CYTJA. Të vë pikën mbi “i”. Të ngul gishtin në plagë. Të fle ndërgjegjen. Të heq një gur nga zemra. Të them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për – Rrenën. Gënjeshtrën. Mashtrimin. Shpifjen. Kurdisjen. Të pavërtetën. Shtrembërimin. Bishtërimin. Për mjeshtërinë e rrenës dje dhe, në mënyrë të veçantë, sot. Për profesionin e rrenës dikur dhe, në mënyrë të veçantë, në këto ditë tona. Për angështinë e atë turp që pleks njeriun tek e dëgjoj e dëgjon dhe, në mënyrë të veçantë, tek e lexon rrenën. Për patologjinë e rrenës. Për pafytyrësinë dhe, në mënyrë të veçantë, tiraninë e rrenës. Për rrenën mjet. Për rrenën manipulim. Për rrenën armë.

FJALORI. Fjalori e ka rrenën dhe rrenacakun. E ka gënjeshtrën dhe gënjeshtarin. E ka mashtrimin dhe mashtruesin. E ka shpifjen dhe shpifësin, shpifarakun dhe spicarakun. E ka kurdisjen dhe kurdisësin. E ka të pavërtetën dhe pavërtetuesin. E ka shtrembërimin dhe shtrembëruesin. E ka bishtërimin dhe bishtëruesin. Fjalë e thënë, që s’është e vërtetë; pohim që nuk përputhet me të vërtetën, që shtrembëron a e fsheh me qëllim të vërtetën; rrenë, mashtrim; diçka e paqenë, e trilluar (FGJSH). Ka edhe: rrenë me bisht. Be në rrenë. Flet (shet) rrena. I mbushi me rrena. Ushqehet me rrena. Po ka edhe: i doli rrena në shesh. Ka edhe: rrena i ka këmbët e shkurtra. Ja që ka edhe gënjeshtra me okë. Një thes me gënjeshtra. Thotë (këput) gënjeshtra. Na mbushi me gënjeshtra (fjala vjen: një pjesë e një shtypi). Po ka, ja, edhe: gënjeshtra bën vegshin, por nuk ia vë kapakun. E në Frazeologjizmat e Mehmet Gjevorit, jo po: të rren e të than, janë rrena e kaçurrela, ashiqare rrenë... Fjalori ka edhe: mashtrim i madh. Politika e mashtrimeve. Ka edhe: kalemxhinjtë shpifarakë. Sulme shpifarake. Shpërralloj, flas kot, trilloj...

HISTORIKU. Zor ta besoj se do të them gjëkafshë të panjohur, që s’dihet. Se, apo s’dihet: rrena lindi, thonë, bashkë me njeriun. Edhe, thonë: pos njeriut, s’ka tjetër qenie të gjallë në botë që di të rrejë (Heu, ç’veçori kjo jona!). Ka shumë autorë, që kthyen vëmendjen kah rrena. Shkruan artikuj, studime, bënë anketa, botuan libra të tërë. Profesionalisht i deformuar kërshërie edhe vetë, unë po mbush ca vjet së grumbulluari – jo pa lemeri – gjithë ç’ka të bëjë me këtë një si më shumë se fenomen. Sot. Këtu. Ndër ne. Kam parasysh atë vargun e pashteruar pyetjesh të thëna, të dëgjuara dhe asgjëmangut edhe të shkruara: “Përse gënjejnë?”, “A gënjejnë gazetat?”; “Kush po gënjen atje?” (një si parafrazim i titullit të filmit me titull “Kush po këndon atje”); “Si mund të luftohet me rrenë?”, “Pse rrejnë njerëzit?”. E më, e më, e më. Kam parasysh thënien e autorit të veprës “Arti magjik i mashtrimit” (kupto: rrenës), Xhej Barton Bauerit: “Njeriu i ka mashtruar gjithmonë të afërmit e vet”. I ka rrejtur. I ka gënjyer. Ky madje sjell edhe më të parin shembull të rrenës, të mashtrimit. Rrena e parë e njerëzimit, me sa thotë ky burrë, na qenkësh e vjetër dhe mbushka jo më pak se plot - 45 shekuj! Kam parasysh, po ashtu, edhe thënien e tij se mashtrimi e rrena na qenkërkan brendapërbrenda – si thotë: në temel – (pa shiko se të kujt!) të – politikës, në rend të parë, të artit dhe të shkencës, ca më tutje dhe – vallë në fund? – të mjeteve të komunikimit. Ja, pikërisht këtu desha të dilja: ke mjetet e komunikimit. Mjetet e informimit. A, thënë troç, shqip: ke gazetat, radioja dhe televizioni. Vallë së këndejmi ajo pyetja e së përkohshmes së ilustruar italiane “Panorama”: “A rrejnë gazetat?”.

