Për të flitej si për një njeri të rrallë, shumë të ditur, shumë punëtor, patriot, erudit, gjeni. Emri i tij dëgjohej shpesh në biseda studentësh e intelektualësh dhe hasej gjithnjë e më shpesh në faqet e shtypit e të periodikut, poende, edhe në kopertina librash. Filozof, estet, sociolog, politikolog, punëtor shoqëroro-politik, publicist, aktivist, shkurt: gjithçka. I lumi ai për vete dhe lum ne për të! Ai i ka lexuar të gjithë librat e bibliotekës së tij prej mijëra librash. Merre nga rafti cilindo libër dhe hape ku të duash, në cilëndo faqe: ai e di pikë për pikë se ç’shkruan në të! Kështu flitej për të. “I ka lexuar dhe i di përmendsh të gjithë librat filozofikë, që nga Platoni e Aristoteli e gjer te Marksi e Engelsi!”, më pat thënë në një rast një kolegu im student, patriot i Filozofit. Në fillim mendova se tallej, por ai e kishte seriozisht dhe s’kishte bir nëne që mund ta bindte për të kundërtën. Në qoftë se ti e kundërshtoje, duke i thënë se ishte e pamundur ajo që thoshte, ai ta priste shkurt: “Shko provoje!”. Dhe po qe se ti, me mendje të ftohtë, vazhdoje arsyetimin tënd, duke shtuar se edhe sikur të ishte e vërtetë ajo punë, pra puna e librave “tak-fak”, nuk ishte ndonjë tregues shumë i saktë i dijes dhe i zotësisë, kolegu i dashuruar në “idhullin” e tij, nuk pranonte të fliste më me ty.

Përveçse si shumë i ditur, filozofi ynë gëzonte edhe famën e njeriut të mirë, të pajisur me të gjitha virtytet. I ndershëm, patriot, humanist, i urtë, modest, i drejtë, me një fjalë burrë e gjysmë! Kishte veç një të “metë”: ishte pak humbameno. E si të mos ishte me tërë atë bagazh dijeje që kishte dhe me tërë ato detyra që kryente!

Aq shumë ishte mishëruar me shkencën dhe hallet e polemit, sa në një rast e kishte harruar edhe emrin e të birit. Kishte shkuar ta vizitonte në spital, ku ishte shtruar nga një epidemi gripi dhe kur e kishin pyetur: “Si e ka emrin djali?”, hop, e kishte harruar! I kishte dalë mendsh. Nuk i ishte kujtuar. Gojëkëqijtë thoshin se e kishte marrë në telefon të shoqen dhe e kishte pyetur për emrin e djalit, ndërsa punonjësit e spitalit: mjekë, motra, portierë e të tjerë, kishin mbetur pa mend. E kishin soditur gjatë, me keqardhje, por edhe me kërshëri e admirim filozofin tonë, që i kishte kënduar tërë librat e dynjasë.
Flitej se treshja e madhe e filozofëve antikë: Sokrati-Platoni-Aristoteli e tërhiqte pa masë. Ndër filozofët e tij të preferuar ishin edhe Kanti, Hegeli, Lajbnici, Spinoza, Volteri… Pa harruar, natyrisht, as “klasikët e marksizmit”: Marksin dhe Engelsin, por edhe Titon e Kardelin, të cilët ai i pat shpallur pa pikë turpi “filozofë” dhe u pat kushtuar që të dyve nga një libër më vete. Kurse për temë të doktoratës, si atdhetar që ishte, zgjodhi mendimin filozofik në veprën e Naim Frashërit.

Pata marrë pjesë në mbrojtjen e tezës së tij të doktoratës në fillim të viteve ’70. Më ka ngelur në kujtesë pamja e një njeriu trupshkurtër e kokëmadh (në krahasim me trupin), me syze në majë të hundës, që tundte para auditorit ca letra e libra të vjetër (kinse zbulim i tij) dhe i drejtohej komisionit orë e çast me fjalët: “Ma jepni sinjalin e gjelbër!”. Kjo frazë ishte refreni i tij asaj dite të bekuar. Me fjalë të tjera: mos më ngelni, më kaloni, ma jepni titullin, pastaj do të shihni! Dhe komisioni, i përbërë nga pedagogë, sociologë e filozofë (?), sigurisht që ia dha gradën shkencore “Doktor i shkencave filozofike”. Kurse të pranishmit në sallën e mbushur përplot e përshëndetën me duartrokitje frenetike vendimin e komisionit. E si të mos duartrokitnim ne që kujtonim, kush më shumë e kush më pak, se në qiellin shqiptar po shfaqej një yll i rrallë, një Naim i ri (Naim e Sami bashkë!), një dijetar e atdhetar i madh, që do ta nxirrte në dritë më në fund këtë popull të shumëvuajtur. A s’e kishte dëshmuar ai këtë me punën e tij, me shkrimet e tij, me sjelljen e tij urtë e butë, madje edhe me heshtjen e tij proverbiale, tipike filozofike!

