"Lindje perëndim lindje" merr çmimin si filmi më i mirë në Festivalin e Filmit të Busto Arsizios dhe pritet ngrohtë nga publiku. Historia e çiklistëve shqiptarë që mbeten të bllokuar mes kufijve, në përpjekjet e tyre për t'u kthyer në atdhe, është e dhimbshme dhe dëfryese në të njëjtën kohë. Ajo të bën të reflektosh mbi absurditetin e kufijve, në një shoqëri ku shpesh i mëshohet "vërshimit të të huajve" kur nga ana tjetër ekonomia përjeton epokën e globalizimit.

 

East West East, i regjisorit Gjergj Xhuvani fiton më 27 mars çmimin si filmi më i mirë në edicionin e tetë të Festivalit të Filmit të Busto Arsizios. Filmi, bashkëprodhim kryesisht italo-shqiptar, është vlerësuar nga juria e drejtuar Carlo Lizzani dhe është pritur shumë ngrohtë nga publiku. Historia e grupit të çiklistëve shqiptarë që mbeten të bllokuar mes kufijve, në përpjekjet e tyre, jo për t'u larguar, por për t'u kthyer në atdhe, është e dhimbshme dhe dëfryese në të njëjtën kohë. Ajo të bën të reflektosh mbi absurditetin e kufijve, në një shoqëri ku shpesh i mëshohet "vërshimit të të huajve" kur nga ana tjetër ekonomia përjeton epokën e globalizimit. 

Protagoniste kryesore e filmit të Xhuvanit është Shqipëria e vitit 1990. Gjithçka nis kur nga Franca vjen një ftesë për të marrë pjesë në një garë çiklistësh, amatorë. Dhe pikërisht pjesëmarrësit në këtë garë janë edhe personazhet e filmit: një ish kampion që thirret nga komiteti i Partisë për të drejtuar ekipin, disa çiklistë të rinj, njerëz të zakonshëm me ëndrra të vogla, postieri i fshatit që ua kalon të gjithëve dhe zbulohet rastësisht si një talent, dhe natyrisht spiuni i radhës, figura që nuk u mungonte asnjëherë delegacioneve të shqiptarëve që merrnin rrugën për jashtë kufijve hermetikë dhe ende hijerëndë të shtetit shqiptar.

Secili nga personazhet bart brenda imazhin e vet të botës që pret të gjejë jashtë Shqipërisë, dhe e sheh atë si një zgjidhje të problemeve të veçanta personale. Janë njerëz të dashuruar me ëndrrën e tyre, që shkon nga televizori me ngjyra apo biçikleta e modelit të fundit deri te kura për të mbetur shtatzënë, nga ëndrra e djaloshit të bukur që dëshiron të bëjë dashuri me një vajzë të huaj deri te ajo e të shoqes së njërit prej çiklistëve për një palë të brendshme të kuqe. Problemit të tyre të përbashkët, vështirësive ekonomike, i shtohen edhe bllokimet politike të Shqipërisë totalitare. Të gjithë së bashku përbëjnë një personazh të vetëm, gjatë aventurave në Trieste ku ngelen të bllokuar e pastaj  gjatë kthimit të gjatë e plot peripeci drejt Shqipërisë nëpër Jugosllavi.

E teksa ndjek rrugën e këtyre të rinjve vëren se si kapërcen çdo ëndërr tyren të vogël, solidariteti me njëri tjetrin, krenaria kombëtare përpara policit kufi, apo dëshira për të mos mbetur në borxh as edhe një qindarkë të vetme.  Gjatë udhëtimit të tyre zbulon marrëdhëniet mes qytetarëve të një shteti "të pafuqishëm" dhe forcave kufirit ku ashtu si në realitet nuk mungojnë problemet, gërricjet. Zbulon marrëdhëniet mes personash të kombësive të ndryshme, veçanërisht ato mes ballkanasve. Janë marrëdhënie të mrekullueshme, mes popujsh që dashur padashur kanë shumë pika të përbashkëta.

