Simbolo Della Farmacia Immagine Stock

 

Biznesi me barnat që mungojnë nëpër spitale duket se është kthyer në një parajsë tregtare për farmacitë. Duket e pabesueshme, por vetëm rreth e rrotull QSUT-së lulëzon biznesi i plot 23 farmacive. Duket se të njëjtën nuhatje kanë pasur edhe ata që ofrojnë shërbime funerale, pasi edhe për këtë shërbim mund të gjesh plot 5 pika rreth e rrotull qendrës më të madhe spitalore në vend. Por, biznese të tilla nuk i gjejmë vetëm te kjo qendër spitalore, por në të gjitha spitalet në mbarë vendin. Në fakt, nuk ka asnjë ligj që e ndalon hapjen e shërbimeve të tilla rreth e rrotull spitaleve, por kur atë që mungon në spital mund ta gjesh në farmacinë përkarshi, duket se duhet bërë diçka që cilësia e shërbimeve në spitale të përmirësohet dhe pacientët të mos ankohen se janë të detyruar t'i blejnë medikamentet 2 metra larg spitalit.

Farmacitë
Ato i gjen kudo rreth e rrotull spitalit. Vetëm në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ndodhen plot 25 të tilla, duke mos respektuar kështu edhe të vetmin kriter që i detyron ligji: atë të largësisë, pasi duhet të kenë një distancë nga 100-150 metra larg njëra-tjetrës. Në mjaft raste ato janë ngjitur me njëra-tjetrën dhe i ndan vetëm një faqe muri. Por, kjo nuk e ka penguar lulëzimin e biznesit të tyre. Ata janë gjithmonë plot me të afërm të pacientëve që presin me receta në duar të marrin medikamentin që u kanë rekomanduar. Nëse i shikon me vëmendje, shumica e tyre nuk kanë kontratë me sigurimet shoqërore (ato që e kanë e shkruajnë: "me kontratë me sigurimet shoqërore), gjë që tregon se kanë një aktivitet goxha të madh dhe të sigurt. Kjo, pasi ato farmaci që e bazojnë aktivitetin në kontratat me ISKSH-në dhe rimbursimet, e kanë të përqendruar rreth 80 për qind të aktiviteti në këtë gjë. Pra, e kanë të sigurt punën. Ndërsa në rastin kur nuk lidhin kontratë me ISKSH-në, kjo tregon se këto farmaci e kanë të sigurt punën dhe nuk kanë nevojë për një ndërmjetës për të siguruar klientelë. Gjë që do të thotë edhe të ardhurat i kanë shumë më të mëdha. Përgjithësisht kjo gjë lidhet edhe me faktin se ata që blejnë në farmacitë që janë rrotull spitaleve do të thotë se kanë të afërmit e tyre të shtruar dhe i kanë emergjente barnat që kërkojnë. Kjo i bën ata që ta shmangin sistemin e referimit dhe të kërkojnë recetën, e cila do t'ju rimbursohej në një vlerë të caktuar.

'Farmacia 10'
Në zonën e quajtur 'Farmacia 10', te kryqëzimi i Unazës që të çon në portën hyrëse të QSUT-së janë plot 4 farmaci, në një distancë që nuk i kalon të 200 metrat. Shumë afër njëra-tjetrës, por kjo nuk ka rëndësi. E vetmja gjë që ka rëndësi është fakti se ato nuk janë asnjëherë bosh. Gjithmonë ka njerëz që me receta ose fletë të zakonshme në duar, kërkojnë ilaçet për të cilat ka nevojë i afërmi i tyre.

Rruga e Dibrës
Në këtë segment të rrugës, që është përballë me hyrjen kryesore të Qendrës Universitare Spitalore, ndodhen plot 7 farmaci. Edhe këtu distancat në metra nuk respektohen. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë kontratë me sigurimet shoqërore, që do të thotë se nuk kanë pse ta vrasin mendjen për të marrë klientë nëpërmjet ISKSH-së. Duke qenë në një pikë strategjike, pikërisht përballë qendrës më të madhe në vend ku të shtruarit nuk janë me qindra, por me mijëra, ato e kanë të garantuar biznesin e tyre. Ato janë kujdesur që të të fusin çdo lloj produkti dhe medikamenti mjekësor, duke filluar që nga paracetamoli e deri tek brezat që lidhen në mes, në mënyrë që kur të vijë klienti të mos e "përzërë" për mungesën e asaj që kërkon ai. Këtë gjë e tregojnë edhe të ardhurat e tyre, të cilat janë tepër të larta.

