Kapiteni Ulqinaku rrëfen vuajtjet
11 marinarët e bllokuar

 Marinarët shqiptarë, të cilët janë bllokuar që nga fillimi i muajit mars të këtij viti, e kanë nisur lundrimin e tyre nga Durrësi që më datë 1 qershor 2009. Ndërkohë, kapiteni i anijes “Brustel”, Armando Ulqinaku, dhe disa anëtarë të ekuipazhit kanë më shumë se një vit që ndodhen në det.

Pas një lundrimi të gjatë, plot probleme e rreziqe dhe pas gjashtë muajsh pa rroga, kapiteni Ulqinaku dhe katër anëtarë të ekuipazhit të “Brustel” kanë vendosur të lënë anijen e arrestuar në Libi dhe të kthehen në Shqipëri. Kthimi i tyre në vendlindje pritet të bëhet në ditët në vijim, me ndërmjetësimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në Shqipëri, pesë marinarët i pret edhe një proces gjyqësor i hapur nga pronari i anijes “Brustel”, Alban Tepshi, i cili i akuzon për dëmtim të pronës me dashje, madje edhe për poshtërim të Republikës dhe simboleve të saj.

Kapiteni i anijes, Armando Ulqinaku, i kontaktuar nga gazeta “Shqip”, i hedh poshtë të gjitha akuzat. Ai thotë se anija nuk është bllokuar për faj të ekuipazhit, por sepse i kanë skaduar certifikatat e sigurisë, gjë që duhet të bëhej nga pronari. Ulqinaku ka vënë në dispozicion të gazetës pjesë nga ditari i lundrimit që fillon më 20 prill 2009 dhe nuk ka përfunduar ende sot, më 6 prill 2010:

Datë 20 prill 2009, nisemi nga Iskanderun – Turqi në drejtim të Nikatera – Ukrainë. Bëhen kërkesat për rejsin që kemi përpara Ukrainë – Nigeri.

I kërkohet pronarit të anijes që të zgjidhet komunikimi kur anija ndodhet në det të hapur, vaksinimi i ekuipazhit, furnizimi me harta e mjete të tjera për sigurimin e lundrimit. Para mbërritjes në portin e ngarkimit, pronari është njoftuar për riparime në balliste. Anija furnizohet me elektroda në Stamboll, gjatë rrugës për në portin e ngarkimit, ku dhe furnizohemi me naftë, vaj dhe materiale të tjera për anijen. Kërkesa për elektroda është bërë gati një muaj më parë. Nuk u mor asnjë lloj mase, për kërkesat e mësipërme, si për komunikim dhe të tjerat. Pronari i anijes insiston të marrë ngarkesën, pas gjithë kërkesave për riparim. Bëjmë aq sa na lejon koha dhe mundësitë dhe ia arrijmë deri-diku. Datë 28 prill 2009 mbërrijmë në Nikatera-Ukrainë, futemi në port dhe fillojmë ngarkimin. Përfundon ngarkimi më datë 3 maj 2009 dhe dalim nga porti. Qëndrojmë në pritje deri më datë 12 maj 2009, me urdhër të charter-it dhe dijeninë e pronarit për ngarkesë tjetër.

Datë 24 maj 2009, mbërrijmë në Durrës, për riparime dhe ndërrim ekuipazhi.

Datë 1 qershor 2009, nisemi nga Durrësi dhe vetëm 2 orë nga nisja fillojnë problemet teknike me motorin kryesor, gjithë kohës pronari është i njoftuar dhe insiston të vazhdohet lundrimi.

Datë 3 qershor 2009, ora 08:20, gjeneratori “Scania” pëson defekt të rëndë, shtrembërohen dy bjella. Shkohet në vend-spirancë në bregun italian për kompletimin dhe përgatitjen e një gjeneratori tjetër, po jashtë pune. Punohet nga ekuipazhi pa kursim. Pronari njoftohet për të gjitha problemet. Përsëri pronari insiston me forcë për vazhduar rrugën.

Datë 5 qershor 2009, vazhdojmë rrugën.