Ndër aktorët kryesorë, më i njohuri është Ndriçim Xhepa ndërsa të tjerët janë aktorë të rinj që po afirmohen dita ditës me rolet e tyre në filma të ndryshëm si Helidon Fino, Lulëzim Zeqja, Gentian Hazizi e Ervin Bejleri. Spikat mes tyre edhe një aktor "i ri", modeli Oni Pustina, i cili e kapërcen me sukses provën e tij të parë para telekamerës. Filmi që do të dalë së shpejti mban etiketën e një bashkëproduksioni me shtëpinë italiane Fast Rewind, me atë angleze High points film e me shqiptaren Albanian General Vision. Muzika e filmit është e Enrico Ruggeros.              

 

Urime për çmimin. Sa rëndësi kanë çmimet për artistin e veprën?

Gjergj Xhuvani: Çmimet i bëjnë mirë veprës artistike dhe janë një vlerësim ledhatar për sedrën e autorit. Por jo gjithnjë çmimi nënkupton suksesin e filmit në publik.

Këtë herë, çmimi dhe pritja e mirë e filmit në Busto Arsizio më jep një kënaqësi të veçantë. Çdo çmim është i rëndësishëm por në këtë rast një çmim i marrë në Itali, më ngroh në mënyrë të veçantë. Filmi trajton një histori, por edhe një problem, që prek drejtpërdrejt Italinë, është xhiruar në Itali, muzikën e tij e ka bërë një artist italian, Enrico Ruggero, këtu i është bërë montazhi, ndaj edhe vlerësimi i tij nga personalitete të kinematografisë italiane më kënaq në mënyrë të veçantë. Duke qenë se edhe pritja e publikut italian ishte shumë e ngrohtë, jam dyfish i lumtur.

Filmi është shfaqur për publikun e ka marrë edhe në festivale të tjera, në Shqipëri e Kosovë. Me East West East kam fituar edhe çmim në TIFF-in e Tiranës.

 

Ç'mendoni se sjell filmi për publikun italian?

Thonë që është një film që në Itali ka munguar sepse është një lloj filmi ku personazhet nuk janë asnjëherë të izoluara por janë gjithmonë bashkë, kjo është një risi në kinemanë e tanishme italiane. Pastaj sot italianëve u ka humbur solidariteti njerëzor, është e pamendueshme skena për shembull ku Oni Pustina shihet të bëjë dashuri me një femër që nuk i pëlqen aspak, vetëm për t'i marrë të linjtat e kuqe që shokut të tij ia kishte kërkuar gruaja në Shqipëri. Janë emocione që mungojnë në ditët e sotme, natyrisht nuk bëhet fjalë për emocione të forta të papërsëritshme, por një ndjenjë njerëzore që shoqëria sot po humbet. Kisha parë kolegët italianë të produksionit herë të buzëqeshnin e herë të përloteshin. Vura re pak a shumë të njëjtin reagim edhe në sallë në Busto Arsizio, dhe kjo gjë më bën qejfin.

 

Si ka lindur nevoja për të prodhuar filmin në Itali?

Së pari paratë që të jep shteti shqiptar nuk mjaftojnë për të bërë një film të pranueshëm për publikun ndërkombëtar. Nuk mjafton të bëhet një film vetëm për standardet e brendshme shqiptare. Dihet cilat janë këto standarde dhe ç'prurje ka ky publik që nuk shkon as në dy milionë. Kinemaja ka lindur si një art popullor, ndaj një treg i kufizuar shkon kundër logjikës së saj.

Një problem tjetër është që për të bërë një film të mirë duhet prodhuar me një teknologji bashkëkohore, që bën progres ditë pas dite, që jo gjithnjë e gjen në Shqipëri. Meqenëse ky film për nga natyra është ndërkombëtar ishte detyrimisht e nevojshme që të ishin të pranishme edhe mendimet dhe përvoja ndërkombëtare. Filmi detyrimisht duhej të xhirohej në Itali sepse aty do të ndodhte një pjesë e tij, një pjesë tjetër nuk mund të mos i besohej produksionit maqedonas, për pjesën e filmit që u xhirua në ish-Jugosllavi, përndryshe do të kisha pasur probleme të jashtëzakonshme, nuk do të kisha qenë në gjendje të gjeja njerëzit, shtëpitë, ambientet, e aq më pak të merresha vesh në gjuhët e tyre, do të kisha praktikisht të pamundur.

