Enver Hoxha dhe Ramiz Alia: "Vjeshte" nga Bashkim Ahmeti

 

Shkëputur nga punimi i doktoraturës së Gëzim Qendros: "Surrealizmi socialist"

 

Nga Përfundimet


Marksizmi si fe laike


...Duke mbajtur parasysh karakterin propagandistik të artit të realizimit socialist në shërbim të pushtetit totalitar në Shqipëri, u përpoqëm të hetojmë arsyet e përmbajtjes surrealiste të realizmit socialist në ideologjinë mbizotëruese përgjatë një gjysmë shekulli në Shqipëri, marksizëm-leninizmin. Metoda jonë është mbështetur mbi zbulimin e analogjive midis marksizëm-leninizmit dhe fesë monoteiste.


U nisëm prej mundësisë për të ngritur një diskurs të përbashkët midis marksizmit dhe fesë, duke u përqendruar mbi paralelet të nxjerra nga eskatologjia [vizioni i fundit të një bote dhe hyrjes në një botë tjetër] dhe mesianizmi i tyre, laik ose fetar.


Këtu qëndron dhe risia e kësaj teze në raport me kritikën e mëparshme të realizmit socialist në Shqipëri që i sheh si të trashëguara temat dhe subjektet fetare, të marra nga ana e tyre prej librave të shenjtë dhe meta-tregimet, të cilat shihen si armiket ideologjike të marksizëm-leninizmit.


...Historia e lidhjeve midis marksizëm-leninizmit dhe fesë na jep me mijëra shembuj të luftës së egër midis tyre. Pamundësia që marksizmi të mund të klasifikohet në regjistrin e një feje shekullare përforcohet nga armiqësia midis besimtarëve fetarë dhe komunistëve të bindur.


Kjo na shpuri në pyetje të ngjashme në fushën e artit...
Një sistem ideologjik totalitar sikurse marksizëm-leninizmi nuk shqetësohet fort nga simetria mes asaj që thotë dhe asaj që paraqet realisht. Ky delir ideologjik zbulohet lehtë në artin zyrtar të realizmit socialist, ku dimensioni utopik sigurohet nga orientimi ideologjik, vullneti për pushtet i grupit shoqëror në fuqi dhe kontrolli i rreptë i prodhimit artistik.


Realizmi Socialist ushqehet nga ambicia për ta bërë të kapshëm realisht motorin më të fuqishëm të Historisë: ëndrrën mesianike. Nuk është e vështirë të zbulosh nën sipërfaqen e trashë të realizmit të artit zyrtar bërthamën irreale të eskatologjisë së komunizmit.


Në këtë situatë përmbajtja estetike e doktrinës dhe emërtimi i metodës si "realiste" janë në fund të fundit dytësore: thelbi i realizmit socialist nuk gjendet në recetat e tij formale por në statusin e ortodoksisë që ka, tek e vendos artin nën juridiksionin e shtetit-parti totalitar.


Treguam përgjatë këtij punimi se si pushteti komunist ndoqi të njëjtën strategji legjitimimi, duke përdorur njëkohësisht ëndrrën mesianike dhe pretendimin shkencor të marksizmit.


U përpoqëm të problematizojmë, nga kënde të ndryshme vështrimi, marrëdhënien midis Arsyes dhe Mitit të Parajsës, një qasje që na ndihmon të hulumtojmë kompleksitetin e kësaj marrëdhënieje.


Besojmë se dhamë arsye të mjaftueshme në të mirë të idesë që marksizëm-leninizmi është një fe laike. Kjo ide përbën një moment të rëndësishëm në qasjen tonë analitike, pasi na ndihmon të zbulojmë një pjesë të ideologjisë zyrtare të regjimit komunist shqiptar, të lidhur me meta-tregimet, të cilat pasqyrohen drejtpërdrejt në artin e realizmit socialist, duke i dhënë atij atë brerore irrealizmi që është objekti kryesor i studimit tonë.


