1. Nga oborri i Kishës së Ringjalljes, profesori Gadi F. na shpjegonte me një pasion të sinqertë copëza nga historia, e cila domosdoshmërish ka qenë dhe mbetet në qendër të vëmendjes botërore. Përballë nesh shtëpitë e gurta të Jerusalemit, në një peizazh po aq të gurtë dhe të këputur vende-vende nga radhë delikate të së gjelbrës së selvive (kujtoj se Bulgakovi, në romanin e tij “Mjeshtri dhe Margarita”, ka pasazhe të mrekullueshme të ndërthurjeve të këtij peizazhi me zhvillimet bilike, sigurisht si edhe shumë shkrimtarë të tjerë), përcjellin një të bardhë të vetëpërmbajtur që reflekton një dritë e cila nuk mund të përjetohet veçse si mistike.

Na tregon për xhaminë Al Aqsa, të tretin vend të shenjtë të myslimanëve, nga ku besohet se u ngrit shpirti i profetit Muhamet për të shkuar në qiell, pasi na ka treguar më parë të gjitha vendet e shenjta të hebrenjve dhe të të krishterëve. Pastaj varrezën më të vjetër të botës, që është ende funksionale. Më herët kishim parë Nazaretin dhe Kishën e lindjes së Krishtit, Judenë dhe lartësitë Golan, detin e Galilesë mbi sipërfaqen e së cilit Jezusi kishte ecur mbi ujë, duke ecur më këmbë falë besimit. Në rrugë kishim bërë foto pranë mbeturinave të një tanku jordanez, mbeturinë e konfliktit të fundit. Kishim parë shtëpinë e Shën Pjetrit dhe muzeun që ishte ndërtuar kokëposhtë, ashtu siç kishte kërkuar Pjetri që të kryqëzohej, ndryshe nga Mjeshtri. Kishim vizituar Murin Perëndimor dhe konform traditës (tradita është më e fortë se sa faktet historike, kishte qejf të përsëriste profesor Gadi, jo pa nënkuptim), kishim futur nga një copë letër në të çarat mes gurëve të murit të ish-tempullit të famshëm. Edhe më herët akoma, nën një perëndim të zhurmshëm, kishim përshkruar më këmbë Via Dolorosa, sigurisht pa kryqin e rëndë të Krishtit në supe, por gjithsesi me nga një kryq vetanak dhimbjesh secili që konsideronte se ka një lloj ndërgjegjeje. Kishim kapërcyer muret ndarëse të zonave të kontrolluara nga autoriteti palestinez. Kishim parë diferencat e jetës mes ngastrave të ndryshme të asaj mënge të botës që prej më shumë se dy mijëvjeçarëve vazhdon të mbetet qendra e saj më e rëndësishme shpirtërore. Dhe ja, tani ndodheshim në oborrin e Kishës së Ringjalljes, në Malin e Ullinjve.

-Ja, tha Gadi me një nënqeshje, nga kjo varrezë mendohet se do të fillojë ringjallja në ditën kur një ylber do të lidhë mes tyre Kishën e Ringjalljes me Al-Aqsan. Për këtë arsye ka shumë pasunarë hebrenj, të cilët paguajnë që të kenë një varr në këtë luginë, duke shpresuar te ringjallja.
Dikush pyeti për çmimin e një varri dhe Gadi shpjegoi se varret janë pa pagesë, por “mafia” e varreve kishte krijuar një rrjet që joshte pasunarët dhe sipas informacioneve që ai kishte, lipseshin 10 mijë dollarë amerikanë që të siguroje një varr në luginë.

-Po çmimi i tokës sa është në Jerusalem?- pyeti kureshtari i mësipërm.
Profesori na shpjegoi se në Jerusalem mund të shisje e të blije gjithçka, jo rastësisht hebrenjtë janë të famshëm në këtë lëmë, përveç tokës. Edhe nëse blije një shtëpi, në të vërtetë ti blije vetëm muret, por kurrsesi tokën. Përveç të tjerave kjo kishte qenë e vetmja mënyrë për të ndërprerë dhe kufizuar presionin e shumë interesave të kishave apo feve, por edhe të bizneseve të ndryshme që synonin të bënin fitim përmes këtij “biznesi”.

