Debati për restaurimin e Sheshit “Skënderbej” është një debat qendror nga pikëpamja e PR-it, për secilën prej partive politike kryesore në Shqipëri, por jo vetëm. Janë disa arsye, pse dhe në rastin e këtij debati, kemi përsëritje të modelit të komunikimit politik, veçanërisht të Kryeministrit, model që prodhon më shumë efekte propagandistike  që barazohen me efekte politike, sesa efekte reale.  Ama si gjithmonë nën propagandë qëndrojnë interesa, sepse rasti i “Skënderbeut” nuk është dhe aq i thjeshtë. Ja pse ky rast nuk është aq i thjeshtë.
Ky debat, në këndvështrimin partiak, pra dhe të PR-it, sepse politika ndër viset tona quhet thjesht PR, është pjesë e një loje ku sistematikisht bie brenda shumica e mediave tona, të cilat sipas një rituali banal nuk lenë që asnjë fjalë të Berishës apo Ramës të bjerë përdhe. Dhe duke qenë se Berisha ka qejf të prodhojë lajme, mundësisht debate përditë, qoftë dhe për nevojën e Teatrit Kombëtar të Satirës (rival të Portokallisë që e ka Berishën hero kryesor), atëherë ne aq më shumë do kishim debat edhe për Sheshin “Skënderbej”.
Ky debat zhvillohet një vit para zgjedhjeve lokale të rregullta, ku beteja për Tiranën është sigurisht betejë kryesore. Dhe brenda kësaj beteje, një shesh i restauruar, i modernizuar, është një kartë e rëndësishme për t’u luajtur në ato zgjedhje. Dhe nëse zhvillohen dhe zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, aq më mirë: beteja për sheshin fiton ngarkesë simbolike të plotë sherri partiak. Bashkia kërkon ta ndërtojë- Qeveria, kjo shumicë do që ta pengojë, anipse me argumente profesionale të tipit duhet treg apo s’duhet treg në qendër. Pra me betejën për sheshin, lidhet fati i Ramës nëse rikandidon për herë të katërt, apo i pasardhësit të tij që duhet të marrë një stafetë të mirë prej kryetarit aktual të PS-së. Anasjelltas, a do të arrijë PD ta shtjerë në dorë Tiranën si investim të madh për fitimin e zgjedhjeve qendrore për herë të tretë.
Ky debat në planin e dramës dhe jo të satirës, është shprehje e një qasje ndërhyrëse, gllabëruese, sabotuese të kompetencave të pushtetit lokal prej pushtetit qendror, që kjo Qeveri e ka shprehur sistematikisht edhe më para rastit të Sheshit “Skënderbej”. E bëri me Zogun e Zi, dhe nuk ka akoma asnjë reflektim qeveritar për të, megjithë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e konsideroi shembjen si të kundërligjshme. E bëri me punimet për një pjesë të sheshit qendror. E bëri me unazën e madhe, që duhet të ndërtohet nga bashkia, por që Qeveria insiston se duhet ta bëjë vetë për pamundësi financiare të bashkisë. Me se? Me koncesion privatëve, një formë ku edhe bashkisë nuk i nevojiten para, pra një pretekst që edhe këtu Qeveria të administrojë një projekt qindra milionësh.
Me këtë argument mbërritëm te një arsye tjetër e debatit për sheshin. Emëruesi i përbashkët i qasjes gllabëruese apo sabotuese të kompetencave prej kësaj Qeverie, është dëshira për të shtënë në dorë dhe administruar projekte të shtrenjtë. Kjo është e vërtetë në të gjithë rastet që përmendëm. Domethënë praktikisht në të gjithë këto beteja, kemi përplasje të grupeve të interesave që qëndrojnë mbrapa të dy palëve. Grupeve të interesit që janë krijuar prej zbatimit të projekteve të bashkisë dhe atyre grupeve të interesit që krijohen mbrapa Qeverisë në konkurrencë me të parët. Sipas konsultimeve me ekspertët, në rastin e Sheshit “Skënderbej”, kalimi