Shqiptari, përkrah gjithë asaj morie pa fund virtytesh e cenesh, bese e trimërie, vetëlavdi e rrahagjoksi, ka dhe ndonjë të “metëzë” a “plagëzë”, që as i bën nder dhe as mund të krenohet me të. Në mos e pastë, madje-madje, edhe për turp edhe për marre.

 

E kam fjalën, shkurt, për Smirën tonë ndjellakeqe e ndjellazezë. Me shkronjë të madhe! Për këtë jo aq dukuri a fenomen, sa – lumoskëndoiançe - p l a g ë n tonë nga më të mëdhatë: Zilinë ndaj njëri-tjetrit. Thuaj urrejtjen, deri në armiqësi, përplot përçmim e poshtërim, përplot sharje e fyerje. Një sëmundje jona kjo, një patologji pothuajse mbarëkombëtare. Siç e shpjegon edhe Fjalori ynë: një ndjenjë e lakmisë dhe e keqdashjes, që na ngjallet kur shohim dikë më mirë se veten.

E ne, siç, me gjasë, amanet na ka lënë i pari, pothuajse kurrë s’e duam tjetrin sa veten. Pothuajse gjithmonë e përdhosim çdokënd që na del – mbi veten. Edhe në qoftë shqiptar. 
Edhe n’e paçim vëlla t’bab’s e t’nan’s!

E kam fjalën, pra, për shqiptarin smirëkeq, për shqiptarin smirëzi, për shqiptarin resëtar dhe resëmadh, që s’e ka smirë - as ia bën ngat! – “shkjaut” (të Fishtës), “junanit” a “taljanit”, sa vëllait të gjakut e të fisit.

Pikërisht para ndonjë jave u mbushën 20 vjet nga ajo Lëvizja e Madhe Gjithëpopullore e Madhore e Pajtimit të Gjaqeve, prirë nga Anton Çetta e Mark Krasniqi, Azem Shkreli e Bajram Kelmendi me shokë, po sidomos me të rinj dhe të reja, kur shqiptari i fali shqiptarit mbi një mijë gjaqe. Burrërisht. Shqiptarisht. Me lot në sy. Jam dëshmitar, ende i gjallë nga ata pak, kur nëna shqiptare fali – në emër të lirisë e në emër të rinisë, në emër të Kosovës! – deri katër gjaqe. Katër djem.

Përkrah Besës, Burrërisë e Trimërisë, shqiptari, po, edhe – fal! Të fal, po, edhe kur ia mbyt babën e djalin. Edhe kur ia vret vëllain a dajën. Edhe kur ia shkel fëmijën. 
Të fal shqiptari, sepse faljen, animë të gjaqeve, e ka për nder. 
E konsideron, më shumë se akt burrërie, një akt – trimërie. Se jo më kot e ka fjalën e vet të urtë: Veç trimi fal. Falja fryn njerinë, nakari fryn mërinë.
Gjithçka, po, fal shqiptari. Gjithçka, po, po.
Ja që, ka një Një, ka një diçka që nuk ta fal – assesi!
Shqiptari, shkurt fjala, nuk ta fal – suksesin.

Edhe po të pati vëlla. Se më, qoftë larg (!) , po e pati koleg mjeku mjekun, aktori aktorin, shkrimtari shkrimtarin, historiani historianin, kritiku kritikun, artisti artistin, politikani politikanin, ministri ministrin etj., etj., plas - plasja!

Një zonjë tiranase me emrin Ana Kodima futi gishtin në këtë plagë, që e quajti “Smira jonë sociale” (e unë do i shtoja edhe – kombëtare!), tek tha se në çdo sektor të jetës sonë luftohet egërsisht dhe me ngulm - i suksesshmi, i guximshmi, ambiciozi. Vetëm e vetëm pse bie ndesh me mentalitetin barazitar-ist.

Po u dallove nga të tjerët, po u bëre i shquar, i njohur dhe i dashur publikisht, vaj halli! Se na shquan edhe një tjetër “tipar” ne shqiptarëve: me qiri e me pishë ta kërkosh, pale a e gjen një shqiptar ta lëvdojë një shqiptar të aftë dhe publik! Siç nuk e gjen asnjë t’i bjerë në qafë dembelit a parazitit. S’do mend, mbase edhe mund të kuptohen, në qoftë se nuk arsyetohen, të dështuarit e të dëshpëruarit, të pakënaqurit e të pazotët, hileqarët e ziliqarët.

Mirëpo, si shpjegohet dhe a arsyetohet egoja patologjike, vetëlavdërimi i skajmë dhe ulja, nënçmimi e përçmimi i tjetrit, i kolegut, deri edhe me broçkulla, tek i prin, e pushton dhe mbisundon zilia, smira, inati “pse ai ka përparuar më shumë se unë? Pse, ç’është ai? Mos është më i zoti se unë”?
Flitet ndër shqiptarë një si anekdotë, kur dy vëllezër shpëtuan të birin e princit nga vdekja. 
Për t’i shpërblyer, e pyeti princi të parin ç’dëshiron. Disa dele, u gjegj ai, t’i kullos dhe t’i shtoj. Saora princi ia plotësoi dëshirën.