-Jo rastësisht kjo është konsideruar Tokë e Shenjtë, apo Tokë e Premtuar, ndërhyri me një humor të paramenduar kureshtari. Si gjithçka e shenjtë, ajo nuk mund të shitet, ca më pak si e premtuar…
Ndërkaq, përballë nesh, drita e bardhë e Jerusalemit nuk mund të fshihte pafundësinë e konflikteve që gëlonin në rrugët, kafenetë, institucionet, kthinat e pafundme të tij. Ishin konflikte të pafund mijëravjeçare etnike apo të religjioneve, ishin konflikte kulturash, konflikte të historisë dhe të së sotmes, konflikte të lindura nga brenda realitetit dhe zhvillimeve të tij, por edhe të imponuara. Në këtë gjendje tensioni dhe konfiktualiteti, nuk ishte aspak e papritur që të të qëllonte të uleshe në një ndenjëse autobusi me një djalë të ri të armatosur me mitraloz dhe të veshur ushtar, të shihje se si në pastiçeri, teksa hanin akullore dhe putheshin a la francaise, të koklavisnin në një ndërthurje tashmë familjare edhe grykët e armëve, apo që fëmijët në rrugicat e Bethlehemit dhe të vetë Jerusalemit të luanin me armë-lodra me po atë kënaqësi që fëmijët e Berlinit (paradoksalisht) luajnë, të themi me Lego. Të dhënat e fundit të Organizatës Botërore të Turizmit dëshmojnë se pavarësisht konfliktualitetit, numri i turistëve vetëm në vitin që u mbyll tre muaj më parë u rrit me 7 për qind, duke arritur kështu thuajse numrin e popullsisë së Izraelit. Ndërkaq, produktet izraelite, jo vetëm bujqësore, janë të preferuara tej e mbanë botës. Kultura dhe librat e tyre gjithashtu. Kurse investimet e huaja direkte në vend kanë tejkaluar shifrën e 9 miliardë dollarëve në vit, ndërsa vetëm dhjetë vjet më parë ishin vetëm 700 milionë dollarë.

Kjo situatë dhe fakti se në të tjera vende, “të qeta” dhe “stabël” nuk vihet re e njëjta dukuri, u bë objekt i një bisede mbrëmësore pranë tasave të kafeve që ftoheshin në proporcion të zhdrejtë me nxehtësinë e argumenteve. Thuajse të gjithë ramë në një mendje se në rastin e Izraelit është sharmi i pashpjegueshëm dhe mistik që i josh njerëzit. Po ai sharm që kishte joshur pinjollët e familjeve më të rëndësishme aristokratike të Europës, që të linin familjet dhe mirëqenien e të merrnin arratinë në drejtim të këtyre trojeve që për një moment mund t’i quash shkretëtirë dhe një moment më vonë, arë buke. Po ai sharm që përplas të paktën tre nga besimet më të rëndësishme fetare dhe pafundësinë e sekteve dhe të kishave që i përbëjnë ata.
 

2. E gjithë kjo ndodhi dhe ky arsyetim që solla në mënyrë të shkurtuar më sipër, ka kohë që më kalon përpara syve në këtë klimë tensioni dhe konfliktualiteti josubstancial që e ka përfshirë politikën shqiptare pas zgjedhjeve politike të verës së shkuar. Madje më thellë akoma, te ky konfliktualitet që e gërryen pa ndërprerje jetën normale në Shqipëri. Ç’kisha, ç’sinagoga, ç’xhami dhe vende të shenjta, ç’pasuri natyrore dhe kulturore kemi ne që të mund të ekuilibrojnë sadopak shijen e keqe që le konfliktualiteti? Ç’histori shteti dhe lavdie mund ta bëjë këtë?