në variantin belg ka cënuar interesa të ndërtuesve që sipas planit francez mund të kishin hapësirë për ndërtim në shesh. Pra do të kemi shesh për përdorim të këmbësorëve (apo dhe për mitingjet e dashur, ku eksplodon propaganda), ky shesh nuk do të ketë ndërtesa, qofshin dhe të ulëta, siç ishin parashikuar në planin francez, diçka që është vlerësuar nga vëzhguesit edhe më kritikë të Ramës, të cilët nuk janë në Qeveri. Por dhe nëse kjo nuk është e vërtetë, çka mbetet e sigurt është se beteja për Sheshin “Skënderbej” nuk ka thjesht natyrë simbolike, apo propagandistike. Ajo është betejë dhe interesash. 
Në betejën për Sheshin “Skënderbej” po përmendet dhe mungesa e kalimit të këtij plani në KRRT-në e Republikës, e cila konsiderohet gjerësisht si një instrument bllokues, për të gjithë llojet e iniciativave që vijnë nga pushtetet lokale, që administrohen nga opozita. Ky plan ama, ka kaluar prej tre vjetësh, thonë ekspertët në KRRT e Tiranës ku Qeveria ka shumicën dhe askush nuk ka bërë komentet e bollshme që Berisha po i bën sot. Komente që mund të ishin të justifikueshëm, nëse do të ishin bërë më parë. Prej kompetentëve ama.
  Ky shesh, sipas bashkisë, që ka siguruar në këtë moment të gjithë paratë e nevojshme me mbështetje kuvaitiane, do të ndërtohet sipas planit belg dhe pritet të inaugurohet vitin e ardhshëm. Një kundërshti e arsyeshme për ngutin e bashkisë, për ta ndërtuar sapo u siguruan paratë, është mosrealizimi i unazës së vogël, diçka që do të krijonte probleme me trafikun. Po dhe për këtë kemi konflikt midis pushtetit qendror dhe atij lokal të Tiranës. Qeveria nuk ja jep paratë e shpronësimit bashkisë, në mënyrë që të zhvleftësojë sadopak dobinë e sheshit të ri, i cili do të bezdisë njerëzit me vështirësi shtesë për trafikun. Apo aq më mirë, Qeveria do donte ta sabotojë deri në fund ndërtimin e sheshit me kartën e bllokimit të trafikut, që Berisha e përmendte me aq forcë në Parlament. Ideale për Qeverinë do të ishte sikur Rama të mos e mbaronte dot këtë shesh brenda mandatit, pra të dështonte me premtimin e tij.
Debati për sheshin në fund të fundit është dëshmi e paaftësisë së palëve politike në Shqipëri për të bashkëpunuar, ama në respekt të plotë të porcioneve të pushteteve, që administrojnë sipas votave të popullit. Ai është shprehje e pafuqisë së kësaj klase politike për të krijuar sistem. Sistem do të thotë bashkërendim i punës së pjesëve në harmoni, në bashkëpunim të plotë me njëra-tjetrën, në respekt të qëllimeve të veçanta të pjesëve të sistemit, që i shërbejnë qëllimit kryesor të sistemit: mbijetesës dhe zhvillimit të tij. Askund në Shqipëri nuk kemi sistem.
 Me gjithë këto argumente, prapëseprapë debati për Sheshin “Skënderbej”, nuk është një debat qendror sot për sot. Mund të ishte kohë më parë kur u miratua plani belg. Ose nuk ka pse të jetë debati i parë në seancën plenare të Parlamentit ditën e enjte. Vendi ka probleme të tjera ekonomike, ka një krizë politike në themel të të gjithë krizave të tjera, që duhet zgjidhur dhe që kjo Qeveri s’po don ta zgjidhë. Pra në këtë kuptim, zhvillimi i debatit për Sheshin “Skënderbej”, jo atje ku duhej të zhvillohej, në selitë e duhura, synon si qëllim shtesë të zhvendosë vëmendjen nga probleme të tjera që i interesojnë sot një publiku më të gjerë. Me një fjalë, ky debat po banalizohet si shumica e të tjerëve në këtë vend, ku prodhohen shumë debate. Si debat për debat!