Armiqësia tradicionale midis shtetit komunist dhe fesë nuk mund të të fshehë faktin që ka gjithashtu tipare të një ngjashmërie gati-simetrike, të cilat shkaktojnë për mendimin tonë përmbajtjen surreale të një pjese të trashëgimisë së realizmit socialist shqiptar.


E treguam këtë kushërini midis marksizmit dhe fesë në mënyrë më të thelluar gjatë analizës së veprave. Përmes veprave të realizmit socialist mund të zbulohet se marksizëm-leninizmi është gjithashtu një fe, pasi ai ofron një sistem qëllimesh finale, ku fshihen edhe arsyet që drejtojnë sjelljet dhe marrëdhëniet midis subjekteve të artit RS, qoftë kur bëhet fjalë për personazhe historike si Enver Hoxha ose Hamit Shijaku, qoftë për personazhe anonime që mbajnë emërtimet e përgjithshme klasë punëtore ose fshatarësi kooperativiste.


Ai përbën gjithashtu etalonet për preferencat absolute, për të vlerësuar ngjarjet dhe veprimet, një udhërrëfyes që ngërthen një plan shpëtimi. Prandaj, për të rimarrë këtu fjalët e Schumpeterit, socializmi marksist bën pjesë në grupin e feve që premtojnë parajsën mbi dhe.

Çfarë mungonte në veprat e Realizmit Socialist
Substanca irreale e artit të realizmit socialist shihet gjithashtu në faktin që përgjatë një gjysmë shekulli në peizazhe ishte e ndaluar të binte qoftë dhe një pikë shiu. Në parajsë nuk bie asnjëherë shi, po kështu edhe në artin e realizmit socialist.


Ndërkaq, për arsye thjesht ideologjike, rojtarët e ekspozitave ishin më tolerantë ndaj një tjetër vizitori të qiejve: dëborës, e cila autorizohej të mbulonte peizazhet e realizmit socialist.
Paraja gjithashtu është dëbuar nga parajsa komuniste.


Ky fakt na sjell parasysh mungesën, gjatë thuajse një gjysmë-shekulli të të hollave, të tregut, të jetës së përditshme të shqiptarëve në artin e realizmit socialist. Vetëm pas vitit 1990 piktori mund të paraqiste një treg me qytetarë të kthyer në blerës të mundshëm. Ose thjesht shëtitjen në rrugët e një tregu, bisedën me një mik ose bërjen e pazareve.


Në parajsë Vdekja nuk lejohet. Edhe në parajsën e realizmit socialist asaj i ndalohej të hynte. Megjithatë ajo e gjeti mënyrën për të lënë kartëvizitën e vet në parajsën arkadiene të realizmit socialist, si njëfarë Et in Albania Ego, nën trajtat e një tabloje të realizuar në fund të viteve '80, vetëm një vit para se të binte regjimi, tablo e cila paraqet vajtimin e nënës së vdekur të piktorit Besim Tula.


Banorëve të parajsës komuniste, ku sundon kulti i punës, u ndalohet ta kalojnë kohën duke luajtur; kështu i ndodhte edhe njeriut socialist, banor i botës irreale të realizmit socialist.


Nuk ka qoftë dhe një tablo të vetme që të tregojë shqiptarët thjesht duke u zbavitur me lojëra të ndryshme. Edhe fëmijët, në mënyrë që të hynin në parajsën socialiste, duhej të hiqnin dorë nga larmia e lojërave të tyre, për t'u kënaqur me një numër të kufizuar syresh.


Censura kishte lojërat e veta të preferuara, të tjerat gjykoheshin si jo-kompatibël për të hyrë në botën e parrizit të realizmit socialist. Në krye të listës ishin pushka dhe kazma, veglat e punës.


Jeta e përditshme, si një dimension human i përjetshëm, duket të jetë imunizuar nga bacili i një ideologjie çfarëdo totalitare dhe ngjan se rreziku që fshihet prapa këtij dimensioni, në dukje i padëmshëm e i rëndomtë, është kuptuar më së miri nga estetët dhe ideologët e regjimit.


