Henri Michaux (1899-1984), ka qenë shkrimtar dhe piktor belg i gjuhës frënge. Vetmitar e misterioz qëkur ishte fëmijë, në rininë e hershme arratiset në leximin e Dostojevskit, Tolstoit dhe Lautréamont-it. Mbas një kalimi të shkurtër në fakultetin e mjekësisë, para se të fillojë të shkruajë, ai zgjedh detin duke u angazhuar si marinar në moshën 21-vjeçare. Lundron gjatë dy vjetëve, pastaj vendoset në Paris, ku shoqërohet me Jules Supervielle-in, Max Ernst-in apo edhe Giorgio de Chirico-n. I dashuruar mbas udhëtimeve të gjata, ai nuk resht së përshkuari botën. Në vitet 1929-1939, Michaux viziton, ndër të tjera, Ekuatorin, Indinë, Kinën, Japoninë, Uruguajin... dhe shkruan fletoret e para të udhëtimit. Por para këtyre, ai ka botuar disa tekste që kanë rënë në sy: një autobiografi, si dhe poezi e proza poetike.
Paralelisht, Michaux, që nga viti 1925, pikturon e vizaton pa marrë asnjë mësim në këtë fushë. Gjatë jetës së tij, gjithnjë e më shumë arti i të shkruarit dhe ai i pikturës përzihen me njëri-tjetrin nëpër botimet e tij dhe ekspozitat. Përherë në kërkim të vetvetes, Michaux raporton, me humorin që e karakterizon dhe shkrimin e tij sa të saktë aq edhe lirik, udhëtimet e tij të brendshme dhe imagjinare, si dhe eksperimenton drogat me qëllim përshkrimin e efekteve të tyre në mendje. Jeta prej shkrimtari e Michaux-së bëhet jashtë qarqeve letrare të kohës, duke mos pranuar të përfshihet në çfarëdo lëvizje qoftë, si dhe duke refuzuar Çmimin e Madh Kombëtar të Letërsisë në vitin 1965. Një përmbledhje e këtij autori të pazakontë është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2004 nga “Botimet e Odeonit” dhe mban titullin: "Një kokë del nga muri"

 

ENIGMA

Jules Supervielle-it.

Ata e dinin ç’do të thotë të rrish në pritje. Kam njohur njërin, edhe të tjerë e kanë njohur, i cili priste. Ishte futur në një vrimë dhe priste.
Nëse kërkoje një vrimë që do të të hynte në punë për diçka, do t’ia vlente më mirë, më beso, të kërkoje tjetërkund një tjetër vrimë, ose të uleshe aty pranë tij, e të tymosje çibukët e gjatë të durimit.
Sepse ai nuk luante vendit.
I hidhnin gurë dhe ai i hante.
Në fillim dukej i habitur, pastaj i hante. Ashtu rrinte edhe kur flinte, edhe kur zgjohej, më shumë se jeta e një të paragjykuari, më shumë se një kedër, më shumë se psalmet që këndojnë kedrët e rrëzuar; ai priste kështu, gjithmonë duke u mëpakësuar derisa të mbetej vetëm gishti i vetvetes.

*

Isha mimika.
Te njeriu isha fytyra, por te qeni zija bishtin, dhe po zvarritesha, kur një karrocë që po kalonte rrafsh me kofshët e qenit..., u rrëzova përdhe.
Kur ra mbrëmja, një burrë, ngaqë iu duk si cigare, e mori mimikën dhe u tremb.

*

Isha një fetus.
Nëna më zgjonte kur ndodhte që i vente mendja tek zoti dë Riez.
Ndonjëherë, në të njëjtën kohë, zgjoheshin edhe fetuse të tjerë, fetuse nënash të rrahura ose që pinin alkool ose që po rrëfeheshin.
Kështu pra, një mbrëmje, u bëmë nja shtatëdhjetë fetuse që bënim muhabet nga njëri bark në tjetrin, nuk di në çfarë mënyre, në largësi.
Më vonë nuk u takuam kurrë.

