Robert Aliaj ngre në Tiranë festivalin mbarëkombëtar të filmit të shkurtër që prodhohet vetëm në 48 orë. Shorteu i fituesve në qershor


Tirana "48 Hour Film Project" një festival mbarëkombëtar i filmit të shkurtër, sapo është ngritur si strukturë nën drejtimin e artistit Robert Aliaj. Krijues nga i gjithë vendi dhe nga të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët do të konkurrojnë për realizimin e një filmi të shkurtër brenda 48 orëve. Filmi fitues ka për të konkuruar me filmat fitues nga e gjithë bota për titullin "Best 48 hour Film of the Year 2010" në Los Anxhelos.


Aliaj, president i Tirana "48 hour Film Project" thotë se ka gjetur tashmë mbështetjen, e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Bashkisë së Tiranës, TV Klan-it e të tjera strukturave e sponsorëve privatë


"Projektit Filmik 48 orë"është themeluar në maj të vitit 2001 kur Mark Ruppert ftoi kineastët në një eksperiment: të bënin një film brenda 48 orëve.


Robert Aliaj i cili vitin e kaluar ishte fitues për Belgjikën në këtë festival dhe tani po themelon një degë të tijën në Shqipëri, pohon se "Edicioni i vitit 2009 shënoi një rekord prej 35.000 pjesëmarrësish në mbarë botën, që do të përfundonin procesin filmik - që nga casting dhe shkrimi i skenarit, tek xhirimet dhe montazhi, vetëm brenda 48 orëve. Projekti është bërë një fenomen global kulturor, me më shumë se 150.000 pjesëmarrës dhe prodhimin e rreth 9.000 filmave të shkurtër."


Aliaj i fton artistë shqiptarë kudo që ndodhen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Diasporë të provojnë krijimtarinë dhe punën në grup për të bërë një film në dy net pa gjumë.


Ka dy ditë që ju prezantuat projektin për një festival të filmit të shkurtër në Tiranë. Ç'është Tirana "48 Hour Film Project"?


Ka tri vjet që ëndërroj ta sjell në Tiranë këtë format sepse kam menduar që i përshtatet kushteve sociale dhe politike në të cilat ne jetojmë. Nga ana tjetër mendoj se të rinjtë duhen mbështetur për të bërë filma.


Kinemaja akoma konsiderohet si një art elitar. Qëllimi ynë është që të sjellim një koncept dhe një frymë tjetër për artistë të rinj që kanë ëndërruar gjithmonë për të bërë një film dhe nuk kanë mundur.


"48 Hour Film Project" është një fenomen kulturor botëror dhe një institucion ndërkombëtar që organizohet në 81 qytete të botës me një sukses të jashtëzakonshëm, duke iu ofruar kineastëve të rinj dhe të talentuar mundësinë për t'u shprehur në fushën e kinematografisë dhe duke iu siguruar vizibilitetin botëror dhe lidhje me festivalet më prestigjoze të filmit në botë, si Festivali i Cannes, ku madje fituesit në shkallë ndërkombëtare do të prezantohen në një seksion të veçantë.


Ajo që e bën të rëndësishëm këtë festival, është angazhimi i të gjithë të rinjve dhe amatorëve të filmit, por, edhe i prodhimit dhe promovimit të filmave dhe kineastëve të ri, ekskluzivisht shqiptarë.


Si u prit ideja?


Pritja deri tani ka qenë shumë e mirë, edhe pse projekti nuk është promovuar siç duhet. Ka një ndjeshmëri tek të rinjtë. Faza e parë e festivalit konsiston në krijimin e grupeve me një producent, regjisor, skenarist, aktorë e kështu me radhë. Ata do të regjistrohen me emrin e producentit tek adresa e festivalit me qendër në Los Angeles: http://www.48hourfilm.com/tiranë.


Pjesëtarët e ekipit do të marrin përgjegjësinë për zgjedhjen e një kasti aktorësh dhe ekipi teknikësh, për gjetjen e pajisjeve dhe çdo baze tjetër materiale të nevojshme për të krijuar një film brenda një fundjave.

Çdo ekip, pavarësisht nga niveli i aftësive të tyre, ka të drejtë të marrë pjesë në këtë konkurs. Më pas ata do ta konfirmojnë regjistrimin e tyre në adresën e-mail 48oreshi@gmail.com. Në këtë adresë do të informohen për çdo gjë.

Si është organizuar festivali?


Më 8 qershor hidhet shorti. Secilit ekip i caktohet zhanri, karakteri, dhe linja e dialogut të filmit që duhet të realizojnë. Të gjitha ekipet pjesëmarrëse të të gjitha niveleve fillojnë punën për realizimin e filmit të shkurtër (prej 4-7 minutash) nga ora 19.00 e ditës së premte dhe duhet ta dorëzojnë atë në 19.30 të ditës së diel.


Mbas procesit të krijimit të filmit dhe dorëzimit të tij, filmat e të gjitha ekipeve pjesëmarrëse do të shfaqen në një kinema të qytetit të Tiranës.


