Replikë miqësore ndaj Opinionit "Nuk është problemi tek Autoritarizmi" i B. Kajsiu


A qëndron problemi tek autoritarizmi që shteti shqiptar funksionon jo siç duhet?


Natyrisht edhe pse biem dakord se nuk ka pyetje të dobëta, por ka përgjigje të tilla, duhet të pranojmë se ka një deficit jo të vogël në këtë këndvështrimin, deficit i cili shndërrohet në një pengesë jo të vogël në evidentimin e çështjes, e cila na shqetëson.

Së pari, çfarë duam të kuptojmë? Duam të kuptojmë nëse në Shqipëria është vendosur ose jo një regjim autoritar apo së paku me shkarje drejt autoritarizmit apo të kuptojmë pse punët nuk venë mbarë në shtetin tonë, me fjalë të tjera përse ai nuk funksionon siç duhet?


Që një shtet nuk funksionon kjo i dedikohet padyshim edhe regjimit politik apo degjenerimit të tij. Por, jo vetëm atij. Ka shumë arsye, të cilat bashkë me regjimin pengojnë një shtet të funksionojë siç duhet. Arsye që mund t'i gjejmë në të kaluarën sikurse mund t'i gjejmë edhe në të sotmen.


Gjithsesi, duket se, qëllimi final i analizës së mësipërme, është verifikimi i hipotezës se autoritarizmi nuk është problemi apo shkaku i funksionimit jo të mirë të qeverisjes apo dhe partive.


Gjithashtu, duket se për autorin askush në këtë vend zotëron, "pikën e kontrollit" dhe kjo, për faktin se, asnjë pushtet nuk mund t'i shpëtojë kufizimit që, interesat e shumta dhe balancat e tyre, i bëjnë atij. Në fakt, duket se është pikërisht e kundërta ajo që ndodh: se interesa të tilla, vërtetë kufizojnë në disa raste apo drejtime vendimmarrjen, por në një kuadër më të përgjithshëm, janë tamam ato që për hir të realizimit të tyre, shtyjnë pushtetin drejt autoritarizmit.


Në këtë kuptim, armiku më i madh i autoritarizmit është në të vërtetë, kontrolli dhe kufizimi kushtetues i pushtetit dhe jo ai, i interesave të ndryshme dhe ekuilibri mes tyre.
Le t'i hedhim një shikim teorik konceptit të autoritarizmit.


Sipas Juan Linz, autoritarizmi është një "sistem politik me pluralizëm të reduktuar, pa një ideologji udhëheqëse, por me mentalitete karakteristik, pa mobilizim politik të gjerë apo intensiv, përveç disa momenteve të zhvillimit të tij, dhe me një udhëheqës apo një grupi të vogël që ushtron pushtetin brenda kufijve të formuluar keq, por që në realitet mjaftueshmërisht të parashikueshëm".


Pa dashur të zgjatem në shtjellimin e të gjitha elementëve të cilët së bashku përbëjnë deri diku autoritarizmin mendoj se do t'ia vlente të ndaleshim në një nga aspektet thelbësor të tij, si sjellje me pushtetin apo për të perifrazuar Linz për të kuptuar sjelljen e "një udhëheqësi apo një grupi të vogël që ushtron pushtetin brenda kufijve të formuluar keq".
Kjo frazë e Linz ka dy momente për tu zbërthyer: "ushtrim të pushtetit brenda kufijve", dhe "të formuluar keq".


Le ta nisim nga e dyta. Në fakt, nga pikëpamja legjislative është thënë edhe më parë, Shqipëria ka një legjislacion demokratik dhe këtu në radhë të parë kam parasysh kushtetutën dhe ligjet organike (një jurist e kupton përse ndal këtu).


Në përgjithësi, ky legjislacion parashikon elementët kryesorë të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Sidomos në kuadër të këtij të fundit, parashikohen garancitë e nevojshme për realizimin me sukses, qoftë të çështjeve që kanë të bëjnë me legjitimitetin e pushteteve ashtu edhe ato që synojnë disiplinimin e pushtetit politik nëpërmjet kontrollit dhe kufizimit të tij.


