Nuk kemi flamurin tonë, por kemi terminologjinë tonë dhe sinjalet tona për të komunikuar. Ndoshta ne jemi njerëzit që do të bëhen simbol i paqes dhe i ndërprerjes së përleshjeve njëherë e përgjithmonë, i fundit të konflikteve njerëzore. Nuk duam as flamur e as simbole, as shtet, as kufij e as histori, madje historia është gjëja të cilën e urrejmë më së tepërmi. Nuk duam ta kthejmë kokën mbrapa kah errësira, por para kah drita: dritë dhe kopsht me lule e kemi çdo ditë. Ne të gjithë kemi studiuar biologji dhe psikologji. E dimë se ajri, uji, ushqimi dhe gjumi janë nevoja jetësore, veç ne, si më të mençurit, vetes i krijuam edhe një nevojë pa të cilën nuk kishte gjasa të jetohej.

Nuk mund të them se nuk jemi njerëz, edhe ne jemi njerëz, porse njerëz të mvarur. Nuk na interesojnë festat, nuk na interesojnë zgjedhjet parlamentare, nuk na interesojnë zbritjet e çmimeve. Nuk na interesojnë lajmet, madje ne nuk shikojmë fare lajme; nuk na intereson televizioni, madje nuk shikojmë fare televizor. Ndërsa për të tjerët televizioni është bërë nevojë biologjike, neve as që na shkon ndërmend ndonjëherë ta shikojmë. Kjo sepse për nga nevojat biologjike ne jemi njëlloj me të tjerët: ia mbjellim vetë trupit tonë mvarshmërinë dhe kështu duhet të rendim gjithë kohën që të shuajmë “etjen” e kësaj mvarshmërie.

Futbolli, apo në përgjithësi sporti, mund të them se nuk ekzistojnë fare për ne. Nuk mund ta përfytyrojmë veten duke vrapuar pas një topi që veç rrotullohet e rrotullohet. Nuk kemi kohë të rendim pas gjërave të tjera e posaçërisht pas topit, në të kundërt jemi vetëdënuar të rendim gjithë kohën pas asaj prej së cilës mvaret jeta jonë. Nuk do të kishim kohë që në vend të fjalës “jetë” të krijonim një fjalë tjetër, pasi ne nuk jetojmë si të tjerët, koha e të cilëve nga mëngjesi deri në mbrëmje thjesht nuk është jetë, por vrapim. Jetojmë në kapitalizëm dhe e dimë se nëse dëshiron të mbijetosh duhet t'i hapësh katërsh sytë, duhesh të jesh super-aktiv, por vrapi ynë dhe rreziku ku vihemi tërë kohën i tejkalon të gjitha normat e kapitalizmit.

Ne vrapojmë pas asaj pa të cilën nuk mund të jetojmë, vrapojmë pas “jetës” sonë. Ëmbëltoret i vizitojmë pak si shpesh. Sidomos mezi presim të na vijë vera dhe të shijojmë akullore. Është interesante edhe me lypësit nëpër rrugë. Këta shpresojnë se të gjithë mund t'u japin diçka, por kur njëri prej nesh u kalon afër, ulin kokën. Edhe lypësit janë të aftë të na dallojnë nga të tjerët. Mos vallë e dinë që jemi gjithnjë në vrap e sipër dhe mendojnë se ndoshta nuk kemi kohë as të fusim dorën në xhep e t'u japim diçka?

Nuk na interesojnë festat kombëtare, më mirë me thënë se festat kombëtare shndërrohen në festa personale. Në raste festash, kur të gjithë mblidhen përreth ndonjë figure kombëtare për të festuar, ne festojmë në shtëpitë e atyre që kanë dalë për të festuar. Në festat kombëtare ne festojmë dy herë. Një herë në shtëpitë e atyre që festojnë dhe të dytën herë në shtëpitë tona. Patjetër më duhet të veçoj se në festën e parë, në shtëpitë e atyre që festojnë, kalojmë shumë bukur. Në raste fatlume, nëse aty ndodhet ndonjë shishe shampanje apo ndonjë birrë në frigorifer, në kësi rastesh pra ato janë festat më të veçanta ngaqë festojmë duke pirë, dhe edhe sepse kësisoj kemi siguruar jetesën tonë për një periudhë kohe.

E dashura ime ishte e mbesa e njërit që më kishte vrarë gjyshin, ishte mbesa e njërit që më kishte përdhunuar gjyshen, çka shpesh më bën të dyshoj se mos jam nipi i atij që më kishte përdhunuar gjyshen, dhe se gjyshja, nga frika apo më mire me thënë nga turpi, nuk kishte mundur ta bënte publike përdhunimin që i ishte bërë. Mos vallë gjyshi e kishte kuptuar dhe për këtë arsye, duke u përpjekur të vrase përdhunuesin, ra i vrarë nga dora e tij?!