Nga qëndrimi i dy drejtuesve të Shqipërisë komuniste Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, mund të konstatojmë që nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga triumfalizmi dhe konfidenca e tyre. Ecja e tyre në kërkim të Tokës së Premtuar, larg teatralitetit të sjelljes së tyre të dikurshme, i ngjan shëtitjes së dy burrave të zakonshëm në një peizazh anonim.


Janë vetëm. Janë zhdukur turmat entuziaste, peizazhi që dukej si një vitrinë e arritjeve të socializmit. Atmosfera bëhet edhe më irreale kur konstaton se, ashtu si në legjendat e shqiptare, sikurse ajo e Konstandinit dhe Doruntinës, i vdekuri dhe i gjalli ecin së bashku...


...U përpoqëm të parashtrojmë, përmes një leximi krahasimor, një paradigmë reflektimi që shkon përtej ideve të vjetra të antagonizmit dhe mospërputhjes ideologjike të marksizmit me fenë, ide që përjashton çdo ngjashmëri midis tyre.


Duke ndjekur rrugën e konkordancave dhe jo të ndryshimeve, jemi përpjekur të tregojmë se si realizmi socialist është më shumë refleksion i Idesë sesa i realitetit të Shqipërisë, një qasje estetike që shkon në të mirë të numenit dhe jo të fenomenit.


U përpoqëm të zbulojmë, me gjithë jo-kompatibilitetin e marksizmit me fenë pikat e konvergimit të diskurseve, ku takohen mesianizmat e tyre përkatëse, të cilat kanë prodhuar, për pasojë, vepra të artit totalitar që reflektojnë, me gjithë pretendimin realist dhe ateist që kanë, një përmbajtje me karakter surreal dhe fetar të mbizotëruar nga mesianizmi utopik marksist. Ky ishte qëllimi ynë dhe prurja e vërtetë e kësaj teze.

Përktheu nga origjinali frëngjisht: Ardian Klosi

7 Komente

 

ja edhe një shkrim savant që sipas të gjitha gjasave do të mbetet pa asnjë koment të Peshqve të ditur, të specializuar më tepër në opinionet e artit pornostar të gjallë se sa në reflektimet e artit piktural të vdekur.

C'mund të shkruhet si një koment dyleksh te PPU mbi një studim me mbi 500 faqe, një  pasqyrë e të cilit me "cum laudatium" jepet tek Shekulli i sotëm, ndërkohë që këtu na duhet të gjykojmë mbi një tekst që titullohet: nga përfundimet? Na mbetet të lexojmë dhe të duartrokasim për aparatin e përsosur shkencor, për thellësinë e mendimit filozofik që tejkalon atë kritik dhe estetik, për përqasjen e guximshme dhe vlerat konceptuale të shpalosura...

E megjithatë, qoftë edhe leximi i këtyre rradhëve përmbyllëse më shtie në mendime dhe më detyron të shtroj disa pyetje:

- shprehja aq intriguese dhe aq e goditur "surrealizmi socialist", a është specifike e artit viziv (pikturë, skulpturë, grafizëm, afishe..) apo e artit në përgjithësi - duke përfshirë edhe letërsinë?

- a është ajo specifike e këtij arti shqiptar apo mund të përdoret për të gjitha shprehjet artistike të singjashme të kësaj periudhe në BS, Rumani, Jugosllavi, Bullgari - për të mos përmendur të tjera referenca gjeopolitike të bllokut komunist?

- cilët janë ato elementë të analizës dhe të sintezës artistike, më tej filozofike dhe politike, që lejojnë të krijohet ky togfjalësh i lumtur?