 

Në kinemanë tuaj, vihet re një prirje në të cilën ka një kthim të kinemasë në përmasën e saj antropologjike, ndërsa në vitet '90 për shumë kohë vihej re artificializim i kinemasë, personazhet silleshin si të mos ishin pjesë e kulturës shqiptare...

Ky është ligj, kush nuk kupton këtë nuk ka kuptuar asgjë nga ky zanat. Është diçka e shkruar e zezë në të bardhë. Themelues i saj është Charlie Chaplin, detyrë e kinemasë është të fiksosh kohën, thoshte ai. Pse është një film gjigand filmi "Kohet moderne"? Sepse ka kapur kuptimin e një kohe e një periudhe. Unë u mësoj këtë koncept studentëve të mi dhe nëse ata devijojnë nga një gjë e tillë jam i detyruar t'i ngel, sepse kineasti nuk duhet të jetë alien ndaj shoqërisë së vet. Nëse dikush del jashtë kohës, filmi është i pashikueshëm. Fakti që ka ekzistuar një fenomen i tillë në kinemanë shqiptare ka të bëjë me faktin e mosnjohjes së kinemasë. Problemi ynë ishte se një pjesë e mirë e jona nuk e njihnin mirë kinemanë, nuk bëmë shkolla të mira kinemaje, na u desh të mësonim, të specializoheshim më pas. Ata që erdhën nga shkollat e huaja të paktë ishin ata që kishin studiuar për regjisurë, një pjesë e mirë e tyre ishin drejtorë fotografish, jo regjisorë, megjithatë ata filma ishin bërë me logjikën e kohës.

Marrë nga Bota shqiptare, 233 - 1 prill 2010

25 Komente

Urime ketij filmit! Nje element qe me pelqe te ky filmi qe nuk e kam pare eshte ciklizmi si sport agonist..vetem se ciklistet jane pesha pupel, e keta nuk duken aq

"Themelues i saj është Charlie Chaplin, detyrë e kinemasë është të fiksosh kohën, thoshte ai. Pse është një film gjigand filmi "Kohet moderne"? Sepse ka kapur kuptimin e një kohe e një periudhe. Unë u mësoj këtë koncept studentëve të mi dhe nëse ata devijojnë nga një gjë e tillë jam i detyruar t'i ngel, sepse kineasti nuk duhet të jetë alien ndaj shoqërisë së vet."

filmi east west east, pervec disa skenave interesante (me humor), vetem kohen e atehereshme nuk fiksonte. por perkundrazi trajtimi i temes eshte ne kah te kundert te konteksit kohor (1991)....

per ata qe nuk e kane pare.....tematika eshte e tille

shqiperia 1991, te gjithe perpiqeshin te dilnin nga nje shtet i shkaterruar dhe akoma ne diktature ..nje ekip ciklistesh benin te pamunduren,duke u futur edhe ne peripeci e shkelje te paligjshme kufijsh, per tu kthyer ne shqiperi (per arsye dinjiteti,malli per atdheun etj si keto)..

arsyet e xhuvanit jane shume ordinere dhe jashte konteksit kohor per te justifikuar problematiken e filmit...

me pak fjale...film me mesazh te sforcuar, propagande, dhe nuk ka bere aspak detyrën e kinemasë qe sipas Chaplinit është "të fiksosh kohën"

Shiko se edhe te ngelka po t'dilke jashte kohes ! smiley Me çfare motivi? "Nuk je realist, i dashur student!"

