Në mes të galerisë, një monument i bronztë, i mbuluar nga pluhuri, qëndron i shtrirë. Diku e ka pas një piedestal edhe ai. Që pas një peme të ndjekin sytë vëzhgues të shokut Lenin, ndërsa në sfondin ngjyrë vishnje ngërdheshen monumente të kohëve moderne. “Teatri i hijeve”, kështu titullohet ekspozita e artistit Ardian Isufi, e cila hapet sot në galeritë “FAP” dhe “Zeta”. Një seri pikturash mbi monumentet, organizuar në formën e një teatri nga ana e kuratorit Edi Muka. Ky i fundit tregon mbi këtë bashkëpunim, fatin e monumenteve të komunizmit dhe ndryshimin e mendësisë mbi ngritjen e këtyre veprave.
Si lindi bashkëpunimi me Ardian Isufin për “Teatrin e hijeve”?
Bashkëpunimi lindi nga Bienalja, ku Ardiani merrte pjesë në episodin e parë. Gjatë gjithë kohës që nuk kam qenë këtu, kemi pasur një shkëmbim “e-mail”-esh për të realizuar këtë aktivitet, jo thjesht mbi punët, por mbi mënyrën se si do merrte formë. Ardiani kishte zgjedhur të punonte mbi ish-monumentet e periudhës komuniste, për të parë se çfarë kishte ndodhur me to. Pasi i diskutuam të gjitha këto detaje, dolëm në konkluzionin që do ta ndërtonim ekspozitën në formën e një teatri hijesh, duke u nisur që nga ideja e vjetër e grekëve, që përmes maskave, koreve, riinskenoheshin ngjarje nga jeta, por edhe nga fakti që në vetvete subjekti i përket së shkuarës. Nuk u referohet hijeve, sipas shpellës së Platonit, me filozofinë, sipas së cilës ne njohim vetëm hijet e realitetit. Nuk ka të bëjë me teatrin e hijeve si formë teatrore, shumë e përhapur në Azi, Turqi, Greqi e Itali, por me vetë hijen. Këtu kam parasysh atë “gjë”, që na vjen gjithnjë nga pas, nga e cila s’mund të shkëputemi dot.
Ç’ju tërhoqi më së shumti në këtë “histori monumentesh”?
Ndërsa Ardiani merret me monumentet, për mua nuk është aspak interesante të them se komunizmi ishte një utopi dhe ne ishim shumë keq nën të. Dihet tashmë dhe për këtë jemi fajtorë të gjithë. Mua më intereson të tregojmë se ne ende vazhdojmë të kemi të njëjtën mendësi, sa u përket monumente. Akoma nuk jemi shkëputur nga domosdoshmëria për të pasur një lider, për të adhuruar një person. Nuk ka rëndësi në është nga e majta, apo nga e djathta dhe kjo më duket akoma edhe më paradoksale. Ende ka njerëz që shihen me admirim, të cilëve u ngrihen monumente, jo domosdoshmërisht fizike, por mediatike, të përkohshme, por që evokojnë sërish pushtetin e një individi, apo të një grupi të caktuar. Ky më duket problemi më i madh i shoqërisë shqiptare, që ngrihet në mënyrë të tërthortë nga ekspozita e Ardianit, e që më bëri të ndihem entuziast për të punuar për të.
Si është ndërtuar teatri juaj i hijeve?
Ekspozita është ndërtuar në dy pjesë, në galeritë “Fap” dhe “Zeta”. Pikturat janë vendosur në një mënyrë tepër organike, pjesë e një instilacioni teatror. Muret janë veshur me perdet e kuintave të një skene teatri, në mënyrë që vizitori të bëhet pjesë e tij, të shkrihet me hijet dhe të lexojë ndikimin që ka mbi të. Ka piktura dhe vizatime me situata nga monumentet e realizmit socialist, por jo vetëm, sepse në të shohim edhe situata qesharake. Shohim monumente që jo detyrimisht i përkasin ideologjisë, por fesë, si në rastin e minares, të ndërtuar në oxhakun e fabrikës së qelqit në Kavajë. Në mes të galerisë është monumenti i një punëtori, të marrë nga Durrësi dhe nga dhoma tjetër, piktura me monumentin e Leninit, që rastësisht është fshehur pas pemës, i shoqëruar nga një monument fiktiv partizanësh dhe një shi meteorësh, që bien nga qielli. Të gjitha këto elemente teatrorë qartësohen nga drita skene. Ato e sjellin në kohë atë që ka ndodhur në histori, sepse ato japin idenë e fushatës, politikës, ku gjithçka bëhet në skenë, edhe rrugët shtrohen në skenë, edhe ndërtimet bëhen në skenë. Në të vërtetë s’është asgjë reale, gjithçka ndodh dhe fshihet shpejt.