Filmit fitues në nivel kombëtar i jepet një trofe dhe do të vazhdojë rrugëtimin, duke përfaqësuar Shqipërinë dhe Tiranën në Kompeticionin Ndërkombëtar në SHBA, për të konkurruar për çmimin e lartë Filmapalooza, i cili zhvillohet në NAB Show.
Çmimet që do të ndahen si në kompeticion janë: regjisori më i mirë, aktori më i mirë, skenari më i mirë, muzika më e mirë, filmi më i mirë i vitit.


Gjithashtu organizatorët do të njoftojnë që 14 prej filmave më të mirë të vitit në shkallë ndërkombëtare, do të shfaqen në seksionin e filmave të shkurtër të Festivalit Ndërkombëtar të Kanës, si edhe do të qarkullojnë në DVD të shpërndarë në festivale të ndryshme ndërkombëtare.


Qëllimi final është eksportimi i artistëve shqiptarë dhe i imazhit të Shqipërisë.


Si do t'i eksportojë?


"48 Hour Film Project" tek e cila aderon prej pak kohësh edhe Shqipëria, siç e thamë është një infrastrukturë hollivudiane me filiale të sajat në shumë vende të botës. Nga Hong-Kongu në Melburn, nga Tokio në Las Vegas. Nuk ka qytet të madh ku të mos jetë ky festival për të provokuar fantazi. Për Shqipërinë kjo gjë u bë e mundur në mënyrë spontane.


Në vitin 2009 fitova në Belgjikë Festivalin "48 Hour Film Project" dhe përfaqësova shtetin belg në konkurrimin e madh i cili përbën fazën e dytë pas konkurrimin në rang kombëtar. Falë kësaj përvoje arrita të merrja licencën për "48 Hour Film Project" për Tiranën.


Tirana e ka një festival të filmit të shkurtër. Ku dalloni ju prej ekzistuesit?


Koncepti në fjalë ndryshon nga çdo lloj format festivali i metrazhit të shkurtër, sepse nuk pasqyron sukseset dhe ato vlera që ekzistojnë këtu, por i angazhon dhe motivon njerëzit për të bërë një film në 48 orë.


Jeni i informuar për zhvillimin aktual të kinemasë shqiptare?


Nuk jam shumë në dijeni të kinemasë shqiptare, kështu që nuk mund të bëhem nihilist dhe kritik pa bazë. Por mund të them se jashtë Shqipërisë imazhi për kulturën shqiptare dhe për filmin në veçanti, është imazh i një subkulture, të paragjykuar për mungesë të politikave kulturave. Jemi një vend që s'ka një politikë të qartë për kulturën dhe politikanët nuk e kanë kuptuar akoma këtë gjë.


A ka të bëjë mirëfilli me kinemanë apo me fantazinë dhe aftësinë për të menduar saktë dhe për t'u shprehur në ekran brenda 48 orëve?


Që të krijosh nuk do kohë. Kineastët e rinj në Shqipëri kujtojnë se të bësh art dhe të hedhësh ide të mëdha do të thotë të kesh mjete po aq të mëdha e sofistikuara. Pastaj çështja e realizimit, është çështje kohe.


Kemi të bëjmë me një projekt që kërkon pikërisht idenë, njerëz të talentuar që kanë diçka për të thënë. Të gjitha problemet teknike janë dytësore. Duhet të çlirohemi nga ideja që arti i madh bëhet me kushte absolute. Është bërë art me mjete rastësore.

Temat që propozoni ju duken të modës: homofobia, homoseksualiteti, minoritetet, dhuna në familje etj.


Përpjekja jonë nuk është për të bërë gjëra që janë modë por që preokupojnë shoqërinë shqiptare dhe nuk ishe një ngacmim që erdhi i paramenduar, por erdhi pikërisht nga gjërat që ndodhin rëndom në Shqipëri dhe në familjet shqiptare. Nuk besoj se këto janë gjëra trendy. Në rast se këto fenomene ekzistojnë, duhet t'i tregojmë që ndodhin dhe pse ndodhin.


Pastaj ne s'jemi gati të pranojmë gjënë më fondamentale atë të qenit të njeriut ai që është. Ka një deformim të opinionit ndër shqiptarë se si i paragjykojmë zgjedhjet personale të tjetrit, kurse kur vjen puna për raportet e tjetrit me shoqërinë dhe kundrejt nesh, kjo as që na intereson.


Çfarë lidhjesh keni ju me kinemanë?


Kinemaja është imazh dhe shumë elementë të punës që unë bëj brenda tablove të mia, sidomos tablotë e fundit, janë me zgjidhje kompozicionale kinematografike dhe kjo vjen nga tërheqja ime për kinemanë.


Kinemaja është një imazh në lëvizje, kurse piktura është imazh fiks. Shpesh mendoja çfarë do të ndodhte nëse piktura do të lëvizë dhe bëra disa kërkime për animacionin e një imazhi fiks, jo në konceptin klasik të animacionit.

Përse një i ri duhet të bëhet pjesë e këtij projekti?

 

Nëse dikush mendon se ka diçka për të thënë, ky është rasti. Është një festival ku testohen mundësitë e secilit nëse mund të bëhet kineast apo taksist. Është një rast ku përcaktohet një zgjedhje për jetën e dikujt.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).