Spitali 5
Një parajsë e vërtetë për farmacitë është edhe rruga që të çon te Spitali 5. Këtu është edhe numri më i madh i tyre, plot 12 prej tyre, në një gjatësi rruge prej më pak se 1000 metra. Edhe këtu e njëjta situatë. Farmaci të mbushura plot dhe të mobiluara gjithë shije, një shenjë kjo që tregon se të ardhurat e tyre dalin edhe për ta bërë sa më tërheqës vendin ku ato presin myshterinjtë dhe fitojnë aq para sa t'i lejojnë vetes edhe lukse të tilla.

Shkolla e Bashkuar
Ndërkohë që një tjetër vend i përshtatshëm për të hapur farmaci është te muri ndarës i QSUT-së me ambientet private, në krahun ku kufizohet me Shkollën e Bashkuar. Në fakt, kjo farmaci e hapur këtu duket sikur është brenda QSUT-së.

Funeralët
Të njëjtën zgjedhje kanë bërë edhe ata që merren me shërbimet funerale. Rreth e rrotull QSUT-së janë plot 6 të tilla. Duke qenë se në këtë qendër shtrohen mesatarisht 20 mijë pacientë nga e gjithë Shqipëria, një pjesë e tyre edhe ndërrojnë jetë për shkak të diagnozave të rënda. Pikërisht në këtë moment dalin shërbimet funerale. Ato "përgjojnë" të sëmurët që janë më rëndë në të gjitha shërbimet dhe sa herë ka ndonjë rast fatal hyjnë në negociata me të afërmit e tyre duke, u ofruar shërbimin e fundit. Në fakt, më fitimprurëse për këto agjenci janë rastet kur të sëmurët janë nga rrethet, pasi kushton më shumë. Shërbimet funerale ofrojnë jo vetëm transportin e të pacientit që ka ndërruar jetë, por ofrojnë të organizojnë të gjithë ceremoninë mortore, përfshirë gjetjen e tokës ku do të varroset, kurorat e luleve me dedikimet përkatëse, transportin me urban të të afërmeve që do të marrin pjesë në ceremoni dhe drekën e fundit që shtrohet për nder të tij.

Mjekësia Ligjore
Përveç rasteve kur shërbimet funerale janë sistemuar përreth QSUT-së, një nga këto agjenci ka gjetur një pikë mjaft strategjike. Ngjitur me morgun e Mjekësisë Ligjore është ndërtuar një pallat i ri dhe në katin e parë të tij është hapur një shërbim funeral, i cili më shumë ngjan si shtojcë e Mjekësisë Ligjore se sa pjesë e një ndërtese private.

1 Komente

Keqqeverisja mbas 90`pasqyrohet më mirë me gjëndjen e spitaleve në Shqiperi. Elita jone e pohon heshtur këtë gjëndje duke preferuar institucionet shëndetsore të fqinjëve tanë në rast nevoje. Për cdo UFO (emigrant) me rrogë mestarisht 3-4 herë më të lartë se rroga "zyrtare" e politikanëve tanë këto institucione të fqinjëve, si dhe privatët në Shqipëri janë të papërballueshme nqs je i pasiguruar. Si ka mundësi kjo gjendje skandaloze mbas 20 vjet "demokraci. Nqs flitet per reforma te ne, në shëndetsi as nuk ka filluar.

