Idetë mbi urbanizimin e një arkitekti shqiptar në vitet '30. Qemal Butka i sheh qytetet e vendit të asaj epoke si vepra kaotike, të krijuar nga interesa të ndryshme. Kurse kryeqytetin një vend ku mungon harmonia e injoruar dhe e egërsuar


Në revistën "Përpjekja shqiptare" Nr. 16 Prill 1938 arkitekti Qemal Butka boton artikullin "Fshati Qyteti Kryeqyteti. Dy fjalë mbi urbanismën".


Artikulli është 6 faqe, i ndarë në katër pjesë. Në pjesën e parë ai shpjegon ç'është sipas tij urbanisma. Në pjesën e dytë historikun së si kanë lindur qendrat e banuara. Në pjesën e tretë flet për domosdoshmërinë e projektimit. Në pjesën e katërt merret me analizën e kryeqytetit të Tiranës.


Duhet të theksojmë së ky është artikulli i parë shkruar nga një arkitekt shqiptar që mundohet të japë mendime dhe shpjegime për problemet e urbanistikës dhe arkitekturës. Këtu ai mundohet shkurtimisht dhe për lexuesin e gjerë të japë disa nocione dhe rregulla për urbanistikën.


Është e çuditshme së po ato probleme që shtrohen sot për shfrytëzimin kaotik të territorit kanë qenë edhe atëherë. Sigurisht jo në këtë masë si sot së Shqipëria ish 1.500.000 banorë, por sidoqoftë kanë ekzistuar.


Ai thekson së qytetet e Shqipërisë janë "vepra kaotike", së janë krijuar nga "interesa të ndryshme". Në kryeqytet "mungon harmonia" thotë ai. "Harmonia është injoruar dhe egërsuar" dhe së "çrregullimi është i papërmbajtur... vazhdojmë me salto mortale zbatimesh..."


Ai kërkon bërjen e planit rregullues për Tiranën dhe shpalljen e një konkursi "Internasional" ose tërheqjen e urbanistëve të shquar për planin rregullues.


Mendoj së ky artikull është fleta e parë e historisë së urbanistikës modernë, prandaj edhe duhet të njihet nga arkitektët, studentët, bashkiakët, dhe publiku i gjerë.
Kam ruajtur leksikun dhe grafinë e origjinalit.


Fshati, qyteti, kryeqyteti. Dy fjalë mbi urbanismën


URBANISMA e shekullit të XX gjetiu dhe urbanisma në Shqipëri; një krahasim, vetëm në disa radhë: Tepër pak për të patur pretendim tjetër veç atij të prekjes së një problemi me aq shumë rëndësi për mbarëvajtjen e jetës së Kombit Shqiptar.


Së sa për sgjidhjen e problemit urbanistik përndryshe, ay nuk është as i lehtë, as i thjeshtë; nuk i delet as me punë, as me aktivitet vetëm. Veç mjeteve, lot rolin kryesor vullneti i mbështetur në njoftime të thella shkencore e teknike.


Natyrisht dihet mirë së Shqipëria përparimet duhet t'i ndjekë pas ligjeve të përgjithëshme të çdo zhvillimi: gradërisht dhe paralel në gjithë drejtimet e faktorëve të jetës së saj.


Kuptohet lehtë dhe së procesi i shvillimit civilizator e kulturor kërkon sasin e kohës së mjaftë për të plotësuar. Cak këtu veç, qëndron një farë fatkeqësie për Urbanismën t'onë: Që Urbanismë do me thënë fillim, projektim, plan për themelim ose rregullim qytetesh.


Kurse ndërkohë për veprat t'ona lipsët të themi së duhet të mos vazhdojnë të zbatohen dhe të mbarohen pa këta themele fillimtare, pa plotësimin e planeve, të rregullave dhe të ligjeve urbanistike.


Së kështu ngjan që: nuk mund të përmbahet fatkeqësia e hedhjes poshtë pasurish kombëtare, e derdhjes pa vend ose me drejtim të gabuar, ndofta edhe pa kriter - i vlerave privatë ose publike. Por të kthehemi sefte në themë: Urbanisma përgjithësisht.

Përpjekja e njeriut për mbrojtje kundra elementëve të natyrës, lindje e kuptimeve të para shoqërore, zgjim i ndjenjës - në dashç i instinktit - që së bashku jetohet, luftohet dhe fitohen mjetet e jetesës më mirë, pruri vendosjen njerëzore grumbull në plëng e në shtëpi.