Mbrojtja e doktoratës, ngjarje e rrallë në atë kohë ndër ne, ishte një eveniment në jetën e filozofit, por jo i pari, as i fundit. Pas kësaj emnese, legjenda për të do të merrte përmasa të reja, gati fantastike. “Menjëherë pas lajmeve të orës 19:30 në TV, ai mbyllet në dhomën e tij të punës. Punon, shkruan, krijon, studion deri në orët e vona të natës”, më pat thënë një koleg i tij i studimeve. “I lumtë! E shfrytëzon kohën racionalisht, jo si ne!”, pat shtuar ish-kolegu, edhe vetë njeri i letrave.

Shoqëria i kishte besuar shumë detyra: profesor, drejtor, anëtar komisionesh e forumesh të ndryshme, një kohë edhe deputet, udhëheqës i LSPPM-së e poste të tjera me përgjegjësi në arsim, në shkencë, në kulturë, në informim e madje, edhe në politikë. Dhe ai, filozofi ynë i urtë e modest, i kishte pranuar të gjitha angazhimet (pa refuzuar as edhe një të vetëm), për hir të së mirës së përgjithshme, siç thoshin miqtë e tij, e ndonjëherë edhe ai vetë, më shumë me heshtje sesa me fjalë.

Jeta do të më takonte edhe mua të vocërrin, madje në një mënyrë disi të çuditshme, aspak fisnike, me intelektualin tonë të madh, filozofin, i cili, siç do të shohim më poshtë, natën merrej me idetë filozofike të Platonit e Aristotelit, kurse ditën priste në zyrën e tij inspektorët e Sigurimit.

Isha student i vitit të tretë kur një mbrëmje, në konviktin ku banoja, dëgjova (në radio) lajmin për largimin e tim vëllai nga Gjimnazi i Strugës, bashkë me dy kolegë të tij, me pretekstin se ishin “nacionalistë”. Pas demonstratave të organizuara në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës në nëntor të ’68-s dhe sidomos pas atyre të Tetovës, që shpërthyen spontanisht një muaj më vonë, kishte filluar spastrimi i kuadrove shqiptarë në Maqedoni. Im vëlla ishte një nga viktimat e para të këtij qërimi hesapesh me intelektualët e atjeshëm. I tronditur nga ky lajm, shkrova në orët e vona të natës vjershën Letër vëllait. E shkrova me dorë, sigurisht, sepse nuk kisha makinë shkrimi, për ta shtypur pastaj në makinë, me një makinë të huazuar nga një kolegu im (nuk mbaj mend saktësisht cili, por duhet të ketë qenë IR, i cili ishte nga të rrallët ndër ne që kishte makinë shkrimi në atë kohë).

Poshtë tekstit të vjershës gjashtëstrofëshe (katërshe e rimuar ABAB) të një frymëzimi migjenian, vura vendin dhe datën e krijimit: “Prishtinë, 15 mars 1969”.
E dërgova për botim në gazetën e studentëve “Bota e re”. Kryeredaktori, pasi e lexoi dhe rilexoi në praninë time, duke rrudhur ballin e duke kafshuar buzët, më tha: “Kështu si është, s’mund të botohet. Duhet me ta heqë strofën për qentë dhe aty-këtu edhe ndonjë fjalë a varg tjetër!”. Ashtu bëri dhe unë desha s’desha, u pajtova, ndonëse me dhimbje. Kur prisja ta shihja të botuar vjershën time, qoftë edhe në variantin e redaktuar, në të vërtetë të censuruar, kryeredaktori më thirri e më tha se e kisha lënë tërë natën pa gjumë! “Pa gjumë?! - u habita unë. E përse?”. “Sepse drejtori i përgjithshëm (atëbotë “Bota e re” dilte në kuadër të “Rilindjes”), kishte shkuar në orën dymbëdhjetë të natës në shtypshkronjë dhe e kishte kontrolluar tërë materialin e gazetës. Çdo gjë në rregull, pos një punimi: vjershës sate, kushtuar të vrarit në demonstratën e 27 nëntorit në Prishtinë! Kështu e kishin lexuar ata - tha. U mundova t’ua shpjegoja si qëndronte puna, por më kot. Vjersha u hoq dhe gazeta u rishtyp”, - e mbylli rrëfimin kryeredaktori D. Nuk do t’i besoja sikur të mos ma kishte dhënë një ekzemplar të tabakut prej tetë faqesh, të cilin e ruaj edhe sot në arkivin tim personal.

