Kanë kaluar më tepër se dy shekuj, që prej ditës kur “Emili” apo “Mbi edukatën” pa dritën e botimit, dhe njëkohësisht, për ironi të rastësisë, edhe atë të zjarrit me të cilin do të dënohej. Literalisht, “Emili” iu nënshtrua biblioklasizmit të kohës, që nënkupton praktikën apo ritin ceremonial të djegies së librave të kategorizuar si jo të përshtatshëm përkundrejt vlerave aktualisht ekzistuese të shoqërisë, dhe për Francën e vitit 1762 “Emili” konsiderohej jo i pranueshëm, pse jo edhe heretik. Ka të ngjarë që emri i Russeau i parapriu veprës së tij: atij iu ndalua hyrja në Francë, librat e tij gjithaq u ndaluan në Gjenevë e kudo gjetkë, aq sa për disa kohë iu desh të strehohej me Hjumin në Angli. Kjo u kushtëzua nga indiferentizmi religjioz, por me shumë mundësi edhe nga risitë që shkrimet e tij sillnin ne perceptimin e procesit edukativ e të etiketës që domosdoshmërish përfshinte ai.

Teksa mendoja të shkruaja mbi rëndësinë e etiketës në marrëdhëniet shoqërore, me erdhi ndër mend një shprehje të cilën e kisha ndeshur kohë më parë në një libër, e cila thoshte pak a shumë kështu: “Teksa bon sensi vjen, etiketa merr arratinë”, e cila do të thotë përkatësisht se teksa mirëkuptimi mbërrin, etiketa largohet, duke më bërë të ndërgjegjshme përkundrejt ekzistencës së një debati jo të ri. Ç’është më me rëndësi, mirëkuptimi apo etiketa? E ku konsiston vija ndarëse midis të dyjave? Fohjtvangeri shkruan për një dukeshë, Dukeshën e Albës në shekullin e XVII në Spanjë, e cila adhuronte lirshmërinë e maho-ve apo maha-ve të Madridit. E veshur si ata, nën një sombrero, ajo shijonte orë të tëra larg etiketës së oborrit. Një akt ky i cili mjaft mirë mund të konsiderohet si një formë rebelizmi, larg ngurtësisë së formave të sjelljes së oborrit. Në të vërtetë, etiketa përcaktohet si një kod sjelljeje që ravijëzon pritshmëritë e sjelljes, në përputhshmëri me normat konvencionale te kohës, të një shoqërie, klase shoqërore apo grupimi. Nëse populli spanjoll pëlqente këngët, mbledhjet rreth zjarrit, duke shijuar një queimada, pijen e zjarrit, teksa sodisin kërcimet që vinin nga vajzat e fshehura poshtë fustaneve shumëngjyrëshe të djemve nën sombrero, nuk do të thotë assesi se ata nuk kishin një etiketë të të sjellit. Madje ata kishin një etiketë të ndërlikuar, vetëm se etiketa e tyre nuk i shkonte për shtat asaj të oborrit. Sjellja e Dukeshës së Albës, e cila përcaktohej si një dhunim i normave të etiketës së oborrit, nuk ishte gjë tjetër vetëm një inkorporim i normave të të sjellit të një tjetër grupi, në atë të sajën. Kjo me bën të mendoj se përcaktimi apo kategorizimi i disa personave si mosrespektues të etiketës është një praktikë krejt relative. Të gjithë veprojnë në bazë të një etikete të caktuar, asaj të grupit social të cilit i përkasin. Përse duhen suprimuar disa norma sjelljeje për disa të tjera, e madje edhe të zhvlerësohen përkundrejt tyre?

Besoj se koha në të cilën jetojmë, në pluralizmin e ideve, nuk na ka përballur me ngurtësinë e formave të sjelljes. Ne jemi gjenerata fatlume, e cila përjeton prirjet unifikuese të normave të sjelljes, por kjo nuk do të thotë assesi se ne përjetojmë një sistem anarkik të rregullave të sjelljes, e ndoshta kjo është më e rëndë se sa përballja me ngushtësinë e formave. Shpeshherë mirësjellja keqinterpretohet për ftohtësi, herë të tjera për mendjemadhësi, e përkundërta e saj interpretohet si dëshirë, e cila të lë të kuptohet shembjen e distancës, e kështu me radhë teksa asnjëra ndoshta nuk nënkupton tjetrën. Ndoshta mirësjellja nuk është as kërkesë për largësi a ftohtësi, aq sa mungesa e saj mund të mos jetë një ftesë për marrëdhënie më miqësore. Të gjendur në këtë kaos rregullash sjelljesh, ne jemi të predispozuar të jemi pre e keqinterpretimeve. Shpeshherë, nëse dikujt i drejtohesh me formën plurale “ju”, nuk ngurron të të vërë në dukje se nuk është gjithaq më i vjetër se ti, ose me dashamirësi të lë të kuptohet se nuk mban një pozicion më të mirë shoqëror. E në këtë pikë, ti heq dorë nga shpjegimi se të kanë mësuar se është mirë që të panjohurve apo atyre me të cilët nuk ndan një raport të afërt t’u drejtohesh me ju. Çka nuk është as një ofezë për moshën, as edhe një shenjë miklimi për ndonjë pozicion të hamendësuar shoqëror.