 Ky ne fakt mund te jete gjithshka tjeter vec film nuk eshte. 

e ke pare filmin Sofi?

 po per fat te keq.

ndonje gje me shume? pyes sinqerisht meqe nuk e kam pare filmin

Nga pikepamja teknike kishte nje problem te madh, gjate pjeses me te madhe te filmit dukej "bumi" (mikrofoni) ne ekran. Pak e cuditshme sepse eshte gabim qe se bejne dot as amatoret.

Per sa i perket trajtimit te temes edhe pse kishte ambicjen t'i qendronte nje lloj neorealizmi (sic dhe u deklarua) perfundonte cdo skene ne vulgaritet gati te padurueshem. Skene e tmerrshme (edhe pse nga heret e para ne kinemane shqiptare) ishte tentativa e nje skene erotike qe ne fakt me shume se neorealizem te sillte ndermend mungesen e inteligjences dhe fineses se regjisorit. 

Gabime logjike te panumerta ne skenar. Vendi nga nisen personazhet, dialogjet, planet, detajet, fotografia, skenografia, kostumet etj.

Edhe ne fakt cfare po them nuk eshte thjesht ceshtje shijesh, lidhet me mungesen totale te atmosferes filmike qe pritet nga cdo tentative artistike qe quhet film. Nuk ngjisin as batutat edhe pse interpretojne nje grup interesant aktoresh. E keqja me keta te fundit qe se pjesa me e madhe jane te nje lloj spektakli ordiner qe quhet "portokalli" dhe ishin te impostuar ne karakteret tipike qe zhvillojne te ky spektakli. Keshtu qe cdo skene qe tentonte nga dramaciteti perfundonte ne komike te pajustifikuar sikunder ironite komike ne nje lloj sterlodhje per te mberritur te qeshuren.

 

Ajo qe i vuri vulen ne fakt qe konferenca per shtyp e regjisorit, i cili deklaroi se : "me kete film mbarova pune me temat ne lidhje me komunizmin". Deklarimi me i cuditshem qe mund te jete degjuar ndonjehere nga ndonje artist, i cili pretendon se e di paraprakisht nga do t'i fryje era e frymezimit regjisorial.

 

 

Ajo qe i vuri vulen ne fakt qe konferenca per shtyp e regjisorit, i cili deklaroi se : "me kete film mbarova pune me temat ne lidhje me komunizmin".

Waaaaaaaah, tani ngela pa fjalë !!  smiley)

Xhuvani forever ! smiley

Sofi, sot e kam kaluar kohen duke ripare filma te mire. smiley Keto qe po me thua me duken te tmerrshme.

 Vazhdo te rishohesh nga ato filmat e mire. 

Edhe kujto se c'thote Jean Cocteau tek Le Testament d'Orphée.

na thuj naj titull filmi..

Nji tashti po japin tek "la 7" Amadeusin e Milos Formanit, ne dreke dhane tek Raisatcinema Jules et Jim. Te dy i kisha pare me shume se dy here, po prape 2 te pame me mire se asnje.

Sofi, kam frike se argumenti Cocteau eshte tejet larg nga kinemaja qe kerkon te beje Xhuvani.

ajo pjesa e bumit ishte me te vertete horror....une per 15 minutat e para nuk perqendrohesha dot,se me terhiqte vemendjen bumi.... vrisja mendjen se mos ka ndonje arsye dramatike qe mikrofoni ndodhet aty.......

jo vetem kaq por kur dal nga kinemaja, nje miku im me thote se nje komedi e tille eshte bere ne itali ne vitet 70, ku nje ekip italian i ciklizmit shkon ne zvicren e zhvilluar dhe protagonistet hasin te njejtat probleme si keto, derisa vendosin te kthehen perseri ne itali...

po gjeta titullin e atij filmit do ta postoj ketu

 

Normalisht, duhet te dilje nga kinemaja ! Eshte E PAMUNDUR te shihet nje film, nese dallohen aparatet qe jane perdorur gjate xhirimit te tij, ne rastin konkret, te bumit. 
Nje shok projeksionist filmi, me ka shpjeguar qe, nje difekt i tille, ndodh kur filmi nuk eshte i mbaruar, pra nuk e ka kaluar ende fazen e post-produksionit. Bej habi si eshte shfaqur ne ate gjendje, sepse eshte alfa dhe beta e kinemase !