Kam parasysh këtu përvojën surrealiste të Breton & Co, Manifestin e tyre aq të përfolur surrealist - të Parin, të vitit 1924, si edhe përkufizimin e surrealizmit nga Bretoni:

«Automatisme psychique pur par lequel on se propose d’exprimer, soit verbalement, soit par écrit, soit de toute autre manière, le fonctionnement réel de la pensée en l'absence de tout contrôle exercé par la raison, en dehors de toute préoccupation esthétique ou morale»

që i përkthyer në shqip: "automatizmin e pastër psikik me të cilin propozohet e shprehura qoftë me shkrim, qoftë me çdo mënyrë tjetër, funksionimi real i mendimit në mungesë të çdo kontrolli të shprehur nga arsyeja, jashtë çdo preokupimi estetik ose moral".

sikundër edhe ndërhyrjen e mëpastajme nga i njejti Breton, në vitin 1930, që nënvizonte mes të tjerash elementët e mëposhtëm: karakterin e rremë të antinomive të vjetra, faktin se surrealizmi nuk i përgjigjej asnjë morali, thirrjen për implikimin shoqëror të artit, paralajmërimin ndaj indoktrinimit politik, tërheqjen e natyrshme të tij drejt ezoterizmit,
kundërshtimin e suksesit merkantilist. Me fjalë të tjera, shqetësimin e tij të përhershëm, të  shprehur si më poshtë:

Gjithçka bën të besosh se egziston një farë pike e shpirtit ku jeta dhe vdekja,realja dhe imagjinarja, e shkuara dhe e ardhmja, e përçueshmja dhe e papërçueshmja, e larta dhe e ulta ndalen së kqyruri në mënyrë kontradiktore

E pra, në mungesë të këtyre elementëve - për mendjen time esencialë - si mundemi të gjykojmë për thellësinë e oksimorës "surrealizmi socialist"? Natyrisht, po le mënjanë  vlerësimin e Klosit ndaj thelbit:

prurja më e rëndësishme e veprës së Qendros janë pikërisht paralelet e hequra mes dogmës fetare dhe dogmës marksiste duke u nisur nga reflektimi që kjo e dyta dha te veprat e realizmit socialist në Shqipëri; zbulimi i lidhjeve imanente që ekzistojnë mes të doktrinës së krishterë dhe doktrinës marksiste

pasi ky i vetëm nuk mjafton për të shpjeguar të parin.

Në pritje dhe me shpresë se ndoshta autori do të mund të vijë të na ndriçojë sadopak... në pritje, të lexojmë vetë studimin... dhe me shpresë (të kot&eumlsmiley se ndoshta Klosi do të kalojë rastësisht diku pranë...

 

C'mund të shkruhet si një koment dyleksh te PPU mbi një studim me mbi 500 faqe, një  pasqyrë e të cilit me "cum laudatium" jepet tek Shekulli i sotëm, ndërkohë që këtu na duhet të gjykojmë mbi një tekst që titullohet: nga përfundimet?

Po ti tani pret qe cdo peshk te lexoje doktoraturen e autorit prej 500 faqe, ne frengjisht, dhe pastaj te vije te diskutoje ketu?

Kur kete s'e ka bere as gazeta qe ka botuar artikullin, dmth thjesht ka perkthyer ca pjese te tij, ne vend qe te bente nje permbledhje te doktoratures dhe te paraqiste te rejat qe shtjellon autori pertej ngjashmerime ashiqare te dogmes komuniste me ato fetare, ti pret qe kete ta bejne anonimet e nje blogu ne komente, si replike ndaj mungeses se profesionalizmit te gazetes qe boton kete dembelllek-plagjiature si artikull? 

ore Xhibi,

së pari, tobestrafkurulla - hera e parë që po e shkruaj këtë lloj fjale dhe shpresoj ta kem shkruar mirë - për të larguar syrin e keq. është hera e parë në historinë e PPU që ti vjen dhe i bën  një koment-përgjigje një komenti tim.