SI DO VDES

Gjithmonë kam kërkuar të mbush ditën por edhe zverkun tim të cilit i mungon kaq e kaq lëndë. E pranoj, jam një zgavër e mbyllur dhe kur shikoj ndonjë greminë, joshem dhe... hop!... , por im atë që m’i di huqet më rri mbrapa dhe më mban fort nga kyçi i dorës, sipër dorashkës. Sepse, ai e di, unë hepohem mbi boshllëk krejt natyrshëm... po krejtësisht natyrshëm. Tërë jetën kështu kam për të qenë, i rënë! Bie nga fshati në qytet, bie nga kolegji në një zyrë, nga zyra në anijen që shkon drejt e në Rio, bie nga një zanat në një tjetër, bie nga nëntëmbëdhjetë në njëzet vjeç e, më në fund, jam gjithmonë gati të bie nga një ballkon. Është kaq e natyrshme të biesh nga një ballkon, ka kaq shtëpi dhe vila, kaq e kaq ballkonë dhe im atë nuk do të jetë gjithmonë mbrapa meje për të më mbajtur nga mënga. Kur kjo ditë fatale të vijë, kujtohuni se i kisha parathënë të gjitha.

NJË RRECKË

Rrallë kam takuar njerëz në jetë që të kishin si unë nevojë për t’u fryrë në çdo çast.
Nuk më ftojnë më nëpër botë. Pas një a dy orësh (ku dëshmoj një qëndrim së paku njëlloj me mesataren), ja tek zhubravitem. Vithisem, pothuajse nuk ekzistoj më, xhaketa më bëhet petë mbi pantallonat petashuqe.
Atëherë, personat e pranishëm nisin të merren me lojëra të përbashkëta. Shkojnë shpejt të gjejnë atë që u duhet. Dikush më përshkon me heshtë, apo përdor një kordhë. (Për fat të keq, s’ka apartament ku të mos gjesh kordha.) Një tjetër më jep ca goditje topuzi të hareshme me një shishe vere mozele, apo me një nga ato dylitroshet e njohura të chiantit; një femër e këndshme më qëllon keqaz me takat e saj të larta; ka një të qeshur të hollë që ndiqet me interes dhe një fustan që përkundet lehtazi. Të gjithë janë plot gjallëri.
Megjithatë, ja tek fryhem sërish. Shpejt e shpejt i fshij rrobat me dorë dhe largohem i pakënaqur. Dhe gjithë dynjaja shkulet së qeshuri prapa derës.
Njerëz si puna ime është më mirë të rrojnë si eremitë.

PUNËT E MIA

Rrallë më ndodh të shoh dikë e të mos e rrah.
Të tjerëve u pëlqen monologu i brendshëm. Mua jo.
Mua më pëlqen të grindem.
Ka njerëz që ulen përballë meje në restorant dhe nuk thonë asgjë, rrinë njëfarë kohe, sepse kanë vendosur të hanë.
Ja tek është njëri.
E kap, e mbërthej, tak.
E mbërthej edhe njëherë, tak.
E var në portmanto.
E heq prej andej.
E var prapë.
Prapë e heq.
E plas mbi tryezë, e shtrëngoj, ia zë frymën.
E zhdëp krejt, e mbyt.
Ai prap merr frymë.
E zë më dru, e marr zvarrë (filloj të nevrikosem, duhet t’i jap fund), e shtyp, e shtrydh, e përmbledh dhe e fut në gotë, e derdh haptazi përdhe dhe i them kamarierit: “Më sill një gotë më të pastër.”
Por ndjehem keq, paguaj shpejt e shpejt llogarinë dhe iki.