8 Komente

Ministri i mjedisit Mediu pezullon punimet ne shesh dhe i ve gjobe Bashkise se Tiranes 20 milion leke te vjetra,kjo eshte ca eshte ,vret tjetri nja 20-30 veta ne Gerdec dhe te ve dhe gjobe.

  TIRANË- Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, eshte shprehur sot se "proçedura e ndjekur nga Bashkia e Tiranës për sheshin "Skënderbej" është në kundërshtim të hapur me ligjin".
Në një konferencë për shtyp Xhaferri tha se “kur z.Edi Rama ka qënë ministër i Kulturës, ateherë ai ka propozuar një VKM, që e shpall aksin kryesor të kryeqytetit, që fillon nga Sheshi “Nënë Tereza” dhe përfundon të stacioni i Trenit, asambël monument kulture".
"Përveç kësaj VKM-je, kemi dhe ligjin "Për trashëgiminë kulturore", qe lidhin në mënyrë institucionale Bashkinë e Tiranës dhe MTKRS, sa herë që duhet bëhen ndërhyrje në zonat e shpallura monumenet kulture", tha ai.
Sipas tij, “nisur nga kjo, Edi Rama në prill të 2008 i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës që të miratojë projekt-idenë e tij për rehabilitimin e Sheshit "Skënderbej" dhe kjo kërkesë ka ardhur në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, i mbledhur pranë MTKRS , i cili vendosi kufizime dhe ndryshime për ndërhyrjet që duhen bërë në kete shesh".
“Këshilli vendosi që pendenca e sheshit të propozuar (pjerrësia) të mos kalojë 1% si dhe të mos lejohet ndërtimi i 2 ndërtesave në aksin e Bulevardit Zogu i Parë dhe midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë”, u shpreh ministri Xhaferri.
Në këtë drejtim, shtoi ai, “bazuar në ligjin në fuqi, pra në VKM-në që vet z.Rama ka propozuar 10 vjet më parë, por edhe në bazë të ligjit "Për trashgëmininë kulturore", çdo vendim që merret nga pushteti lokal, Këshillat e Rregullimit të Territorit për zonat që janë monumente kulture, nëqoftëse nuk miratohen në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, janë të pavlefshëm”.
 

Ah Enver c'na ke bere, na i le malok te tere!

Me Xhaferra ne Ministri,

Qe kerkojne Smoilin n'Itali.

Nigjo ca bo bashkia, prish disa shpi te vjetra tironse te Kazazeve per te hap rruge te re, sepse rrugen e vjeter e ka dhon per ndertim. Hajde ca bohet kshu

 vertet e cuditshme se si kane ndertuar pallate ne rruge. Dhe shko nga fundi i rruges Mislim Shyri se e kane zene krejt trotuarin dhe te duhet te eces ne rruge makine smiley ....dhe shif pas 15 kateshit

Sa kam kuptuar Une debati qe bejne nuk eshte per SKENDERBEUN por per perfitime vetjake/partiake qe do kene mundesi te pervetesojne me ndryshimin e sheshit

Kto duan qe robt te lodhen edhe te pranojne cdo gje

legenat

boooh ca kalamajsh qe jan dhe kta

Ore nje pytje kam un, ate sheshin mrapa Skenderbeut, ate qe eshte ne disnivel, qe prene pishat e vjetra e qe e rregullun, do ta prishin prap tashi? Gjysmen e kan prish, po edhe pjese tjeter duhet ta prishin meqenese gjith sheshi do modelohet. Ajde o popull ca behet me leket e tuja, bojn parkun mrapa Skederbeut, i vit e gjys me von i fusin rruspen per te bo model tjeter. Kesaj i thon largpamesi bashkiake, te planifikume te gjitha. pf

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).