Ka të paktën dy a tre vjet që për shkak të trendeve historike rajonale, por edhe për shkak të proceseve dhe të zhvillimeve të brendshme, erërat fryjnë në drejtimin e ëndërruar nga shqiptarët, domethënë në drejtim të realiteteve që ne zakonisht i quajmë euroatlantike. Pas anëtarësimit të vendit në NATO, do të lipsej që e gjithë klasa politike e vendit të administronte të gjitha energjitë dhe kapacitetet në përmbushjen e standardeve që na afrojnë me Europën e Bashkuar. Hapi i parë është ai që kemi në “duar”: liberalizimi i vizave, që jo vetëm i afron shqiptarët brenda vendit me ata 1 milion e gjysmë që “janë” në Europë, por i bën shqiptarët të barabartë në tregun europian të punës. Në këtë moment, pikërisht shefi i opozitës, i cili ka kapur peng partinë kryesore të opozitës, me një kokëfortësi të habitshme demonstron një sjellje tipike papjekurie parapolitike. Përveç të tjerash, në mënyrë krejt irracionale, falë lidershipit aktual, Partia Socialiste është përfshirë në një proces vetëpërjashtues, i cili meriton një analizë të posaçme.

Le t’i përthyejmë arsyetimet në një terren konkret: Si do të ishte situata në vend (dhe në raportet e palexuar të ndërkombëtarëve) sikur lidershipi i PS-së të deklaronte: Pavarësisht …1, 2, 3, 4, duke pasur parasysh se vendi ndodhet në këtë prag të rëndësishëm cilësor të marrëdhënieve të tilla me realitetin europian, Partia Socialiste mbështet qeverinë në 1, 2, 3, 4, reforma që do ta përshpejtonin këtë proces për të cilin vetë kjo parti në pushtet dhe në opozitë ka dhënë kontribute të paanashkalueshme, ndërsa nuk do ta reshtë luftën e saj në lidhje me 5, 6, 7…? Ne nuk do të lejojmë që arritjen historike të liberalizimit të vizave për shqiptarët t’ia “dhuronim” Berishës…
Përgjigjet i merr me mend gjithkush.

3. Në të vërtetë, shoqëria postkoministe shqiptare, krahas shumë e shumë dilemave të tjera, tash e gjithë ditën ndeshet me një dilemë që është në të vërtetë e vjetër sa vetë demokracia: Në ç’raporte janë stabiliteti i vendit me konfliktualitetin, luftën politike dhe konkurrimin politik që janë në analizë të fundit gjaku dhe nervat e jetës demokratike? Në ç’raport janë protestat, demonstratat, bojkotet me demokracinë dhe stabilitetin demokratik? Në ç’raporte janë marrëveshjet politike me konkurrencën dhe “luftën” politike?

Shqipëria, kam pasur rastin ta them edhe në ndonjë rast tjetër, ka hyrë në NATO, jo në Traktatin e Varshavës, në kuptimin që ne kemi hyrë në një klub vlerash demokratike, jo në një organizatë ku bashkohen interesa diktatorësh. Kjo do të thotë që në një shoqëri që është pranuar në këtë klub, as krizat, as protestat, as grevat, as mitingjet, as bojkotet, madje as sherret në Parlament, nuk janë të huaja. Përkundrazi, është detyra e një shoqërie të maturuar që të marrë mësimin e rëndësishëm që çdo mazhorancë duhet të pranojë të bashkëjetojë me këto fenomene. Jo vetëm të bashkëjetojë, por të ketë një sjellje bashkëpunuese me këto fenomene, sikundër edhe të mësohet të matet me masën e hapësirave për minorancat, me heqjen dorë nga “sovraniteti” i qeverisjes etj., etj.

4. Mes shumë problemeve të tjera ka edhe një keqkuptim të këtyre situatave me partneritetin e Botës së Qytetëruar. Jo rrallë shumëkush ka kuptuar se vëmendja e kësaj bote të qytetëruar tërhiqet dhe gjallërohet vetëm në kushtet e konfliktualitetit. Dikush nga analistët e sotëm të spikatur të mendimit global, shkon edhe më tej kur nënvizon me cinizëm se “bota e civilizuar” bëhet e ndjeshme vetëm kur ka “gjak”. Por pas këtij “gjaku” lipset që të përmbushësh edhe një sërë kushtesh të tjera, sikundër janë për shembull: pozicionet gjeopolitike, “loja” me këto interesa dhe bërja e tyre efektive, interesat e tregut global etj., etj.