Vepërim i këtillë siç fillon që nga çveshja e vendeve prej pyjeve të egër dhe shkon gjer në krijimin e qyteteve modern me themelet e të gjitha përparimeve civilizatore dhe kulturore - kjo është Urbanisma në kuptimin e përmbledhur të fjalës. Format e para të vendosjeve në kohët e lashta kanë qenë katunde të krijuara më tepër si mjetë mbrojtje.


Kurse qyteti modern nuk është më fortesë kundra armikut, kundra kaçakëve, kundra demonëve; është një krijes'e qetësisë, thjeshtësisht e bukur, është vend i lirisë së përmbledhur, të ngushtuar vullnetarisht për të shkuar jetën në paqe: hapur ndaj mirësive dhe bukurive të natyrës dhe mbyllur për t'u mbrojtur prej elementëve të saj. Kështu janë qytetet e kohës së sotme.


Sa për në Shqipëri, ka shumë arsye që punët ndryshojnë mjaft. Theksuam qysh në fillimin e këtyre radhëve : Jemi larg.


Dy shprehje vetëm prej literaturës së huaj të Urbanismës na i japin këtë kuptim: Kur flet për qytetet e Gjermanisë, dijetari Dr. Most shton këto fjalë: "Në fillimin (origjinën) e kulturës, vendosjet urbanistike (Siedlungen) kanë qenë katunde të banuara prej bujqësh: pranë tyre kish dhe zejtarë të ndryshëm."
Bujqër dhe zejtarë: po thuaj se qytetet e Shqipërisë sot, ashtu siç kanë qenë katundet e Gjermanisë dikur.


Se ja qysh e spiegon Dr. Most me një frazë tjetër zhvillimin e qyteteve:
"Me të fituar njoftime mbi natyrën, mbi fuqit dhe thesaret e saj; me përdorimin e këtyre njoftimeve të mbështetura në mundësitë shkencore e teknike, u vu në rend ndarja e punës.


Gjendja gjeografike e vendit, ku kish mundësi komunikasionesh (det, lumë i lundrushëm etj.), ose ku ndodheshin thesaret e natyrës 9 hekur, dru, etj.) zejtaria e shvillua në industry - atje dhe atëbotë katundet u bënë qytete."


Natyrisht shkaket dhe rrethanat e themelimit ose të shvillimit të qyteteve janë shumë të ndryshme. Veç faktorëve: klimë, pasuri, mbrodhësi tokësore dhe gjendje gjeografike, ka edhe arësye politike. Porse faktorët me rëndësi për Urbanismën, janë: nevojat, materjalet dhe teknika lokale. Prej atyre rrjedhin format.


- Ndarja e qyteteve pas artit të teknikës dhe të arkitekturës në elementet organike: bloke ndërtesash, konstruksione rrugësh, sheshesh, parkesh etj. - kanë qenë të njëllojshme në cilësi.


Dy grupe qytetesh - në dashçim të ndajmë - janë më kryesoret që dallohen vetëm prej arësyes së krijimit të tyre; a) qytete natyrale të krijuar vetiu; b) qytete artificjale, të themeluar me projekt.


Arësyet e veçanta të themelimit janë ato që u kanë dhënë qyteteve shenjat karakteristike dhe në tipare.


Mungesa e rregullit dhe e proporsionit p.sh. në formën e shesheve, në ndarjen dhe drejtimin e rrugëve, janë shenjat që bjenë përnjëherë në sy në qytetet "natyrale", të krijuar vetë.


Kurse qytetet e zbatuar mbi kriteret e shkencës së Urbanismës, me skema, drejtime dhe systeme të paramenduara - kanë rregull në funksion, dhe bukuri në pamje.


Ndonëse bloket e ndërtimeve të katërcipta - me rrugë të drejta e rektangulare - janë shenja dalluese për qytetet modern, të zbatuar me plan rregullues, ky lloj ndërtimi qytetesh është shumë i vjetër; rrjedh prej një ritus të shenjtëruar, që kur vendosjet dhe qëndresat romake kanë qenë themeluar me drejtimet kryesore rrugësh, very - juge e lindje - perëndim ("cardo" e "decumanus").


