Të enjten shpallen procedurat e tenderit për blerjen e barnave

Përsëri e njëjta histori, pacientët mbeten pa ilaçe. Ankesa dhe kërkesa për pajisje me medikamente kanë mbërritur dy javët e fundit, pranë administratës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Pacientë, të afërmit e tyre dhe specialistë kanë kërkuar nga drejtoritë përkatëse të kryejnë sa më shpejt blerjet dhe furnizimet me ilaçe në shërbimin e onkologjikut pranë QSUT-së, i vetmi ky në të gjithë vendin, që trajton sëmundje tumorale.

Kimioterapitë apo preparatet e tjera që përdoren për kurimin e fazave të tumoreve janë të pazëvendësueshme me barna të tjera, si dhe mungesa e preparateve rëndon më tej gjendjen shëndetësore apo përkeqësimin e sëmundjes. Sipas mjekëve dhe pacientëve mungojnë ilaçet më elementare për kancerin e gjirit, për tumoret në qafën e mitrës, limfomat. Për këto tri diagnoza mungojnë ilaçe duke nisur nga: adramicine, cisplatine, endoxan, taxol. Të ndodhura në këto kushte, pacientët janë të detyruar t’i blejnë deri në mbërritjen e furnizimit, ndërkohë që ata të cilët nuk kanë mundësi financiare nuk u mbetet asgjë tjetër përveç se të rrinë në pritje. Drejtoria spitalore universitare “Nënë Tereza”, ka sqaruar se është në dijeni të problemit dhe ditën e enjte pritet çelja e procedurave tenderiale.

Mungesa

“Shërbime specifike dhe kaq të rëndësishme sa onkologjiku, nuk rrezikojnë më të mbeten pa ilaçe. Shumë shpejt do të mbyllen edhe blerjet e mëdha të medikamenteve. Ndërkohë që do të vazhdojnë kontrollet për menaxhimin e tyre nga ana e personelit mjekësor”, sqaroi zyrtarisht qendra spitalore “Nënë Tereza”. Pak kohë më parë u largua nga puna njëri prej farmacistëve të këtij shërbimi, kjo për shkak të abuzimit me ilaçet, trajtimet që u jepte pacientëve. Sipas kontrolleve, sasia e tyre ishte e mangët, më pak sesa referonte receta e mjekëve duke shkaktuar probleme me procedurën e rregullt dhe trajtimin specifik nëpërmjet barnave.

Shërbimi specifik i onkologjikut, hematologjisë apo pediatrisë së specialiteteve gjithmonë ka qenë problematik për sa u takon mungesave të ilaçeve. Për të gjitha këto pavijone ku kryesisht trajtohen sëmundje të vështira, kurat dhe ilaçet janë tepër të shtrenjta. Faturat e shpenzimeve për kurimin e cikleve të terapisë, apo barnat mbështetëse të trajtimit, janë të kushtueshme. Rritja e pacientëve nga viti në vit ka qenë në vijë të drejtë edhe me rritjen e buxhetit për shpenzimet e barnave.

Afishimi i ilaçeve

Duke pasur parasysh të gjitha këto problematika, por nga ana tjetër duke pasur ankesa dhe kërkesa për medikamentet, dy projektet paralele të QSUT-së, mendohet se do të sjellin përmirësim të gjendjes. Çdo shërbim spitalor, do të paraqesë listën e barnave bazë, të cilat konsumohen gjerësisht në pavijon dhe medikamente, të cilat konsiderohen të domosdoshme për trajtimin e sëmundjeve. Më pas do të bëhen parashikimet se sa do të jetë sasia e nevojshme për të përballuar nevojat dhe kërkesat e pacientëve që marrin kujdes shëndetësor në çdo pavijon.

Një grup pune për hartimin e kësaj liste, është ngritur sipas një udhëzimi në fillim të muajit mars. Menjëherë pas hartimit të listës përfundimtare dhe përcaktimit të barnave kryesore, çdo shërbim do të afishojë në mënyrë të dukshme pranë dyerve të pavijonit emrat e ilaçeve, medikamenteve, pajisjeve mjekësore që disponon farmacia e secilit repart.

1 Komente

 ju lutemi shume na habisni me lajme te llojit ne spitale ka ilace dhe njerzit si blejne me ne farmaci.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).