë e kishte më shumë kohë që punonte aty, por edhe sepse kishte qenë gjithmonë aktiv në shoqatën e zejtarëve të Shkupit e deri në medjat maqedonase. Pra ai jo vetëm që dinte shumë, por edhe mund të tregonte. Duke pasur parasysh se në Tiranë kam intervistuar njerëz që janë në mesin e të shtatëdhjetave, u habita kur pashë këtë zotëri, që unë këtu do ta quaj me emrin Xhavit, e që nuk i kishte as të gjashtëdhjetat. E në fakt në Çarshinë e vjetër, mosha mesatare e punonjësve ishte 35 – 40 vjeç.

Fragment nga studimi "Tregu, etniciteti, identiteti: Carshija e Vjeter e Shkupit", Botuar ne Revisten Perpjekja, Dimer 2009

2 Komente

interesante.

 Carshia e Shkupit eshte vetem nje ballkon-tarace nen hijen e pemeve ku ekspozohen mallrat e dyqaneve. Ai eshte carshi, po aq sa China Town eshte Kine.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).