S'di nese ne Shqiperi eshte e mundur te dalesh nga salla e kinemase. E kam provuar ketu e shume vjet perpara tek Kinema Millenium 1. "Po he o goce shife filmin se eshte i bukur, pse s'te pelqen?!", m'tha ajo goca qe rrinte brenda dhe keshtu vuajtem deri ne fund.

 eh sa here eshte dale nga kinemaja ...

Trishtimi i Zonjes Shneider 

Mao ce dun

I dashur armik

Tirana viti zero 

etj...

 

ps. pergjithesisht publiku me flamur te kuq i ka perlqyer filmat edhe kete Lindje perendim Lindje se ka vite qe eshte stervitur me anulimin e kinemase dhe me parodite e skecet televizive.

 

 

 filmi eshte xhiruar nga ITALIANE, me muzike italiane dhe ka marr çmim ITALIAN (lexoni more te uruar artikullin njehere perpara se te beni komentin tuaj).

na dilni ju tani dhe kritikoni mikrofonin qe duket. 

ke pare filma ti xhaje keto kohet e fundit apo shef vetem endra ? 

jo per gje por po te shohesh te tille me çfare nuk luhet sot neper to. po filmin Borat e ke pare gje ? po suksesin planetar te tij a e more vesh gje ? se dhe atje dukej dhe kamera e xhirimit e jo vetem mikrofoni. 

pastaj kush te ka thene tu qe eshte e ndaluar te duket mikrofoni, apo qe bile aktori ti drejtohet pse jo kameramanit qe e xhiron (ta zeme per ti thene qe te shkoj te therase ambulancen) perpara psh se te sulmohet nga Luani.

eshte more vella regjizori qe ben ç'te doje, mjafton te çliroje EMOCIONIN e deshiruar. apo kujton se njerezia nuk e dine se po shofin film, por mendon qe ata duhet ta hane medoemos si realitet ?

allez allez ngrijeni debatin, mos t'ju marr me shpulla lol .

 Mos u lodh, eshte defekt qe i ka shpetuar, dhe s'eshte se kenaqemi nga kjo (duke marre parasysh buxhetin e shpenzuar), kete problem kane dhe ata qe jane grupi i post editimit. Nuk e kane parashikuar sic duhet kuadrin dhe prerjen qe i behet nga ekrani i kinemase.

Sa per stafin italian (meqenese qellon te kem qene ne shesh xhirimi) do te donim te gjithe qe te ishte nga ata italian qe ia mundesuan teknikisht Fellinit apo Antonionit filmat por per fatin tone jo te mire nuk jane as nxenesit e larget te tyre.

Ne keto pune mesa duket nuk ben shume pune pasaporta.

Te gjitha keto i them me dhimbje sepse vec ta dini sa para po harxhohen nga qendra kinematografike per filma te cilet ne fakt edhe ato titujt qe lexoni ne gazeta nuk eshte se jane nga ata titujt e vertete ku ka kuptim vleresimi.

Mah, qenka nata sonte! Nje kanal idiot (iesTv) po jep "Casablanca" smiley !

 e keqja eshte se Xhuvani, si te gjithe (shumica ne fakt jo te gjithe) artistat shqiptare (shkoni shifni temen me ate piktorin Cima a si quhet per tjeter shembull) krijojne per te huajt e jo shqiptaret. kjo do te thote qe po ishe shqiptar nuk ke shanse t'ja u pelqesh veprat e tyre te sotshme. 

sepse shqiptari i shqiperise (ata me flamuj te kuq ketu) pret tjeter gje prej artit. pret rrene, zbukurim, shkelqim e drite, dhe jo vuatje per jeten, (qe i duket banale dhe e ulet per epoken ku jetojme) me te cilat ai perballet per dite (komenti i fundit i spiritusit tek nje teme tjeter).

