1. Më 19-20 shkurt 2010 televizionet dhe gazetat shqiptare raportuan rezultatet e një sondazhi të kryer nga Gallup Europe, në tetor 2009, në vendet e Ballkanit Perëndimor. Rezultatet e sondazhit u prezantuan nga autorët, në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), Tiranë, më 19 shkurt. Mediat shqiptare u fokusuan në gjetjet më kryesore të raportuara për Shqipërinë në veçanti mbi prirjen dhe potencialin emigrues, duke e lidhur atë, pashmangshmërisht, me pritshmërinë më të rëndësishme, më saktë me ankthin tonë të këtyre muajve, liberalizimin e vizave. Raportimi u krye në një periudhë me konflikte politike dhe me shumë pikëpyetje e pasiguri, për shkak të kësaj situate, mbi liberalizimin e vizave dhe proceset integruese.

2. Gazeta A: “Në sondazh bëhet e ditur se 60% e shohin mundësi të mirë jetese jashtë Shqipërisë, ndërsa 38% mendonin të emigronin”. Gazeta B: “Sondazhi i Gallup tregon se 38% e shqiptarëve do të donin të jetonin në një tjetër shtet. Kjo, sipas sondazhit, është shifra më e lartë krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Madje, sondazhi tregon se dëshira për të jetuar jashtë Shqipërisë është rritur me 6% krahasuar me vitin 2006”. Gazeta C: “Një sondazh i publikuar dje lidhur me disa indikatorë që lidhen me cilësinë e jetës theksonte se të paktën një milion shqiptarë janë gati të lënë Shqipërinë nëse do të kishin mundësinë e marrjes së një vize. Ky sondazh është zhvilluar nga Gallup ...i cili ka pajtuar një organizatë të deputetit socialist, XY, për të nxjerrë këto rezultate”. Këto janë vetëm disa nga komentet e shumta mediatike. Të gjitha komentet kishin të përbashkët interpretimin figurativ të rezultateve të sondazhit, duke e besuar apo jo, si “një dëshirë masive për ikje”, “një eksod të dytë shqiptar”. Në fakt, shifrat e mësipërme kanë qarkulluar edhe përpara këtij prezantimi, aq më shumë po qarkullojnë pas tij, në sferën politike, mediatike e deri në formën e komenteve a miteve urbane. Sipas prirjeve politike, komentuesit ose kanë ngritur alarmin se potenciali i lartë emigrues i Shqipërisë mund të rrezikojë përfitimin e heqjes së vizave duke fajësuar për këtë qeverinë për gjendjen ku e ka katandisur vendin ose kanë paragjykuar studimin dhe rezultatet e tij si të manipuluara apo të instrumentalizuara, duke fajësuar për këtë opozitën. Komentet politike, mediatike dhe urbane u gjallëruan edhe për shkak të lajmeve të javëve të fundit, se një numër shtetasish serbë e maqedonas, kryesisht të etnisë shqiptare, filluan të largoheshin e të kërkonin strehim politik në vende të caktuara europiane.

3. Në pamundësi për të marrë pjesë në prezantimin në fjalë, me kërkesën time, mora nga EMA materialin e prezantimit në Tiranë nga Gallup Europe, në të cilin pasqyrohen rezultatet në vijim: i ) Nga rreth 2.8 milionë shqiptarë mbi 15 vjeç (popullsia në total 3.6 milionë), 38% e këtyre ose rreth 1 milion shqiptarë dëshirojnë të zhvendosen, në kushte ideale, në një vend tjetër; ii) nga këta, 29.5% ose rreth 300 mijë shqiptarë kanë plane konkrete afatshkurtra pra, të sigurt që duan të zhvendosen, përgjithmonë apo përkohësisht brenda 12 muajve të ardhshëm; iii) vendet e destinacionit të parazgjedhura janë: Itali (90 mijë), Greqi (50 mijë), SHBA (45 mijë), Angli (20 mijë), Gjermani (13 mijë), Francë (7 mijë), Kanada (7 mijë) dhe pjesa tjetër, rreth 60 mijë, në vende të ndryshme. Vendet e destinacionit u paraqitën grafikisht përmes shigjetave të orientuara sipas akseve gjeografike duke krijuar, në vlerësimin tim, një farë pamjeje mbresëlënëse të një zhvendosjeje të orientuar e të planifikuar si të ishte një dislokim trupash ushtarake dhe jo një lëvizje spontane siç janë ato emigruese.