BARCALETA. Flitet të jetë barcaletë. Ka të ngjarë, sado që, me ç’po shoh e ç’po lexoj, mund të jetë edhe e vërtetë. Tashi, ç’është e vërteta, për saktësinë dhe pavërtetësinë gazetare tregohen mjaft barcaleta. Gazeta, insan halli, “qëllon” edhe të gabojë (me eufemizëm), a të rrejë (popullorçe). “Qëllon” (vë re thonjëzat!), po, edhe të botojë errata corrige, korrigjimin, demantin. Rrallë e për mallë, hiç fare, apo edhe kështu si në këtë barcaletë: Një gazetë botoi lajmin se Abaz Abazi nga Prishtina fitoi një automobil në llotari. Pas bukur do ditësh, po kjo gazetë bëri këtë “korrigjim” të “vockël”: Lajmi që botuam dje, tha gazeta, në fakt është krejtësisht i saktë, edhe i vërtetë, po ja që, mjerisht, ca të dhëna të këtij lajmi nuk na paskëshin qenë të vërtetuara sa duhet. Ndaj, nuk është fjala për Abaz Abazin, po për Kajtaz Kajtazin. Nuk është nga Prishtina, po nga Peja. Nuk është fjala për një automobil, po për dhjetë mijë euro. Nuk i fitoi në llotari po në bixhoz. Dhe, më së fundi: nuk i fitoi, po - i humbi! Kaq. Gazeta del edhe sot. Përralla në shkallë, dukati në ballë.

DISKURSI. (Shkarazi: të qaj një hall. Kam do ditë që, së stërpërdoruri, tek e has vend e pa vend, më vjen krupë, kur lexoj fjalën d i s k u r s! Si dikur: “në çastin e pikërishëm”, a edhe “në fytyrë të vendit”!). Këtë diskursin nuk e gjeta te Fjalori ynë, po e gjeta te një Fjalor i huaj të - fjalëve të huaja. (Diskursaxhinjtë mbase edhe e dinë për kë është fjala). Kur më tha se qenkësh fjalë latine kjo, d i s c u r s u s, dhe dashka të thotë hiçgjë më pak a më shumë se bisedë, llaf, muhabet, një si zbërthim të një çështjeje, heu, bëra unë, po pse s’shikoj Henrik Lacajn e Filip Fishtën dhe, do ti, t’ia plasa gazit (pa pikë rrenë!), kur çila faqen 141 e në të këtë shpjegim për -d i s c u r s u s: “të endun andej e këtej”! Ja, thashë, ja një temë e mrekullueshme, madje edhe për mbrojtje doktoranturash të diskursaxhinjve: Rrena si diskurs, apo Diskursi i rrenës në mjetet tona të komunikimit. Në bisedë. Në fjalim. Në muhabet. Në tribunë. Në gazetë. Në radio. Në televizion. Edhe të dalë pastaj e të ballafaqohet me Xhej Barton Bauerin dhe me të 45 shekujt e rrenës së tij, të matet e të çmatet me të. Se, s’jemi edhe ne – siç tha burri i botës – “kolli i macës”. Në këtë kohën tonë, aktualisht, në të cilën mjetet e komunikimit kanë kaq shumë “gisht”, kur zënë kaq shumë vend, kur bëhen protomotorë të vëmendjes, të shqetësimit dhe të ankthit tonë dhe, ç’është më e keqja, edhe të rekrutimit tonë, do të thoja, edhe të pavetëdijshëm, për porosi çdofarë, ka të ngjarë se edhe rrena, ajo gënjeshtra e kulluar, diku-diku, sa vete e më shumë po fiton legjitimitet, hapësirë, të drejtë qytetare. E parimi, ai shumëshekullori: në vend “Raison d’etre” – “Raison d’etat”. Parimi: sa më keq aq më mirë! Parimi: rrej, shpif, kurdis, trillo, gënje, mashtro, pleks terr, errësirë, se – vetëkuptohet - në terr e në errësirë çdo dele është e zezë. Parimi: shih gabim, shkruaj “saktë”! Raportim jo aforistik, po aferistik. Margjina të ngrihet në fenomen, përjashtimi në dukuri, në problem jetësor. E ngjyra? Sa më e larme dhe sa më sensacionale. Se lajm është, jo kur ndërtohet ura, po kur rrënohet, jo kur qeni kafshon njeriun, po kur njeriu kafshon qenin.

THËNIET. Rrena s’na mundon veç ne. Për mozambikasin, madje, rrena qenkësh në gjendje të shkaktojë dhimbje njëqind herë më të thellë se – shigjeta! Për një autor “Rrena nuk të vret me dajak, por të futet nëpër enët e gjakut mu si helm, prajshëm e me kujdes, kështu që as vërehet se ç’ndikim ka...”. Për “babanë e serbëve e të serbizmit”, për Dobrica Qosiqin e “famshëm”, jo po, “Rrena është formë e patriotizmit serb dhe dëshmi e inteligjencës sonë burimore”, sado që, sipas Dostojevskit, “Rrena është i vetmi privilegj, që nuk e kanë organizmat e tjera”. Jo më kot, prandaj, pyet Anatol Fransi: “E ç’mund të bëjë e vërteta e ftohtë dhe lakuriqe kundër farfuritjeve magjepse të rrenës?”. Rrena, për mendimin e Gëtes, është thikë me dy teha: “Po gënjyet me fjalë e me shkrim, ky është helm edhe për të tjerët, edhe për ju”. Ngase, me ç’këndoi poeti: “Kush rren sot që të jetojë, nesër do të jetojë që të rrejë”. E në një film lexova: “Morali që s’mund të durojë të vërtetën, nuk është moral”, për ta mbyllur me atë thënien orsonuelsiane: “Rrena? Asgjë pos rrenës nuk është e vërtetë”!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).