Datë 12 qershor 2009 ora 07:30, arrijmë në Gjibraltar. Bëj njoftimet për mbërritjen e anijes dhe kërkoj që të konfirmohet koha për të marrë pilotin apo për t’u afruar për furnizim. Përgjigjja nga autoritetet është: Nuk kam njoftim për ju. Kërkoj leje për të hedhur spirancë, më refuzohet si nga Gjibraltari, po ashtu edhe nga autoritetet marokene nga krahu tjetër. Është e drejta e tyre për të pranuar apo refuzuar. Qëndrojmë në pozicionin “bovë”, duke mbajtur distancë jo më pak se 12 milje nga bregu spanjoll dhe minimumi 7 milje nga Gjibraltari.

Datë 20 qershor 2009, nuk na refuzohet kërkesa e dytë nga autoritetet marokene. Kryemekaniku, pasi merr vesh se nuk kishin ardhur pjesët e këmbimit të “Scania”-s, të kërkuara qysh prej 5 qershorit 2009, kërkon të largohet, me arsyen se preket rëndë sigurimi i lundrimit. Plotësisht e drejtë. Anija ndodhet vetëm me një gjenerator për lundrim, nga minimumi dy gjeneratorë.

Datë 4 korrik 2009 ora 04:45, dalim nga Porti i Ceutes dhe hedhim spirancë po në jug të Ceutes, për të ngrohur solarin, karburanti që përdoret në lundrim të lirë, por jo në manovra, për specifikën e tij. Bisedohet në telefon me pronarin për gjendjen teknike dhe konsekuencat që mund të rrjedhin. Pronari insiston të vazhdohet lundrimi. (Merret përsipër po nga ata pjesëtarë të ekuipazhit të mashinës, të cilët pronari i akuzon. Kush e kupton rëndësinë e gjendjes teknike të anijes, e di se çfarë do të thotë të lundrosh në këto kushte. Megjithatë, ne e bëmë.)
Gjatë gjithë periudhës, nga data 12 qershor e deri më datë 4 korrik, anija ka pritur për llogari të pronarit të anijes.

Gjatë rrugës, nga data 5 korrik e deri në mbërritje, datë 22 korrik 2009, në portin e destinaciont Lagos-Nigeri, anija ka ndaluar disa herë për shkaqe teknike dhe defekte në sistemin e injeksionit, madje pesë orët e fundit të lundrimit bëhen me shpirt ndër dhëmbë.
Bëhen të gjitha njoftimet konform rregullave tek East Mole Signal Station në VHF në Kanalet 16/14, merret konfirmimi në orën 08:45. fillojnë të dalin në pah problemet e komunikimit me agjencinë dhe pronarët. Gjë e paralajmëruar që në prill 2009 nga kapiteni i anijes.

Datë 29 korrik 2009, anija futet në port për shkarkim. Gjatë shkarkimit konstatohet lagie malli, por jo dëmtim. Pas debateve me pronarin e anijes, i kam kërkuar survejor për të gjetur shkakun. Anija nuk kishte P&I.

Datë 08 gusht 2009, anija nxirret nga porti, me arsyen e normave të ulëta në shkarkim dhe të shumë defekteve në vinçat e saj, sipas kontratës të bërë nga pronari i anijes me charter-at. Angazhimi i personave të ngarkuar për mirëmbajtjen dhe eliminimin e defekteve është 100 për qind, pa llogaritur as kohën as lodhjen. Por këto ishin mundësitë. Pesë persona, pjesëtarë të ekuipazhit, refuzojnë të ndjekin anijen në spirancë pasi kanë pasur komunikimin telefonik me pronarin e anijes. Arsyeja: pagesa. Nuk reagohet nga pronari, pesë personat zbresin në tokë. Më pas akomodohen për arsye sigurie nga policia e emigracionit dhe më pas në një hotel.

Disa ditë më vonë arrihet një lloj marrëveshjeje me pronarin e anijes dhe personat kthehen në anije, përveç Adem Memes me detyrë motorist, i cili riatdhesohet për arsye shëndetësore me këmbënguljen e kapitenit. Personi ishte me diabet, rreptësisht e ndaluar të punojë në det.
Më datë 28 gusht përfundon shkarkimi, ndërkohë marrësi i mallit kishte bërë padi qysh më datë 17 gusht, me shumë pretendime për ngarkesën e vonesën. Nga pronari i anijes nuk vendoset asnjë avokat, asnjë survejor, për të mbrojtur interesat e anijes që është pa mbulim P&I dhe arrestohet. Pretendohet për një shumë prej 1,500,000 USD. Asnjë qindarkë nuk është paguar nga kjo shumë. Dhe nga kjo shumë rreth 1,300,000 USD janë në ngarkim direkt për pronarin e anijes.
Dalim nga porti më datë 7 shtator 2009, furnizohemi me naftë, rreth 650 litra me bidonë 30-litërsh dhe 1000 litra nga një rimorkiator.

