Debat / Regjisori Arben Kumbaro e sheh idenë e kryeministrit një shashkë politike, një histori për të institucionalizuar humorin që bëhet me kulturën.

 

Institucionalizim të gallatës, lojës, talljes që politika bën me shtetin. Vetëm kështu mund ta komentojë regjisori Arben Kumbaro idenë e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Satirës dhe Humorit, kur hedh sytë rrotull dhe sheh projekte të paligjshme sallash teatri, menaxhim të keq të teatrit aktual, abuzime me fondet publike, funksionimin e "sistemit të qylit dhe të ndenjurit kot", shfaqjet e dobëta që nuk justifikojnë buxhetet, problemet në ligjin "Për Teatrin" që frenon iniciativat e lira, interesat e atyre që e bëjnë kulturën dhe që nuk shohin përtej pragut të tyre.

Në këtë intervistë për gazetën "Shekulli" ai bën një analizë të hollë të gjendjes së teatrit të kthyer në monopol: një grusht njerëzish që e drejtojnë prej vitesh, ku regjisorët "i kanë duart e lidhura", ku shpenzohen fonde publike dhe nuk jepet asnjë llogari ku shkojnë, kush i menaxhon, dhe "më e rëndësishmja: kush e bën auditimin e fondeve publike, nëse vlen apo jo ky projekt". Probleme këto që për Kumbaron, duhen rregulluar me ligj.

"Shekulli" po vijon diskutimin për gjendjen e teatrit dhe teatrove, që janë problemet e vërteta të cilat politika i fsheh pas ideve si ajo e kryeministrit për Teatrin e Estradës.


Z. Kumbaro ç'mendoni për idenë e kryeministrit Berisha për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës?

Mbase kjo është një histori për të ngritur në një nivel më të lartë gallatën që politika bën prej shumë vitesh me institucionet e kulturës, përfshirë këtu edhe teatrin, duke propozuar një institucion gallate. Mbase me këtë rast, kryeministri ka dashur të institucionalizojë gallatën që bën me vetë kulturën e këtij kombi.

Në krye të herës dua të them që një sallë nuk ndërtohet për t'u bërë komedi, ose dramë, vepra klasike apo të antikitetit brenda saj. Një sallë ndërtohet për t'u bërë teatër dhe i ngelet vullnetit të atyre që e drejtojnë atë për të vendosur se çfarë do shfaqin aty. Repertori i një teatri nuk ka asnjë lidhje me vendimmarrjen politike të shtetit.

Por me këtë rast, duke qenë se është nisur një sallë, ideja fillestare e së cilës ka qenë e imja, e kam fjalën për Teatrin e Piramidës, do doja të pyesja kryeministrin se ç'bëhet më të?

Pa mbaruar kjo sallë, propozohet një teatër tjetër, apo kompani tjetër. Është e paqartë. Ngjan më së shumti me një shashkë politike. Kjo më kujton deklaratën e Pangos kur tha se do ndërtonin një teatër prej qelqi te Kolonat.

Ne të gjithë qeshëm atëherë me marrëzinë e radhës.
Gjëja më kryesore që kërkojmë nga politika është ta bëjë transparente historinë e Teatrit të Piramidës dhe të mos mashtrojë me ligje në letër për Teatrin.

Për projektin e Teatrit të Piramidës është folur për një kompani të huaj që quhet "Louis Berger", por po të kërkosh në internet, sheh se kryesisht kjo kompani është e specializuar për kanalet e ujërave të zeza, jo për të ndërtuar salla teatri.

Nuk di detaje të ndërtimit të kësaj salle, po me ç'kam parë, ka gafa dhe shtrembërime në realizimin e saj. Prej një viti kam kërkuar të ngrihet një komision ekspertize dhe nuk ka asnjë reagim nga shteti. Unë kam qenë iniciator, e njoh projektin fillestar mirë e në detaje.


Deri në ç'pikë e keni ndjekur projektin?

Ne e mbyllëm projektin dhe asociuam një grup specialistësh nga Franca, për të bashkëpunuar më tutje për të. Në këtë moment, u ndërrua qeveria që e ndaloi projektin e parë dhe tha do ta bënte nga e para.

Kaluan dy vjet me shpallje tenderash me "Financial Times", por që nuk funksiononin hiç sepse nuk vinte asnjë firmë për të konkurruar, dhe papritur fitoi një firmë fantazmë që quhet "Louis Berger".