Për këtë arësye, qytetet e "renaissance"-s që janë rilindja e artit klasik, kishin për bazë vetëm këtë system të vjetër: rektangularitet dhe rrugë të drejta.


Natyrisht, si në çdo tjetër vepërim njerëzor, ashtu edhe në Urbanismë, nuk është vetëm systemi bazë me rëndësi, po edhe qenia konsekvent në zbatimin e systemit.


Prej përshtatjes së masave urbanistike me vendin e rrethanat, me nevojat, shkurt: prej funksionimit organik e artistik rrjedh qyteti i rregulluar me plan ose dhe pa plan. Prej shabllonash të ngrira pa strukture, pa rythme dhe pa harmoni - del në shesh qytet' i shthurur, me plan ose pa'të.

Pra Urbanisma është vetëm atëhere shërbyes i njerëzimit, kur ajo trupëzon mendimin organizonjës në të gjitha fazat e zbatimit.


Së ësht'e ditur: Jo vetëm mungesa e çdo ideje që është shtërpësija vetë, po edhe mendimet më gjeniale mbeten së fundi fantazi të thata në qoftë së ato nuk mbështeten në njoftime material dhe zotësi profesionale.


Prej primitivitetit të "duave 'me nuska, që nuk sheh fuqit vërteta të natyrës, po sheh në to vetëm demonë mystike, nuk del tjetër veç pengime ndaj veprave të qarta. Teknika dhe arti që dalin nga shkenca dhe nga kultura, si përgjigje të fuqive krijuese të natyrës - dominojnë sot botën.


Plani, arti i projektit është thelb i punës në shekullin e XX. Ay ndan e cakton, ay vendos e organizon përnjëherë dhe me një parashikim prej 30 deri 40 vjet - të gjitha elementët funksiononjëse që bëjnë pjesë integrale të qytetit.


Kjo është vlefta: që plani paramendon, parashikon përpara veprimit. Këtu fillon të zbatohet koordinimi harmonik i interesave private dhe publike, në themel të asaj dijenije teknike dhe artistike që quhet Urbanismë dhe arkitekturë.


Fatkeqësisht në Shqipëri këtij fakti i qëndron fakti tjetër përballe : Prej mungesës së tradisjonit vepërimtar në urbanisme, prej nvojes dhe dëshirës së shpejtimit të përparimeve, punët kanë kapërxyer njëra-tjetrën.


Prandaj, qytetet e Shqipërisë janë po thuaj së vetëm vepra kaotike: Se kanë rrjedhur prej krijime rastesh, prej dëshirash të ndryshme, muarën drejtime divergente dhe nuk u shtinë dot në disciplinimin përmbledhës ndaj një qëllimi interesash të përbashkëta.


Nga kjo rrjedh që asnjë rrugë, as shesh, asnjë grup ndërtesash nuk gjendet në Kryeqytetin e Shqipërisë, ku mund të qëndronte syri i tërhequr prej ndonjë harmonije. Masa dhe proporsioni, përsëritja dhe njëllojësija - faktorët dhe elementet e harmonisë së ndërtesave - janë ignoruar, janë egërsuar dhe janë çdukur krejt.


Kështu veç mund të kuptohet dhe se si Tirana arriti të mos ketë në ndërtesat as grupime as rrjeshtime si elemente ornamentale, qofshin të vogla e gracioze ose të mëdha e monumentale. Rregullimi është vërtet i shthurur, i papërmbajtur kurkundi. Nenet me të thjeshta ligjore nuk kanë mundur të ndjekin pas vepërimet.


As e kanë ndaluar, as e kanë kufizuar dot një shvillim galopant të tille. Shpresojmë se me kohe do të vejë çdo punë mbare. Tamam për këtë arësye duhet t'a themi sot së vepërimet s'kanë mundur të kenë as system as radhë.


Po kryhen bulevarde të shtrirë sa gjerë gjatë në fusha ku kullosin akoma dhent'e lopët, kurse arteriet më kryesore të komunikasionit njerëzor, kanë mbetur në ngushticë.


Atje bulevardet që përfundojnë si rrugë pa krye kanë një gjerësi prej 35 dhe 202 metro, këtu rruga nacionale vetëm 20 metro. Është qëllimi të punojmë që të përmirësojmë, kur shikojmë pasqyrën e veprave. Se ato nuk gënjejnë. Ato nuk i thonë të zezës je e bardhë; barbarismës, je mirësi; snobismës, fisnikeri, ose sharllatanismës, zotësi.