THJESHTËSIA

Ajo çka, para së gjithash, i ka munguar jetës sime deri më sot, është thjeshtësia. Po nis të ndryshoj pak nga pak.
Për shembull, tani, dal gjithmonë së bashku me shtratin tim, dhe kur një femër më pëlqen, e marr dhe sakaq shtrihem me të.
Po t’i ketë veshët apo hundën të shëmtuar e të mëdhenj, ia heq bashkë me rrobat dhe i vë poshtë krevatit, që t’i marrë prapë kur të ikë; mbaj vetëm atë që më pëlqen.
Nëse të brendshmet e saj do t’ia vlente të ndërroheshin, i ndërroj menjëherë. Kjo do të jetë dhurata ime. Nëse shoh ndonjë femër tjetër më të këndshme që kalon andej pari, i kërkoj ndjesë të parës dhe e zhduk sa hap e mbyll sytë.
Ata që më njohin pretendojnë se nuk qenkam i zoti të bëj atë që po them këtu, se nuk paskam aq temperament sa duhet. Edhe unë e besoja këtë, por kjo vinte ngaqë nuk bëja gjithçka siç më pëlqente.
Tani kaloj gjithmonë pasdite të mira. (Mëngjeseve punoj.)

TË FLESH

Të flesh është shumë e vështirë. Fillimisht batanijet kanë përherë një peshë shumë të madhe dhe, po të flasim vetëm për çarçafët, këta janë si prej llamarine.
Po të zbulohesh i tëri, të gjithë e dinë ç’ndodh. Pas disa minutash pushimi të pamohueshëm, gjendesh i projektuar në hapësirë. Pastaj, për të rizbritur, ndesh gjithmonë zbritje të ashpra që të lënë pa frymë.
Po të shtrihesh në shpinë, ngre lart gjunjët. Kjo nuk është e pëlqyeshme, sepse uji që ke në bark nis të lëvizë, të lëvizë gjithnjë e më shpejt; me një fugë të tillë, është e pamundur të flesh.
Ky është shkaku që shumëkush, trimërisht, shtrihet barkazi – por, sakaq – e dinë këtë, por aq më keq, thonë – rrëzohen, rrëzohen në ndonjë hon të thellë dhe, sado poshtë që të ndodhen, gjendet gjithmonë dikush që i shtyn me këmbë nga prapa për t’i zhytur më thellë... akoma më thellë.
Veç këtyre, ora kur shkon të flesh është për shumë njerëz një vuajtje e pashoqe.

PËRTACIA

Shpirti e adhuron notin.
Për të notuar shtrihesh barkaz. Shpirti del vendit dhe ikën. Ikën duke notuar. (Nëse shpirti juaj ikën kur rrini në këmbë, ose ulur, ose gjunjëthyer, ose mbi bërryla, për çdo pozicion trupor të ndryshëm shpirti do të ikë me një ecje dhe një formë të ndryshme, çka do ta them më vonë.)
Shpesh thonë se ai fluturon. Por nuk është kjo. Shpirti noton. Dhe noton si gjarpërinjtë dhe ngjalat, asnjëherë ndryshe.
Shumë njerëz kanë kështu një shpirt që e adhuron notin. Në mënyrë vulgare i quajnë përtacë. Kur shpirti, përmes barkut, e lë trupin për të notuar, atëherë prodhohet një çlirim i tillë i nuk di çfarë gjëje, një braktisje, një kënaqësi, një lehtësim aq intim.
Shpirti shkon të notojë nëpër shkallë apo në rrugë duke ndjekur drojën apo guximin e njeriut, sepse ai ruan gjithmonë një fill nga vetja te njeriu, dhe nëse ky fill do këputej (ndonjëherë është shumë i tendosur, por do të duhej një forcë e tmerrshme për ta këputur), do të ishte e tmerrshme për ta (për shpirtin dhe njeriun).
E pra, kur shpirti është i zënë duke notuar larg, nga ky fill i thjeshtë, që lidh njeriun me të, rrjedhin vëllime të tëra të një lloj lënde shpirtërore, si baltë, si zhivë, apo si një gaz – një kënaqësi pa fund.
Kjo është arsyeja që përtaci është i pandreqshëm. Ai nuk do të ndryshojë kurrë. Kjo është gjithashtu arsyeja që përtacia është mëma e gjithë veseve. Sepse çfarë është më egoiste se përtacia?
Ajo ka themele që nuk i ka krenaria.
Por njerëzit u qepen përtacëve këmba-këmbës.
Ndërsa ata rrinë shtrirë, i godasin, u hedhin ujë të ftohtë në kokë, duhet medoemos ta sjellin shpirtin në vend. Përtacët atëherë ju hedhin atë vështrim urrejtjeje, që e njohim mirë, e që e shohim sidomos te fëmijët.