E, nëse në Jerusalem toka nuk mund të blihet e të shitet për shkak të vlerave specifike ku përzihen lloj-lloj faktorësh realë dhe mitikë, në Shqipëri toka ka një çmim. Dhe nuk duket se ka ndonjë çmim të lartë.

Kjo mund të ishte një nga premisat e konfliktualitetit.

 

11 Komente

Te ishe ndalur tek pika 1. e ta coje ndoshta pak me tutje, do kishte qene bukuri.  

Me nje fjale, te na kishe kursyer 2. 3. 4. do ishte mrekulli ala Jeruzalemi.     

No wonder, qe ai/ajo qe e postoi, s'ka dashur te vere emrin.  

liberalizimi i vizave, që jo vetëm i afron shqiptarët brenda vendit me ata 1 milion e gjysmë që “janë” në Europë, por i bën shqiptarët të barabartë në tregun europian të punës.

Autori, mund ta ketë kuptuar mjaft mirë se si funksionojnë gjërat në Jeruzalem (bile edhe mekanizmat e shitblerjes së varreve atje), por punën e liberalizimit të vizave as që e ka marrë vesh fare akoma.

Ndoshta duhet të lexojë më tepër.

ehhh, moj moter rude-lajde.  Doja ne fillim t'i rreshtoja llogjet e 2. 3. 4., duke nisur qe nga ajo qe vecove ti, por pertoja shume.  Shkurt, sic thashe me lart, te na kishte kursyer.  

PS: Edhe tek pjesa 1. ka ca pacaktersira, por aty mbase jo per faj te tij.

Mjafton që të kesh pak durim edhe për pikën 1... duro deri sa të vijë Zotrulesi smiley

 

Rudeta, nese nje kompani ne Itali ta zeme, kerkon te punesoje nje menaxher me eksperience dhe aftesi ne fushen e kuzhines ballkanike, dhe nese une shkoje ne Itali per tu intervistuar, a mundet ata te me punesojne me kontrate nese une kualifikohem/perzgjidhem? Nese po, atehere liberalizimi i vizave mua me ka bere te barabarte ne tregun europian te punes, te themi me nje Grek, Serb, apo Maqedonas, pasi edhe une do te kem mundesine te shkoje ne Itali per tu intervistuar. Une keshtu e kuptova frazen e mesiperme te zotit Agim.

Prisonbreak, tani unë po ta them ty dhe ti shko pyet kë të duash: Ti mund të shkosh në Itali (apo në gjithë Zonën Shengen), POR NUK KE PËR TË MUNDUR DOT KURRË që, me motivin e hyrjes si vizitor, ti të mund të punosh me dokumenta (në punë të kualifikuara).

Do ngelesh si polakët para 10 vjetësh... që vinin demek me pa Papën në Romë, gjenin ndonjë punë në të zezë dhe ju duhej që ç'do tre muaj të dilnin një herë nga Italia (për t'qenë në rregull me ligjin).

Ti dhe Agimi, mundësi të barabarta me të tjerët do të kini vetëm për të konkuruar në tregun e zi të punës (ose më keq tek kriminaliteti). Kësaj i trembet Europi.

Rudeta me duket se nuk me ke kuptuar, ose ben sikur......Po ta shtroj edhe njehere pyetjen se nuk me je pergjigjur: a mundem une shqipetari xxxxx yyyyyy me banim ne Tirane te merrem ne pune me kontrate te regullt nga nje firme Italiane per nje periudhe 2 vjecare per tiu mesuar kuzhiniereve te rinj te firmes se si gatuhen gjellet ballkanase? Pra a ka te drejte firma Italiane te me punesoje mua ekstrakomunitarin nga shqiperia? Nese po, a eshte normale qe une perpara se te perzgjidhem te intervistohem? Nese po, me liberalizimin e vizave a mund te shkoje une ne Itali, me shpenzimet e mija dhe per tre dite sa te beje intervisten me komisionin e kesaj firme Italiane? Po nje Grek, Maqedonas, Serb, Bullgar, Rumun, a do te bente te njejten gje nese do te donte te zinte kete vend pune? Pra a me krijohen mua mundesi te barabarta me liberalizimin e vizave per te konkuruar njesoj si dhe ballkanasit e tjere per nje vend pune te ligjeshme ne Itali?