4. Komentet mediatike dhe paqartësitë e prezantimit më nxitën kërshërinë, ndaj fillova kërkimet në adresën e internetit të kësaj organizate të mirënjohur (www.balkan-monitor.eu) duke hyrë në bazën e gjerë të të dhënave të studimit të ofruara lirshëm e për këdo e më pas duke komunikuar, për disa javë, drejtpërdrejt me ekspertët e Gallup Europe. Në tabelat bashkëlidhur jepen pyetjet e përdorura, rezultatet e secilës pyetje veçmas, si dhe ato të kombinuara sipas lidhjes kushtëzuese të pyetjeve. Të gjitha rezultatet e tabelave dhe/ose ato më poshtë në këtë shkrim janë rezultatet e sakta. Këtu është vendi që të përshëndes sjelljen profesionale, korrekte e transparente të ekspertëve të Gallup Europe që jo vetëm iu përgjigjën kërkesave të mia për informacion, të dhëna e sqarime, por edhe që pranuan me dinjitet se në prezantimin në Tiranë, disa nga të dhënat ishin raportuar gabim, duke kërkuar njëkohësisht ndjesë që kësisoj ndoshta mund të kenë shkaktuar keqkuptime në kahe të kundërt edhe me vetë përfundimet e studimit dhe opinionin e kësaj organizate, e cila po argumenton se potenciali emigrues i Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, është i dobët.

5. Në tabelën e parë jepet pyetja e parë dhe rezultatet për të gjitha vendet. Rezultatin prej 38% për Shqipërinë media e raportoi saktë si shifër, por e interpretoi gabimisht si potencial emigrues apo ikje masive me t’u hequr vizat. Siç shihet qartë, pyetja është e përgjithshme dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me një plan konkret për të emigruar, por me dëshirën që të intervistuarit kanë shfaqur për t’u shpërngulur, në kushte ideale e nëse do të kishin mundësi, në një vend tjetër. Edhe mua po të ma bënin këtë pyetje mund të isha përgjigjur se ndoshta do të më pëlqente të shpërngulesha diku tjetër, p.sh. në ishujt ekzotikë të Karaibeve. Pse jo? Vende të mrekullueshme, verë e përhershme! Aq më shumë në përgjigje të një pyetje në rrethana ideale, pra, pa menduar për mundësitë, kostot dhe rreziqet e shpërnguljes. Ndërkaq e me të drejtë, ekspertët e sondazhit e kanë përdorur këtë pyetje vetëm si pikënisje për vlerësimin e potencialit emigrues, por jo si vlerësim i vetë këtij potenciali.