Këto mendime më vinin pas periudhës “kopshti me lule”. “Kopshti me lule” është një periudhë gjatë së cilës duhet sakrifikuar shumë, duhesh të çlirohesh nga të gjitha obligimet jetësore dhe duhet ta largosh turpin nga trupi. Nëse dëshiron ta përjetosh së paku një herë në jetë këtë periudhë të papërshkrueshme duhet t'i thyesh të gjitha normat njerëzore dhe nëse e provon një herë mbetesh ashtu përgjithmonë. Të gjithë fqinjët, kushërinjtë, të afërmit e ndoshta-përdhunuesit e gjyshes sime, ishin sikur unë. Kjo është arsyeja pse e dashura ime ishte njëra prej tyre, sepse ishin të ralla femrat e fqinjëve të mi, të cilat ishin sikundër unë, të mvarura pra nga kërkimi i “kopshtit me lule”.

I rritur shi në mes të një konflikti ndërnjerëzor, me një histori tmerrësisht të përvuajtur, me gjak të derdhur për shekuj, ende i keqpërfaqësuar, ende i shkelur, tash, duke vrapuar nëpër rrugët e qytetit si një qen i pangopur me bark shekullor, me kokën çoroditur, duke kërkuar shpëtimin në një labirinth të pakryer, duke shkelur e jo puthur flamurin për të cilin kanë dhënë jetën shumë nga ish-atdhetarët e mi, tash unë shëtis rrotull e rrotull, pa babë e pa nënë, pa motër e pa vëlla, krah për krah me të dashurën time si dy pijanecë që kërkojnë shtëpinë. Të pirë, të përdhosur e të shkarravitur për tokë. Kur shikoj billbordet nëpër rrugë me “voto” këtë e atë i pështyj në fytyrë, dhe pështyj edhe të dashurën, kurse ajo ul kokën e as që i bëhet vonë. Ndonjëherë edhe e kam pështyrë pa arsye: unë isha i bindur që e kisha një arsye, se cilën nuk doja ta lodhja kokën veç. Thjesht isha i sigurt që kishte një arsye se pse e keqtrajtoja ashtu. Çdo hap i saji shoqërohej nga një keqtrajtim. Ishte e shkelur nga koha, e shkelur nga shekulli, e shkelur edhe nga unë. Shoqet e së dashurës sime ishin xheloze ndaj saj, por unë - njeri pa moral, ashtu si e dashura ime, ashtu si shoqet e saj -, unë, e tradhtoja të dashurën time me të gjitha shoqet e saj. Menjëherë pasi e bëja atë punën, informoja të dashurën dhe njëlloj, edhe në kësi rastesh, ajo ulte kokën dhe as që i bëhej vonë.

X personat që rrinin afër meje thjesht ishin X-e. Ishin X nga jeta, X nga gjithçka. Nuk mundem t’i quaj njerëz, njësoj edhe veten, ne nuk jemi njerëz përderisa jemi X-a, e dimë megjithatë se si është të jesh njeri sepse më parë kemi qenë njerëz. Ne s’dimë ta kapim macen dhe ta ledhatojmë, s’dimë si është të shëtisësh një fëmijë të vogël  me kolice, s’dimë si ta përkëdhelim dhe ta ushqejmë. Ne asnjëherë nuk kemi për të qenë prindër. Prindërit kanë vdekur për ne dhe ne s’kemi për t’u bërë prindër. Ndoshta njeriu në billbordin “më voto mua” është vllau im, por ai është njeri, kurse unë së bashku me të dashurën jo. Ne nuk votojmë askënd, për ne nuk ekziston as kryetar e as ndokush të cilit t’i nënshtrohemi. Për ne nuk ekziston as lufta, nuk ushqejmë urrejtje ndaj armikut që e kërcënon vendin ku jetojmë me luftë.

Ndoshta lufta do të ishte lehtësim për ne, do të mundeshim të jetonim pak më tepër. Ndoshta për ndokënd kërcënimi me luftë nga armiku do të thotë kërcënim me vdekje, apo shpërngulje me gjithçka, t’i lërë të gjitha, të shpëtojë veten dhe familjen. Porse për ne lufta do të ishte shpresa për jetë. Ndoshta ne do të ishim njerëzit e vetëm, që në asi rastesh as që do të mendonim nëse duhet ikur apo duhet qëndruar. Edhe lufta për ne është X, e meqë edhe ne jemi X, pse të kemi frikë nga lufta, e cila sikundër edhe ne, është X? Kërcënime luftarake ka sa të duash. Shpresa për të jetuar për ne vetëm sa shtohet.

3 Komente

Tashti mua m'vjen shume keq qe ky shkrimi i Ben Rexhepit po kalon pa u vene re. S'eshte savant si ai i "Surrealizmit socialist", por ka zgjedhur frengji te veshtire miku. 

Finisterre e thua mire! Se edhe festat fetare jane kthyer ne raste ku na fanepsen si gjithenje ata.....Njerezit me nje mal paresh ne (kush dreqin e din ku i kan fut politikanet paret) dhe  tre pare mend ne koke 

S'e morem vesh kush ishte ky populli x...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).