Lipset t'i studjojmë mirë veprat e ndërtimeve që krijojmë. Se ato janë symbolizimet, eternizimet, bërje mur e gur, hekur e beton i prodhimit intelektual ndërmjet të urbanismës shqiptare.


Për atë përpiqet dhe të vuajë përpara së të pjellë mendja. Se urbanismë është ajo që shtëpitë i ngreh në systemin e duhur dhe në vendin e duhur. Krijimi i qyteteve parashikon rrugët në drejtimin e duhur dhe në gjerësinë e duhur.


Rregullim i qyteteve, ësht'ay që nuk le të kryhen ndërtesat vetëm për vete, pa asnjë lidhje konstruktive ose esthetike të përgjithëshme. Se nuk është vetëm halli i shëmtimit. Dëmi përndryshe është më tepër material mbasi është në natyrën e çështjes që më parë ose më vonë absurditetet duhet pa tjetër të çduken.


Është mirë të mos ndahemi aspakë nga shkenca. Të krijojmë kultin e teknikës dhe të artit. Këto të dyja janë të domosdoshme, në dashçim të jemi me të vërtet të përparuar. Urbanisma përndryshe e mban kot emrin; se krijon vepra t'atilla që prishja e tyre e domosdoshme - jo ndreqja - kushton mjaft mjete; aqë shumë franga ar sa s'vlejnë ndofta edhe qytetet vetë. Ky është rreziku, kjo është fatkeqësia që do mbajtur parasysh edhe në më të voglin vepërim urbanistik.


As ideale, as fantazi - më tepër modesti duhet. Të nisim sefte nga nevojat elementare, me vleftat e thjeshta materiale: të prekëshme dhe të çmueshme; por që vetëm atëhere kanë vleftë për secilin, kur ato kryhen për të gjithë. Kjo mendësi nuk lypsët të mungojë, së kjo është Urbanisma: nisja e punëve me radhë. Sefte vjen mendimi, pastaj studimi - në fund projektimi.


Është mirë që t'a themi së është turp t'a lemë të vazhdojë ky fakt: që nën këto tri të parat: mendim, studim e projektim i kemi lenë më nj'anë - dhe po vazhdojmë në salto mortale zbatimesh. Kështu, mungesave në parim, u shtojmë dobësitë në hollësi.


Natyrisht është e drejtë: kanë munguar profesionistët projektues të vërtetë, s'ka pasur as zejtarë zbatues si lipset dhe s'janë ndodhur as mjetet e ndërtimeve; kanë munguar po thuaj se gjithë këta faktorë të egzaktësisë dhe të precizionit - bash ato cilësi të matjeve njerëzore - që janë karakteristikat e fisnikërisë së veprave të artit dhe të teknikës.

Prandaj ndofta ndodhin fakte monstruoze - që zor mund të quhen "fisnike" në kuptimin e sipërm - kur prej nisjes së një rruge deri në mbarim të saj të dalë shifra rrumbullake prej 15 metrosh diferencë nga plani.


Por që të kuptohemi drejt: mungesa të tilla fundi mund të ngjasin - të themi edhe prej gabimesh. Ato ndreqen. Halli është prap në nusja në parimi; dhe është aq' i madh sa më duket së nuk mund të theksohet mjaft. Veçanërisht për Tiranën.


Për t'a provuar vetëm së nevoja e fillimit nga e para për planin rregullues të Kryeqytetit - ësht'e domosdoshme, besoj së është mirë të rrjeshtohen disa shifra konkrete dhe disa shembëlla nga mungesat kapitale të planit rregullues:


Këto janë: Ndarja e qytetit së paku në pjesët kryesore:


1) zona konstruktive;


2) zona të papregatitura për ndërtime;


3) zona industrial dhe zejtarije, ku mund të jepet e drejta për ngrehje fabrikash, deporash etj.


Mbyllja e zonës konstruktive dhe pregatitja vetëm e kësaj zone me planin hollësisht rregullues si mbas të gjitha parimeve konstruktive, është gur'i parë i themelimit urbanistik. Sepse zona konstruktive është ajo përmbledhje dhe ay kufizim i sipërfaqes së qytetit, që vjen në pajtim me mjetet financiare që mund të disponohen si mbas proporsionit të banorëve qytetarë.