6. Pyetja e dytë tenton vlerësimin e potencialit emigrues, të sigurt apo të mundshëm, të përhershëm apo të përkohshëm, por si një qëllim afatshkurtër për t’u realizuar nga të intervistuarit. Kujdes! Kjo pyetje u është bërë vetëm atyre personave, të cilët në pyetjen e parë janë shprehur se dëshirojnë të zhvendosen. Përgjigjet “Jo, ka mundësi që jo”, pra të lëkundur dhe “Jo, padyshim që jo”, pra të sigurt, janë rezultatet që lidhen deri diku me prirjen për emigrim në 12 muajt e ardhshëm. Rezultati i përbashkët i tyre për Shqipërinë është 21.6% dhe kombinuar me rezultatin 38% të pyetjes së parë përbën veçse 8.2% e të gjithë kampionit apo rreth 230 mijë shqiptarë mbi 15 vjeç. Vetë pyetja është mjaft e gjerë dhe jep mundësi për një kuptim shumëqëllimësh, përfshirë shkollimin, shëndetin a ndonjë qëllim tjetër, të zhvendosjes së mundshme, afatshkurtër apo afatgjatë. Aq më shumë që në këtë pyetje kemi të bëjmë me një supozim sesa me një plan konkret zhvendosjeje. Si e tillë, rezultatet që ajo jep duhen konsideruar vetëm si një potencial maksimal zhvendosjeje, e cila, jo domosdoshmërish, është emigrim në kuptimin e drejtpërdrejtë të kësaj fjale. Në prezantimin në Tiranë u dhanë gabimisht shifrat bruto, pra të papeshuara 29.5% dhe 300 mijë, si dhe të tërë këta shqiptarë, përfshirë të lëkundurit, u paraqitën si “të sigurt” në qëllimet e tyre “emigruese”. Mospërputhja mes prezantimit dhe rezultateve të sakta është e madhe dhe në vlerësimin tim, duhet të ketë ndikuar në kuptimin dhe perceptimin e rezultateve nga pjesëmarrësit në takim.

7. Atyre që, në pyetjen e parë u përgjigjën se dëshirojnë të zhvendosen, iu bë pyetja e tretë se në cilin vend do t’ju pëlqente që të zhvendoseshit me vetëm një mundësi zgjedhjeje. Nga këta, 85% kishin zgjedhur një vend konkret. Kombinimi i rezultatit të pyetjes së parë, të dytë dhe të tretë jep vendet e destinacionit dhe numrin e njerëzve që ndoshta ose me siguri mendojnë se do të jenë zhvendosur në këto vende brenda 12 muajve të ardhshëm. Rezultatet e sakta të këtij kombinimi janë: Itali (70 mijë), Greqi (41 mijë), SHBA (35 mijë), Angli (17 mijë), Gjermani (10 mijë), Francë (6 mijë), Kanada (5 mijë) dhe pjesa tjetër, rreth 43 mijë, në vende të ndryshme. Vihet re lehtësisht mospërputhja me rezultatet e prezantuara në Tiranë, kushtëzuar nga mospërputhjet lidhur me pyetjen e dytë dhe efekti shumator i dy mospërputhjeve në shifër dhe në interpretim. Forma prezantuese e përdorur, së bashku me gabimet e tjera, mendoj se mund të ketë përforcuar perceptimin e pjesëmarrëseve në takim, gazetarëve në veçanti, për një potencial shumë të lartë emigrues të shqiptarëve, të cilët, me t’u liberalizuar vizat, do të emigrojnë masivisht, me plane të qarta, drejt disa vendeve të përzgjedhura, me intensitet brenda një viti, duke marrë trajtën e një eksodi. Një tabelë e thjeshtë do të kishte qenë një mjet prezantimi më i përshtatshëm për të dhënë mesazhin e një potenciali të dobët emigrues, siç dhe rezulton nga studimi.

8. Atyre që në pyetjen e parë janë përgjigjur se dëshirojnë të zhvendosen, si dhe që në pyetjen e tretë kanë zgjedhur një vend konkret destinacioni, dhe vetëm këtyre iu është bërë pyetja e katërt rezultatet e së cilës jepen në tabelën përkatëse. Rezultati i kombinuar në rastin e Shqipërisë merret nga shumëzimi i tre treguesve: 14.1%, 83% dhe 38%, pra vetëm rreth 4.5% e gjithë kampionit, për rrjedhojë, veçse rreth 127 mijë shqiptarë, sipas studimit, po planifikonin në kohën e intervistimit që, brenda një viti, të zhvendoseshin në mënyrë të qëndrueshme, në një vend tjetër konkret. Autorët e sondazhit nuk e raportuan rezultatin e këtij kombinimi në Tiranë, për shkakun e arsyeshëm se pyetja e katërt është bërë për herë të parë dhe për të nuk kanë të dhëna për vitet e kaluara. Në fakt, kombinimi i këtyre tri pyetjeve i afrohet, më shumë se çdo kombinim tjetër i përdorur në këtë sondazh, vlerës së potencialit emigrues, ndonëse edhe kjo shifër besoj se është mjaft më e lartë se vlera reale e pritshme për emigrimin e përhershëm në 12 muajt e ardhshëm nga Shqipëria. Në fakt, eksperienca nga shumë vende të tjera tregon se emigrimi real ka qenë mjaft më i ulët se rezultatet e dala nga sondazhet.