Mos bëj naivin lidhur me atë studimin 500 faqesh, tezë doktoranture - për më tepër në frëngjisht. Besa në se do ta kisha përpara, kisha për ta lexuar. Thjesht për të kuptuar se cilat elementë e lejojnë autorin e saj për t'i dhënë një emër kaq piktoresk atij realizmit tonë socialist aq të dashur!

pyetja qe kam une: perse eshte e re teza "Marksizmi si fe laike"? Analiza te tilla per artin ne komunizem ekzistojne, tashme - ku eshte e reja, pertej aplikimit te analizave tashme te bera diku tjeter? Dicka aplikative nuk eshte origjinale - nuk e kuptova entuziazmin e Klosit, por kuptova qe edhe ai e ka tejkaluar momentin e mornicave dhe eshte bere kontribues i nje ligjerimi abnormal ne shkence. 

 

Xixa, edhe mua s'para ma ka qejfi te them asgje ketu por po ia selloj njehere, pa lidhje me surrat'realizmin.

Perkthimi i Klosit eshte pertoke. E shoh ende pa e pare origjinalin. Di te them se nese nje ligjerim i tille vjen para nje komisioni ku kryetar eshte Hurbinek, ligjeruesi s'rri dot as 5 minuta brenda.

E dyta, te njejtin tip perkthimi perdor dhe ti. Dhe nuk e kuptoj perse. Me sa di une, ti e heq ca frengjishten dhe ngela disi i habitur. Nga vjen kjo mania per te mos ua vene veshin fjaleve ?

Perse eshte sjelle "par lequel" me "me te cilin" ? Par lequel eshte tjeter nga avec lequel.

"On se propose", qekur na qenka "propozohet" ? Ku vajti peremri i pacaktuar "on" ?

"exercer" qekur na qenka "exprimer" ?

________

Perkthimi i sakte, ku del dhe kuptimi mjaft i qarte i surealizmit, eshte ky :

«Automatisme psychique pur par lequel on se propose d’exprimer, soit verbalement, soit par écrit, soit de toute autre manière, le fonctionnement réel de la pensée en l'absence de tout contrôle exercé par la raison, en dehors de toute préoccupation esthétique ou morale»

"Automatizem i paster psikik NEPERMJET te cilit SYNOJME te shprehim, qofte gojarisht, qofte me shkrim, e qofte ne nje menyre tjeter çfaredo, funksionimin real te mendimit ne mungese te çdo kontrolli te USHTRUAR nga arsyeja, jashte çdo meraku estetik apo moral."

 

 

Hurbinek,

nëse Xhibit i thashë "mos bëj naivin", tu duhet të të them "mos bëj mistrecin".

Me të tjera llafka, vari hejbet frëngjishtes time të orës 1 pas mesnate, pasi kam ngrënë gigot-it e qingjit të Pashkës, të shoqëruar me një shishe vere nga të Cahors-it (me frëngjishten e tyre, rusët e përkthejnë në Kagor). Gjithmonë kam thënë - dhe kam Selfin për dëshmitare, se shqipen e kam të nënës dhe frëngjishten e thjeshtrës dhe nuk është vetëm thjeshtra që trajton keq Hirushen!

Sa për kujdesin me të cilin ti kqyr këtë çupë thjeshtre - si edhe zellin për ta zbukuruar atë - nuk kam ç'të them! Duke lënë mënjanë "exercer - ushtrimin" dhe "exprimer-shprehjen" e Cahors-it dhe duke harruar "me të cilin, nëpërmjet të cilit, sipas të cilit, mes të cilit, midis të cilit" dhe tutti quanti, mbetet përemri pavetor on, "nëpërmjet të cilit" ti kqyr synimin e shprehjes së bandës së Bretonit. E pra aty, unë shoh pasigurinë e mendimit - dhe në rradhë të parë, atë "imposture intellectuelle" që qëndron prapa shprehjes të një grupi të rinjsh aguridhe që dikush si Pierre Drieu La Rochelle i ka përkufizuar si "tartarins de la révolution".

Sa me lehtesi hedhim balte mbi nje nga periudhat me te ndritura te historise se artit, asaj bizantine. Gabimi fatal dhe me  thelbesori eshte se  barazpeshohet nje periudhe mbi njemijevjecare e historise se njerezimit (ketu e kam fjalen per ate te artit, pa shqyrtuar historine ne teresi), me ate komuniste (socrealizmin) te pesedhjete vjeteve te fundit. Dhe duke e nisur gabim, gjithe konkluzioni do te jete i tille.