Garancia kryesore për zgjidhjen e këtyre problemeve kanë qëndruar kryesisht në dy elemente: në rigiditetin e kushtetutës dhe në shumicën e parashikuar për ndryshimin e ligjeve organik, rregulluesit të pushteteve në vend. Nga kjo pikëpamje, ky vend nuk ka vuajtur.


Por këto parashikime edhe pse të rëndësishme gjatë gjithë këtyre viteve kanë mundur të tejkalohen nëpërmjet zgjedhjeve të manipuluara. Pra, zgjedhjet e manipuluara kanë arritur të krijojnë shumica të tilla të afta jo për të ndryshuar ligjet organike, por për të realizuar arritjen e numrit të nevojshëm për t'i kthyer në favor këto pengesa. Kuptohet një shumicë që vjedh rezultatin nuk e bën këtë për të qeverisur më pas në mënyrë demokratike apo jo?


Për të vazhduar më tej, një shumicë e rrejshme, ka mundësi pa ndryshuar ligjet (çka ruan formalisht pamjen demokratike të vendit, pra edhe më rrezikshëm) të ndryshojë përbërjen e organeve kryesore kushtetuese dhe mbi të gjitha dhe më rrezikshëm se çdo gjë të organeve të kontrollit dhe garancisë. Janë këto të fundit që në një shtet demokratik pengojnë ushtrimin autoritarist të pushtetit politik. Nuk ka nevojë për shembuj konkret besoj.


Në këtë kuptim, nëse autoritarizmi në Shqipëri nuk shfaqet siç e parashikon Linz si një mundësi e krijuar nga "kufij të formuluar keq", por nga "kufij të formuluar mirë, por të kalueshëm nga shumica të rrejshme".

Për sa i takon elementit të parë, pra të "ushtrim të pushtetit brenda kufijve" kjo mund të ndodhë veçse kur një pushtet politik realizohet i kufizuar jo vetëm nga prerogativat që i njeh ligji, por edhe nga prezenca "përreth" tij të organeve të pavarura të garancisë.


Në fakt, kjo përbën dhe thelbin e shtetit të së drejtës që me fjalë të tjera është disiplinimi i pushtetit nga e drejta. Ideja që shtyu konstitucionalizmin në shekuj të formulonte një kërkesë të tillë qëndronte pikërisht në faktin se një shumicë sado legjitime të ishte, fshehte në mënyrë të natyrshme dëshirën për ekspansion dhe kjo në dëm të lirisë dhe të drejtave të njeriut.


Pikërisht për këtë arsye me shekuj konstitucionalizmi krijoi mekanizma dhe instrumente, të cilët do të vigjilonin këtë natyrë të veçantë të pushtetit politik. Mund të përmenden, midis të tjerave, ndarjen e pushteteve, pavarësinë e gjyqësorit, rigiditetin e kushtetutës, gjykatën kushtetuese, institucionet e pavarura etj.


Por çfarë ndodh kur një shumicë e vjedhur arrin numrin e duhur të parashikuar në kushtetutë për të emëruar në organet dhe mekanizmat e kontrollit njerëzit e saj? P.sh., arrin të kontrollojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese e kështu me radhë.


Thjesht, një shumicë e tillë nuk kontrollohet më. Dhe e pakontrolluar çfarë bën ajo? Çfarë ushtrimi pushteti bën ajo përveç se autoritarist?


Në përgjithësi, shumica e Shqiptarëve, të cilët mendojnë se jemi përballë një situate autoritariste, nuk janë munduar të shpjegojnë shkaqet e një situate të tillë, por thjesht të konstatojnë në ushtrimin e pushtetit shfaqe tipike autoritariste.


Por, edhe në këtë rast të shpjegosh shkaqet apo të konstatosh të tashmen nuk janë gjithmonë e njëjta gjë. S'ka asnjë dyshim se në një shoqëri interesat e natyrave nga më të ndryshmet gjenden vazhdimisht në një përballje mes tyre e s'ka dyshim, gjithashtu që kjo gjendje mund të determinojë situatën e demokracisë qoftë brenda një partie qoftë brenda një sistemi qeverisjeje.