Kjo ishte përballja ime e parë me censurën (por jo edhe e fundit) dhe fillimi i interesimit të organeve të Sigurimit Shtetëror për punën dhe krijimtarinë time.
Në vitin 1972, në Shkup, në ndërmarrjen që e drejtonte filozofi, botova librin tim të parë me poezi, Feniksi. Ishin vjershat që i kisha shkruar gjatë kohës së studimeve dhe fill pas mbarimit të tyre: vargje të bukura e të frymëzuara, por edhe naive, çka ishte sa pasojë e moshës, po aq edhe e klimës së kohës.
Libri pat dalë, për çudi, ashtu siç e pata dorëzuar, pothuajse pa asnjë ndërhyrje, me përjashtim të një vjershe të vetme: vjershës “problematike” Letër vëllait, e cila qe hequr në mënyrë enigmatike nga libri, pa mu dhënë asnjë sqarim.

Vonë, shumë vonë, do të kuptoj se ç’kishte ndodhur me të: kishte përfunduar në dosjet e UDB-së si vepër “armiqësore”, e shoqëruar me shënimin zyrtar: “Duhet ta analizojmë rastin dhe të vlerësojmë a ka elemente për ndërmarrjen e masave për përgjegjësi penale ndaj autorit”.

Nga dosja ime policore nr. 11144, dokumenti nr. 665, del se vjershën në fjalë ia ka dorëzuar inspektorit të Sigurimit Shtetëror të Republikës Socialiste të Maqedonisë, I. Bllazhevski, më 20. 03.1974, kryeredaktori i njësisë punuese “FV”, në krye të së cilës qëndronte stoikisht filozofi ynë. Profesori që ligjëronte Etikën në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, institucion ky në të cilin tashmë punoja edhe unë si asistent i letërsisë dhe që e mbante veten nxënës të Sokratit, Platonit, Aristotelit, Kantit, Hegelit, Spinozës dhe Volterit, denonconte kolegun e vet më të ri, duke ia dorëzuar inspektorit të Sigurimit Shtetëror vjershën e tij “armiqësore”, për të cilën ai mund të kishte pasoja të rënda, po qe se ndërkohë nuk do të kishte ardhur në Kosovë, ku në atë kohë klima politike ishte shumë më e volitshme se në Maqedoni.

Në dosje ruhet origjinali i vjershës i shtypur me makinë me dorën time, me pak korrigjime me stilolaps dhe me një pikëpyetje të madhe anash, të vënë nga dora e s’di se kujt (sipas të gjitha gjasave nga inspektorët e Sigurimit Shtetëror), si dhe përkthimi maqedonisht, i bërë, si thuhet, me ndihmën e dy udbashëve shqiptarë: NM dhe NÇ, kurse në komentin që i bëhet vjershës, ndër të tjera thuhet se autori i saj fyen “punëtorët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror”, të cilët i quan “qen që lehin e grinden për një kockë të thatë” dhe që “nuk e kanë të gjatë, sepse do të ngordhin së shpejti”, për ta përmbyllur “ekspertizën”, me idenë e shqyrtimit të përgjegjësisë penale ndaj autorit A. V.

Dhe krejt kjo falë filozofit tonë të urtë e të butë, për të cilin mendohej se as mizën s’e shkelte, taman si ai Sheh Miza i përrallës që mbante në këmbë zile për t’i trembur insektet kur ecte rrugës!

Cili filozof në historinë e njerëzimit ka vepruar kështu? Sokrati piu gotën e helmit, Xhordano Bruno u dogj në turrë të druve, Spinoza u shkishërua e anatemua si mos më keq vetëm pse s’pranuan t’i ndryshonin bindjet e tyre politike, shkencore dhe filozofike. Unamuno vdiq në burg shtëpiak, sepse guxoi t’i kundërvihej parullës morbide frankiste “Viva la muerte!” (Rroftë vdekja!), kurse Sartri rrezikonte të burgosej në vitin 1968, po qe se në krye të Francës nuk do të ishte një burrë shteti si Dë Goli, i cili kërkesës së ministrit të Brendshëm për të marrë masa ndaj Sartrit, i qe përgjigjur me fjalët: “Franca nuk i burgos Volterët e vet!”.