E ka fituar edhe një ndërtues që nuk ka ndonjë eksperiencë në ndërtim teatri, apo sallash teatri. Domethënë nuk e dimë se ç'bëhet, nëse do të ketë kjo sallë standarde profesionale apo jo.

Dhe nuk ka asnjë moment transparent të qeverisë për ndërtimin e kësaj salle. Pa thënë asgjë se kur do të mbyllet kjo, thuhet që do të bëhet një sallë humori. Këtë e bën për humor, apo për çfarë e bën kryeministri? Asnjë njeri në komunitetin e artistëve nuk ka dijeni se ç'bëhet me teatrin e Piramidës për të cilin Berisha disa herë ka thënë se do të jetë salla e re e Teatrit Kombëtar.

Nga ana tjetër, është gafë të thuash si kryeministër që unë do të ngre një kompani teatrale, sepse kompania teatrale është pasojë e iniciativës së lirë të atyre që e ideojnë teatrin, që janë regjisorët. Politika vetëm duhet të ofrojë fonde publike për idetë më të mira, më të arrira, më të pjekura, më profesionale, duke rregulluar shpërndarjen e tyre me ligj. Kjo është detyra e politikës.

Kur kam qenë asociuar pranë Ministrisë së Kulturës, në vitin 2004-05, propozova një projekt që u prit mirë. Ishte Fondi për regjisorët e rinj. Ideja bazë e këtij projekti ka qenë për ta shkëputur fondet publike nga vendimmarrja politike, dhe nga manipulimi i disa njerëzve që e kanë kthyer në monopol teatrin.

Qëllimisht propozova që edhe vendimmarrja të ishte nga të rinjtë. Nuk kaloi një vit, kur erdhi qeveria tjetër, e anuloi për një vit projektin dhe pastaj ia bashkëngjiti Teatrit Kombëtar duke institucionalizuar edhe një herë iniciativën e lirë në shtet dhe duke i vendosur prapë këto fonde publike në duart e pak njerëzve. Të paktën ideja e teatrit të të rinjve po vazhdon, pavarësisht se është cunguar.

Ato bëjnë dy tri shfaqje dhe vdesin sepse nuk kanë infrastrukturë, nuk ka as mjete financiare për të bërë turne, por mbi të gjitha nuk kanë asnjë shans për të bërë karrierë në teatër.

Një shkak tjetër është menaxhimi i keq i infrastrukturës teatrale. Në çdo teatër normal, në çdo vend të botës, ti shkon negocion me teatrin për të shfaqur kompaninë tënde dhe atëherë është teatri që bëhet i përgjegjshëm për ta menaxhuar shfaqjen nëse e ka pranuar atë. Tek ne është e kundërta: ti shkon, ta sjellin në majë të hundës, nëse ti je kompani e lirë, të nxihet jeta për të shitur bileta, kur është detyrë e infrastrukturës së atij teatri për t'i shitur ato bileta.

Mungon krejtësisht menaxhimi i institucioneve kulturore. Kjo është pjesë e kaosit të përgjithshëm ku vegjetojnë institucionet tona kulturore dhe ky kaos fillon që në mënyrën gjysmake se si të rinjtë edukohen në shkollë. Por ky është një kapitull tjetër.


Çfarë problemesh ka ligji i artit skenik?

E kam kundërshtuar ligjin në atë kohë, kur edhe një pjesë e madhe e komunitetit e kundërshtoi. Nga ana tjetër unë nuk bija dakord me mënyrën se si u hodh poshtë ligji. Pjesa e komunitetit që e kundërshtonte ligjin ndodhej në një situatë të paqartë: kundërshtonte për të ruajtur status quo-në e sistemit që ishte dhe është tani, ku pjesa më e madhe e aktorëve shkojnë në teatër dhe marrin rrogat qyl, apo e kundërshtonin ligjin sepse donin një alternativë tjetër? Koha vërtetoi variantin e parë.

Ata e kundërshtonin ligjin sepse nuk donin të ndryshonte sistemi i qylit dhe i të ndenjurit kot dhe i të abuzuarit me ato pak fonde publike për teatrin. Nëse do të ishte një qëllim tjetër, kanë kaluar 8 vjet dhe ata nuk kanë dalë me një alternativë tjetër. Vetë PD-ja që mbështeste dikur luftën kundër Ramës, që ishte ministër Kulture, erdhi në pushtet dhe thjesht bëri një lloj pudrosje të ligjit të Ramës dhe e hodhi prapë në treg.