Po ti tjetri ç’dëshirë ke të ta plotësoj menjëherë?

Pa u hamendur, hazërxhevap, vëllai i dytë i tha: “Dua t’ia marrësh vëllait delet që ia fale, që të mos ketë ç’të kullotë”!

Anekdota anekdotë, e kurdisur a e kotë, mbetet se mbetet anekdotë. Po kur unë “i prek me dorë” dhe bëj be në Kuran e në Bibël, sepse i njoh me farë e me fis, me emër e me mbiemër, jo një po plot shtatë palë, shtatë çifte vëllezër të një babe e të një nëne, që jo vetëm nuk flasin kurrë njëri me tjetrin me vite e vite, po nuk gjen “turk as shkja” t’i përgojojë e t’i shajë më keq e më zi se ata njëri-tjetrin. Përkrah amanetit dhe dëshirës së fundit të një fshatarit tonë plak para vdekjes: që t’i cofë lopa e vetme – fqinjit të vet më të parë!

Kam mbi 20 vjet që botova librin “Fytyra dhe turinj” me mbi 370 faqe. Në qe se këta 7 vëllezërit prishtinas edhe i “kuptojmë” dosido, si do “kuptuar” zilinë, zënkat, grindjet, rragatat, sharjet e fyerjet e kokave më të shtrenjta, më të merituara dhe më të njohura të kombit tonë ndër vite? 
A mjafton të zë ngoje edhe vetëm “majat: Fan Nolin me Faik Konicën dje! Ismail Kadarenë me Rexhep Qosjen sot?

Se më: Fishtën (“Gabove, Hilë!”) kundër Hilë Mosit; Nikollë Ivanajn kundër Faikut e Fishtës; Konicën kundër Naimit dhe një vargu “xuxubocërish dhe doçërish”; Hasan Prishtinën kundër Ismail Qemalit; Faikun kundër Asdrenit; Gramenon kundër Faikut; Luigj Gurakuqin kundër oponentëve; Çajupin kundër Dr. Adhamidhit; Branko Merxhanin kundër Lasgush Poradecit etj., etj., deri te Vehap Shita kundër Hasan Kaleshit (“Medice, cura te ipsum”).

Enish, siç e kish zakon të thoshte babai i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, Anton Çetta, pa mëtuar të moralizoj, do mësuar të çmojmë, të nderojmë dhe të krenohemi me njerëzit e zot, me ata që janë më të mëdhenj dhe më të afirmuar se ne.

Pa Smirë! 
Pa Zili! 

 

Pa Inat! 

9 Komente

eshte thjesht nje shprehje e mos zhvillimit ekonomik dhe emancipimit social te shoqerise tone...

Eshte shume evertete dhe jo vetem te Shqiptaret eshte kjo por te te gjithe rracat se keshtu eshte ndertuar njeriu,

POR tek Shqiptaret kjo eshte shume me e dukshme dhe per shkak te injorances kulturore dhe prapambetjes shumeplaneshe.....

Mbase ndryshon ndervite.... kush e di??????????

Ne planin familjar keto smirat ose gec-mecet ekzistojne me shumice kudo! Une kam pare me bollek ketejza dhe andejza! (shqiptare dhe jo shqiptare!). Rrugezgjidhja me e mire per keto eshte ndarja e hesapeve sipas fjales se urte "gardhet e mire bejne fqinje te mire" (Good fences make good neighbours!). Por ne shqiptaret besojme shume ne familje dhe ne te aferm qe eshte gje e mire ne parim por qe behet shkak i te gjitha problemeve qe degjojme lart e poshte! (psh: besojme te na ruaje kursimet qe kemi punuar per vite te tera ne imigracion, pune borxhesh etj dhe kur zhgenjehemi fillojme ankohemi!). Ne qofte se hesapi eshte i ndare dhe i afermi yt qofte vella ose me larg ose me afer nuk ka asnje mundesi te te demtoje ty ekonomikisht atehere pak rendesi ka se cfare mendon ai ne koke e tij per mua por rrjedhimisht problemet jane me te pakta! Kurre zero, asgjekundi nuk jane zero!

Ne planin profesional - suksesin jo vetem shqiptari por askush nuk ta fal kudo qe te jesh! Suksesi arrihet me perpjekje, edukim, shkollim, pune me radhe ne menyre te vazhdueshme! Per mua ndryshimi themelor eshte sa njihet ose vleresohet suksesi juaj nga ambienti ku jeton! Ketu fillon a tatepjeta ne realitetin anadollak shqiptar!

Sa e sa intelektuale te zote me vite te tera eksperince ne Shqiperi, Kosove ose neper bote (ndoshta edhe shume peshq te tille) akoma detyrohen te qendrojne akoma jashte shtetit. Kjo shtrese e cmuar harxhon gjithe aftesite e tyre duke shkruar neper blogje ose thjesht duke bere nje pune sepse u duhet te jetojne dhe nuk behet fjale per kthim sepse ata jane te papranueshem ne realitetin/mentalitetin alien shqiptar atje poshte! Po ashtu ka plot qe ndihen te plotesuar ne vetvete sepse u eshte vleresuar aftesia atje ku jane kur atdheu nuk ishte ne gjendje ti cmonte ata/ato ose kane kane arritur shume nga ana profesionale neper vendet ku jetojne aq shume sa qe nuk u shkon ne mendje te kthehen (duke perfshire edhe veten time ketu)!