 Gjendja aktuale. Për dy
javë pata rastin të njihem nga afër me gjëndjen e Sanatoriumit të Tiranës. Sanatoriumi
i Tiranes në biseda me pacientë konsiderohej si një nga spitalet shtetërore në
gjëndjen më të mirë. Me mendje thoja cfarë duhet të imagjinoj
më keq se kaq. Ne kohën që po shkruaj rastësisht në televizion pamje nga
spitali i Lushnjes. No coment. Një
paciente e sapo ardhur nga Shkodra tregon se kishte refuzuar të shtrohej atje
pasi nuk kishte drita, ujë dhe ngrohje. Nga sanatoriumi i vjetër në mes te
pemëve kishte ngelur shumë pak. Pemë nuk kishte më. Vendin e tyre e kane zënë ndërtimet e shumta. Lulishtja
përpara e pa mirëmbajtur e mbushur me mbeturina të ndryshme. Pjesa mbrama
kthyer në parkim te baltosur e plot mbeturina.Një dyzinë qensh pa zot shëtisin
si në shtëpinë e tyre. Në hyrje pa ndricim te bollshëm, një pllakë mermeri në
shenjë falenderimi ndaj një shoqate italiane që kishte kompletuar një pavjon.
Mbi pllakë vareshin telat e korentit e poshtë suvaja kishte rënë me kohë.
Ashensorët nuk punojnë e nuk sheh njeri të punoj për riparimin e tyre. Muret në
shumë pjesë i ka pushtuar lagështia e myku. Vetëm karrigia(kolltuku) e punës e
ministrit(për ata që se dine disa mijra euro) ka vlerë më të madhe se paisjet e
të gjitha dhomave të këtij spitali. Them këtë pasi ato nuk kanë vlerë tregtuese
e në rast normal duhet të paguash për asgjesimin e tyre. Pajisja e pavjoneve i
ngjan një reparti ushtarak të para 90`ose edhe më keq pasi dysheket kanë qenë
më te mirë. Shtretër te vjetër me një copë sfungjeri në vend të dyshekut,
komodina e dollape gjysëm të shkatërruar. Dhoma për gjashtë persona ku as perde
nuk te shihte syri e kjo shumë pacientëve ua bën vuajtjen edhe më të
padurueshme. Nuk e di si bëjnë në verë kur te ne të pjek dielli. Shumicën e
ilaceve e kishin, por nuk ishin te pakta rastet kur të drejtonin në farmacinë
përballë.  Në mungesë te shtreterve te levizshem trajtohen pacientet ne
raste akute në keto dhoma duke lemerisur e përkeqësuar gjëndjen e pacientëve të
tjere. Nuk është e përballueshme për cdo njeri te shëndetshëm e jo më për një
të sëmurë të përjetojë se si jep shpirt shoku apo shoqja e dhomës. Transporti i
pacientëve për arsye te ndryshme, pranimi, bërje analizash, skaner etj. në mungesë
të ashensorit bëhet nga të afërmit me barrela primitive dhe në shumicen e
rasteve me karrige nëpër shkallë. Sillen pacientët me ambulancë dhe lihen te
dera spitalit në mëshirë të fatit, derisa 
të afërmit të gjejnë dikë që ti ndihmoje për ti futur në spital. Ne rast vdekje te afermit duhet te benin transportin e arkivolit me kufomën,  nëpër shkallë, me mundime e rrezik që kufoma të rrokullisej shkallëve. Odiseja vazhdonte me kërkim celsash të dyerve e pyetjesh nga, pasi dera kryesore nuk ishte e përshtatshme për këtë punë. Nga
personeli spitalit nuk ndihej njeri përgjegjës për këto punë. Në cdo pavion
pllakata badhë e zi te vendosur kuturu, ndalohet duhani. Edhe një femijë mund
të kishte bërë dicka më estetike në kompjuter. Higjena, është fjalë e huaj për këto institucione. Personeli mirëmbajtës nuk mund
te fajësohet për vetë kushtet që ofron ky spital.