Ai nuk funksionoi sepse është i lidhur me një koncept artificial. Problemi kryesor është që nuk mund të përshtatësh ligjin e kinemasë, me një ligj teatri.

Përveçse duhet të kemi fonde të lira publike për të realizuar iniciativën e lirë të një shfaqjeje teatrale, plus kësaj në teatër na duhet edhe salla, ku të shfaqim. Dhe të japësh fonde publike për një kompani ku nuk ka ku të shfaqë, është absurde.
Ky ligj nuk e ndihmon transparencën e fondeve publike.

E kam fjalën këtu edhe për emërimin e njerëzve që bëhet në qendër, edhe për emërimin e bordeve. Është një tjetër sistem ai që e ndryshon në mënyrë radikale menaxhimin në kulturë: sistemi anglosakson i menaxhimit të artit, nëpërmjet këshillave të artit, që funksion në vendet anglosaksone.

Kjo që është bërë në Shqipëri, është një kopje e keqe e ligjit të kinemasë, dhe jo një sistem demokratik i funksionimit dhe menaxhimit të fondeve publike. Në fund të fundit, ligji propozonte shtimin e një strukture burokratike dhe jo zgjidhjen e problemit.


Përveç ligjit, çfarë pengon në zhvillimin e teatrit tek ne?

Teatri Kombëtar, gjysmak si ç'është, ka aktorë dhe s'ka regjisorë. Dhe kjo ndodh në mënyrë të dhunshme. Vendosin 4-5 aktorë që të mos kenë asnjë regjisor, dhe ata krijojnë opinion politik. Ajo që ndodh në Teatrin Kombëtar, në një mënyrë ose tjetër, fshehurazi apo haptazi, regjisorit i imponohet trupa që do të zgjedhë.

Nëse të imponohet trupa, çfarë të ngelet në veprimtarinë tënde të lirë, përveç zgjedhjes së tekstit? Komunikimi bëhet i vështirë, ndodhin incidente në teatër sepse nuk kryhen marrëdhëniet në bazën e lirisë krijuese, por të imponimit. Atëherë çdo gjë kthehet në ngërç.

Ky është rezultat prej 20 e ca vjetësh, dhe këtu vazhdon thjesht ideja e Enver Hoxhës. Hoxha shkoi dy herë në teatër. Ai nuk dënoi aktorët, dënoi regjisorët. Që kur i dënoi, regjisorët nuk u rehabilituan më në teatër. Me ikjen e Pirro Manit, nuk ngeli më këmbë regjisori në teatër.

Të gjithë iknin dhe vinin, dhe u krijua një situatë absurde, edhe për mungesë emancipimi, por edhe për kaos të realitetit shqiptar. Ti je i lidhur këmbë e duar në krijimtarinë tënde dhe nuk funksionon, nuk funksionojnë idetë e tua, nuk funksionon energjia jote.

Thjesht je i prangosur kur të vënë kushte dhe ti nuk je i lirë të zgjedhësh. Jo se unë nuk kam dëshirë të punoj me disa prej aktorëve që janë në Teatër Kombëtar sot, por nuk kam absolutisht dëshirë të punoj me disa të tjerë që janë aty. Dhe kjo është e natyrshme.


Po kompanitë private si kanë funksionuar?

Kompanitë e teatrit nuk janë institucionalizuar kurrë në Shqipëri. Ka pasur një moment kur lulëzonin këto kompani teatrale, ka pasur raste kur ato kanë bërë punë shumë më të mira se Teatri Kombëtar, po ka pasur boll shembuj kur është abuzuar me to. Në emër të teatrit janë vënë komedi nga më banalet dhe këto janë bërë me fonde publike. Teatri nuk ka rol vetëm argëtues.

Nëpërmjet argëtimit, ka rol edukativ. Nëse unë e përdor teatrin për shpëlarje trush, për komedi të kota për të mbledhur publikun në sallë, atëherë teatri del nga funksioni i tij publik. Fondet publike nuk mund të përdoren për këtë qëllim. Në një pjesë të mirë të historisë së kompanive private kjo ka ndodhur.

Nuk është tregu ai që përcakton vlerën në teatër, sidomos në vende të vogla me një treg të limituar si Shqipëria. Në vende me një treg të limituar, arti dhe kultura strukturohen mbi një karakter orientues, edukativ që nuk ka të bëjë me një krah apo një tjetër të politikës, por ka të bëjë me edukimin, emancipimin dhe kuptimin e botës që të rrethon, shoqërisë ku jeton.