Datë 22 shtator 2009, largohemi nga Nigeria, me premtimin e pronarit se do të bëjë sa të mundet për furnizimin e anijes.

Nuk arrijmë të furnizohemi në Monorvia-Liberi, kështu që nisemi për në Conarky-Guine. Njoftohet pronari për skadimin e certifikatave përsëri.

Datë 7 tetor 2009, mbërrijmë në Conarky, në spirancë. Mundësi komunikimi nuk kemi. Blejmë një kartë telefoni celular nga disa persona që na afrohen me varka dhe vendosim komunikimin.

Datë 9 tetor 2009 rreth mesnatës, furnizohemi me 15 fuçi nafte dhe ushqime.

Datë 10 tetor 2009, nisemi për Dakar-Senegal.

Datë 13 tetor 2009, mbërrijmë në vend-spirancë në Dakar. Kujtuam se ky ishte fundi i të gjitha problemeve, por jo. Pas gjashtë ditësh mbaron nafta. Deri më datë 28 tetor, anija qëndron pa drita. Ushqimet që u morën në Conarky u prishën, pasi frigoriferët nuk punonin. Ushqehemi me çfarë kapim në det.

Datë 28 tetor 2009, futemi në port me dy rimorkiatorë. Kishim bërë kërkesë për 20 tonë naftë, 65 tonë solar dhe 6 fuçi vaj lubrifikant. Pronari kryen furnizimin prej 10 tonësh naftë, 65 tonë solar dhe 6 fuçi vaj lubrifikant. Ngelëm të befasuar. Menjëherë njoftohet pronari se kjo sasi nuk mjaftonte. Pronari insiston që të nisemi për të shmangur ndonjë kontroll të mundshëm nga Kapiteneria. U la si opsion Las Palmas, port ku do të vinte edhe vetë pronari, por rezultoi gënjeshtra e radhës.

Datë 29 tetor 2009, dalim nga Porti i Dakarit me shumë vështirësi, me urgjencë hedhim spirancë pasi zbritëm pilotin. Zjarr përsëri në mashinë.

Datë 30 tetor 2009, nisemi për lundrim përsëri. Gjatë rrugës kemi ndalime të motorit, si për defekte mekanike dhe elektrike. Digjet paneli i pompave të ftohjes së ujit dhe vajit të motorit kryesor.

Datë 6 nëntor 2009, për shkak të motit, shpejtësia e anijes ra në 1 mil/orë. Komandimi u bë i vështirë. Probleme me sistemin e lubrifikimit të motorit kryesor. Për shkak të sasisë së vogël në depo, anija anohet deri në 20 gradë. Rrezik për dëmtim të motorit. Alternativë për kushtet dhe pozicionin ku jemi nuk ka. Kthehemi në Dakhla.

Datë 7 nëntor 2009, hedhim spirancë në Dakhla, njoftohet pronari si dhe bëhet e qartë përsëri se anija nuk mbërrin në destinacion me sasinë e naftës dhe vajit.
Moti i keq vazhdon deri më datë 10 nëntor 2009.

Datë 17 nëntor 2009, pronari bën furnizimin e anijes me 5000 litra naftë me fuçi dhe 3 fuçi vaj lubrifikant. Kontaktohet me pronarin, me anë të celularit të agjentit. Sasia e pamjaftueshme për të mbërritur në destinacion. Pronari urdhëron të vazhdohet lundrimi.

Datë 22 nëntor 2009, rreth orës 21:00 shpejtësia e anijes bie në 1,4 mil/orë. Me këtë shpejtësi vendos të kthej kurs për t’iu afruar bregut. Bëj provë përsëri për të parë se mos kisha rritje shpejtësie: shpejtësia 3,2 mil/orë. Me këtë shpejtësi nuk arrija në destinacion. Kthehem në Agadir, Marok. Ora 04:30, hedh spirancën.

Datë 26 nëntor, mbetemi totalisht pa ushqime në anije, fillojmë të konsumojmë edhe ushqimet e varkave të shpëtimit. Gjendja tepër e rëndë. Asnjëherë gjatë gjithë kohës sime në det nuk jam ndodhur në një situatë të tillë.