Nje nga arsyet e ashpersise te atij realiteti eshte - ne nje vend te varfer vendi i punes eshte nje ceshtje jete ose vdekje - kjo sjell xhevaire te tjera psh: manipulim te zgjedhjeve ose politikani nuk i hap kutite per jete ose vdekje sepse ky deputet diten tjeter perfundon si dominoxhi ne kafene pa pune, vendi i punes shitet me para nen dore (psh 3000 euro etj) dhe jo me meritokraci ose konkurenca midis bizneseve shkon deri ne eleminime fizike dhe kjo nuk mdodh vetem ne Shqiperi por ne Shqiperi eshte me barbare (kercet sepata ne mes te dites!).

Persa i perket debateve midis figurave kombetare - ato jane pozitive kur behen me mend ne koke (konntradiktat sjellin zhvillim, uji qe fle vetem qelbet!). Kur debatet degjenerojne ne debate te tipit Sali Berisha qe shan me rrenje dhe me dhemballe ne parlament cfare pret nga te tjeret me poshte! (kur ushtria po kalonte neper pyll, kur gjenerali theu nje dege atehere ushtria shkretoi pyllin). Prandaj ai vend atje poshte duket sot si nje pyll i shkretuar! etj etj

Po e le me kaq! Ndoshta e gjitha me siper  mund te permblidhej ne dy fjale "fukarallek maskarallek"!

Gezuar pashket per ata qe i festojne dhe pushimet per te tjeret! smiley

Po pse mer lal, edhe smira qeka "ekskluzivisht" shqiptare?

Na qmitizutë edhe kockën, mer.

Si me thone tashti: shqiptarit i ngel hatri shpejt, ose, shqiptari nuk te le me pagu, ose shqiptari i ka sqetllat me djerse, ose me tutje, shqiptari e rref grune, etj, etj

mes miqsh mund ti ngresh keto insinuime a opinione personale, po kshu n'publik, mendohuni dy here. Aaaa kshtu nuk ban. Hiç mirë.

Kjo do te thote:

O shqiptar o pordhaman/ Nuk behesh dot evropian.

"Parenti serpenti", "I parenti sono come gli stivali, piu sono stretti, piu fanno male"; këto janë dy fjalë të urta popullore mjaft të përdorura në Itali (që në shqip, sado që u mundova, nuk arrita të gjej ndonjë proverb të kësaj natyre).

Në një anketim të paradisa kohësh (u fol në të gjitha mediat italiane), dilte që "Lumturia e të anketuarve nuk kishte të bënte me pasurinë e njerëzve, por me keqardhjen që ata provonin kur komshija/i afërmi i tyre, kishte diçka më tepër se ata".

 " Po ashtu ka plot qe ndihen te plotesuar ne vetvete sepse u eshte vleresuar aftesia atje ku jane kur atdheu nuk ishte ne gjendje ti cmonte ata/ato ose kane kane arritur shume nga ana profesionale neper vendet ku jetojne aq shume sa qe nuk u shkon ne mendje te kthehen (duke perfshire edhe veten time ketu)!"

Shume keq! (Per memedheun dmthsmiley&nbspsmiley

Per artikullin zero me xhufke!

Zilia e te tjereve mua me duket nje alibi per mossukses dhe per refugjatllek, jo ndonje problem serioz. Nqs dikush ndihet i realizuar ne nje vend tjeter te ndryshem nga Shqiperia, kam bindjen se kjo nuk ka lidhje domosdoshmerisht me dozen e larte te zilise nderpersonale mes shqiptaresh, po ndoshta edhe me shkaqe qe lidhen me mundesite reale ekonomike qe te ofron cdo vend.

Pastaj, zilia mund te jete edhe gje e mire, sepse mbase nje ziliqar qe eshte edhe pak kembengules (jo nje dembel i rendomte) mundet fare mire qe zilia ta motivoje per ta arritur apo tejkaluar nje shembull suksesi. Dhe raste te tilla mund te gjesh edhe ne Shqiperi sa te duash.

Zilia ne vleresimin tim eshte nje dimension i rendesishem i egos, e cila, kur perdoret pa ekses, e shtyn individin te arrije me shume. Dhe nqs ndonjeri ketu mund te me thote se ne Amerike po u bere nje person me para, askush nuk do te kete zili ndaj teje, dhe te gjithe do ta lehtesojne pasurimin tend, atehere une kam bindjen se ai person ose po shet mend, ose nuk e ka haberin, dhe e njeh Ameriken permes filmave te Holliwood-it.

yep! shume sakte! smiley

ps. dikur asaj zilise se mire i thoshim "ambicje revolucionare"

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).