Po te analizojme historine e artit bizantin, qysh ne format e hershme te tij ne periudhen paleokristiane, bizantine dhe ate pasbizantine, si edhe evolimin konceptual, estetik, artistik, trajtimor te kesaj periudhe, do te arrijme ne konkluzionin se behet fjale per nje nga shtyllat vertebrale te historise se artit. Nje faze qe ka ushqyer mjaft personalitete te mevonshme, arkitekte, piktore dhe skulptore, poete dhe shkrimtare, muzikante dhe dramaturge. Nje djep i qyteterimeve te mepasme perendimore.

Do te ishte qesharake qe te behej ketu, nga njerez qe nuk kane piken e njohjes mbi kete argument si G. Qendro apo
A. Klosi, qofte edhe ndonje tentative per te analizuar kete periudhe, dhe si pasoje te kryhej me pas edhe "heqja e paraleleve". Nuk di qe z. Qendro te kete njohuri, te jete specialist i studimeve bizantine, apo i artit mesjetar. Sigurisht qe duhen vite te tera studimore dhe shume jete njerezore per te arritur ne konkluzine te mirefillta filozofike/estetike/ artistike mbi rolin, forcen, risite dhe vlerat e artit bizantin ne teresi ( shek 4- shek 15 p.k.) . Fakteqesisht gjuha e perdorur ne artikujt e Gazetes Shekulli, por edhe tere filozofia e studimit (me  aq sa jemi ne gjendje te kuptojme nga materialet e prura ketu) eshte teresisht e njejte me ate qe perdorte kozmotheoria  totalitariste-komuniste dhe me pas ajo metamoderne shqiptare, ne lidhje me Bizantin, filozofine, artet dhe arritjet e atij qyteterimi aq brilant ne historine tone njerezore.

Ne kundershtim me socrealizmin i cili nuk interesohej per shpirtin, por per shprehjen propagandistike dhe ideologjike permes arteve, arti kishtar ishte nje perpjekje e panderprere e artistit per ti dhene forme vizuale realitetit te tij spiritual, nevojave te tij shpirterore, fetare dhe ekzistenciale. Arti kishtar ishte mbarsur me etjen per analize, mbi zotin, shenjtet, jeten e eperme, jeten e mepertejme, mbi te miren dhe te keqen. Ishte nje art qe buronte nga lidhja e drejtperdrejt -ekzistenciale- e krijuesit ne nje ane, dhe e deshirave, frikave, anktheve, aspiratave te tij njerezore ne anen tjeter. Ekzistojne vepra brilante ne pikture, mozaike, arkitekture, etj, nga nje sere autoresh, te cilat sot jane pasuri e e pacmuar e trashegimise sone  boterore. Gje qe nuk mund te thuhet per asnje prurje te real-socializmit ne artet vizuale.

Ne te kunderten, socrealizmi nuk ishte rezultante e nevojes per kerkime te asnje tipi. Ishte nje art formal, sepse ishte i mbrujtur nga parimet e tij dogmatiste. Qenesia e tij ekzistenciale konsistonte ne shpalosjen sa me te devotshme dhe rigoroze te doktrines komuniste. Kishte per qellim te perconte tek masat mendesite e Partise, dhe jo nevojen per hulumtim te qenies, apo te ambjentit rrethues. Cdo percapje per te tejkaluar keto kufij, u shkaterrua qysh ne embrion.
 

Keto artikuj, si dhe ky studim, nese vertet keto jane klonkluzionet e tij, eshte nje shembull i menyres siperfaqesore te kendveshtimit te botes nga te ashtequajturit intelektuale dhe studiues shqiptare, dhe eshte deshmitar i vakumit konceptual qe kalon shoqeria shqiptare sot, ne keto kohe teresisht te zbrazeta qofte ne ide, qofte ne vepra, apo ne menyren se si shpaloset kendveshtrimi kritik mbi artet vizuale...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).