Datë 2 dhjetor 2009, me një varkë të vogël furnizohemi me 5 fuçi naftë dhe pak ushqime.

Datë 3 dhjetor, nisemi për në Safi-Marok.

Datë 5 dhjetor 2009, mbërrijmë në Safi, hedhim spirancën. Nuk kemi naftë as për manovra. Po të kishim pasur qoftë edhe një fikje motori, siç pati ndodhur shpesh gjatë rrugës, do të kishim mbetur në mes të detit. Kemi kaluar në fije të perit.

Futemi në port me dy rimorkiatorë. Hera e dytë dhe jo për faj të ekuipazhit.
Ngarkojmë, furnizohemi me 6000 litra naftë, ujë, ushqime dhe vaj lubrifikant. Konstatohet vrimë në bord, fuste ujë. Njoftohet pronari. Arrihet të mbyllet nga ekuipazhi provizorisht. Shkaku: pjesa e llamarinës rrotull tepër e dobët dhe e korroduar. Vrima, dy metra nën ujë.

Datë 7 dhjetor 2009, ora 22:00 dalim nga porti me dy rimorkiatorë. Rimorkiatori i dytë, i vendosur me urdhër të Kapitenerisë, kurse njëri i detyrueshëm, sipas rregullave portuale. Kjo verifikohet shumë lehtë. Me të dalë nga porti, ndalon motori kryesor. Ishim me fat. Era na largonte nga dallgëpritësja.

Data 9 dhe 10 dhjetor, ndalime të motorit për defekte dhe probleme në injeksion.

Datë 10 dhjetor 2009, hedhim spirancë në Ceuta, disa minuta para se të hedhim spirancë japin defekt dy pompat e timonit, digjen. Defekt elektrik. Pronari njoftohet.

Datë 15 dhjetor 2009, mbetemi pa naftë. Shumë e rrezikshme për pozicionin ku ndodhemi – vend trafiku për mjetet me shpejtësi të lartë, katamaranë. Autoritetet spanjolle vendosin një rimorkiator vetëm për këtë punë, për të garantuar sigurinë e mjeteve që lëviznin në afërsi të anijes sonë.

Datë 22 dhjetor 2009, vijnë elektromotorët dhe furnizohemi me 5 fuçi naftë.

Datë 23 dhjetor 2009, futemi në port rreth orës 04:15 dhe bëjmë furnizim me naftë dhe vaj. Po këtë ditë dalim nga porti. Nisemi për në Sousse-Tunizi, ngarkesa ishte për në këtë port. Premtimet e pronarit për pagesën e rrogave, nga vendi i ngarkimit kalojnë për kur të mbërrijmë në Sousse, portin e shkarkimit.

Datë 31 dhjetor 2009, ora 07:30 hedhim spirancë në radën e Sousses. Pronari urdhëron të mos futemi në port. Festohet Viti i Ri me fasule dhe 30 gramë mish. Mbetemi përsëri pa ushqime. (Asnjëherë nuk jemi furnizuar me ato që kemi kërkuar, por gjithmonë me çfarë ka dashur pronari i anijes. Asnjëherë nuk është abuzuar me kërkesat tona, madje gjithmonë diçka më ulët se një kërkesë normale).

Datë 5 janar 2010, bëhemi gati për t’u futur në port. Motori kryesor merr superxhiro. Anulohet futja në port. Punohet për të gjetur shkakun e defektit dhe riparimin.

Datë 6 janar 2010, futemi në port dhe fillojmë shkarkimin. Furnizohemi me një sasi ushqimesh, si dhe me 1000 litra naftë, po me fuçi.

Datë 10 janar 2010, ora 18:00 përfundon shkarkimi. Anija bllokohet për pagesa ndaj marrësit të mallit, jo për faj të ekuipazhit.
(Rrogat përsëri nuk u paguan dhe më në fund, pas kaq kohësh, pronari i anijes deklaron se “nuk kam para që t’ju paguaj”). Furnizohemi me 2000 litra naftë. Porti tjetër, Misratah. (Gënjeshtra e radhës e pronarit, i cili thotë se atje me siguri do të merren rrogat). Para nisjes, përsëri kryemekaniku njofton pronarin se sasia e naftës është në limitet e jo sigurisë.

Datë 19 janar 2010, nisemi për në Misratah-Libi.

Datë 23 janar 2010, në mëngjes herët, rreth orës 01:00 hedhim spirancë. Mbetemi përsëri pa naftë. Gjendja: rreth 350 litra.