Korrupsioni .“Zero tolerancë korrupsionit në shëndetsi.Shërbim dinamik
profesional që t'iu përgjigjet kërkesave të qytetarëve ka kërkuar kreu i
shëndetësisë nga punonjësit e Autoritetit Shëndetësor Rajonal.“ Janë disa nga fjalët e
ministrit aktual, Vasili, këto ditë. Nuk e di se cfarë lufton ministri
por korrupsionin nuk e besoj. Korrupsioni në shëndetsi shpesh thjeshtëzohet me
pagesat që i bëhen infermierëve e mjekëve. Në fakt i ka rrënjet shumë më
thellë. Me qëllim nuk përmenda më sipër mungesën e aparaturave të shtrenjta që
nuk mund të përballohen nga buxheti i shtetit. Në pasqyrimin e mësipërm të
gjendjes së spitalit është e thjeshtë të arrihet në konkluzion se kemi të bëjmë
me vjedhje të hapur të fondeve të caktuara për mirëmbajtjen e institucioneve
shëndetsore. Janë firmat e përzgjedhura nga ministri, paraardhësit e vartësit tij,
në tenderet e shumta që vjedhin këto fonde në shkëmbim të punimeve pa cilësi që
duhet të kontrollohen e të penalizohen. Punonjësit  e shumë prej këtyre firmave fituese, si
ruajtje objekti, pastrim, etj edhe nuk paguhen prej pronarëve të tyre pasi
spekullohet se fitojnë mjaft me shkeljet në detyrë ose shërbimet kundrejt
pagesës.

Nuk e kuptoj arsyen e kaq shume farmacive prane spitaleve ose edhe brenda ne spital. Spitalet ne BE ku synojmë te hyjme kane te gjitha medikamentet e nevojshme e farmacite nje asortiment bazë. Farmacitë i gjen në qëndër të zonave urbane e asnjëhere te spitali. Paradoxi shqiptar e do qe farmacia të kete medikamente qe spitalet nuk i kanë, kur dihet që cdo medikament qe hyn në vend miratohet nga Ministria e Shëndetësise. Spitalet shtetërore janë të pajisur me laboratore, skaner,etj por në shumicën e kohes janë jashtë përdorimit. Per kuriozitet u interesuam dhe rezultoi se në asnjë spital shtetëror të Tiranës skaneri nuk funksiononte. Cuditërisht te klinikat private funksionojne gjithmonë.  Të afërmit e klienteve drejtohen ne rast nevoje nga spitali te keto klinika private. Sistemi i referimit me receta të rimbursuara stimulon korrupsionin.

Privatët. Numri i klinikave e spitaleve private shtohet cdo muaj. Paradox tjetër kur merr vesh se këto privatë nuk preferohen nga kuadrot mjekësorë shqiptarë megjithë rrogën më të mirë se te shteti. Si justifikim thuhet se ne institucionet shëndetsore shtëtërore bën karrierë më shpejt si dhe kërkesën e lartë që ka privati. E vërteta qëndron në faktin se brenda një jave personeli mjekësor në institucionet shtetërore "nxjerr" shumë më tepër se rroga që jep privati. Si rrjedhim privatët janë të detyruar të rekrutojnë personel jashtë vendit.

Papërgjegjshmëria si sistem. Kjo gjendje nuk eshte shkaktuar keto 9 muaj që Vasili është ministër. Por Vasili nuk pati kurajo të akuzonte paraardhësit e tij. Në cdo vend tjetër europian drejtorët e këtyre spitaleve dhe ministri do ishin pushuar në vend. Kjo të lë të kuptosh se edhe këto  4  vjet nuk do ndryshojë kjo gjendje.

Nuk është detyrim i të afërmve të pacientëve të gjejnë, blejnë, medikamentet që i "mungojnë" spitalit, por i drejtuesve të këtyre institucioneve bashkë me ministrin. Sistemi i referimit me receta te rimbursuara është paradox tjetër shqiptar, vetëm në shërbim të pacientëve jo.

Eshtë detyrim i institucionit shëndetsor nqs prishet ashensori të merren masa per riparim të shpejtë e ndërkohë të vendoset personel shtesë për transportin e pacientëve.

Eshtë detyrim i institucionit shëndetsor nqs "prishen" aparaturat, skaner, etj. të zëvendësohen urgjentisht ose në  rast nevoje organizohet nga spitali kontrolli në klinikat private, pa pagesa nga ana e pacientëve të siguruar. 

Me pak njohje e ryshfet këto aparatura të "prishura" funksionojnë nqs nuk do të hallakatesh te privati.

Alternativat politike te ne mungojnë, vetëm kështu mund ta kuptoj heshtjen, përshtatjen e "lulave të vocërr". 

Eshtë një vetvrasje kolektive kjo
batërdi qe sheh në institucionet shëndetsore. Më tepër dinjitet duhet te ketë njeriu.

 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).