Nesër është dita ndërkombëtare e së qeshurës. Lëvizja e së qeshurës është krijuar në vitin 1995 në Mombay në fillimisht me vetëm pesë anëtarë, ndërkohë me 6000 klube në 60 vende të ndryshme të botës.

"Këtë tatuazh e kam bërë dy vjet më parë", thotë pensionistja 68-vjeçarja tek tregon delfinin në krahun e saj të majtë. "Doja të isha gruaja më e vjetër e Gjermanisë me tatuazh, por mësova që qenka një tjetër para meje". Që atëherë bavarezja bën çdo vit nga një tatuazh, vitin e kaluar ishte një djall në shpinë, ndërsa këtë vit disa yje në parakrahun e djathtë. "Më parë ishte diçka e veçantë, por tani është bërë modë, tri javë duhet të presësh derisa të të vijë radha".

47 vjet rresht ka punuar në lavanterinë që drejtonte me të shoqin. " Ishte punë e rëndë, po edhe fëmijët duheshin rritur, duhej kujdesur për pleqtë, të gjitha i kam kaluar",  shton gruaja me thonjtë që i shkëlqejnë nga manikyri trëndafili. Flokët gri janë prerë shkurt, por përpara i del një cullufe ngjyrë vjollcë: "E kam bërë që të më gjejnë lehtë kur të më zerë skleroza," thotë ajo dhe lëshon një të qeshur kumbuese. Sa hap e mbyll sytë dhe e qeshura e saj ngjitëse shkakton efektin: Gratë dhe burrat e ulur rreth e përqark tryezës ia plasin gazit që shpërndahet valë-valë në sallonin e azilit të të moshuarve.

Ajo është njëra nga anëtaret e klubit "Bacilet e së qeshurës", që po feston tetë vjetorin e themelimit.  "Quhemi kështu sepse e qeshura është ngjitëse dhe koha e inkubacionit, derisa të piqen bacilet, nuk zgjat as disa sekonda, ta bëjmë një provë?" - thotë kryebacilja Inge Tscharntke dhe ia plas gazit.

Prejardhja nga India

"Bacilet e së qeshurës" është njëri nga 31 klubet e së qeshurës, që ekzistojnë në Gjermani e që janë pjesë e lëvizjes ndërkombëtare të së qeshurës, të cilën e krijoi në vitin 1995 mjeku indian Dr. Madan Kataria. Aktivistët e kësaj lëvizjeje janë të bindur se e qeshura ka efekte shëruese, madje edhe atëherë kur nuk ka shkak, prandaj edhe ata e ushtrojnë këtë në seminaret e tyre "yoga e së qeshurës".

"Në fillim duket artificiale, por në momentin që i drejtojmë sytë nga njëri - tjetri e qeshura bëhet e natyrshme," shpjegon në një videomesazh në faqen e internetit Dr. Madan Kataria. Me pesë anëtarë filloi lëvizja e tij në vitin 1995, tani ajo ka 6000 klube në 60 vende të ndryshme të botës. "Kjo nuk është aspak për të qeshur", thotë doktori i humorit dhe qesh.

Edhe Inge Tscharntke përdor metodën e Dr. Kataria-s, të cilën ajo e ka mësuar tetë vjet më parë në Viesbaden, në të ashtuquajturën "Kishën e Humorit", ku në vitin e 1998 u krijua klubi i parë i së qeshurës në mbarë Evropën. "U bëra kureshtare, ç'është kjo e qeshur pa shkak? Bëra 500 kilometra rrugë deri në kishën e humorit. E aty qesha për herë të parë në jetën time".  Që kjo s'është e vërtetë, është afërmendsh, por që ky përjetim do të ndryshonte  jetën  e saj, kjo është më se e sigurt.

Kundër mërzisë dhe  depresionit

Që atëherë ajo mbledh çdo të mërkurë bacilet e Pfaffenhofenit. "Në fillim të duket vetja budalla, sepse flasim në telefon e gajasemi së qeshuri, përshëndesim njëra-tjetrën e qeshim, por pastaj mësohesh dhe kupton që e qeshura të bën mirë", thotë pensionistja me tatuazh, e cila i është bashkangjitur grupit të Inge Tscharntkec tre vjet më parë, më shumë për t'iu larguar mërzisë së qytezës me 23 mijë banorë. "Ku ka këtu vend tjetër për të qeshur?"- shton ajo.  "Im shoq në shtëpi nuk qesh fare, nami të bëhet!"

Por jo të gjithë anëtarët e klubit vijnë  thjesht për të shtyrë kohën. Një mesogrua thotë se mundohet të heqë depresionet e menopauzës, një burrë që sapo ka mbetur i papunë përpiqet të gjejë optimizmin e humbur. Inge Tscharntke mundohet t'u induktojë atyre moton e saj: "Është në dorën time që t'i marr gjërat me seriozitet apo me të qeshur", u thotë ajo dhe u jep shenjën bacileve të vendosura në rreth që të mbledhin të qeshurat e fundit për sot e me duart drejt qiellit t'i drejtojnë ato nëpër botë.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Auron Dodi

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).