Po filozofi ynë, i cili në dosjen time policore figuron me emër e mbiemër si “burim”, a ka ndonjë shok? Dhe kur themi “shok”, kemi parasysh fjalën denoncues a kallëzimtar, për të mos thënë edhe spiun. Ka vetëm një, filozofin gjerman Hajdeger, për të cilin thuhet se duke qenë nazist, i kishte denoncuar në ‘Gestapo’ studentët e vet antifashistë! Por as kjo “pikëpjekje” s’mund të shërbejë si “ngushëllim” në këtë rast, sepse Hajdegeri, themeluesi i fenomenologjisë, ishte tekefundit jo vetëm filozof i madh, por edhe gjeni, kurse çapaçuli ynë gjatë tërë jetës ka folur çapraz në emër të filozofisë dhe që, si nga pikëpamja intelektuale, ashtu edhe në planin moral, ishte një hiç!
Pas vitit 1981, në periudhën e diferencimit politik, që zgjati gati dhjetë vjet (gjer ditën që më dëbuan nga fakulteti), kjo vjershë do të ishte një nga “argumentet” e akuzës ndaj meje, ndërkohë që filozofi i vënë plotësisht në shërbim të politikës antishqiptare më çonte “habere” herë pas here, duke më apostrofuar si “nacionalist”, pra për keq, në artikujt që botonte në shtypin e Shkupit dhe të Beogradit. Por tashmë, për fat kishte dalë në dritë fytyra e tij e vërtetë, kurse miti i tij i dikurshëm ishte rrënuar krejtësisht.

Filozofi për të cilin e kemi fjalën nuk rron më. Kur mora vesh për vdekjen e tij, me një vonesë prej dy-tre vjetësh, më erdhi keq sinqerisht. Personalisht nuk kam pasur kurrfarë konflikti a mosmarrëveshjeje me të, prandaj ky shkrim nuk përmban as më të voglën dozë urrejtjeje e hakmarrjeje. Qëllimi i tij, pavarësisht nga stili sarkastik, është tjetër: të dëshmojë për patologjinë e një kohe dhe për njerëzit, që me a pa dashje, nga frika prej pushtetit a ambicia për poste e privilegje, u vunë në shërbim të së keqes.

6 Komente

Po jo bre Agim, jo, se nuku eshte ashtu ajo puna e Hajdarit t'Frajburgut. Nuk ka spiunuar ai as studente antifashiste as studente me pantallona tub. Tjeterkund ka qene "nazizmi" i tij, por histori e gjate.

______

Megjithate, po me vika mire qe ky filozofi i shqyer ketu me lart nuk jeton me. Surreter te tille s'kane ç'i duhen kujt. Na paska qene zotnia dhe profesor i etikes.

______

Ke dhe nje ngaterrese te vogel me Charles de Gaulle dhe JPSartre. Nuku ka qene aq burre i mire ky Charles, mos u huto kot. Sepse Danin e Kuq e kerkonte kemba-kembes ama, dhe Dani ia mbathi ne Gjermani se eshte dhe gjerman ai, perveç francez dhe çifut. Sharlin, qe thua ti, ne 68-en, ia varen torbat ne shpine dhe i thane hec tani Sharlo se koha jote mbaroi, mos na çaj kaptinen me budalliqe. Edhe Sharli shkoi e vdiq pas nja dy vjetesh, ne nje katund te vockel. Se Sharli ishte i nje epoke tjater o mik, kishte bere Luften e I boterore zotnia, imagjino sa i lashte ka qene, dhe s'merrte vesh nga keta te rinjte, a me kupton ?

Kurse JPSartre, nuku ka qene dhe aq burre i mire, as ky zotnia. Ka qene borgjez i krimbur, e qe donte te behej me punetoret, se keshtu e kishte ai, donte me qene komunist pasanik, a me kupton ? Se kur ishte puna per etike, Sartre ka qene nje tuts i madh, as nje fishek s'e ka shkrepur gjate luftes. Po te kishte qene ne Shqiperi, do te ishte pushkatuar me 47-en, nga Enver Krimineli per borgjez dhe mosmbeshtetje te luftes partizane. Pastaj kur vajti Sartri dhe hypi ne nje fuçi nafte e iu foli punetoreve per gjoja mbeshtetjen e intelektualeve ndaj klases punetore, punetoret s'ia vershellyen shume, edhe pse ky iu tha, ejani e me thirrni kur te keni nevoje. Por ne fakt punetoret s'kishin ndonje nevoje te madhe se nuk ishin ngritur per paga me te larta por thjesht per njeçike rremuje alla kalldremesh pariziane. Se Sartre harronte se ne 68-en punetoret mbushnin xhepat me para, veç liri fjale nuk kishin aq shume.

