Forma për të dalë nga kriza ekonomike. Synohen tre qytetet e mëdha.

Kriza ekonomike, që ka hyrë në vitin e tretë, është bërë e padurueshme për sektorin e ndërtimit. Me qindra firma private kanë pezulluar aktivitetin, ndërsa shumë të tjera janë drejt falimentit, në një kohë që për Shoqatën e Ndërtuesve gjenden zgjidhje për të dalë nga situata, por problemi është se askush nuk i merr në konsideratë kërkesat e tyre. Me një lumë ankesash drejtuar qeverisë dhe panoramë të zymtë të sektorit, ndërtuesit dalin në konkluzionin se e vetmja zgjidhje është pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit lokal. Idenë e hodhi një anëtar i bordit drejtues, që më pas u mbështet nga të tjerët, gjatë zhvillimit të aktivit vjetor, mbajtur dje në Tiranë.

“Vihet re me shqetësim se prej gati 5 vjetësh ka zero komunikim ose bashkëpunim me qeverinë, apo me pushtetin lokal. Duhet të rrisim forcën tonë të përfaqësimit, zgjerimin e shoqatës, në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet”, tha presidenti i shoqatës, Artan Dulaku. Pas kësaj, fjalën e merr anëtari i bordit drejtues, Ilir Kokeri, i cili propozon i pari hedhjen e kandidaturave nga sektori i ndërtimit për pushtetin lokal, duke marrë si shembull vendet e tjera. “E vetmja zgjidhje e mundshme është përfaqësimi ynë me kandidatë për zgjedhjet lokale. Duhet të synojmë tre qytetet e mëdha, në këtë mënyrë zëri ynë do të dëgjohet akoma e më shumë. Situata aktuale duhet ndryshuar sa më parë. Kemi media, mundësi financiare, punëtorë, vota, parti politike që mbështesim, atëherë pse mos të kemi dhe kandidatët tanë”, tha Kokeri, duke theksuar edhe një herë se mundësia e vetme për të treguar forcën është kandidimi në zgjedhje, për aq kohë sa në 5 vitet e fundit asgjë nuk është bërë. Kaq ka mjaftuar që në debatin mbi zgjedhjet për kreun e bashkisë të përfshihen edhe përfaqësues të tjerë nga sfera e ndërtimit. “Padyshim që ka dhe rrugë të tjera zgjidhjeje. E rëndësishme është gjetja e formës, në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet”, tha Dulaku.

Një tjetër anëtar i bordit, Shkëlqim Bumçi, tha se më pak rëndësi ka kahu politik i përfaqësimit, sesa cilësia e kandidatit. “Jam plotësisht dakord, që në zgjedhjet e ardhshme për kryetar bashkie, të kemi një përfaqësues tonin. Ajo që dua të theksoj është nevoja për të pasur kandidatë potencialë, pavarësisht kaheve politike, si dhe fuqizimi i shoqatës”. Kurse drejtori ekzekutiv i Ndërtuesve, Maksi Muçi, e vuri theksin te besueshmëria që duhet të ketë kandidati. “Edhe unë jam dakord, pavarësisht se ende nuk e kam të qartë se si do të arrihet. Megjithatë, mjafton të nxjerrim disa kandidatë të besueshëm, seriozë që të na përfaqësojnë denjësisht, dhe ne këtë mundësi e kemi”, tha Muçi.

Zgjedhjet për pushtetin lokal pritet të zhvillohen në fillim të vitit 2011, ku parashikohet një garë e fortë, duke pasur parasysh konfliktet e ndezura në ditët e sotme, sa i takon buxhetit dhe kompetencave mes njësive vendore dhe qeverisë.

 

Problemet e sektorit.

Ajo që i shqetëson më tepër ndërtuesit është neglizhenca e qeverisë apo e njësisë vendore për sa i takon zgjidhjes së problemeve të shumta. Jo më kot u hap debati dhe ideja për përfaqësim në zgjedhjet lokale. Ndërtuesit ankohen për sa u takon problemeve me lejet e ndërtimit, tatimeve, mungesës së fondeve, transparencës në tenderë etj. “Është shumë e rëndësishme që kompanitë e ndërtimit të kenë një CV të tyre, pra një vlerësim, në mënyrë që të kuptohet qartë kapaciteti. Kemi një tregues të mirë që janë 2500 kompani, sikurse kemi dhe treguesin negativ, që 800 prej tyre nuk punojnë”, tha Dulaku.

Një tjetër eksponent i rëndësishëm në sektorin e ndërtimit, njëherësh kryetar për degën e Tiranës, Avenir Kika, propozoi nisjen e lobing-ut që te projektligji për mbrojtjen e investitorëve të huaj të përfshihen edhe ndërtuesit. “Edhe ne kemi probleme me pronën dhe na rrezikohet investimi. Edhe ne bëjmë investime me vlera 15 milionë euro, sikurse e parashikon projektligji, kështu që duhet të mbrohemi nga konflikti i pronës”, tha Kika.
Në fund, pas debateve, aktivi vjetor bëri zgjedhjet për organet drejtuese, nga ku u rikonfirmuan emrat aktualë. Artan Dulaku president, Luigj Aleksi kryetar dhe Maksi Muçi drejtor ekzekutiv.

5 Komente

Keni kandiduar pra , keni zgjedhur Edi Ramen.

 Ca eshte ky idjotllek?

Ndertuesit ne Shqiperi kane televizione, gazeta, disa jane deputete.. Nuk ju mjafton.. Tani duan te kene edhe duart ne vendimmarrje te lejeve te ndertimit. Kjo eshte komike!! Vete do i japin lejet e ndertimit, vete do kryejne ndertimet. Gjeniale. 

Nuk mendon anën tjetër: Do ulej korrupsioni me 80% (ku 20% tjetër, atë të doganierëve, mund ta ulim duke vënë vetë grosistët nëpër dogana smiley )

Nuk kam qene ne kete mbledhje, por nga sa eshte shkruajtur, ose gazetari ka keq interpretuar diskutimet, ose diskutantet qenkan me te vertete idote.

nuk plotesojne as perkufizimin e "perfaqesuesit" bashkiak apo politik

kesaj i thone qe ta themi hapur: po hyjme ne politike te perfaqesojme veten dhe interesin tone.

atikulli nuk hyn fare ne probleme. cilat jane problemet, nuk po jepen lejet, po u kerkohen me shume kushte teknike qe i rrisin kostot,  apo nuk po shiten apartamentet me cmimet qe i duan keta?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).