NJERIU I KUJDESSHËM

Ai besonte se në bark kishte një depozitë me gëlqere. Çdo ditë shkonte te mjekët që i thoshin: “Analiza e urinës nuk nxjerr gjë”, ose që ishte në udhën e një shgëlqerizimi, ose që pinte shumë duhan, që nervat e tij kishin nevojë për pushim, që... që... që.
I ndërpreu vizitat te mjekët dhe ndenji me depozitën e vet.
Gëlqerja është e shkrifët, por jo gjithmonë. Ka edhe karbonate, sulfate, klorate, perklorate, kripëra të tjera dhe, është e natyrshme, në një depozitë duhet pritur të gjesh pak nga të gjitha. Mirëpo, kanali i uretrit, gjithçka që është e lëngshme, po, por kristalet nuk i lë të kalojnë veçse me një dhimbje therrëse. Nuk duhet madje as të marrësh frymë shumë fort apo të përshpejtosh papritmas qarkullimin duke vrapuar si i marrë për të kapur tramvajin. Në u thërrmoftë blloku dhe në në u futtë në gjak ndonjë copë, lamtumirë Paris.
Në bark ka një sasi arteriolash, arteriesh dhe venash kryesore, është zemra, aorta dhe shumë organe të rëndësishëm. Kjo është arsyeja që të përkulesh mbi gjunj do të ishte marrëzi; pa le më t’i hipësh kalit, as që merret me mend!
Eh ç’kujdes duhet në jetë!
Ai mendonte shpeshherë për njerëzit që kanë, si punë e tij, depozita brenda vetes, njëri me gëlqere, tjetri me plumb, një tjetër me hekur (dhe që i nxirrnin ende ndonjë plumb nga zemra dikujt që s’e kish njohur kurrë luftën). Këta njerëz ecin me kujdes. Kjo gjë i bën të dallueshëm në publik, i cili qesh me ta.
Por ata shkojnë të kujdesshëm, të kujdesshëm, me hapa të kujdesshëm, duke medituar për Natyrën, që ka kaq e kaq mistere.

I NËMUR

Mbas jo më tepër se gjashtë muajsh, ndoshta edhe nesër, do të verbohem. Pas kësaj nis jeta ime e trishtë, e trishtë.
Ata që më sollën në jetë do ta paguajnë, thosha dikur me vete. Deri tani s’e kanë paguar akoma. Ndërkohë që unë duhet të rroj me këta sy. Humbja e tyre përfundimtare do më çlirojë nga vuajtjet mizore, kaq është gjithë ç’mund të thuhet. Një mëngjes, qepallat do më mbushen me qelb. Do kalojë një kohë e shkurtër sa për të bërë, pa asnjë dobi, ca prova me nitrat argjendin e tmerrshëm dhe do mbarojmë përfundimisht me to. Ka nëntë vjet që nëna më thotë: “Nga vajte linde fare!”

