Përjashtimi i dy deputetëve të opozitës, Taulant Balla dhe Saimir Tahiri, nga byroja parlamentare, pas një fjale krejtësisht normale në sallën e Kuvendit, në seancën e së enjtes, është absolutisht i papranueshëm; i vë në pozita qesharake ata që i përjashtuan, me zonjën Topalli në krye. Po mbi të gjitha është një akt provokim-intimidimi i deputetëve të opozitës, që shoqëria shqiptare nuk mund ta pranojë asesi. Nuk jam fare dakord me përmbajtjen e fjalës së këtyre dy deputetëve, por është absolutisht esenciale që ky regjistër i debatit parlamentar, madje edhe shumë më tepër se kaq, të jetë i pranishëm në jetën parlamentare, si një garanci që së paku ka një vend të sigurt, ku liria e fjalës është absolutisht e pacenueshme: ky vend është Parlamenti. Fillimisht duhet hedhur poshtë si një përpjekje qesharake mëtimi për të disiplinuar nga pikëpamja etike fjalën e deputetit. Nën petkun “çështjeve etike” mund të fshihet përpjekja për censurë e shumicës dhe pushtetit, ndaj gjëja e parë në parlamentarizëm është sanksionuar e drejta e deputetëve për të folur për gjithçka në tribunën e Parlamentit, pa pasur asnjë pasojë për ato që thotë. Në zakonet parlamentare të botës demokratike debati se për çfarë mund të flasë deputeti dhe për çfarë nuk mund të flasë është sanksionuar një herë e mirë në favor të “lirisë së deputetit për të folur për gjithçka dhe gjithçka, pa mbajtur pasoja për të folurën në Parlament”.
Përballë kësaj, dëmet anësore të teprimit me fjalën e lirë në Parlament janë të papërfillshme në raport më rëndësinë kapitale që ka respektimi fanatik i të drejtës së deputetit për të thënë gjithçka. Liria për të folur në Parlament është mbi etikën e fjalës.
Liria për të folur gjithçka pa pasur pasoja dhe imuniteti janë të vetmet tipare që e bëjnë deputetin bartës të sovranitetit të popullit, përfaqësues të fatit dhe të ardhmes politike të atyre që deputeti përfaqëson.
Jeta jonë parlamentare ka treguar në më shumë se një rast se sa e rëndësishme ka qenë e drejta e deputetëve për të thënë gjithçka në aulën e Parlamentit dhe sa e dobishme ka qenë kjo për interesin publik në këtë vend dhe fatet e demokracisë.
Shembulli më i mirë për këtë është kryeministri aktual, Berisha, dhe lideri i djeshëm i opozitës, Berisha. Në opozitën e viteve 2001-2005, të gjithë jemi dëshmitarë të shpërthimit të sistemit të organizuar të korrupsionit socialist përmes fjalës së lirë, edhe pse të ashpër, edhe pse pa etikë, edhe pse pa sens mase ndonjëherë, të Berishës në Parlament. Ishte fjala e tij e lirë në Parlament, që bëri të mundur përfaqësimin e guximit për të denoncuar kapjen e sistemit, korrupsionin masiv dhe komprometimin e institucioneve të drejtësisë, komprometimi i ndërkombëtarëve apo i ndonjë ambasadori në atë sistem.
Ashtu siç kanë qenë gjithnjë pa ndonjë rëndësi të veçantë kritikat ndaj kryeministrit aktual, Berisha, gjatë shpërthimeve të herëpashershme në Parlament ndaj kundërshtarëve politikë apo kundër sistemit të drejtësisë, ose institucioneve ta caktuara. Fjala e lirë politike në Parlament shpesh mund të mbetet e vetmja mundësi për të shprehur një gjendje apo situatë. Demokracia parlamentare e garanton pikërisht këtë mundësi finale. 
Parlamenti është vendi i së drejtës për të thënë gjithçka, sepse kështu shoqëria ndjehet më e garantuar, demokracia ka së paku një hapësirë të pambyllur, populli ndjehet i përfaqësuar.
Sigurisht, ka një “byro” që shqyrton peshën, teprimin, mungesën e etikës etj. Por kjo nuk është byroja parlamentare nën drejtimin e zonjës Topalli. Është populli, që nesër me votë shpërblen apo ndëshkon këdo. Deri atëherë deputetët janë të lirë të flasin gjithçka. Në mënyrë metaforike, janë të lirë edhe për të sharë!

4 Komente

Kur është puna për të mbrojtur kriminela, parlamenti shpall si të shenjtë imunitetin parlamentar që mbron figurën e parlamentarit.... ndërkohë që, për një llaf goje të kundërshtarëve, kryeparlamentarja, i qetprejzhelesh kur s'do me i lanë nenjulë...

Cili sna qenka dakord qe Berisha eshte kryehajdut. Bravo Cili konfirmove edhe njeere tezen se berisha ku me lek ku me licensa ku me toka vilash mundohet ti kyc gojen atyre qe kane akses ne medja.

Është populli, që nesër me votë shpërblen apo ndëshkon këdo. Deri atëherë deputetët janë të lirë të flasin gjithçka. Në mënyrë metaforike, janë të lirë edhe për të sharë!

 

Populli i voton qe ti sherbejne atij, ndersa T Balla me gjithe grupin socialist po mbushin nje vit qe nuk shkojne ne ate vend per te cilin i votoj populli,por kakarisen si gjela pas E Rames, neper rruge, dhe nga frika e djegjes se mandateve shkuan ne parlament,dhe ne vend se te diskutojne per ligje e reforma qe i duhen integrimit te vendit, flasin me gjuhen e rrugacit qe kane ne krye te PS-se.

 Une jam PRO qe deputetet jo vetem te shahen por edhe te mbajne arme ne parlament.Keshtu  debati do te ishte me konstruktiv dhe do i sherbenin me mire popullit,dhente Zoti me degjojne!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).