9. Lidhur me popullsinë e Shqipërisë, autorët i janë referuar CIA-s amerikane dhe jo INSTAT-it shqiptar. Sipas INSTAT-it, popullsia prezente në Shqipëri, pra pa llogaritur emigrantët e përhershëm, është rreth 3.2 milionë dhe popullsia mbi 15 vjeç është rreth 2.4 milionë. Bazuar tek INSTAT-i, rezultatet në numër njerëzish i pyetjes së dytë zbret në 197 mijë dhe ai i pyetjes së katërt zbret në rreth 109 mijë. Referimi tek INSTAT-i nuk sugjerohet thjesht për formalizëm, por sepse me shumë gjasa, INSTAT ka një vlerësim më të saktë të popullsisë. Llogaritjet e INSTAT-it burojnë nga regjistrimi i përgjithshëm në vitin 2001 dhe analizat e përvitshme të shtesës demografike dhe emigracionit. Nga një shikim alternativ: në zgjedhjet 2009 lista e votuesve, përfshi emigrantët, përmbante rreth 3.1 milionë zgjedhës me moshë mbi 18 vjeç; sondazhet parazgjedhore raportuan një gatishmëri pjesëmarrjeje në zgjedhje në nivelin 70-80% të shqiptarëve prezent në Shqipëri; në zgjedhje morën pjesë rreth 1.51 milionë zgjedhës. Nga këtu rezulton se popullsia mbi 18 vjeç, prezent në Shqipëri, duhet të jetë rreth 2.1-1.8 milionë, gjë që mbështet indirekt popullsinë mbi 15 vjeç prej rreth 2.4 milionë të INSTAT-it. Në fakt, edhe vetë Gallup Europe, për qëllime krahasimi, i ka bërë llogaritjet edhe bazuar te popullsia INSTAT, por preferoi që në raportimin në Tiranë të përdorte rezultatet e bazuara te të dhënat e CIA-s për popullsinë, pra duke raportuar kufijtë e sipërm të potencialit emigrues.

10. Do të kish qenë më e udhës evitimi në prezantimin në Tiranë i shifrave absolute, në mijë njerëz, nga autorët e studimit. Për shkak të madhësisë absolute dhe efekteve të tjera interpretuese dhe vizuale, rezultatet absolute mund të jenë perceptuar si alarmante, në trajtë eksodi, fenomen ky që s’ka më arsye të ndodhë as në Shqipëri dhe as në vendet e tjera të Ballkanit. Në fakt, sipas këtij sondazhi, në krahasim me Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, të marra së bashku, të cilat më 19 dhjetor 2009 përfituan liberalizimin e vizave, Shqipëria i ka treguesit e prirjes për zhvendosje më të larta se treguesit mesatarë të peshuar të këtyre katër vendeve. Krahasimi relativ bën kuptim mes vendeve dhe grupvendeve. Rezultatet flasin për një prirje më të fortë të shqiptarëve për emigrim dhe kaq. Ky përfundim del edhe po të krahasojmë shkallën e emigrimit faktik të derisotëm mes Shqipërisë dhe këtyre vendeve së bashku. Ndërkaq, popullsia e këtyre vendeve së bashku është rreth 4.5 herë më e madhe se ajo e Shqipërisë. Për pasojë, për këto vende, do të kishim një potencial emigrues, me të njëjtin keqkuptim të kësaj fjale, me rreth 2.25 milionë individë sipas pyetjes së parë, 360 mijë sipas pyetjes së dytë dhe 230 mijë sipas pyetjes së katërt.