Etjere etjere, dhe dalim tek ai filozofi qe ti Agim s'na e the emrin. Qe te ta them cope, mua kesi shkrimesh s'me pelqejne fare, ama fare fare. Hiç. Po te kisha qene ne vendin tend, do t'i kisha hyre nje ftillimi te mire te etikes, te moralit, te pergjegjesise, etj etj, dhe do te kisha shperndare ca morale lart e poshte, se fundja kjo eshte detyra e pedagogut : te mesoje popullin e pagdhendur, a me kupton ?

Nejse, shendet.

O Hurbineku, po na merzite bithen mor plak, merr ndonje teme pushim, apo don te te paguajme? Me frike e hapa kete teme sepse desha ta lexoja, por kisha frike se mos kishe komentuar ti apo ndonje si ty. Aman o burr se na hapet barkun, rrituni edhe pak, piquni e kuptoni pak me shume, ose te pakten mendoni e vrisni pak mendjen para se te komentoni pacavure mbas pacavure ne c'do teme, sepse na beni edhe ne te tjereve mos te lexojme fare. Ja psh une nuk do e lexoj fare kete shkrim sepse nuk kam deshire te replikoj me budalliqet e tua me vone, e dru me pre me ty pastaj. Amon o njerz, s'lat me vend pa fol budalleqe.

Personalisht nuk kam pasur kurrfarë konflikti a mosmarrëveshjeje me të, prandaj ky shkrim nuk përmban as më të voglën dozë urrejtjeje e hakmarrjeje.

Vertet, asgje personale nuk ka ne kete mes, sic e thote dhe autori:

Nga dosja ime policore nr. 11144, dokumenti nr. 665, del se vjershën në fjalë ia ka dorëzuar inspektorit të Sigurimit Shtetëror të Republikës Socialiste të Maqedonisë, I. Bllazhevski, më 20. 03.1974, kryeredaktori i njësisë punuese “FV”, në krye të së cilës qëndronte stoikisht filozofi ynë. Profesori që ligjëronte Etikën në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, institucion ky në të cilin tashmë punoja edhe unë si asistent i letërsisë dhe që e mbante veten nxënës të Sokratit, Platonit, Aristotelit, Kantit, Hegelit, Spinozës dhe Volterit, denonconte kolegun e vet më të ri,

Po une pse dreqin shkoj e mendoj qe ketu ka nje mllef te jashtezakonshem, qe zoteria po hakmerret pas vdekjes?! Ta kishte bere ne gjallje te filozofit kete shkrim, mire do te qe, me ate rast vinte dhe shpirtin ne paqe, se kesisoj nuk gjegjet me njeri dhe do te torturoje veten gjer ne fund.

Ta kishte bere ne gjallje te filozofit kete shkrim, mire do te qe,

Eeeehhhh, histori e gjat ajo!

Në fakt, atë që nuk e bëri filozofi në të gjallë të tij për Agimin, ja, e bëri Agimi për filozofin, për së vdekuri.

Thonë se i vdekuri nuk flet, por ja, në këtë rast, foli!

"Hajnin mos e pyet, se të tregon vet!"

Besoj se shkrimi eshte bere ne nje situate logjike meqe ne Kosove mesa duket po diskutohet hapja e dosjeve.

 

Rindizet debati për hapjen e dosjeve në Kosovë

 Në Kosovë është rindezur debati për hapjen ose jo të dosjeve gjatë periudhës së ish Jugosllavisë. 

Shkas për këtë ka qenë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i cili ka bërë kallëzim penal ndaj shumë ish-funksionarëve të lartë të ish-sistemit komunist, duke i ngarkuar ata me veprën penale të krimeve kundër njerëzimit.

Kryetari i Kuvendit, rikujton për BBC-në se një rezolutë e tillë edhe më herët ishte në rend dite në Kuvend, por ajo nuk u miratua.

Zoti Krasniqi thotë se nuk i pëlqen të merret me të kaluarën dhe historinë, por me të ardhmen e vendit. [BBC]

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).