Por, në fund të fundit, sistemi gjen ekuilibrin mes tyre nëpërmjet një sistemi të caktuar kushtetues, i cili shprehet në ligje dhe rregulla që duhen pranuar dhe respektuar. Në një sistem autoritarist ky ekuilibër ekziston, por është i ç'përfytyruar midis një fuqie të pakontrolluar nga askush dhe pjesës tjetër.


Është kjo fuqi që ka "pultin e kontrollit" apo të paktën synon ta ketë atë. Në një sistem demokratik të paktën formalisht, d.m.th., nga pikëpamja kushtetuese, të rrëshqasësh drejt autoritarizmit do të thotë të krijosh ekuilibra jashtëkushtetues.


"Një mijë fije balancash, interesash dhe klientësh" vërtetë që deri diku kushtëzojnë apo kufizojnë pushtetin e sotëm, por kjo nuk mjafton në një sistem demokratik. Një mijë apo një miliard fije të tilla kushtëzojnë vendimmarrjen e pushtetit edhe në vendet me demokraci të konsoliduar. Por, koha ka treguar se më e rëndësishme që liria dhe të drejtat e njeriut të ekzistojnë, ka nevojë për një ekuilibër dhe kufizim edhe më të fortë e më të qëndrueshëm në kohë se ai i interesave të natyrshëm.


Dhe ky është ekuilibri dhe kufizimi kushtetues i pushtetit politik, i cili, pikërisht për të kënaqur këta interesa nuk duhet të hyj dhe dhunojë sferën personale të zhvillimit të njeriut dhe personalitetit të tij. Autoritarizmi qëndron pikërisht këtu: në pakontrollueshmërinë e pushtetit politik edhe pse mund të jetë legjitim.


Ai nuk mund të reduktohet në një mënyrë sjelljeje të x-it apo y-t, por si një tendencë dhe praktikë qeverisjeje që synon kënaqjen e interesave të caktuara nëpërmjet zgjerimit të sferës së qeverisjes, duke eliminuar pushtetet dhe mekanizmat e kontrollit dhe kufizimit të saj. Me fjalë të thera, ajo që kërkohet në një demokraci nuk është kontrolli i pushtetit nga interesat, sepse kjo gjë dihet që do të ndodh, por kontrolli i pushtetit nga e drejta.


I parë në këtë mënyrë problemi, të krijon më shumë hapësirë jo vetëm për të gjetur përgjigjet, por në radhë të parë për të adresuar më drejt problemet. Së pari, të zbulojmë se ç'është autoritarizmi. Më pas të kuptojmë nëse është sot i pranishëm në Shqipëri si mënyrë të qeverisuri qoftë të shtetit, qoftë të partive.


Më pas, ose më parë le të kuptojmë nëse pranojmë se ekziston, shkaqet e tij të largëta ose të afërta. Dhe më pas akoma le të kuptojmë nëse është problemi apo shkaku i vetëm që shteti nuk funksionon siç duhet.


Është e qartë se shkaqet e autoritarizmit mund të jenë të shumta e me natyrë objektive dhe subjektive, të largët e të afërt. Rrënjët e tij mund t'i gjejmë si në konstitucionin shpirtëror të shoqërisë ashtu edhe në shkaqe me natyrë krejt të jashtme nga ne. Çështja qëndron në faktin se pavarësisht se kemi një ligj që parashikon dhe frymëzon zhvillimin demokratik të vendit megjithatë, shumicat nuk mendojnë veçse si ta shmangin atë. Pavarësisht nga arsyet dhe interesat.

 

Dhe nëse pranojmë se ekziston, të paktën si praktikë qeverisjeje, pavarësisht nga vjen dhe si lindi, atëherë duhet të pranojmë se, nëse nuk është shkaku i vetëm që gjërat të shkojnë keq, në ekonomi, në media etj., etj., të paktën është më kryesori dhe se pasojat e tij janë vërtetë të rënda për jetën e qytetarit. Ky i fundit, pavarësisht se ku ndodhet, duke liruar arën apo përballë ordinatorit shpejt a vonë e ndjen mbi "lëkurën" e tij.

1 Komente

Peshendetje Igli Totozani, Kemi bo bashke shkollen fillore ke Avniu.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).