11. Këto shifra, të mirëinterpretuara, përbëjnë realisht një ngarkesë shtesë mjaft, mjaft modeste për emigracionin në Europë. Por ama, këto shifra janë shumë të larta nëse i imagjinojmë dhe/ose i keqinterpretojmë si lëvizje të planifikuara e të orientuara afatshkurtra emigrimi - japin idenë e eksodeve Ballkanike. Aq më shumë nëse i ilustrojmë me shigjeta, emrat e vendeve të destinacionit dhe shifrat absolute. I njëjti perceptim eksodi për Shqipërinë mund të shkaktohej edhe për katër vendet të marra së bashku me viza të liberalizuara tashmë që nga dhjetori. Nëse këta qindra mijëra njerëz do të kishin filluar me të vërtetë të lëviznin me shpejtësi, do të kishin shkaktuar një preokupim serioz këta muaj. Në fakt, asgjë e tillë s’është raportuar nga dhjetori deri më sot. Ata qindra apo paksa mijëra individë, në Serbi apo Maqedoni, kryesisht të etnisë shqiptare, që u panë të lëviznin e të kërkonin strehim politik në ndonjë vend të Europës, ndoshta edhe në keqinformim, nuk përbëjnë veçse një fraksion tepër, tepër të vogël të shifrave të sipërcituara të emigracionit që rezultojnë nga sondazhi në fjalë për këto katër vende. Nëse s’ka ngjarë, s’do ngjasë dhe/ose për aq pak sa do të ngjasë për këto katër vende, do ngjasë, proporcionalisht, edhe në rastin e Shqipërisë pas liberalizimit të vizave. S’ka vend për të imagjinuar ikje masive apo eksode. Ka dhe do të ketë lëvizje normale, për qëllime të ndryshme përfshirë paksa emigracion. Ndaj, s’ka arsye për alarm.

12. Por druaj se shifrat e raportuara gabim në Tiranë, e aq më shumë të keqkomentuara mediatikisht, kanë zënë vend, në mënyrë të shtrembëruar, jo vetëm në mendjen e politikës, medias dhe publikut shqiptar, por ndoshta edhe në mendjet e disa zyrtarëve të lartë të Komisionit e të Parlamentit Europian, në pragun e marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Ndonëse shenjat janë se këto shifra s’do të kenë ndonjë ndikim mbi këtë vendimmarrje, gjithsesi do ishte e udhës që rezultatet e sakta dhe interpretimi i arsyeshëm i tyre të zinin vendin e rezultateve të gabuara dhe interpretimeve të paarsyeshme. Siç dhe më informuan, Gallup Europe ka argumentuar tashmë se vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, kanë potencial të dobët dhe ne bëjmë kot zhurmë këtu në keqkuptimin tonë. Ndaj, të gjithë, politikanë, zyrtarë, gazetarë, shoqëria civile, duhet të bëjmë gjithçka mundemi për qartësimin e fakteve dhe interpretimin e qetë e të arsyeshëm të zhvillimeve të pritshme në këtë sferë me interes të lartë për shqiptarët, duke bërë edhe sqarimin e plotë e të saktë se ç’kupton liberalizimi i vizave.

1 Komente

 Ore ky Mr.Artani,( i futuri ne shume te thella) si  nuk i beri nje pyetje vehtes more: Pse te dhenat e  tere ketyre  te pyeturve  dhe qe Instituti Rul-Artani, i ka per baze  artikulli, nuk moren burimin prej INSTAT-qeverrise por CIA-n? Dhe si e spjegojne keta Rul- Artanet e intsitutit fomdeshume, pse asnje nga te intervistuarit nuk deshiron te banoje ne parajsen e shqipeve ?..".Siç edhe me informuan..." kur thote keshtu, ben te madhin fare ky i hyre ne uje, e harron se ky eshte tepke personaliteti i bashkeautoresise ne vjedhjen e pareve te shqiptareve "Arsidi"....

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).