FORCA E VULLNETIT

Në fillim të vitit m’u ngjit blenorragjia. Në fund të shtatorit ajo ekzistonte akoma, ngaqë kam temperament limfatik. Ajo ekzistonte gjithmonë dhe po ashtu e ardhmja e saj e përbërë nga komplikime të mynxyrshme.
Por një ditë, i kapur nga një impuls i parezistueshëm, zura të rikrijoj gruan e cila më kish ngjitur blenorragjinë. E krijova qysh nga fillimi i takimit tonë të parë, me çastet më të parëndësishëm të bisedës sonë, dhe duke kaluar nga të gjitha fazat e pasionit më të sinqertë, e shpura deri në çastin kur ndodh bashkimi i trupave, dhe atje, mu në atë çast vendimtar, e godita me këpucë, e përzura përfundimisht nga shtrati, hapa derën dhe e flaka jashtë.
Ashtu si e vërteta historike që ka një prirje të natyrshme të rindërtohet, ajo grua rilindte pak nga pak nga gjithë çka ishte e nevojshme që skena të kryhej normalisht. Por unë e dëboja rregullisht. Luftova kështu për pesëmbëdhjetë ditë me radhë; ditën e gjashtëmbëdhjetë, duke parë që gjithçka ishte e kotë, dhe e lodhur nga gjithë këto turpe, ajo iku para se ta godisja.
Mbrëmjen e asaj dite isha shëruar. Rrjedhja kishte reshtur, dhe sëmundja nuk u përtërit më.

Zgjodhi dhe përktheu:
Alket Çani

(Marrë nga Milosao)

14 Komente

E bukur forca e vullnetit!

Me pelqyen pa mase. Ndjesi e njohur, packa se nuk e kisha lexuar me pare.

Mire, ja ta them une pse eshte ndjesi e njohur, por e palexuar me pare. Eshte ndjesi e njohur sepse gjithçka qe lexove me lart jane te shkruara kur miku ka qene xurxull fare. Dhe jo me raki e qofte, jo, aspak. Shiko ç'bente Miçua : i hypte balonit dhe shkonte ne vende ekzotike, tip Kine e Singapori, dhe atje ia kerciste opiumit derisa i dilnin syte kokerdhok. Dhe trimi nuk harronte asnjehere lapsin dhe letren me vete, se e dinte mire se pas pirjes se tymit te lulekuqes, i vinte frymezimi dhe behej qiqer fare.

A ishte ketu me lart ajo historia me presidentin e USAs dhe te shoqen e vet ? Eshte e forte ajo. Aty ka gelltitur doze te madhe miku. Edhe tek dhimbja e gishtit, e forte dhe ajo. Por me e bukura eshte per njeri qe eshte duke fjetur dhe i behet se ia kane vrare gruan e ia kane copetuar fare. Eh mire, ketij i behet sikur po i vjen nje tren i madh ne shtepi, dhe ia ben fertele gruan. Eh mire, thote grupi, s'po bej gje se treni vjen me shpejt, kot te ngrihem nga shtrati. Kur nga fundi, njeri i thote : ok, je i denuar me vdekje, me gijotine. Dhe aty i del gjumi gringos.

Me nje fjale, losttext, e hiqte llullen rende. Mbase per kete te eshte dukur ndjesi e njohur.

______

Hej, se bej shaka une, e di se nuk e pi me llulle.

Po fol o njeri... Thashe si eshte e mundur te me kete vjedhur stilin, por tani m'eshte e qarte, nga ajo kthjelltesia q'eshte vecse e mundur ne dy ektremet; pas llulles dhe pa te.

Hurbi, une kete e kisha menduar fiks per ty! smiley Thuaj jo po deshe! smiley

Rrallë më ndodh të shoh dikë e të mos e rrah.
Të tjerëve u pëlqen monologu i brendshëm. Mua jo.
Mua më pëlqen të grindem.
Ka njerëz që ulen përballë meje në restorant dhe nuk thonë asgjë, rrinë njëfarë kohe, sepse kanë vendosur të hanë.
Ja tek është njëri.
E kap, e mbërthej, tak.
E mbërthej edhe njëherë, tak.
E var në portmanto.
E heq prej andej.
E var prapë.
Prapë e heq.
E plas mbi tryezë, e shtrëngoj, ia zë frymën.
E zhdëp krejt, e mbyt.
Ai prap merr frymë.
E zë më dru, e marr zvarrë (filloj të nevrikosem, duhet t’i jap fund), e shtyp, e shtrydh, e përmbledh dhe e fut në gotë, e derdh haptazi përdhe dhe i them kamarierit: “Më sill një gotë më të pastër.”
Por ndjehem keq, paguaj shpejt e shpejt llogarinë dhe iki.
 