edhe ate mikrofonin e zerit, qe te duket ne ekran, e ka lene me qellim, per ta bere edhe ekipin e xhirimit amator si vete personazhet e tij. pra per ta fut ne realitetin e varfer shqiptar shikuesin e huaj qe (me thene te drejten) nuk pret gje tjeter prej shqiperise. 

une nuk i kam pare asnje film ketij Xhuvanit. vellai im pa filmin e tij Slloganet, me te cilin po ashtu si kete me çiklistet fitoi disa çmime nderkombetare. 

atij i pelqeu, film i thjeshte dhe me shume jete me tha. percillte shume emocione te shikuesi i HUAJ (se tek ai i THJESHTE shqiptar eshte drugu mesele siç e thash). ne kinema njerezit qeshnin kur pane te shkruar psh ne njerin nga slloganet e filmit : amerika eshte tiger prej letre (lol). 

se qe thoni ju po te ta thote kete nje politolog i kujtdo vendi qofte, kemi tendencen mos ta besojme, sepse e marrim per demagogji ose antiamerikanizem te paster (sado personalitet ose me emer te jete ai). ndersa kur kjo del nga goja e nje katunari shqiptar, personazh filmi, dhe kur je futur ne nje klime tjeter, jashte artificialitetit te jetes moderne perendimore, te duket mese e vertete dhe bile e ndjen thelle te verteten e saj. e keshtu me rradhe dmth.

nashti per te mos ta zgjatur, kush nga ju deshiron, mund ta shikoje te plote kete filmin Slloganet tek google :

video.google.com/videoplay

 mos u nxito per "flamurin"...

publiku me flamurin nga jeni dhe ju besoj e ka pelqyer filmin. 

Por ka dicka me te cilen nuk negociohet, ka nje koncept ku te gjithe e ndjejne cfare eshte film ose jo. Ata te pakten qe e duan kinemane. Dhe kjo nuk ka asnje korrelacion me shtetesine apo me kombesine. 

Regjisorit i lejohet te perdore c'te doje konceptualisht e artistikisht vec mos te tradhetoje KINEMANE dhe idene e filmit. 

Qe do te thote se ka nje atmosfere filmi mungesa e se ciles nuk mund te justifikohet me dashamiresi (edhe pse publikut shqiptar nuk i mungon) por mbi te gjitha atmosfera (ngjizja regjisoriale e fraze - imazh) nuk vjen duke i bere analize filmit, ajo eshte ceshtje ndjesie - o shkaktohet o jo. Kjo eshte kinemaja.

Pas kesaj ka vend per diskutim e per analize, cilet jane elementet e perdorur qe e shkaktuan ndjesine.

Filmi gjykohet me te njejtat kritere, nuk ka shume pune ketu nacionaliteti.

Por ka dicka me te cilen nuk negociohet, ka nje koncept ku te gjithe e ndjejne cfare eshte film ose jo. Te pakten, nga ata qe e duan kinemane. Dhe kjo nuk ka asnje korrelacion me shtetesine apo me kombesine. 

Regjisorit i lejohet te perdore c'te doje konceptualisht e artistikisht vec mos te tradhetoje KINEMANE dhe idene e filmit.

 

Nuk kam se si te jem më teper se dakort me këtë ! Biles, do ta shprehja në menyre më te "thjeshtezuar", per ta mundesuar te kuptohet nga sa me shume lexues ketu :

Filmat shqiptarë te 20 viteve te fundit, ne fakt, kane po ate problem qe ka nje faturë energjie elektrike ne perpjekjen e saj per tu konsideruar letërsi. Keshtu, problemi i saj, nuk eshte se mund te konsiderohet si "letersi e keqe", apo "letersi e mire" : nje fature elektrike thjesht nuk eshte letersi.

Po keshtu dhe filmat shqiptare post '90 : me pothuaj asnje perjashtim, ata nuk jane as filma te mire, as te keqinj : thjesht nuk jane filma. 
 

Folni folni ju trima, po Xhuvani eshte nje nga te vetmit *** qe ben filma ne Shqiperi. Shkurt e shkoqur ju ka ngelur...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).