Mungesa e ndarjes së kësaj zone prapë me plan rregullues definitiv të imtë dhe të pa ndryshueshëm në pjesët organike të qytetit si mbas funksioneve të ndryshme: banesë, tregëti, zejtari, parke, vende ndërtesash shkollore, vende sportive, etj. - është arësye me vete që na shtyn të insistojmë në theksimin e nevojës fillimtare: kompozim i një plani të vërtetë rregullues, sa më parë që të jet' e mundur! Se ja se ç'dëftejnë shifrat, ja se ç'ka rrjedhur vetëm prej asaj zonës konstruktive të pa mbyllur e të lenë një me zonën juridike:


Si mbas rregullave urbanistike në gjithë botën e civilizuar, proporsioni i sipërfaqes së qyteteve me banorët e tyre, në bazë të rrethanave të ndryshme lokale, ndahet trish :


1) Banesa shumë të rralla - (pajtohem me gjendjen e Tiranës) - 150 banorë për ha;
2) Banesa mesatare - 300 banore për ha;
3) Banesa shumë të dendura - 600 banore për ha;


Prej caktimit zyrtar, kufijtë juridike të Kryeqytetit përmbledhin një sipërfaqe prej 800 ha. Brenda kësaj zone ka të drejtë secili qytetar të ngrejë ndërtesë ku të doje dhe si t'a dojë. Shumëzimi i 800 ha. me faktorin më tepër se të përshtatshëm për Tiranën prej 150 banorë për hektar, del shuma e banorëve që lipset të kishte Kryeqyteti prej 120 mijë frymë. Kuptohet vetiu pra që sipërfaqja konstruktive është identifikuar me atë juridiken.


Tirana është përhapur katërfish më tepër se sa ka pasur nevojë. Kjo mandej bën të kuptohet lehtë dhe se:


1) Katër herë më tepër rrugë ka Tirana që lipsen hapur, kryer dhe mbajtur;
2) Katër herë më shumë trotuare për t'u ndërtuar dhe për t'u mbajtur;
3) Katërfish me tepër instalim dhe konsum elektriku;
4) Katër herë më të gjata dhe aqë herë më të gjera lipset të jenë kanalet;
5) Katërfish me tëpër largësi ka çdo shërbim transporti;
6) Katër herë më shumë shpenzime për shërbimet publike;
7) Katërfish më të gjata dhe disa herë më të gjera vijat e konduksionit të ujit - kur të vijë - etj.


Ka edhe më. Po kaqë është mjaftë - që t'i leme me nj'anë rrjedhat e tjera të cilësive qe merr një qytet me kaqë shumëfish më tepër sipërfaqe së sa lipset të kish për konstruksione. Përfundimi i shkurtër i këtyre rrjeshtimeve të gjata është ky: Të gjithë qytetet - bile edhe katundet e Shqipërisë - kanë nevojë të domosdoshme për plan rregullues. Shpenzimet e një vepre të tillë janë kursim dhe ngritje vlerash në kuptimin e vërtetë të ekonomisë kombëtare.


Sa për Tiranën, ajo më nuk pret. Nevoja e planit të saj është fort e ngutëshme. Kanë kaluar më së 20 vjet vepërimi urbanistik në baza mjaft të gabuara.


Pra dy rrugë më duket se janë më të mirat për t'a arritur këtë qëllim: Të studiohen dhe të pregatiten hollësisht, të gjitha elementet bazë, si matjet egzakte geoditike, statistikat e të tjera, dhe:
1) Ja se të shpallet një konkurs internasional ose 2) të ngarkohen urbanistë të përmendur me kompozimin e planit rregullues të Kryeqytetit.


Në arkitektët shqiptarë këtë dëshirojmë, këtë lusim dhe këtë presim si ujët e pakë: që puna jonë modeste në degën e artit të arkitekturës të na japë satisfaksion moral, të qenies komplement në zbatimin e veprës së madhe të Urbanismës së shekullit të XX në Atdheun t'onë.

 

 

2 Komente

Nga titulli thashe se do lexoja ndonje gje per Ildefonso Serda, jo maks velon

Shume interesant! Faleminderit qe e sollet.

Sa e ndryshme problemet e djeshme nga ato te sotmet... Urbanistika ka ndryshuar po aq sa ka ndryshuar shoqeria shqiptare nga vitet '30. Por eshte cudi sesi retorika eshte e ngjashme...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).