 

Finisterre, Finisterre, po me ben t'ua kepus nja 15 aspirinave tani dhe te shkruaj dhe une ndonje gje si Miçua.

Shih ç'shkruante gomari, shih. Enigma eshte : gjeni llojin e substances :

a) coca-cola

b) agustin cola

c) coca-coca

__________

FSHATI I TE ÇMENDURVE>>

> >

Dikur aq i hareshëm, tani një fshat i shkretë. Një njeri nën një strehë priste të pushonte shiu ; mirëpo bënte acar, dhe shiu as që dukej gjëkundi dhe për shumë kohë.>>

Një bujk kërkonte kalin e vet mes vezëve. Sapo ia kishin vjedhur. Ishte ditë pazari. Vezë të shumta në shporta të panumërta. Sigurisht, hajduti e kishte bërë kastile për t’i lodhur ndjekësit.>>

Në një dhomë të Shtëpisë së Bardhë, një burrë tërhiqte gruan e vet drejt shtratit.>>

« Lermë ! i thotë ajo. Po sikur të jem babai yt !>>

- Ti nuk mund të jesh babai im, i përgjigjet ai, sepse ti je grua dhe pastaj askush nuk ka dy etër.>>

- E sheh, edhe ti je i shqetësuar. »>>

Ai del i dërrmuar fare ; një Zotëri i veshur mirë e has përballë dhe i thotë :>>

« Sot, nuk ka më mbretëresha. E kotë të ngulmosh, nuk ka më. » Dhe largohet duke kërcënuar.>>

 

coco-lazarati!

Jo, jo, kot e ke smiley Shife si ta thote ky:

"Por ndjehem keq, paguaj shpejt e shpejt llogarinë dhe iki. "
 

Forca e vullnetit zhduku dhe blenoragjine..e bukur

ka gjera qe supozohen per te qene me domosdo "cool". dhe s'ka supozim tjeter per to. Cool dhe pike. psh, xhinset dhe adidaset te bardha ne socializem. ose fjala "gallat", pa "e me dy pika ne fund" tani ne demokraci. Gallat, thote tjetri. Hesht, dhe pastaj shton: po pi birra. kto jane cool. dhe kulmi i freskis (dmth cool-llikut), qe fqinjeron me te ftofmen, eshte kur rob nga veriu duan te flasin me dialekt jugor. gallat. dhe pastaj: po pim birra.

Me leje? Mund te ishte edhe keshtu smiley :

 

Ka gjera qe supozohen ...

per te qene me domosdo "cool".

dhe s'ka supozim tjeter per to.

Cool dhe pike.

xhinset dhe adidaset e bardha ne socializem,

ose fjala "gallat" - pa "e me dy pika ne fund" -

ne demokraci.

Gallat, - thote tjetri. Hesht, dhe pastaj shton: po

pi birra. k'to jane

cool.

dhe kulmi i freskis (dmth cool-llikut), qe

fqinjeron me te ftofmen, eshte kur rob

nga veriu duan te flasin me

dialekt jugor.

gallat.

dhe pastaj: po

pim birra.

hahaha...bukur, vertet bukur. ashtu, kull desha me thëon.

delta do kete nonstp me qytete kryesore t'frances. plus: "bogo", dmth buy one, get one for 1/2 price; si dhe:  bundle price with main spanish cities in spring separate european tours. familia sagrada. the stars look down. Hurry, the offer ends soon.

Fin, cheers. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).