Datë 26 janar 2010 rreth orës 18:00, anija zhvendoset nga era me forcë 9 dhe deti me forcë 5-6, rreth 3 milje në drejtimin për në det të hapur. Komunikohet me pronarët për ndonjë mundësi për rimorkiator, pasi anija nuk kishte naftë. Përgjigje negative. As pronarët, as Kapiteneria nuk japin shpresë për rimorkiator. Ekuipazhi dhe anija, në dorë të Zotit. Rreth 1 milje nga një thellësi 183 metra anija ndalon zhvendosjen. (Deshi Zoti dhe e bëri, se për të tjerët kishte marrë fund.)

Datë 28 janar 2010 rreth orës 15:00 futemi në port me dy rimorkiatorë. Kontrata e ngarkimit prishet gjatë rrugës së ardhjes. Për mungesë komunikimi, nuk informohem në kohë. Furnizohemi me 15 tonë naftë, 4 fuçi vaj lubrifikant, një fuçi vaj hidraulik, 48 tonë ujë dhe ushqime për rreth 20 ditë.

Datë 30 janar 2010, dalim në spirancë, në pritje që të bëheshin pagesat si dhe për furnizim me solar.

Datë 24 shkurt 2010 ora 12:20, anija niset për Annaba-Algjeri. (Premtimi i radhës i pronarit për të paguar rrogat.) Në orën 16:55 defekt i rëndë. Mbetemi në mes të detit. Mundohemi ta riparojmë, por nuk ia arrijmë. Pjesë rezervë nuk kemi.

Datë 25 shkurt 2010, ora 02:00, fillon erë e fortë nga perëndim-veriperëndimi. Mbetemi në shpresë që era dhe deti të na çojnë drejt ndonjë vendi sa për të hedhur spirancë. Rreth orës 10:10 arrij të lidhem me agjentin që kishim pasur, duke njoftuar për problemin, si dhe të njoftonte pronarin. Kërkoj ndihmë nga anijet në spirancë që të më ndihmonin për të nisur e-mail në adresë të pronarit me një tekst të shkurtër, nuk arrita.

I bëj thirrje me radio axhentit, nuk përgjigjet.

Në këto kushte lëshoj PAN-PAN rreth orës 14:45. Përsëritet edhe në orën 16:00. Vazhdimisht i bëj thirrje agjencisë, nuk përgjigjet. Kapiteneria nuk pranon të na dërgojë rimorkiator sepse nuk kemi agjenci.

Era dhe deti nuk na çojnë atje ku ne shpresonim. Kështu që mbledh ekuipazhin dhe i sqaroj për situatën.

Për herë të fundit i kërkoj Kapitenerisë për rimorkiator, marr përgjigje negative.
Buletini meteorologjik nuk është në favorin tonë. Drejtimi i erës na çon në det të hapur, duke bërë që të humbim edhe komunikimin me radio.

Pas shumë peripecish na sjellin dy rimorkiatorë dhe futemi në port.

Datë 27 shkurt 2010, viziton anijen kapiteni i portit. Ditën tjetër sjell inspektimin e “Port State Control”. Evidentohet se të gjitha certifikatat janë të skaduara.

Datë 3 mars 2010, i dërgohet një listë me të gjithë emrat e ekuipazhit si dhe kohën e papaguar nga pronari i anijes, shoqëruar me firmat përkatëse. (Ekuipazhi nuk i beson më këtij njeriu).

Pas kësaj, pronari i anijes, pas riparimit të defektit, kërkon ta nisë anijen në drejtim të Oranit-Algjeri. Anija pëson çarje në bord, në kalatë. Nga Kapiteneria dërgohet një specialist nga kantieri, për riparim.

Anija arrestohet për mospagesë detyrimesh nga Gjykata e Misratah.
Ekuipazhi e sheh veten shumë mjegullt dhe pa shpresë për marrjen e rrogave, që janë më shumë se gjashtë muaj pa u paguar. Kështu që kërkojnë riatdhesim nëpërmjet Ministrisë së Punëve të

Jashtme, duke firmosur të gjithë.

Sot, më 6 prill 2010, anija “Brustel” mbahet e arrestuar në Misratah. Kapiteni dhe katër anëtarë të ekuipazhit presin riatdhesimin.

1 Komente

Hajde odise hajde.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).