Ajo çka është shqetësuese, është edhe mungesa e mirëkuptimit, qëndrimet agresive përkundrejt atyre të cilët nuk mendojnë, nuk sillen apo jetojnë sipas rregullave tona. E thënë më thjesht: qëndrimet e përfrikësuara përkundrejt prurjeve të reja, mendimit ndryshe. Por nuk mund të fajësosh ndokënd për këtë. Biologjia na vjen në ndihmë duke na qartësuar se është një sjellje instiktive mbrojtjeje e përcjellë gjenetikisht, e cila aktivizohet me të perceptuar diçka si një rrezik potencial. E si mbrojtje zgjidhet sulmi. Duke qenë se jemi të pajisur me një logjikë integrale të shëndoshë, më surprizon fakti se pse pakënaqësitë apo mospranimet tona të mos gjejnë shprehi në forma më pak sulmuese e kategorizuese. Do të dëshiroja të sillja nën fokus rastin kur dikush në fjalorin e përditshëm përfshin një sërë fjalësh, të cilat mund të kenë prejardhje nga gjuhë të huaja, apo thjesht nuk janë bërë të zakonshme në bisedat e përditshme. Kaq mjafton shpeshherë që një pjesë e bashkëbiseduesve të nisin prej kategorizimeve, të shqetësuar për ardhmërinë e gjuhës shqipe. E sa herë ndodh kjo, surprizohem se si po të njëjtët njerëz qëndrojnë indiferent përkundrejt gabimeve të dukshme gramatikore në gjuhën e përditësuar. A nuk janë këto gabime gramatikore të qëndrueshme, shumë herë më kërcënuese për gjuhën tonë se sa përdorimi sporadik i ndonjë fjale të re për leksikun e përditshëm? Ajo çka ndodh lidhet ngushtësisht me frikën ndaj asaj çka është e re apo ndryshe, e kjo vë në jetë një mekanizëm përgjigjeje, i cili ndesh vështirësi në të mirëkuptuar, sepse steriotipizimi është trashëguar edhe në tranzicionin ku prej vitesh lulëzon e merr trajta gjithnjë më të sofistikuara. Nëse dikush, qoftë edhe në një debat televiziv, pozicionohet në një qëndrim thuajse skeptik në lidhje me ndjesinë e krenarisë që presumohet të vijë prej përkatësisë kombëtare, menjëherë është pre e sulmeve e atyre të cilët e duan atdheun.

Tone të larta, agresive, ofenduese, që nuk marrin në konsideratë jo vetëm etiketën, po as bon sens-in, mirëkuptimin, të bëjnë të mendosh, përpara se të shprehësh ç’mendon realisht në feed back-un që do të marrësh, duke u përpjekur të punosh me sa të mundesh me formën e paraqitjes së mendimit, në mënyre të tillë që të shmangësh keqinterpretimin. Ekzistenca e një kodi etike të kohës sonë do të na vinte mjaft në ndihmë e do të na lehtësonte mjaft përpjekjet e vazhdueshme për t’u mirëkuptuar, apo edhe nëse kjo do të mungonte, sepse nuk mund ta kërkosh gjithnjë prej kujtdo, të paktën një sens të qytetëruar mirëkuptimi. Etiketa jo gjithnjë është snobizëm që i atashohet gentleman-ëve britanikë, por një domosdoshmëri që ndihmon në mbarëvajtjen e debateve apo marrëdhënieve shoqërore. Përderisa qytetërimet në çdo kohë përpunonin sisteme të tëra për sjellje sa më të hijshme, mjaft të përmendim Konfucin apo Benjamin Franklin e George Washingtonin, të cilët janë kujdesur specifikisht për çështjen në fjalë. I pari nëpërmjet mësimeve të tij, e të dytët duke shkruar kode sjelljeje për gentleman-ët e rinj, e ndërgjegjësohemi për rëndësinë që një kod etike mbart në vetvete. Kjo është e vështirë, mjaft të kujtojmë fundin që pati “Emili” i Russeau në shembullin e mësipërm.

Sigurisht është e kuptueshme që vështirësia nuk qëndron vetëm në hartimin e një kodi etike apo në ndërgjegjësimin, por edhe në respektimin e tij, e kjo shtron një debat të gjerë në lidhje me domosdoshmërinë e një përforcimi ligjor ose jo. Një rast i ngjashëm ndeshet në Francën e viteve 1800, ku ndalohej përdorimi i fjalëve jo të hijshme në prani të zonjave. Ky ligj nuk është më në fuqi, por tregon një përpjekje të hershme për të relacionuar sjelljen e hijshme, edhe nëse kjo do të mund të arrihej përmes ligjit.

1 Komente

mirë, mirë por mos u surprizo kur fare mirë mund të habitesh

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).