Po ndërkohë, ç’ka ndodhur me monumentet ekzistuese?
Një seri pikturash, që tregon se çfarë ka ndodhur me ato që ende janë në sheshe, janë vendosur te “Zeta”. Janë në format të madh, për të ruajtur pompozitetin, ku tregohen monumente të socializmit, që nuk janë më në të njëjtën situatë me momentin kur u ngritën, por konkurrohen nga prani të tjera në sheshe. Tregohet monumenti i Pavarësisë në Vlorë, në këmbë të të cilit është një kioskë që shet banane, apo “Partizani i panjohur”, që duket sikur po sulmon një ndërtesë e lartë, ku është vënë një reklamë e telefonisë celulare. Nuk mungon dhe piktura “5 Heronjve të Vigut”, që fatkeqësisht dhe paturpësisht u hoq. Në të dyja ekspozitat do të ketë edhe nga një video. Në njërën tregohet i gjithë procesi i marrjes, transportit, të monumentit të punëtorit nga Durrësi, të cilin e ngritën 16 burra, për ta futur në galeri. Nga ana estetike, duket si riinskenim i filmit “I teti në bronz”, ku shohim jetën e personazhit, që materializohet në monument dhe gjithë rrugëtimin e tij me qerre e kamionë, deri në vendin ku do të vendosej. Kurse këtu procesi është i kundërt, sepse vepra ka qenë e vendosur, është hequr, hedhur dhe i rijepet statusi i monumentit, por nuk është më në fasadë, por i shtrirë. Ndërsa tjetra tregon një situatë që e ndeshim përditë, ku na shfaqet një monument i kohëve moderne, ku e djeshmja gërshetohet me të sotmen e të nesërmen.
Përmendët “5 heronjtë e Vigut”, në Shkodër, zhvendosja e të cilit ngjalli debat, ç’duhet bërë me vepra të këtij lloji?
Natyrisht që historia jonë është shumë komplekse dhe s’mund të ndash me thikë se ç’duhet të rrinë, apo të ikin, por për disa syresh, s’është e vështirë për të gjykuar. Është mëse logjike, që monumente të ish-diktatorit Enver Hoxha nuk duhet të jenë në hapësira publike, sepse ai përfaqëson një moment negativ të zhvillimit të Shqipërisë, që e ngriti pushtetin e tij mbi shtypjen dhe persekutimin. Në këtë pikë nuk ka vend për argument, por në shumë monumente të ngritura për arsye propagandistike, është edhe dimensioni estetik. Kanë pasur një funksion logjik dhe kanë pasur një vend në qytetet tona. Nuk shoh asnjë arsye të zhvendosej monumenti i “Heronjve të Vigut”. Ajo çka ndodh sot është ndërgjegjësimi i masave të njerëzve në lidhje me qëndrimin kritik ndaj figurave të individëve, liderëve, sidomos në atë pjesë të botës, ku duam të integrohemi.
Sipas jush, cila është mënyra më e mirë për të ngritur një monument?
Ka ardhur koha të mos bëhen në mënyrë të nxituar e me ndikime politike. E dimë se nuk ka vendim që mund të merret nga artistë, apo profesionistë, por do të jetë partiak, apo politik. Duhet të ndryshojë në thelb mënyra e ndërtimit të monumenteve. Është e njohur historia e shtatores së Nënë Terezës, që u vu në një cep, që as autori nuk e dinte ku ishte. Për një monument punohet me grupe pune, arkitektë, këshilla bashkiakë, një sërë elementesh, që janë injoruar përjetësisht në Shqipëri. Një farë kohe, sepse orientimi ishte qartësisht ideologjik, ndërsa tani, ky orientim vazhdon, por për interesa të tjera. Sot jetojmë në një kohë tjetër, kur monumentet jo domosdoshmërish bëhen me figurën e personit, në bronz, apo mermer. Mund të jetë dhe vetëm me dritë. Duhen gjetur forma të tjera shprehjeje, simbole që kanë të bëjnë me thelbin e kontributit që ajo figurë ka dhënë për shoqërinë.

1 Komente

Do kisha qejf te isha ne Tirane ta shihja kete. Po pati mundesi ndonjeri qe shkon ta shohe te na kaloje ca pershtypje, mire do benit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).