Me qarte se kaq sinqerisht nuk di si te ta shpjegoje.

M'duket mua, apo me gjithmënd ke parë shumë ëndërra me gjellë pasanikësh ti?

Një guzhinjer shqiptar, që s'ka lek as t'i hypë urbanit të kinostudios për të vajtur në një vënd pune që e ka larg, ti po thua që do t'i hypte avionit vetëm për t'u intervistuar!!!
Edhe nëse % e pranimit të kandidaturës së tij, në një intervistë, do ishte shumë e lartë, mjafton që një ose dy herë të "digjej" n'mes dy-tre kandidaturash të tjera po aq të mundëshme (për ironi të fatit, po t'i pranoj kandidaturat e tjera shqiptare smiley ) dhe pastaj, ai kryeshefi yt (që di të gatuajë gjellë pasanikësh), do të preferonte që të shkonte e të mblidhte domate... ose të shiste fummo (në rastin më të keq).

P.s: Mësojuni shefave që të aplikojnë nëpërmjet internetit herë tjetër dhe mos të harxhojnë pare hoteleve të botës smiley

Sigurisht, qe aplikimi fillestar do te behet nepermjet internetit, por nese CV-ja ime pelqehet dhe eshte kompetitive me ato te grekut, serbit, malazezit, bullgarit apo maqedonasit, me siguri do te kem nje kerkese te dyte per tu intervistuar nga nje komision, se ma merr mendja qe atje tek ty punerat nuk gjehen me mik (sidomos tregu privat). E pra prandaj me duhet liberalizimi i vizes, qe te intervistohem. E pse jo edhe per te te takuar ty.  smiley

Zoti Agim as qe kisha per te te lexuar nese nuk do te te sillnin shkrimin tend ketu tek PPU-ja.

Tani a mund te me thuash ti se si do te ishte situata ne vend sikur lidershipi i PD-se dhe njekohesisht kryeministri i vendit, mbasi te kritikonte ashper menyren jo ligjore te veprimtarise se shumices se anetareve ne komisionin qendror (zotin Ristani and CO.), te lejonte ngritjen e nje komisioni hetimor parlamentar per te bere transparencen e zgjedhjeve? A nuk do te ishte ky nje veprim i denje i nje lideri qe A-ne e demokracise (zgjedhjet e lira) e mbron me cdo kusht? A nuk do te ndihmonte ky veprim i Pozites per te finalizuar liberalizimin e vizave per vendin e fundit ne Europe, Shqiperine?

Po sikur po ky lider, kryetar qeverie, te kishte miratuar shpronesimin e pronareve qe ndodhen ne tokat qe ze Unaza e Vogel perreth sheshit Skenderbeu, mbi bazen e kerkeses per shpronesim qe ka bere bashkia ekzaktesisht 27 muaj me pare, a nuk do te kishte kontribuar per mundesimin e qarkullimit normal te automjeteve, dhe fillimin normal te punimeve per riberjen e sheshit nga donacionet e dhene para 3 vitesh nga qeveria e Kuvaitit?

Lol, por ti Agim, as qe mund ti mendosh dot keto gjera, se mendimi yt ka kohe qe ka humbur, qe ne kohen e monizmit. Ti sje gje tjeter vecse nje frymemares joproduktiv.

 Hik o Gimo hik! Se sa ish Nanua  e ngjeve mire.U krujte mire fort me Meten dhe je tuj u kilikose goxha me Berishen.Po ai privatizimi i jot i famshem me dokumenta te sat shoqeje or burre si te duket?Si nuk keni pake personalitet bre burre i dheut...!

  Sa mire ja ke thene ore  pirsonbreak ! ta lumsha se ky paguhet per me dale Tv ne Tv mbi gjoja rrezikun e mos-heqjes se  vizave prej kerkese kutive...

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).