Ka shumë probleme që duhen rregulluar me ligj, por mbi të gjitha shkëputja e vendimmarrjes nga politika, si përcaktohen prioritetet në vendimmarrje dhe më e rëndësishmja: kush e bën auditimin e fondeve publike, nëse vlen apo jo ky projekt. Këtu jepen vetëm para dhe nuk ka asnjë feedback, asnjë përgjegjësi.

Ideja e parave që jepen në kulturë funksionon si një koncept "badjava", sepse ne nuk kemi kritikë, nuk kemi gazetari, komuniteti i kulturë-bërësve në përgjithësi është i atrofizuar, dhe e vetmja gjë që i intereson është "të qesim noi-lek o burrë" e t'i rrjedhë rroga.

Prandaj në shoqërinë e sotme shqiptare mbisundon kultura kitsch dhe kurrkujt nuk i bën përshtypje edhe kur kryeministri bën gafë si ajo e para ca ditëve, edhe kur qeveria angazhon një kompani për kanale për ujëra të zeza për të ndërtuar Teatrin Kombëtar.


Pra problemi nuk janë sallat?

Problemi kryesor është komunikimi mes nesh. Ka njëzet vjet që përsërisim të njëjtat gjëra. Padyshim ai që udhëheq këtë situatë absurde për momentin është kryeministri.
Për ta bërë më të qartë po i kthehem edhe një herë historisë së sallës. Iniciativën për sallën e Piramidës e kam marrë kur njerëzit hanin kokat për sallën aktuale të Teatrit Kombëtar, që për hir të së vërtetës nuk është aspak dinjitoze.

Ai debat atëherë i ngjan shumë debatit që bëhet për sheshin sot. Kishte të bënte më shumë me ngrënie kokash dhe histori klanesh brenda PS-së. Nuk ka asgjë për t'u krenuar dhe mbrojtur nga pikëpamja arkitekturore me atë sallë.

Ajo sallë tregon edhe mungesën e kujdesit total që ka pasur sistemi i diktaturës ndaj teatrit.
Krijimi i një salle alternative ka për qëllim emancipimin e vet Teatrit Kombëtar dhe gjithë jetës teatrale në Shqipëri.

E vetmja gjë që mund të sjellë frymëmarrje është çlirimi i hapësirave të tjera ku njerëzit të kryejnë veprimtari kulturore. Një shembull pozitiv është Teatri i Metropolit, që sado modest është, unë them që luan një rol pozitiv në këtë mikromjedis të shoqërisë shqiptare. Ky ishte një hap pozitiv dhe emancipues sado minor ishte. Këtë synonte edhe hapja e Teatrit të Piramidës, përveçse synonte hapjen e një hapësire të respektueshme.

Sepse Piramida është një ndërtesë historike, është në Qendër të Tiranës dhe të imponohet me arkitekturën dhe historinë e saj. Siç më tha dhe drejtoresha e departamentit te arkitekturës së teatrove në Ministrinë e Kulturës Franceze, që bëri oponencën teknike të projektit të parë "Nuk ka sfidë më të bukur për çdo arkitekt në botë të kthejë muzeun e një diktatori në teatër".

Nëse aty do të ndërtohet një sallë vërtet dinjitoze, që unë uroj shumë, por dyshoj po aq shumë, (sepse e gjitha po ndërtohet në ilegalitet të plotë), ajo patjetër që do nxisë një tjetër frymëzim, impuls dhe energji për njerëzit e teatrit në Shqipëri.


Po kapacitetet e duhura a i kemi?

Kapacitet njerëzore janë. Kualitetet vijnë me kalimin e kohës dhe emancipimin e shoqërisë. Teatri është pjesë jetike, biologjike e ekzistencës njerëzore. Si asnjë art tjetër, ai reflekton jetën në një formë, që asnjë art tjetër nuk e bën, dhe asnjë progres teknologjik nuk mund ta zëvendësojë. Është qenia e gjallë në skenë.

 

Foto: © 2000 7 Stages Theater
Kumbaro takes a break at 7 Stages Theater.

1 Komente

Ky eshte ai pjestari i Jurise per sheshin Skenderbeg? Ah, tani po, ktij po qe i pesho fjala. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).